Poezia shoqërohet me shënimin në fund nga Agron Tufa, se në ç’rrethana e shkroi vargjet e “Gusht”, poeti rus Boris Pastërnak
GUSHT
Siç premtoi, pa farë mashtrimi,
Kithtas, me një fashë shafrani
Dielli çau buzë agimi
Që nga perdet e tek divani.
Ai kaploi me okër të nxehtë
Pyllin fqinj, të fshatit shtëpiza,
Çarçafët e mi, nënkresën e lagur,
Dhe murin pas raftit me libra.
Befas kuptova, se përse vallë
Kish lagështi pak në nënkresë.
M’u shtir: po vinit në funeral
Njëri pas tjetrit, pyllit përmes.
Ju vinit sërë-sërë, në tek e çift,
Befas dikush tha, se bash sodit
Gjashtë gushti me të vjetrën ish’
Dita e Shndërrimit të Zotit.
Zakonisht një dritë e paflakë
Shkrep nga Tabori këtë ditë,
Dhe vjesht’ e kthjellë, si bajrak,
Tek vetja na i përpin sytë.
Kaluat vërrishtën, imcakun pyll,
skamnor, cullak, të drithëruar –
Varret me prozhmin e kuq-xhenxhefil,
Të djegur, si kulaç i stampuar.
Me lartësitë e tij në fashë
E qiellit ngrihej madhështia,
Dhe me zërat e kaposhave
Jehonte zvargur largësia.
Si gjeometre qeveritare
Mes varresh vdekja sipas shartit,
Ma kqyr fytyrën vdekatare,
T’më mih’ një varr në masë të shtatit.
I kapshëm prej gjithkujt, fizik,
Në zë i qetë aty mbërrini.
Zëri im që pata, profetik,
Pamort kumbonte prej rrënimi:
«Lamtumirë, e shndërrimit kaltërsi
O ar i Shpëtimit të dytë –
Me t’mbramen dhele femre ti
Zbutma brengën e orës së ligë.
Lamtumirë, vite të pakohë,
Mirëmbeç, hon i poshtërimit –
O grua që më vë në sprovë!
Jam fusha jote e luftimit.
Lamtumirë, të ndehura flatra,
Ngulmim krenar fluturimi,
Imazh’ i botës, shfaqur te fjala,
Dhe krijimi, dhe mrekullimi.”
Përktheu nga origjinali: Agron TUFA
Rreth poezisë «Gusht» të Pasternakut
Vitet e fundit të Pasternakut, dihet, kanë qenë tepër të vështira. Ende para se të publikohej në Perëndim romani i tij «Doktor Zhivago» poeti e shkrimtari pati ndjerë darën e shtrëngimit të vazhdueshëm të pushtetit komunist. Kolegët e Lidhjes së Shkrimtarëve nuk ia falnin ndërhyrjen e tij tek Stalini për të shpëtuar nga pushkatimi burrin dhe djalin e Anna Ahmatovës e më vonë, ndërhyrjen e tij, edhe pse të papërfillur, për të shpëtuar jetën e Osip Mandelshtamit. Përjetimi dhe frika për fatin vetjak shpunë, që në vitin 1952 të pësonte infarkt. Duke ndjerë frymëmarrjen e afërt të vdekjes, ai filloi të ndërtonte raporte më të lehta me jetën e vet. Në vitin 1953 Pasternaku shkruan poezinë «Gusht», në të cilën aludon hapur për mundësinë e vdekjes së tij të afërt.
Poezia nis me përshkrimin e një agimi të zakonshëm fundvere. Heroi lirik zgjohet në shtratin e tij dhe zbulon befas, që jastëku është i lagur. Duke kërkuar arsyen, ai ndërmend një ëndërr të pazakontë e të qartë që ka parë ndaj të gdhirë. Autorit i shtiret vetë vdekja e vet dhe procesi i përcjelljes së funeralit. Ai ka parë një numër të madh miqsh, që morën pjesë në varrim.
Mandej vjen momenti kyç i poezisë dhe ëndrra e heroit lirik: një nga përcjellësit e tij në rrugëtimin e fundit ndërmend me vonesë, se pikërisht në atë ditë kisha ortodokse feston ditën e Shndërrimit të Zotit («gjashtë gushti me të vjetrën»). Në popull kjo festë kishte popullaritet të madh dhe quhej «Shpëtimi i mollëve». Konsiderohej si dita e bilanceve të krejt vitit, fillimi i vjeshtës dhe kohës së mbledhjes se bereqetit dhe frutave. Në këtë festë «drita del pa flakë … nga mali Tabor» (mal në Izrael, në të cilin tre apostujt e zgjedhur u bënë dëshmitarë të Shndërrimit të Jezu Krishtit) dhe kjo dritë, sipas legjendës biblike, përhapet në gjithë lëmshin tokësor.
Pasternaku nuk frigohet për përndjekjet e mundshme para fytyrës së afërme të vdekjes, prandaj fut me guxim në poezi tematikën e ndaluar religjioze. Ai sheh «gjeometren qeveritare» — vdekjen, e cila ka kohë që e pret në varreza. Pjesa finale e poezisë është «zëri profetik» i poetit, i cili lamtumiroset me jetën tokësore. Heroit lirik nuk i vjen keq të ndahet me vlerat materiale.
Ai ua ka mësuar tashmë kotësinë. Poeti i jep lamtumirë «Kaltërsisë së shndërrimit», «viteve të pakohë», dhe më kryesores, – «krijimtarisë dhe mrekullisë». Ai ka kaluar një jetë të gjatë, të mbushur si me gëzime, ashtu dhe me «hone poshtërimi». Duke e braktisur këtë botë, atij ndjen keqardhjeje vetëm për faktin, se do të humbasë dhuntinë e tij të paçmuar hyjnore – mundësinë për të krijuar.
Ëndrra profetike e Pasternakut u përmbush jo menjëherë. Poeti jetoi dhe shtatë vjet të tjera. Por këto qenë vitet më të vështira të jetës së tij. Njeriun e sëmurë rëndë nisën ta sulmojnë nga të gjitha anët; një perandori u lëshua në kryqëzatë të egër anateme propagandistike kundër tij, deri sa e detyruan të hiqte dorë, ta refuzonte çmimin Nobel, që kishte marrë më 1959 për romanin «Doktor Zhivago». E refuzoi që të mos pësonin familjarët e tij, dhe dihet që pezmin për këtë refuzim të detyruar e shprehu në poezinë “Çmimi Nobel”.
Fakti më i hidhur (që e ligështoi jo pak), qe se i dolën kundër të gjithë miqtë e tij, gjithë Lidhja e Shkrimtarëve sovjetikë, të cilët e përjashtuan nga Lidhja dhe propozuan të arrestohet. Në njëfarë kuptimi këto trazime e dhanë efektin: brenda një viti poetit iu shfaqën dy metastaza në stomak dhe me 30 maj 1960 ndërroi jetë. Vdekjen ai e kundroi si një mundësi të pritur gjatë për t’i shpëtuar torturës dhe mundimeve.