nga Suadela Balliu
Shokëve të mi të fëmijërisë me të cilët “kapërceva dete dhe oqeane”, duke qëndruar megjithatë në të përhershmin breg të Lanës.
Ky është dedikimi i Fatos Baxhakut në librin “Në emër të Noes”, botimin e të cilit nuk e pa dot për së gjalli. Një vit pas ndarjes nga jeta, juria e edicionit të 23-të të Panairit të Librit zgjodhi që çmimin e Autorit më të mirë t’ia japë, pas vdekjes, Fatos Baxhakut “Për stilin e veçantë e për t’u lakmuar të rrëfimit të historisë së Shqipërisë, në emër të Noes, vetë shkrimtari ynë, që gjen paqen në degën e ullirit”.
Një libër që siç kanë rrëfyer të afërmit dhe miqtë kishte nisur si një projekt dhjetë vjet më parë e ku gazetari i njohur shpalos dimensionin e tij prej historiani, duke rrëfyer fatet e lundërtarëve arbër e shqiptarë nga shekulli i 15-të e deri në shekullin e 19-të.
***
Bëmat e Mami Arnautit, që lidhen me robërinë e shkrimtarit spanjoll Miguel de Cervantes.
Mami Arnaut ia la në dorëzim skllevërit e tij të shtrenjtë spanjollë mikut të tij, grekut Dali Mami. Që nga kjo ditë e tutje arbri nuk ka më asnjë lidhje me këtë histori. Cervantes u lirua nga murgjit e Urdhrit të Trinisë së Shenjtë përkundrejt një shpërblimi të majmë në tetor të 1580. Çerek shekulli më vonë doli në dritë legjendari “Don Kishoti i Mançës.
…Murat Arnauti mbahet mend në historinë detare të atyre anëve për një arritje vërtet të guximshme në lundrim. Ai ishte ndër të paktët kusarë të Algjerit që lundroi në Oqeanin Atlantik me galera të gatitura vetëm për ujërat mesdhetare. Në ishullin e Lanzarot-it ai sulmon me egërsi portet Teguise dhe Arrecife. Ngjarja alarmoi Spanjën. Nën komandën e fisnikut Martin de Padilla një flotë e madhe bllokoi Gjibraltarin. Murati u strehua gjatë te miqtë e tij marokenë, deri sa një natë me stuhi, kur askush nuk e priste, u përvodh, arriti të çajë bllokadën pa u dëmtuar aspak dhe lundroi lirshëm drejt Algjerit.
…Alush Ati Pasha-Këlliçi, armik, mik e bashkëpunëtor i shumë arbërve dhe protagonist i historisë së tyre, mbylli sytë afër 80 vjeç në 1587 në Stamboll. Jeta e tij e pazakontë u mbyll me një ëndërr të parealizuar: donte të hapte i pari Kanalin e Suezit, madje thonë se punimet u bënë gati për t’u nisur. Disa kronikanë janë të bindur se, nëse sulltani do t’i financonte punimet me të ardhurat nga Egjypti, kusari i vjetër kalabrez do ia kishte dalë mbanë të arrinte atë që Ferdinand de Lesseps kreu vetëm afër 280 vjet më pas.
***
Për botuesin dhe mikun, Benet Koleka, në këtë libër, titullin e të cilit vetë Baxhaku e kishte lënë mes shënimeve, ai vjen si historiani që ka qëmtuar dokumente të kohës dhe historianë të Mesjetës, por që i rrëfen me një stil narrtiv që e bën të ngjajë gati si një përrallë, duke hapur kështu dyert e një periudhe të errët pas vdekjes së Skënderbeut.
Koleka ka zbuluar se Baxhaku ishte mbështetur në leximet e historianëve si imzot Injac Zamputi, Kristo Frashëri, Pëllumb Xhufi, Eqerem Libohova, Ardian Maho apo Abati Bertot e historiani osman Bitlisi.
“Tosi merr copëza të këtyre gurëve dhe nai bashkon në një mozaik dhe përshkruan të gjithë rrjedhën e jetës së këtyre personazheve nga fillimi në fund. Dëshira për mbijetesë, ndërthuret me fatet e mëdha të perandorive të asaj kohe, për dominim në Mesdhe”, do të thoshte Koleka, pas botimit të librit në gusht, një vit pas vdekjes së gazetarit.
Baxhaku kalon me zhdërvjelltësi nga jetët e lundërtarëve tek betejat e përgjakshme dhe politikat e kohës. Nga ushtarët e thjeshtë, tek dogjët e Venedikut, tek Papa e udhëheqësit osmanë. Një histori e Europës dhe Mesdheut të atyre shekujve, rrëfyer ngjeshur dhe me lehtësinë e të përthithurit nga të gjitha brezat.
Në libër vijnë makinacionet e Hajredin Barbarosës me Ibrahim Pargaliun për t’i gjetur kurën Sulejmanit të Madhërishëm, me një grua të re që do t’i zinte vendin asaj që i kishte marrë mendjen sulltanit, Hyrremit. Damiani i Himarës që niset për të vrarë sulltanin…
Apo rrëfenja sesi lindi kënga “ Moj e bukura More”, ajo fatit të djemve të poçarit arbër nga Moreja, që zhvendoset në Algjeri e prej andej vijnë kafeja, pitet, rakia, por edhe skllavëria.
Një nga interpretimet që i japin bashkëpunëtorët e tij titullit që Baxhaku zgjodhi për librin e tij, ishte ndoshta mbështetja tek një teolog i krishterë, që e lidhte me një ndodhi të Noes, legjitimimin e skllavërisë nga Krishterimi.
Libri është i papërfunduar e megjithatë në kapitujt e fundit vijnë shënimet dhe bocat origjinale të Baxhakut, të cilat do të mbusheshin nëse nuk do të ishte ndarë nga jeta në moshën 55 vjeçare.
Sipas planeve të autorit, libri do ta shihte dritën e botimit dhjetorin e kaluar, por megjithatë familja e tij, e bija Bora dhe i vëllai Artur u kujdesën që libri t’i vinte lexuesit, si testament i fundit i Baxhakut, që sipas bashkëpunëtorëve të tij të afërt kujdesej aq shumë për lexuesit e tij.
Një libër xhepi, lehtësisht i lexueshëm nga ata që duan të mësojnë e të ndjekin gjurmët e arbërve dhe shqiptarëve në Detin Mesdhe, me disa që luftuan për Papatin, për Venedikun e të tjerë për Perandorinë Osmane.
Nga Përkthyesi tek lexuesi më i mirë…
Çmimin e Përkthimit më të mirë, këtë vit e mori Agim Doksani për romanin “Jeta e gënjeshtërt e të rriturve” të autores italiane Elena Ferrante, ndërsa Adelina Mamaqi u vlerësua si autorja më e mirë i letërsisë për fëmijë “Për përmbushjen e qëllimit kryesor të letërsisë; eksplorimin e botës dhe njeriut. Për lehtësinë me të cilën përçon te lexuesit e vegjël filozofinë që të orienton drejt kuptimit të thelbit të ekzistencës. Për simbiozën mes autores dhe lexuesit që i drejtohet.”
Një tjetër juri, e përbërë nga përkthyes të gjuhës frënge si ish-ministrja Mirela Kumbaro,Saverina Pasho dhe Xhimi Lazri nderuan me çmimin special të Ambasadës franceze poetin dhe përkthyesin Primo Shllaku, për veprën “Katedralja Shën Mëria e Parisit” , të Hygoit, i cili “përmes sfidës së ripërkthimit, na risjell në shqip një vepër madhështore kanonike, përmes një verbi elegante e të kërkuar dhe një regjistri të riaktualizuar për lexuesin e shekullit 21”.
Shllaku, i pranishëm në marrjen e çmimit tha se ky ishte i pari çmim në jetën e tij, “edhe pse ndodhem në fushëbetejën e letrave shqipe prej 50 vitesh. Ndoshta nuk kam ditë aq mirë të shkruaj në letërsinë origjinale, por një gjë e kam dit’ mirë, se di me prit mirë dhe di të pres prapë. këtu më kanë”, u shpreh poeti, i cili dy vjet më parë solli “Lulet e së keqes” të poetit Charles Baudler dhe “Metamorfoza’, të Franz Kafkës.
Duke falënderuar ambasadën franceze për atë që e cilësoi si primat në jetën e tij, Shllaku do të thoshte “Kam ardhur në këtë moshë, i virgjër nga çmimet, ky çmim më zhvirgjëroi në katin e 23-të”, do të thoshte ai duke iu referuar edicionit të këtij viti, por pa e kursyer edhe mllefin ndaj atyre që nuk e kanë vlerësuar për letërsinë e tij.
Këtë vit, Panairi ndau për herë të parë çmimin e lexuesit më të mirë , i cili i shkoi 9-vjeçarit Jamarbër Hoxha. I emocionuar ai e lexoi vetë motivacionin “për dashurinë dhe vëmendjen e veçantë që ka për librin dhe letërsinë”, ndërsa ia dedikoi atë mamasë dhe fëmijëve me Autizëm.
Të emocionuar, prindërit e tij rrëfyen rrugëtimin e të birit nga diagnostikimi me zhvillim të spektrit autik në moshën 3-vjeçare tek pasioni i tij për librat.
“Kur Jamarbri u diagnostikua në moshën 3 vjeçare, mjekët e fondacionit dhe terapistët, psikologët na pyetën “çfarë kërkoni nga ne, që të punojmë me Jamarbrin?” Në atë kohë, ishim shumë të rrënuar dhe kërkonim vetëm diçka nga mjekët; i thamë “nuk duam asgjë tjetër, duam që Jamarbri të thotë mami dhe babi”. Mirëpo, me punën e përkushtuar, Jamarbri sot jo vetëm thotë “mami” “babi”, por është lexues shumë i mirë, njohës i disa gjuhëve të huaja dhe nuk na mbetet gjë tjetër, të themi se falë punës së atyre që kanë punuar me Jamarbrin jemi prindërit më të lumtur në botë”, tha i ati i 9-vjeçarit.
Për shkak të kushteve të diktuara nga pandemia, ky edicion i 23-të i Panairit të Librit u zhvillua në një version on-line, ndërsa për katër ditë u organizuan takime dhe diskutime rreth problematikave të librit, ndërsa librat u shitën përmes disa platformave në internet, ku botuesit siç e do tradita ofruan çmime të zbritura. (gazeta Si)