Banka e Shqipërisë publikoi të enjten vendimin zyrtar për heqjen e licencës së kompanisë së pagesave Pay&Go. Vendimi është marrë në muajin prill, sepse subjekti në fjalë nuk i është përgjigjur kërkesës për rritje të kapitalit aksioner. Madje, për shkresat e fundit të dërguara, Banka e Shqipërisë nuk ka arritur të gjurmojë asnjë përfaqësues në adresat e deklaruara të subjektit. Pay&Go ofronte kryesisht shërbime të pagesave cash përmes terminaleve automatike.
Zyrtarisht, Pay&Go zotërohej nga një shoqëri e regjistruar në Britaninë e Madhe, e quajtur Untag Community. Por, pas kësaj kompanie qëndronte në shtetas gjeorgjian i quajtur, Dimtri Chikovani.
Chikovani është kunati i një prej politikanëve më të përfoulur në Gjeorgji në 20 vitet vitet e fundit, Davit Kezerashvili. Kezerashvili mbajti postin e Ministrit të Mbrojtjes në Gjeorgji deri në vitin 2008, nën qeverisjen e Mikheil Saakashvilit dhe prej atëherë ka qenë ndër politikanët më të përfolur për skandale korrupsioni.
Në vitin 2013, ai u arrestua në Francë pas një urdhër-arresti të lëshuar nga autoritetet gjeorgjiane, që e akuzojnë për korrupsion dhe përvetësim të parave dhe aseteve të tjera në shuma të mëdha. Por, gjykata refuzoi ekstradimin e tij për në Gjeorgji dhe e liroi në vitin 2014.
Kërkesa të ngjashme drejtësia gjeorgjiane i ka drejtuar edhe Britanisë së Madhe, ku Kezerashvili jeton aktualisht, por deri tani pa sukses.
Emrat e Chikovanit dhe Kezerashvilit dolën edhe në skandalin e Panama Papers. Chikovani ishte zotërues i një kompania offshore të quajtur Luxor Capital, përmes të cilës zotëronte të drejtat e Llotarisë Shtetërore në Gjeorgji.
Bizneset e Kezerashvilit në Shqipëri përfshinin kompaninë e tregtimit të karburanteve, Gulf, rrjetin e fast-food-eve, KFC dhe kompaninë e pagesave, Pay & Go, të gjitha të mbyllura tashmë.
Madje, në vitin 2018 Gulf u përfshi edhe në një mashtrim të madh, duke shitur tollona karburanti në shuma të mëdha deri disa ditë para mbylljes së të gjitha pikave.
Besohet se këto biznese u ngritën me paratë që Kezerashvili i përfituara në mënyrë të paligjshme në Gjeorgji.