Nga Ana Kove

Për përkthimin dhe çështjet e tij krejt të prekshme diskutojmë thuajse çdo ditë me kolegët nga e gjithë bota në këto ditë gushti këtu ku gjendem, në Gjermani, në rezidencën e Kolegiumit Europian të Përkthyesve (EÜK), Straelen. Do të doja shumë qëedhe ne ta kishim një shtëpi të madhe si kjo: plot me libra, fjalorë të vjetër e të rinj, enciklopedi shpjeguese, e mundësi rikrijimi në paqe. Pse të mos e ketë edhe Shqipëria një rezidencë për përkthyesit, e sidomos për t’u krijuar mundësine atyre, që mund t’u japin zë autorëve tanë në gjuhët e botës?Ajo çka mund të them është se thuajse të gjithë ne këtu jemi në proces përkthimi autorësh të gjallë, të rinj. Clemens Meyer quhet autori që po përkthej, ka lindur në vitin 1977; po përkthehet njëkohësisht edhe nga katër përkthyes të tjerë që gjenden në këtë rezidencë sot, dhe është thuajse në të gjitha gjuhët e rëndësishme të botës i njohur me tregimet e tij. Historinë e letërsisë botërore e bëjnë përkthyesit. Dhe historia e letërsisë botërore ka nevojë të vazhdueshme për emrat e rinj, që bëjnë shenjë në vendet e tyre. Në këtë pikpamje, ne vazhdojmë të ngelemi letërsi anonime, peng i njohjes në botë vetëm prej një shkrimtari; peng vetëm i emrave qarkullues dhe shpesh jo i talentit, pa zhvilluar strategji kombëtare të njohjes së letërsisë sonë. Një ditë duhet të vijë koha…

Sa i takon pyetjes në është përkthimi interpretim, përshtatje apo shqipërim, do të përgjigjesha paksa poetikisht se përkthimi është vallëzim i bukur i përkthyesit mes dy gjuhësh. Por, ndryshe nga vallzimi i lirë, ku ti vetë përcakton se sa do ta hedhësh hapin, se si do ndjekësh ritmin, si do t’i joshësh sytë e ndjekësve, ky është vallzim që duhet ta bësh i lidhur me zinxhirë nëpër këmbë. Të jesh i frymëzuar dhe të frymëzosh njëkohësisht. Kompozimi i gjithë kësaj bukurie fjalësore i takon autorit. Muzika e sfondit, tingulli, kreativiteti, joshja, që do të vijnë si shtesë prej përkthyesit në gjuhën e tij, janë të pashmangshme, por vetëm aq sa lejon zinxhiri i fortë i gjuhës burimore, që ia qarkon atij këmbët. Përkthimi nënkupton trajtimin e një teksti burimor për ta sjellë atë në gjuhën e synuar me besnikëri, njëkohësisht me art dhe interpretim. Përkthimi korrekt qëllon të mos jetë gjithmonë më i miri. Të përkthesh gjithçka krejtësisht korrekt, ndodh që në gjuhën dalëse të mos tingëllojë aspak bukur, madje shpesh edhe përfton konstrukte të gabuara gjuhësore. Shqipja e mirë është kriter i padiskutueshëm, por as ajo, vetëm, nuk mjafton. Për një përkthim të mirë letrar duhet natyrisht, përveçse njohjes shumë të mirë të të dyja gjuhëve, edhe një ndjeshmëri e madhe. Kjo ka po aq rëndësi sa dy të parat. Dija nuk mjafton pa ndjeshmërinë në këtë profesion. Përkthyesi duhet jo thjeshtë t’i transmetojë fjalët, por t’i dashurojë ato, t’i përzgjedhë dhe t’i peshojë mirë, para se t’i përdorë. Përkthimi ka një qasje më të madhe drejt interpretimit, kur edhe përkthyesi shkruan vetë. Edhe pse ka shumë përkthyes, që nuk e kanë shkruar kurrë as edhe një tekst të vetin në gjuhën dalëse, shpesh ka zëra nga kritika e përkthimit, se përkthyes të tillë nuk e kanë të zhvilluar sa duhet sensin e ndërmjetësimit letrar të një teksti përmes ndjeshmërisë së duhur. Me fjalë të tjera, bëhet i domosdoshëm edhe talenti letrar, që nga përkthimi të përftojë “shqipja e bukur”. Letërsia është art dhe thelbi i artit është krijimtaria dhe origjinaliteti. Natyrisht, ka përkthyes shumë të mirë, edhe pa qenë vetë shkrimtarë, të cilët zotërojnë talentin e duhur letrar, ndjeshmërinë artistike, si edhe njohjen në thellësi të narracionit të autorit që përkthejnë.

Shteti, në gjuhën e të cilit unë përkthej, bën jashtëzakonisht shumë në aftësimin e përkthyesve të kësaj gjuhe, përmes bursave dhe mundësimit të pjesëmarrjes së përkthyesve në shumë seminare, akademi përkthmi, konferenca, diskutime, takime me autorë etj. Falë gjithë këtij investimi, një vlerë e padiskutueshme në procesin e përkthimit është edhe shkëmbimi i përvojave mes kolegëve. Në mars të këtij viti isha pjesëmarrëse në Takimin Internacional të Përkthyesve të Gjermanishtes në Berlin, ku rreth 30 përkthyes nga e gjithë bota, erdhën për të folur për sfidat e përkthimit nga gjermanishtja sot, në rrugët e reja të shkëmbimeve ndërkulturore, por edhe për t’u takuar nga afër, për t’u njohur dhe diskutuar me autorët e nominuar për çmimin e madh të Panairit të Leipzigut 2019, për të dëgjuar lexime nga librat e tyre, dhe, mundësisht, për përzgjedhjen e përkthimeve të ardhshme prej tyre. Përkthimi i letërsisë bashkëkohore sot të ofron edhe kënaqësinë e njohjes personale me autorin, dhe diskutimin me të, me vendin ku është shkruar vepra, në mënyrë që edhe transmetimi kulturor që është prapa tekstit të mos humbasë dhe të shkëlqejnë nga imazhet kulturore të origjinalit edhe në tekstin e përkthyer.

Të përkthesh nga gjuhë e dytë?

Po shkruaj këtu një kuriozitet, që e kam dëgjuar nga një lektor gjerman në një nga seminaret mbi përkthimin. Bëhet fjalë për një poezi të Goethe-s “Wandrers Nachtlied”. Versioni i kësaj poezie u përkthye në vitin 1911 në frëngjisht. Dhe këtë version dikush e përktheu sërish në gjermanisht, pa e ditur se bëhej fjalë për një poezi origjinale të Goethe-s. Rezultati përfundimtar me tekstin në origjinal zor se ka gjëra të përbashkëta. Nuk dihet sa është e vërtetë dhe sa lëgjendë urbane, por fakti që ajo ende vazhdon edhe sot e diskutohet për të dyja variantet e poezisë, dhe madje mund të lexohet në literaturën për përkthyesit, është ngritja e këtij problemi të rëndësishëm në përkthim: Nëse transferohet një tekst në një gjuhë tjetër, atëherë rezultati nuk është vetëm teksti i ndryshuar gjuhësor. Kjo është veçanërisht e dukshme në poezi. Ritmet nuk funksionojnë më, elementet onomatopoeike humbasin, shumë fjalë kanë konotacione të ndryshme. Imazhet kulturore janë të vështira për t’u përkthyer. Ajo që tingëllon mirë dhe prek në një gjuhë, mund të jetë artificiale, absurde ose thjesht e mërzitshme në një gjuhë tjetër. Si mund të konceptohet atëherë përkthimi nga një gjuhë e dytë? Kjo është shumë e bukur, për të qënë e vërtetë. Edhe kur duket se përkthimi rrjedh në gjuhën dalëse, mëkati që bëhet ndaj autorit është i madh. Sidomos në poezi. Tingulli, ritmi, alteracionet, valencat e kuptimit, simbolika e tingujve, imazhet fjalësore, lojërat e fjalëve, kontekstet kulturore – asnjë prej tyre nuk mund të transmetohet pa humbje nga një gjuhë në tjetrën.

Ka përkthyes që me kureshtjen e tyre si edhe dhe aftësinë krijuese mund të krijojnë kështu një kornizë të re referimi, që i shpërblen humbjet gjatë përkthimit. Po kjo duhet të ndodhë vetëm një herë. Nëse bëhet përkthimi i përkthimit humbja është dy-ose shumëfish më e madhe. Kur i ofrojmë lexuesit një autor, nuk përkthejmë vetëm përmbajtjen, por edhe stilin. Personalisht më është dashur që, për shumë poezi të poetit Paul Celan, një prej lirikëve më të mëdhenj të shekullit të shkuar, (i quajtur shumë i vështirë dhe gati i papërkthyeshëm edhe nga vetë kritika gjermane) përkthimin nga origjinali të të cilit tashmë lexuesi shqiptar e njeh përmes vëllimit “Lulëkuqja dhe Kujtimi“, mbështetur nga Traduki dhe Ministria e Kulturës, të lexoj mbi dhjetra analiza teksti vetëm për një poezi, të dëgjoj versionet origjinale të interpretuara me zërin e tij apo dhe të të tjerëve. Të lexoj me zë të lartë dhjetëra herë secilën poezi në origjinal e pastaj po aq herë përkthimin e saj në shqip. Nuk do kisha mundur kurrë ta transmetoja strukturën e poezisë së Celan-it, pa e dëgjuar poezinë e tij në veshët e mi. Nuk mund ta përkthesh gjuhën e një poezie sonore, pa e dëgjuar si këndon ajo në veshin tënd në origjinal. Po, nëse e përkthej nga gjuhë tjetër, cilin zë do dëgjoj në veshin tim, cilën gjuhë? Të autorit, kurrsesi. Natyrisht, ka edhe shembuj përkthimesh të pranueshme, që shmangien e madhe nga origjinali e mbushin me pak krijimtari, kjo ndodh edhe në rastin kur tekstin burimor e njeh mirë. Personalisht jam kundër përkthimeve nga gjuhë të dyta. Fakti që institucionet që shpërndajnë të drejtat e botimit nuk i lejojnë më përkthimet nga gjuhë të dyta, përpos rasteve kur s’ka mundësi tjetër, e bën të panevojshme këtë pyetje sot.

Edhe klasikët duhet të përkthehen nga koha në kohë. Kjo, jo sepse përkthimet e vjetra janë gabim, por sepse shoqëria e sotme ka zhvilluar një tjetër lloj ndjeshmërie ndaj leximit dhe ndaj gjuhës.

(Nga forumi i organizuar ne ExLibris, 2019)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Nga trashëgimia e shkatërruar historike në të tashmen!
Unë “bir i armikut”!
Mbetet zëri i trishtë i Lindita Ahmetit
Filmi i socializmit
Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}