Në kryqëzimin e Krythës, ku “rrugët” ndahen si thikë për shqiptarët, ka një tabelë: po kryhen punime, kalim i bllokuar! Ishim lajmëruar më herët, qysh në nisje, se në këtë kryqëzim mund të shmangeshim për të mbërritur në Ulqin. Instinkti për të pyetur, të gatshëm në çfarëdo gjuhe, na ndali m’u bri një lokali, ku përgjigja na erdhi shqip: sot, kalimi është i lirë! Ishte e shtunë, me diell, dhe kishte mjaft lëvizje. Na treguan se, më herët rruga ka qenë e vështirë, mjaft e vështirë. Sidomos për lidhjen tonë të natyrshme të gjakut, për të mbajtur të gjallë gjuhën, botuesit e Shqipërisë çdo vit organizojnë në qytetin bregdetar panairin e librit shqip. Reflektimi i sotëm është mundimi i madh dhe përpjekjet e vazhdueshme për të mos e këputur këtë fill, sado i tendosur nga pamundësia si kjo rruga jonë me librin.

Në këtë stinë, kur koha është më e freskët, e zbut pak edhe radhën e gjatë nga përvëlimi i diellit.

Kishim me vete romanin e Ridvan Dibrës, “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë” – ftuar në një takim letrar me shkrimtarin, të organizuar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi në bashkëpunim me Shoqatën e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”. E kaluam kufirin, por ende me ndrojën se libri mund të ndalohej.

Nga Shkodra udhëtimi duket i linjës së përhershme. Ndërsa Tirana, edhe pse disi më e largët, e mban më të gjallë kuriozitetin  e shqiptarëve atje.

Kur mbërrijmë në Ulqin qyteti duket sikur ka ngritur plackat e po ikën…Pothuaj është i zbrasët pa shumë gjallëri siç mund të jetë në verë, ku mbipopullohet nga turistët. Vendasit e ndjejnë dhe se ç’kanë një tis trishtimi për “njerëzit që u mungojnë”.

Por qetësia e kësaj stine e ka shndërruar qytetin në një oaz. Turistët e paktë, pa hedhur sytë nga “getoja” e ndërtesave në faqe tjetër të kodrës, nisin ngjitjen në kala – një nga pasuritë më të mëdha kulturore-historike e natyrore të qytetit të themeluar rreth shekullit të V p.e.s. nga ilirët. Në vitin 163 p.e.s. vendi u pushtua nga Perandoria Romake dhe pas ndarjes së perandorisë i takon Perandorisë Bizantine. Gjatë mesjetës ishte nën udhëheqjen sllave dhe pastaj nën atë të Balshajve.

Këto emra historinë e kanë lënë pas, në ironi, me gjurmë emërtime lokalesh, baresh apo hotelesh. Historia nuk është më mbizotëruese në qytet. Për vendasit, shqiptarët është mbijetesa. Nëse dikur kishte dhe disa banorë malazez, tani thonë me mburrje se e gjithë Kalaja, banesat e saj janë blerë nga shqiptarët, askush i huaj s’banon më aty.  Pavarsisht kësaj, na tregojnë se numri i shqiptarëve në Ulqin ka rënë, nga 20 mijë banore tani ka shkuar në 13 mijë…si një qytet i lënë pasdore nga politika, duke u trajtuar si pakicë kombëtare dhe pse janë në trojet e tyre. Për gjendjen e tanishme ulqinakët kanë një optimizëm të sforcuar, edhe pse qyteti është në një hartë turistike mjaft e njohur.

Presim mbrëmjen kur para Bibliotekës prezantimet kthehen natyrshëm në ngjarje të secilit – flasim për gazetat, si Koha javore e Ulqinit është një medium i rëndësishëm i kulturës dhe politikës atje, flasim për median në Tiranë, – në një pamundësi komunikimi të vazhdueshëm, si dhe aneksimin e mediave kulturore, ku besohet se mbërrin më shpejt njohja.

Qoftë ne, nga Tirana, ashtu dhe të Ulqinit, shkrimtar e miq të librit, kërkojmë të dëgjohemi – çfarë bëhet me e rëndësishme në jetët e të dy hapësirëve – ku konvergimi ynë i përbashkët, por lëngatë e vazhdueshme është mendësia.

Megjithatë njerëzit mblidhen. Njerëzit takohen për t’u njohur. Miqësohen. Si në rastin e e shkrimtarit nga Shkodra. Ridvani, autori i “Madalenës…”, është pothuaj i familjarizuar me qytetin e njerëzit. Ka mjaft ish studentë të tij, që kanë mbaruar fakultetin në Universitetin e Shkodrës. Por, kjo nuk ia heq kurrë emocionet një shkrimtari, para lexuesit të tij.

Në Ulqin kjo duket se është mundësia e vetme. Ismeti, drejtor i Bibliotekës na thotë se në qytet nuk ka asnjë librari. Ai përpiqet t’i mbledhë librat, ashtu si shkrimtarët në mediumin e vetëm të qytetit, duke treguar për përvojën edhe të mbrëmjes poetike “Kalimera”, sa shumë të ftuar ka nga Shqipëria. Pothuaj është takuar me gjithë shkrimtarët shqiptarë me shpresën se kështu ruhet kultura e historia edhe e qytetit të tij…

Faik Nika, kryetar i këshillit kombëtar shqiptar, një personalitet i rëndësishëm në qytet, ish student i Shkodrës, ndan të njëjtin shqetësim, si duhet të jenë axhendat e përbashkëta kulturore me Shqipërinë. Për pak orë nevoja për të hyrë në universin e një shkrimtari, duke pritur prej tij një farë “ngushëlluesi” shpirtëror e rigjallëron sallën e leximit në Bibliotekë.

Bisedohet për: “Madalenën…”, çfarë nxitin procesin e krijimit tek shkrimtari, për shqetësimet e përbashkëta, pse nuk lexohet, e aq më tepër shqip, sa mjaftueshëm e kemi njohjen, pse pengohet kultura…- ja këto e bëjnë njeriun mal në ato anë, ashtu sikurse edhe neve, për të mos mbetur ndërdysh në kryqëzim të Krythës, ku ndahen shqiptarët nga Mali i Zi.

Maj 2019 (ExLibris)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Reportazh/Abruzzo që të kujton Shqipërinë – natyra, relievi, ngjyrat….
Tirana me klub tenisi, ballo dhe tiranasit me furçë dhëmbësh
Kur një femër vishte historinë
Një Itali e dytë me emrin Lukania!
Matanë Gjallicës, kah “Guri i Mëngjesit”
Visar Zhiti në shtëpinë e Heminguejt

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}