Werner Menapace
Diku nga fundi i filmit “Paterson”, i regjizorit Jim Jarmush 2016, film me përmbajtje thellësisht poetike, një zotëri japonez i përkorë thotë sesi leximi i poezive të përkthyera i ngjan bërjes së dushit me pardesy. Një mendim ky jo fort i këndshëm përsa i përket artit të përkthimit e aspak kurajues për përkthyesin.
Ekzistojnë teori të ndryshme përkthimi – apo strategji përkthimesh e të tjera simotra –interesante e bindëse, por të vështira për t’u vënë në praktikë. Nuk mundet e nuk duhet të jetë detyrë e përkthyesit të ndërtojë a priori punën e tij duke u bazuar në një teori e të punojë kështu sipas logjikave apo direktivave të paracaktuara. Çdo përkthim është një aventurë më vete, një tokë e palëvruar.
Le të marrim një shembull pragmatik: një nga poezitë më të thukëta, më të fuqishme e shprehëse të n.c.kaser–it është ajo me titullin “trauer”(shqip – zija) e ndërtuar nga tri strofa, gjithsej – 3 vargje – 10 rreshta – 82 germa.
Mbi këtë poezi është shkruar një ese prej tetë faqesh që do të thotë: 366 rreshta – rreth 3000 fjalë e 17.000 germa. Kjo sa për të dhënë një ide të pafundësisë e të procesit të ndërlikuar të përkthimit, të sfidave në të cilat gjendet e duhet të përballojë përkthyesi.
Vetë përkthimi është një lojë. Një lloj fjalëkryqi. Çdo poezi, çdo fragment, është një fjalëkryq sipas skemës e përcaktimit të autorit. Detyra e kënaqësia e atij që përkthen duhet të jetë këmbëngulja që çdo fjalë, çdo morfemë, të jetë në vendin e vet, derisa skema të jetë e plotë. Përkthyesi, që ta themi me fjalët e Burhart Kroeber, duhet t’i bëhet krah autorit, të bëjë lojën e tij, të ndjekë qëllimin, skicën e strategjinë e tij.
Përkthimi shkon përtej saktësisë së përmbajtjes. Nuk është një riprodhim i thjeshtë, por një akt krijues origjinal. Njëkohësisht me të përkthyesi nuk duhet të ketë egon t’i paraprijë apo t’i zërë vendin krijimit, por të zërë pozicionin që i përket pa bezdisur e pa rënë shumë në sy. Me pak fjalë, një përkthim i mirë, për mendimin tim, është ai që nuk kërkon të vihet në
dukje, e madje që nuk ndjehet fare.
Le t’i kthehemi bisedës së mësipërme të dushit: një metaforë provokuese, nuk ka dyshim, që na bën të thellohemi. Zotëria japonez ndoshta ka pasur fatkeqësinë të përballet me një përkthim të dobët. Një pohim i tillë nuk ka më baza të shëndosha. Sikurse nuk kanë disa parakoncepte të trashëguara, të thjeshtëzuara e të kapërcyera, si për shembull: përkthimi i orientuar ose
mbi tekstin e nisjes ose mbi atë të mbërritjes, që i përshtatet në mënyrë të saktë ose përmbajtjes ose formës; që ndjek rreptësisht origjinalen ose që shkëputet apo distancohet prej saj haptas e me dashje. Sikurse ajo e përkthimit rreptësisht nga gjuha origjinale. Le t’i lëmë mënjanë teoritë
mediokre e stereotipet si “përkthyes skllav”e “përkthyes tradhtar”.
Është i mundshëm, madje i domosdoshëm, përdorimi i përshtatshëm e i arsyeshëm i të gjitha strategjive. Një përkthim cilësor luan shkathtësisht e në mënyrë elastike me materialin e me mjetet që ka në dorë, duke i përdorur të gjitha mundësitë.
Ai është i zoti të pajtojë e të përziejë me saktësi aspektet e ndryshme të një teksti: përmbajtjen, formën, stilin, nivelin, gjuhën e fillimit, gjuhën e mbërritjes, autorin, lexuesit, qëllimin etj.
Një përkthim i ndjeshëm dhe pasionant është pa dyshim në gjendje të ofrojë një “prodhim” më të plotë, më të vërtetë e harmonik. Duhet mbajtur parasysh se jo gjithçka mund të përcillet – e kjo vlen natyrisht edhe për tekstet e vetë n.c.kaser. Pa mohuar që – e kjo është diçka që dihet – përkthimi i përsosur nuk ekziston. Eh, jo… Por nuk ekziston as vetë “përkthimi”.
Përkthimi i n.c.kaser është një optional. Pra, duke i qëndruar metaforës së “Patersonit” e duke e transformuar paksa mund të thuhet: kush lexon poezi të përkthyera mund të bëjë dush pa pardesy, duke e shijuar tërësisht. Mundet – është e pashmangshme – që uji të mos jetë i njëjtë me origjinalin: të ketë një prejardhje tjetër, më pak apo më shumë i pastër, më i butë apo më
i rëndë, pak apo më shumë gëlqeror, më i ftohtë apo më i nxehtë; do ketë të tjera kanale e tuba, të tjera rubineta e mishelatorë, një tjetër kokë dushi e shkarkues…, por do të jetë, gjithsesi, një ndjenjë e një përvojë rifreskuese, rikrijuese, stimuluese, bindëse, që të josh…
Një aventurë të cilën ia vlen ta provosh.
Përktheu: Gentiana Minga
Bio
Werner Menapace, përkthyes me origjinë gjermane e nënshtetësi italiane, ka lindur në Termeno
(Bolzano) më 1950. Ka kryer studimet e larta për Gjermanistikë e Romanistikë në Mynih të Bavarisë e për Letërsi Krahasuese në Insbrug (Austri). Tri herë fitues i Çmimit Letrar Internacional Merano – Europa në fushën e përkthimit, në veçanti për veprat e autorit gjerman Wolf Wondratschek, poezi e romanin Das Mädchen und der Messerwerfer. Së fundmi ka marrë shumë vlerësime për përkthimin nga gjermanishtja të autorit italian me origjinë gjermane norber.c.kaser: groll waechst mir im bauch–rancore mi cresce nel ventre, 2017, publikuar nga shtëpia botuese Alphabeta. Artikulli i mësipërm mbipërkthimin është botuar së pari në revistën Poeteka nr.51.