Vëllezërit Lumiere kishin organizuar shfaqjen e parë filmike në Paris para 125 vjetësh. Sot, gjatë pandemisë COVID-19, kinematë rrezikojnë të mbyllen
Kur vëllezërit Lumiere dërguan ftesa për shfaqjen e parë publike të filmit, më 28 dhjetor 1895, bënë mjaft bujë. Shfaqja, e cila u zhvillua në bodrumin e “Grand Cafe” në Paris, zgjati 20 minuta dhe në fund, siç kanë thanë organizatorët, të gjithë kishin mbetur “pa fjalë, të befasuar dhe të mahnitur në mënyrë të papërshkrueshme”. Për herë të parë, 32 pjesëmarrësit në publik, kishin parë fotografi lëvizëse. Suksesi ishte i jashtëzakonshëm.
Megjithëse Auguste dhe Louis Lumiere kishin patentuar tashmë pajisjet e tyre filmike – kinematografët, aparatet fotografike dhe projektorët – më 13 shkurt 1895, ata nuk ishin të vetëm në shpikjen e tyre. Shpikësit në Britani të Madhe, Shtete të Bashkuara dhe Gjermani po punonin gjithashtu në krijimin e pajisjeve që do të bënin të mundur lëvizjen e fotografive.
Më 1 nëntor 1895, disa javë para vëllezërve Lumiere, vëllezërit gjermanë Max dhe Emil Skladanowsky prezantuan projektorin e tyre. Sidoqoftë, pajisja e tyre ishte teknikisht inferiore ndaj asaj të paraqitur nga vëllezërit Lumiere, prandaj falë epërsisë teknike dhe marketingut, 28 dhjetori i vitit 1895 hyri në histori si dita kur lindi kinemaja.
Një shekull e një çerek më vonë, kjo do të ishte në fakt një arsye për të festuar. Por për shkak të pandemisë së koronavirusit këtë vit, asnjë punëtori ose ngjarje nuk është organizuar – diçka e zymtë në krahasim me ngjarjet që u zhvilluan pesë vjet më parë, kur kinemaja mbushi 120 vjet. Në atë kohë “Grand Palais” në Paris njohu arritjet e vëllezërve Lumiere përmes një ekspozite gjithëpërfshirëse.
Por industria ndoshta nuk dëshiron të festojë, veçanërisht kur ky vit ka dalë të jetë katastrofik për filmat. Në të gjithë botën kinematë janë detyruar të mbyllen, ndërsa qeveritë përpiqen të mbajnë virusin nën kontroll. Madje edhe kur disa kinema u hapën, në Gjermani dhe në vende të tjera këtë verë, hitet filmike mungonin.
Në anën tjetër, biznesi i transmetimeve online është duke lulëzuar, bazuar në shifrat e shitjeve të kompanive si “Netflix” dhe “Amazon”, që tejkalojnë ato të kinemave standarde. Shumë kompani që merren me produksion janë duke shikuar nëse mund t’ia dalin pa pasur shfaqje nëpër kinema. Për shembull “Soul”, filmi më i fundit i “Pixar”, do të anashkalojë kinematë dhe do të ketë premierë në platformën “Disney +”.
Vdekja e kinemasë është parashikuar herë pas here – me përhapjen e televizionit në vitet ‘50, ose me ardhjen e video-kasetave në vitet ‘80. Por, kurrë gjërat nuk janë dukur aq të zymta sa këtë vit: me humbje deri në 70 për qind, shumë njerëz në industri mendojnë se kinemaja, në formën e saj konvencionale, është e dënuar.
Producenti gjerman Uli Aselmann, i cili prodhoi filmin “Jugend ohne Gott” (2017), ka thënë se përjetimi gjatë shikimit të filmit në kinema duhet të bëhet përsëri i veçantë. Të tjerë si Lars Henrik Gass, drejtor i “International Short Film Festival Oberhausen”, besojnë se si hapësira kulturore, e kinemave duhet dhënë një status i ngjashëm me muzeun dhe të subvencionohen si një ndërmarrje kulturore.
Ndërkohë, kinematë gjermane duket se po shkojnë drejt zhdukjes, veçanërisht me bllokimin e fundit që u vendos pak para Krishtlindjeve. Në një njoftim të fundit për shtyp, Christine Berg, kreu i Shoqatës Gjermane të Kinemave Filmike (Hauptverband Deutscher Filmtheater, ose “HDF”), ka thënë se bllokimi i ri do të ndikojë në falimentimin e shumë kinemave.
“Ne do ta mbyllim këtë vit me humbje prej rreth 1 miliard eurosh, duke përfshirë koncesionet. Ne nuk mund ta përballojmë këtë”, ka thënë ajo.
Kinematë gjermane janë mbyllur për 38 ditët e ardhshme. Sipas një sondazhi të bërë në mes të prillit të kaluar nga HDF-ja, gjatë karantinimit të parë, 58 për qind e kinemave që iu përgjigjën pyetësorit kanë treguar se mund të mbijetonin vetëm për dy-tre muajt e ardhshëm. Pas më shumë se gjysmë viti, situata ka të ngjarë të jetë shumë më e keqe.
Marrë nga Deutsche Welle. Përktheu: Alberina Haxhijaj