Ne Homazh/Në korrik të vitit 2012, në një prej amfiteatrove të Athinës, poeti Ali Podrimja, me rastin e promovimit të librit poetik “Hartë e grisur”, në gjuhën greke, flet enkas për këtë takim, – “Nuk jam i vetvetes” – ku rrëfen për lirinë, të shkuarën dhe problemet e së ardhmes, krijimin, librat, kritikën, përballjen e shkrimtarëve, letërsinë e tyre, shtetin totalitar dhe autorin, si funksionojnë qarqet letrare të të dyja vendeve, Tiranë e Prishtinë…

Nga Ali Podrimja

Krijuesi ka punë me magjinë dhe me të menduarit. Përkushtimi i njëmendtë e ngre atë në individualitet. Megjithatë, ekzistojnë gjëra për të cilat nuk mund të thuash se je i pari, që merresh me këtë apo atë çështje. Përpjekjet për origjinalitet janë sizifiane. Bota është harxhuar shumë dhe aq shumë është eksploatuar gjuha, sa njeriu dridhet kur tenton të lërë diçka në letrën e bardhë.
Rreth motivit të labirintit ishte diskutuar gjatë kush e ka imituar tjetrin. Kafka apo Borhesi. Ndikimi për e rreth labirintit te këta dy kolosë ishte nga një i tretë, sofisti i lashtësisë greke, Zenon. Gilles Lapouge, në një tekst të tij rreth këtij problemi te shkrimtarët e nderuar, e shihte te degëzimi i ideve.
Borhesi mbështet idenë se shkrimtari krijon pasardhësin e vet. Kjo do të thotë se ne jetojmë dhe e lexojmë jetën në variante.
Për përkimet mes krijuesve kisha dëgjuar. Do përmend dy poetë gjenialë: Lasgush Poradecin dhe Emineskun: kanë ndonjë afri idesh, motivesh, simbolesh, formash; fjalë karakteristike nga leksiku, por nuk bën të pranohet rrënimi i gjeniut shkaku i ambicieve të ca liliputëve, që artin e jetën e shihnin nga një dritare e zymtë.
Qarku letrar i Prishtinës, siç ka zënë të thuhet e që ishin ndeshur me realizmin socialist. Në vitin 1971 botuan një tekst problemor “Vox clamantis in diserto”. Qëndrimin e tyre e kishin dëshmuar edhe në krijimtari. Arsyet pse nuk e pranonin, ishin se nuk mund ta pranonin një artikulim të dështuar, as doktrinat ideologjike, ku imazhi shqiptar ishte mjaft pikëllues. Pra, mungonte letërsia e mirëfilltë.
Buzë plazhit të Ilirisë më projektoheshin vitet e 60-ta. Në poezinë shqipe hetoheshin përkimet me poezinë spanjolle, sidomos me Lorkën e Maçadën, po edhe me ca poetë europianë, posaçërisht prania e Aragonit. Megjithatë, përkimet luajtën rol në afrimin e kulturave dhe popujve. Ca motive nga lashtësia sot e gjithë ditën trajtohen në mënyrë të vet si te shqiptarët, ashtu dhe te grekët e sllavët, edhe pse murimi pranohet si i yni. Kujtojeni Urën e Shenjtë, Rozafatin…
Rasti i Lasgushit me Emineskun dhe zhurma rreth përkimeve të tyre bëhet edhe për arsye të tjera. Krijuesi i formatit të Lasgushit pengon ata, që janë nën hijen e tij, ndërsa degëzimet e tij në poetikën shqiptare sa vijnë e shtrihen. Gjeni i tij është i një gjeniu e jo i ndonjë matrapazi, që ngritjen e sheh në rrënimin e vlerës. Nga leksiku i shqipes voli maksimumin dhe pasardhësve ua tregoi udhën; se fjala është ajo që bën çudira në ngrehinën e poezisë. Nëse Eminesku paska shkruar për gjeniun krijues, liqenin apo për ndonjë motiv nga lashtësia hinduse, bën të shkruajnë dhe të tjerët. Gjeniu mbështet avancimin e ideve, e mesazheve; elaborimin e vazhdueshëm të motiveve e formave, dhe mbetet ajo që është më e arritshmja.
Megjithatë, në përkime ekzistojnë nuanca të theksuara që i dallojnë krijuesit. “Eminesku me përkushtim rumun dhe universal me art, disi kështu”, – thoshte Tudor Argjezi. Ndërsa Lasgushi është diç tjetër, latues i vargut dhe më ëndërrimtar; ka një artikulim të veçantë për problemet njerëzore dhe artin, mbetet një bashkëkohës. Edhe pse dy poetë përkojnë në ca poezi, janë individualitete të veçanta e të dy janë të paarritshëm.
Rreth origjinës së Emineskut ka supozime të ndryshme. Quhej Mihal Eminoviç. Sufiksi viç nuk është karakteristik për rumunët e më së paku parashtesa emin. Në një shkrim të vetin, Mitrush Kuteli thoshte se ky më së paku është rumun, edhe pse kritika kishte nisur ta quante: Eminesku është Rumania. Nuk mbahet mend t`i jetë bërë një nder i tillë ndonjë krijuesi. Kjo është çështje rumune. Por mbiemri i tij Eminoviç mundëson që të kërkohet origjina në Dardani. Kuteli e kishte zbritur në hapësirën shqiptare. Ekziston kjo mundësi, sepse shqiptarët mërgonin dhe shumë nga ata bënin emër në mjedisin e ri. Ndërrimi i mbiemrit ndodhi, sepse Eminesku dukej më bukur, një lirim nga sufiksi, që ndoshta përkujtonte të kaluarën e tij.
Pa marrë parasysh nëse është i anës sonë apo puro rumun, Eminesku nga leukonia e mediokërve përjetoi sharje të mëdha. Kjo ndodhi për shkak të xhelozisë dhe famës së tij që gëzonte jo vetëm në Rumani. Përndjekja vazhdoi derisa e çmendën. Dy vjet më pas Rumania humb njërin nga poetët më të mëdhenj.
Tek i dëgjoja shqirrjet rreth gjenialitetit të Lasgushit, buzë plazhit të Ilirisë, më kishte rrëmbyer valë deti dhe gati i ngjaja Martin Idenit të Xhek Londonit. Thellë isha zhytur. Nuk doja të dëgjoja paçavure mediokrish rreth një vlere kombëtare. Vazhdonin t’i shikonin gjërat nga dritarja e tyre tepër e vogël. Megjithatë, ndërmjet këtyre dy poetëve ka diçka që i afron: identiteti.
Rrënime vlerash ndodhën dhe te fqinjët veriorë. Vitet e 60-ta lanë zymtësi të rëndë në kulturën serbe. Poetin e estetin e njohur Branko Milkoviç, i cili kishte fituar famë me veprën e tij, kopeja e mediokërve e solli para aktit të rëndë: vetëvrasjes. Ishte shpërngulur nga Beogradi dhe mendonte se në mjedisin e ri do gjente qetësi, por ndodhi më e rënda. Në mëngjes herët me një litar ia kishte mësyrë parkut të madh të Zagrebit dhe me një cigare në gojë, pas dy orësh e kishin gjetur të varur. Ylli i tij ndrit edhe tani, por mediokrit nuk dëgjohen më.
Polemikë e rëndë kishte ndodhur dhe rreth origjinalitetit të librit me tregime Varreza e Boris Davidoviçit, e D. Kishit. E akuzonin se në tregime kishte inkuadruar ca fragmente nga një libër rus. Në të vërtetë, Kishi u shpaloste lexuesve shtetin totalitar që kishte shkaktuar tragjedi të mëdha njerëzore. Ishin, pra, inserte nga një botë e vdekur.
Ngjashëm mund të thuhet edhe për Kadarenë, shkrimtarin me famë, i cili ka merituar të nderohet me çmimin Nobel para disa emrave. Para se Kadareja ta shkruante romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, atij i ishte dashur të lexonte një arkiv të tërë me dokumente dhe të gjitha procesverbalet e Konferencës së Moskës, ku ndodhi çarja mes shtetit shqiptar dhe Bllokut Lindor. Në një vepër ku hijon historia, nuk trillohen gjërat. Mediokrit nuk e kanë të qartë këtë. Kadareja ia kishte ofruar lexuesit kohën e morbiditetit ballkanas, atë errësirën e imazhit shqiptar.
Mario Vargas Losa thotë se me përcaktimin për ndërrime fillon dhe qytetërimi i vërtetë. Disidenti Adem Demaçi, fitues i shpërblimit “Saharov”, apelonte në ruajtjen e paqes, që ishte edhe pajtim kombëtar. Hasmëritë na sollën shpesh buzë varrit. Motoja e tij: jo atyre që rrudhin gishtin, por atyre që zgjasin dorën e pajtimit, ishte sinjal ndaj së keqes që kanosej. Ndërrimet vështirë të ndodhnin pa ndërrimin e mentalitetit. Ato që ndodhnin në hapësirë, ishin të dhembshme e tragjike. Në pyetje nuk ishte vetëm ekzistenca e një populli.
Para teje vështirë të ngrihet mjegulla. Pakëz gjë sheh se çfarë ndodh atje poshtë. Prapë merr të lexosh “Tunelin” e Sabatos. Dikush të kujton se e keqja nuk mundet me të keqe. Lirohu, pra, nëse mundesh nga mentaliteti. Kjo përshtypje lexohet apo dëgjohet për ndonjë kronikë të zezë. Më tmerron ajo që e shoh e nuk është plagë. Vazhdoj të bindem se gjendem diku në tunel dhe varet nga unë se kur do ta lë.
Përpara ke një monstër të së keqes. E lexon: nuk bën të përsëritet. U lë mesazhin brezave. Autobiografia e krijuesit është dhe autobiografi e popullit. Këtë e heton, se nuk je më vetëm i vetvetes.
Ngrihet edhe problemi i së ardhmes. Nga frika e së kaluarës vështirë të parafytyrosh të nesërmen. Libri kombëtar vazhdon të shkruhet. Problemi tjetër: kur të kryhet libri, e ardhmja do jetë ajo e ëndërruara?
Vrasja e një intelektuali na kujton se e zeza mund të të gjejë edhe ty, apo thirrjet: koka – vota. E sheh se gjendesh në tunel. Fije drite nuk di a sheh. Ndërrimet, për të cilat flet Mario Vargas Losa, vështirë të pranohen për shkak të sedrës. Njeriu ynë ndryshe predikon e ndryshe vepron. E sheh se edhe në atë që ke besuar, ta thotë një hipokrit. Të vjen të vjellësh e të pajtohesh, se mentaliteti është i tillë, vështirë të ndodhin ndërrimet. Ndoshta këtë do e kuptojmë, se vrasjet janë një tjetër robëri: dyshimi.
Misteri i vrasjes së Mehmet Shehut: i vetëvrarë apo i vrarë, mbetet çështje e ndërgjegjes së shtetit ideologjik. Në librat e të birit, Bashkim Shehut vështirë t’i bihet në gjurmë. Turpin ua la atyre që e bënë krimin dhe tragjedinë familjare e depersonalizoi: diktatura nuk rrënoi vetëm majat e veta. Ishte njëfarë asgjësimi i vetvetes, i cili na përsëritet shpesh, se ne vetë kontribuonim në të keqën. Pse të vritemi? Pastrimi ideologjik në veprat e Bashkim Shehut lexohet, para së gjithash, si dramë kombëtare dhe si flakje e së keqes për ndërrim.
Faik Konicën e çmuan më shumë të huajt. Shteti ideologjik e kishte përzënë, të themi nga të gjitha trojet tona, pasi vështirë pranonte “enciklopedinë që ecën” (Gyom). Ai frikësohej se guximi i tij qytetar mos bëhej lektyrë e të menduarit tonë. Duke parë se ku rrëshqasim, pajtohem edhe me sjelljet e fjalorin e tij, megjithëse nuk e kishte derdhur tërë vrerin. I kishte lënë shqiptarët të bëjnë gjumë të rehatshëm, në një kohë kur lypsej një vetëdijesim më i madh. Siç duket, ne mungojmë vazhdimisht, kur nuk duhet.
Fjalët e mëdha janë zbraztësi. Dëgjohen edhe në letërsi, në politikë dhe në fjalorin e përditshmërisë. Është mirë të distancohen, se shpesh mbjellin fatkeqësi. Kur i dëgjoj, më kujtohet një bekri: më mirë të më ruajë Zoti se robi, thoshte, bile Zoti e di kur duhet me të të ik.
Mund ta priste festën pa i marrë erë rakisë. Shpesh kishte shaluar qen varresh. Kishte hedhur anash receta e këshilla mjekësh. Kishte zënë vend mes miqve: gotë pas gote. Dikur u kishte kërkuar falje për çdo të keqe. nëse u kishte bërë. Në një vend më solemn të sallës ishte shtrirë dhe kishte dhënë shpirt. Miqtë ia kishin vënë te koka shishen me raki dhe një gotë. Ishte ndarë nga të gjallët, i përbuzur nga injoranca, një qejfli i pashoq i bohemisë shqiptare që nuk kishte pranuar të jetojë gjysmë i vdekur e gjysmë i gjallë…
Prapë fillon ta lexosh “Tunelin” e Sabatos, arbëreshit të urtë, i bindur se gjendesh diku aty. Dëgjon ndonjë klithmë dhe nuk i përgjigjesh. Nuk pranon ta ndërpresësh leximin, se nuk ke fuqi të ndërrosh asgjë. Por ndërrimet janë të domosdoshme për akcilin popull, se shpijnë përpara. Andaj të pajtohemi me poetin roker Peter Gabriel: Çfarëdo që bëni. nuk mund ta ndalni lindjen e ardhshme…
Politika është art që mashtron. Vokacioni im është diçka tjetër, nuk më lejon të ndëshkoj njeriun. Brenda mundësive ndihmoj proceset që vënë diçka në lëvizje. Babai im më thoshte se nuk është mirë të përzihesh në zanatin e primitivëve dhe se dhuna nuk nderon askënd e më së pakti atë që e shkakton. Bën të mbetet liria “vetëm në librat shkollorë”? – pyet poeti roker, Jim Morrison. Një pyetje të tillë bën t’i përgjigjen ballkanasit. Ndërsa Europa rropatet të shuajë hasmëritë mes popujve e shteteve dhe liria të dalë nga librat e të bëhet realitet i të gjithëve. Kësaj iniciative bën t’i bashkohen ata që e duan lirinë e që nuk frikësohen nga pavarësia e akcilit popull, apo ta modifikojnë edhe më dhunën? De fakto formimi i shteteve nacionale vonon, askush nuk pranon të bëje koncesione. Me përfundimin e marrëzisë në Gadishullin tonë nuk do të mbyllet liria në libra. Tek atëherë do fillojë bashkëpunimi e respekti mes shteteve e popujve të liruar nga ankthi: se dikush u rri mbi kokë dhe ua kërcënon lirinë e sovranitetin, pra në pyetje është paqja jonë.
Pavarësia e Kosovës nuk e frikëson njeriun e mençur, i tmerron “dizajnerët e krimit”, siç do të thoshte një poet, Roger Waters, ata që nuk mund të heqin dorë nga hegjemonizmi e nacionalizmi i verbër: të rrënohet çdo gjë që nuk është i gjakut tim. Pavarësia mund të frikësojë dhe ndonjë përfitues vendor, se në kaosin kombëtar e rajonal sheh ngritjen e vet.
Çështja mbetet te mbrojtja e pakicave, gjë që dëshmon për etikën e shteteve që i marrin në mbrojtje. Në lagjen time në Gjakovë nazistët kishin tubuar dhjetëra hebrenj në fund të Luftës së Dytë Botërore: prisnin t’i bartnin në Veri e që fqinjët veriorë me trena kafshësh i përcillnin për në Aushvic, numri i të cilëve nuk dihej. Qyteti im gjendej mes dilemave. Një ushtarak iu ishte drejtuar atyre që gjendeshin në mbrojtjen e të gjorëve: Zotërinj këta nuk janë minj, por njerëz…
Ballkani nuk bën të zgjohet mbi varre e gjak, që shpie te një katastrofë njerëzore. Përcjell masmediat dhe në shumë tekste që has, kam bindjen se vrasësit janë lodhur; se koha e çizmes ikën dhe ballkanasit duan të ndërtojnë secili shtëpinë në mënyrën e vet. Kjo është inkurajuese, se popujt krijojnë mozaikun e tyre shpirtëror, si dhe të etniteteve. Është qeniesore, se rajoni ynë nuk pranon të mbetet bisht i askujt. Ballkanasit harxhuan edhe fuqinë e paktë që kishin për të ekzistuar.
Pranimi i sovranitetit dhe ekzistencës mes shteteve është fitore e të gjithëve; pavarësia e akcilit popull shpie te pavarësia dhe shpëtimi nga ankthi makbethian. Me pushimin e smirës dhe gjakderdhjeve, popujt do vlerësohen e respektohen përmes kulturës dhe vlerave nacionale. Krenohem që ballkanasit dhanë krijues të mëdhenj; t’i kujtojmë Homerin, Eskilin, Aristotelin, pastaj Herodotin, i cili thoshte: të hapësirës sonë janë dy popujt më të vjetër, Helenët dhe Ilirët. Në momentin e tanishëm kjo duket utopi, por njeriun duhet ta gëzojë liria, përndryshe na pret ndonjë humnerë e re.
Shkaktari i hasmërive qëndron te krijimi i vonshëm i shteteve nacionale dhe gllabëruesit që bënin çmos të shtrihen në dëm të tjetrit. Po qe se lirohemi nga kjo çmenduri njerëzore, nuk do të frikësohet kush nga pavarësia e tjetrit, se liria bëhet realitet.
Kavafisi, poeti im i respektuar, “njëri nga lirikët më të mëdhenj të parnasit neogrek”, siç thotë Kostas Varnalis, ndryshe do shihte zgjimin e popujve dhe të shteteve me atë buzëqeshjen e tij të hidhur në buzë…
Tatëpjetë golgotës zbriste një hije njeriu, ai ishte çami, këngëtari i verbër i Sulit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

QENDRA KOMBËTARE E LIBRIT DHE E LEXIMIT, NJË KAMBANË PËRNDJEKJEJE
Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}