Një nga personalitetet më të mëdhenj, që ka ngritur zërin fuqishëm kundër regjimit Miloshevicit, që shkroi poemat e revoltës, që mbajti anën e të fyerve, që u shqua për polemikat kundër nacionalizmit serb, Brkoviç për të gjitha këto arsye ka përjetuar përndjekjet, deri në zgrip të vdekjes. Dy atentate para shpalljes së pavarsisë së Malit të Zi, do ta lidhnin me miqtë e tij shqiptarë të Kosovës, Ali Podrimjen, Azem Shkrelin etj, deri në migrimin në Shqipëri, duke kërkuar azil politik më ’91. Kjo është një intervistë e mundësuar ekskluzivisht nga poeti Ali Podrimja me përkthimin në shqip prej tij. E risjellin biseden në homazh të poetit, ndarë nga jeta një ditë më parë, i cili më 2015 është nderuar në Kosovë me çmimin “Ali Podrimja”
Bisedoi: Violeta Murati
Për shkrimtarin Jevrem Brkoviç fjala e parë është; njeriu poet, dhe me arsyen e fuqishme historike se është një nga disidentët e mbylljes së dramës në ish Jugosllavi, një dramë që kishte nisur më shekuj dhe vetëm në vitin 1999 u varros miti i nacionalizmit serb. Një nga personalitetet më të mëdhenj rebelues kundër regjimit Miloshevicit, që shkroi poemat e revoltës, që mbajti anën e të fyerve, që u shqua për polemikat kundër nacionalizmit serb, Brkoviç për të gjitha këto arsye ka përjetuar përndjekjet, deri në zgrip të vdekjes. Dy atentate para shpalljes së pavarsisë së Malit të Zi, do ta lidhnin me miqtë e tij shqiptarë të Kosovës, Ali Podrimjen, Azem Shkrelin etj, deri në migrimin në Shqipëri, duke kërkuar azil politik më ’91. Kur mori frymë, dhe liria e kthimit në vendin e tij ishte realitet, Brkoviç përballet aktualisht, me një luftë tjetër, atë të mafias politike, mafias tregtare.
Romani i bujshëm “Dashnori i Duklës”, ku zbulohen gjithë prapaskenat e rrjetit të mafias, i rikthen përndjekjen shkrimtarin. Tani në vendin e tij të lirë, Brkoviç merr goditjen e tretë, duke përjetuar atentatin e tij të tretë. Për intelektualët e Kosovës, jeta e këtij shkrimtari është e pabesueshme, e rrallë. Ndërsa vetë Brkovic, pa pezm, por me ton heroi, tashmë me ndjeshmërinë e skajshëm të poetit e mbyll bisedën duke thënë se: “shkrimtarët në luftën për demokraci gjithmonë janë humbës”. Asgjë nuk ka më të çmueshme se poeti, rebeluesi më i madh i epokës sonë, se ndjeshmëria e fortë për të parë të vërtetën, që i takon lirisë jo fiziike të njeriut, në këtë rast çlirim shpirtëror. Ftesa e miqve të tij, për të marrë pjesë në festivalin e poezisë “Poeteka”, në Durrës, leximi i poezive të Brkoviçit nga sekretari i tij, i kanë dhënë entuziasmin e këtij komunikimi të ri, pa mure, pa kufinj.
Ju jeni një nga disdentët e mbylljes së dramës në ish Jugosllavi, një dramë që kishte nisur me shekuj dhe vetëm në vitin 1999 u kurorëzua zhdukja e mitit të nacionalizmit serb. Duke u njohur si një nga personalitetet më të fuqishëm kundër Millosheviçit, për ju si shkrimtar çfarë këndvështrim historik i jepni gjithë këtij fenomeni? A arrin një shkrimtar të bëhet transformues i dukurive historike?
Unë jam shkrimtar dhe njeri i cili i ka qëndruar për herë të parë përballë regjimit të Milosheviçit. Gjithmonë kam çmuar rolin e shkrimtarit si tribunë e hapur, si rol i përkthyesit ose i transformuesit të dukurive demokratike. Shkrimtari i vërtetë është kundër çdo regjimi që është antipopullor. Kur ka ardhur regjimi i Milosheviçit, menjëherë e kam njohur diktatorin e ardhshëm. E kam ditur se nga cila shtresë e shoqërisë serbe vjen, ku paraqitjen e tij politike e ka përgatitur Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë, Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë, ajka e nacionalizmit serb Dobrica Qosiqi, Mihajlloviç Mihiçi shkrimtarë të njohur serb e piktorë si dhe e tërë falanga serbe.
Janë mbajtur mitingje protestuese në emër të ndihmës së serbëve të Kosovës, duke përfytyruar një tezë të rrezikshme, sikur serbët janë të kërcënuar, se nacionalizmi shqiptar është ekspansiv dhe askush nuk mund të shohë të vërtetën, nuk kanë dashur ta shohin të vërtetën historike të shqiptarëve. Intelektualët serbë nuk kanë qenë në gjendje ta shohin thellësisht se kush në të vërtetë është i kërcënuar në Kosovë. Të kërcënuar kanë qenë shqiptarët, nacionalizmi serb nuk ka dashur ta kuptojë këtë. Që atëherë ata kanë parapërgatitur Millosheviçin, për shpartallimin e Jugosllavisë që njëkohësisht do të sillte spastrimin e shqiptarëve nga Kosova. Veçse lufta e Millosheviçit nuk ka arritur në Slloveni, Kroaci, Bosnjë që kishte mbetur e vetmja mundësi për shpëtimin e konceptit të Serbisë së Madhe, ku të paraqitej si shpëtimtar para popullit serb. Kjo ishte një ide paranojake, një skizofreni paramilitare, të cilën nuk mund ta kontrollonte askush. Ajo solli kapitullimin e plotë, të atyre që ishin shërbyer me ato mjete. Kështu ndodhi në Kosovë. Millosheviçi, bashkë me armatën e tij jugosllave në Kosovë, nuk e priste reagimin pasi ishte përgatitur një strategji e mbrojtjes ndaj tij. Në Kosovë u krijua UÇK-ja, u organizuan njerëz të rinj si udhëheqës luftarakë, siç ishte Hashim Thaçi që u thirr me nofkën “gjarpëri”. E tërë bota u kthye nga Kosova. Evropa dhe Amerika filluan të pyesnin se çfarë po ndodh atje. Objektivi qytetërues amerikan, se Millosheviçi po fillon spastrimin etnik të shqiptarëve u kthyen në ndihmë nga pjesa e kërcënuar, e rrezikuar.
Për historianët dhe psikologët, shkrimtarët, psikiatrit ishte shumë interesante lufta e Kosovës, jo ajo e 1913, por kjo luftë e tanishme e 1999, kjo ishte fundi i kësaj lufte në Kosovë.
Serbët përjetuan dy humbje në Kosovë. Miti kosovar nuk ndërpreu së ekzistuari nën dijen e serbëmëdhenjve nacionaliste, kurse miti nacionalist serb vdiq. Viti 1999 ishte fundi i mitit serb. Në krejt këtë pikëpamje, se miti ishte krijuar me anë të shpatave, frikërave, u zhduk menjëherë nën bombat e NATOS dhe avionëve të ushtrisë amerikane. Secila luftë që bëhet për pragun e shtëpisë është e pamposhtur.
Në gjithë këtë konflikt politik, që u takon kufijve dhe asaj që u quajt vdekje e mitit serb, ju jeni shquar gjithashtu si një nga polemistët, më të mëdhenj kundër nacionalizmit serb. Shkrimtari ynë Ali Podrimja e thotë ndjeshëm se ju jeni njeriu, poeti që mbani anën e të fyerve. Një marrëdhënie e tillë ju ka njohur gjithashtu me shumë personalitet të letrave shqipe sidomos në Kosovë. A mund të na thoni kur nisi rebelizimi juaj për çështjen e kosovarëve?
Që nga viti 1985- 1986, si nënkryetar i shoqatës së shkrimtarëve të Jugosllavisë kam qëndruar në krahun e mbrojtës së shkrimtarëve të shoqatës së Kosovës. Përndjekjen e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës e kishte përgatitur Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë
Me dekada kam qenë mik i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, para së gjithash nga Ali Podrimja me të cilin isha vëllamthi (vëllazëruar). Vdekjen e djalit të Aliut e kisha përjetuar si vdekjen e djalit tim. Kurrë nuk do ta harroj çastin kur e takova Ali Podrimjen, kur më tha se djali i tij po vdiste. Kjo ishte një nga çastet më të dëshpëruara për mikun tim. Unë nuk mund të bëja asnjë gjë.
E vetmja gjë ishte ngushëllimi, se po komunikoja me të në çdo kohë. Unë kam qenë mik i ngushtë, gjithashtu, edhe me Azem Shkrelin, Ibrahim Kadriun, Ibrahim Rugovën, Enver Gjergjekun, Muslim Mulliqin, me Mekulët, Rexhep Qosen etj. Kur filloi përndjekja ndaj këtyre njerëzve unë nuk isha i qetë, nuk e ndjeja veten si njeri dhe malazez që të rrija i heshtur ndaj asaj përndjekje. Nuk kisha si mos të kundërvihesha ndaj asaj që po ndodhte. Edhe historia, e kaluara ishte në anën e tyre, dhe kështu nisi angazhimi im ndaj tyre për çështjen e kosovarëve në suazën e shkrimtarëve të jugosllavisë. Një pjesë të përndjekjes së tyre e kuptoja si pjesë të timen. Kisha përjetuar përçmime të tmerrshme, më kishin pagëzuar “shiftar” (si shqiptar), mbiemri im u shndërrua në Berkolli nga Brkoviç. Ndaj këtyre provokimeve qëndrova i hapur, ndjehesha krenar që jam shqiptar, ashtu siç isha krenar si malazez dhe këtë nuk do e fshihja asnjëherë. Drama e shqiptarëve ishte dhe drama ime. Kjo u bë dramë edhe e disa shkrimtarëve të tjerë malazezë të cilët qëndronin pranë meje dhe u jepnin krahë shkrimtarëve të Kosovës. Kur drama jugosllave filloi të shpartallohej, kur Milloshevici u ngrit kundër Malit të Zi, përmes mitingjeve populiste përmes ithtarëve të tij, unë isha një ndër caqet e synimeve të Milosheviçit. E kishin sulmuar shtëpinë time, familjen time, gruan time, djemtë dhe vëllezërit e mi. Kështu që më dukej se në çdo çast do të vërsuleshin ndaj shtëpisë sime.
Kërkova ndihmë nga miqtë. U kujtova për miqtë e mi, Ali Podrimjen i cili momentalisht qëndronte në Sarajevë, sepse ishte antar i ndarjes së çmimeve “Kër Lezha”.
Kërkova të takohesha me të në Sarajevë, i kam thënë konkretisht këto fjalë: “Vëllam eja të vdesësh në Mal të Zi, që po bie nën thundrën e Milosheviçit. Ata kanë vërshuar mbi shtëpinë dhe familjen time”. Ali Podrimja u ngrit menjëherë për të ardhur në shtëpinë time. Në urën e Ribnicës përnjëherë ai është kujtuar, se në atë vend kishte rënë Isa Boletini shqiptar, ai mblodhi një grusht lulesh dhe i vuri në urë në emër të kujtimit të tij. Më pas mbërriti në shtëpinë time. Ai trokiti në derë, dhe unë pyeta se kush ishte. Ai m’u përgjigja pas dere se: “Jam vëllam yt”. E njoha zërin e Ali Podrimjes, u përqafuam si vëllezër. E njoha gjithë familjen time me të. Në shtëpi kishte edhe disa njerëz të tjerë në shtëpi, miq të mi. Ne të gjithë ishim të armatosur. Kështu që i dhashë dhe Ali Podrimjes pushkën, i tregova dritaren që të zinte vend. Të gjithë ishim të armatosur, dhe kishim marrë pozicion. Duke marrë parasysh llogjikën partizane të Kosovës, i thashë: “Nëse vdesim, ne do të jemi “Bora dhe Ramizi”, që kanë qenë luftëtarë”. Të gjitha dritaret ishin të thyera dhe jashtë kishte qindra çetnikë me mjekërr, të cilët ishin pjesëmarrës të mitingut. Dola në ballkon, kisha ngjeshur pushkën dhe pistoletën, dhe iu kërcënova çetnikëve duke iu thënë se nga të gjitha dritaret do të gjuajnë miqtë e mi. Ata u tërhoqën dhe kështu u mbyll, drama në të cilën mori pjesë dhe miku im, Ali Podrimja, ku patëm vendosur të vdisnim bashkarisht.
Në fillim të tetorit të vitit 1991 keni mërguar në Shqipëri, kjo e kujtuar nga shkrimtarët shqiptarë si nga momentet më kritike të përndjekjes suaj nga regjimi i Millosheviçit, ku keni kërkuar dhe azil politik. Çfarë ndodhi, dhe pse zgjodhët si vendstrehim, pikërisht Shqipërinë?
Regjimi i Millosheviçit në Mal të Zi, vendosi të më likujdojë, të më hedhë në gjyq dhe të më dënojë për shkak të letrës sime që ia kisha dërguar për t’ja bërë të njohur publikut botëror, si kërkim ndjese myslimanëve dhe kroatëve të Hercegovinës, të cilëve u ishin vërsulur malazezët në kuadër të ushtrisë jugosllave. E dija qysh në fillim se çfarë do të më priste, nëse do bija në dorë të gjykimit të Millosheviçit, regjimit të tij. Këtë e kisha marrë vesh nga miqtë e mi se donin të më likujdonin, dhe menjëherë vendosa të largohesha. Përmes Tivarit kalova në Shqipëri, ku më përcolli një shqiptar nga Mali i Zi. Ai më solli nga Shkodra drejt e në Tiranë dhe menjëherë iu paraqita shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë, ku më priti Dritëro Agolli, Nasi Lera dhe Xhevahir Spahiu. Ndërkaq ata më kuptuan menjëherë sepse përmes radio-televizioneve e dinin se unë kisha ikur. Më vendosën në hotel Tirana, në mënyrë që unë të kaloja në Hungari pastaj në Austri, Slloveni e më pas në Kroaci sepse e gjithë mërgata ime ishte në Kroaci, pasi atje mund të veproja për shkak të gjuhës së njëjtë, dhe mundësive, miqve dhe të njohurve të mi. Është shumë interesante sepse unë isha i treti nga familja ime, që në momentet më të vështira iknin drejt Shqipërisë. I pari ishte Jovan Brkoviç, që hyri në konflikt më Krajl Nikollën, i dyti ishte heroi Savo Brkoviç, i cili kishte ikur më 1936 për shkak të përndjekjes, si komunist. Dhe i treti isha unë. Kur arrita në Tiranë gjeta përkrahje dhe mirëkuptim. Problemi ishte si të ikja nga Shqipëria. Unë kuptoja se diçka po ndodhte, dhe se gjoja nuk mund ta merrja biletën e avionit. Por, çështja kishte qenë se realisht qeveria jugosllave bënte presion për të më kthyer në Mal të Zi. Dritëro Agoli kishte shkuar tek Ramiz Alia e kishte sqaruar çështjen, dhe në tetor ’91 hypa në avion duke braktisur edhe Tiranën.
Megjithatë është shumë e shumë e rëndësishme për mua të kujtoj se gjithë kohës unë kisha mbajtur lidhje me familjen time. Poeti Xhevahir Saphiu ishte vazhdimisht në lidhje me Ali Podrimjen, Podrimja ishte vazhdimisht me familjen time dhe kështu unë informohesha në mënyrë të fshehtë. Duke ditur se telefonat tanë përgjoheshin bashkëshortes sime, Podrimja i thoshte se gjoja po ikja në Romë, në mënyrë që të më kërkonin në Romë. Ishin Xhevahir Spahiu dhe Nasi Lera që më përcollën, derisa mbërrita në Zagreb. Gazetat botërore lajmëronin se kisha marrë azil politik, por unë isha në Zagreb, dhe atje fitova azil politik dhe qëndrova për tetë vjet si emigrant. Merresha sërish me veprimtarinë time letrare, shkoja nëpër delegacione të ndryshme evropiane, me shkrimtarët e Kroacisë dhe u shpjegoja se çfarë kishte ndodhur në Jugosllavi. U flisja për çështjen e shqiptarëve në Kosovë, për dramën e tyre, flisja për çëshjten e boshnjakëve. Kam folur në Këshillin Evropian para zonjës Doris Pac për të gjitha këto. Ajo më thirri të flisja për Bosnjën dhe Kosovën në Këshillin Evropian, në të cilin unë fola në referatin tim se çfarë do të ndodhte. Në këtë kohë dolën dhjetra vepra, vazhdimisht mbaja ditar, për çdo ditë. Kështu që në Mal të Zi unë botova shtatë vëllime, ku secili libër shkon 700 -1000 faqe. Menjëherë kur arrita në Mal të Zi, në themelin e Akademisë së Shkencave të Duklës për t’i qëndruar ballë për ballë Akademisë së Shkencave të Serbisë, ngrita revistën letrare “Crnogorski” e cila ishte një nga tribunat më radikale.
Më 21 maj 2006, kur Mal i Zi u shpall me referendum si shtet i pavarur, ju keni qëndruar në pozitat e një personaliteti, i papajtueshëm derisa riktheheni në vendin tuaj tashmë të lirë, ku edhe pas kësaj ju vazhdoni të shkruani. Në këtë përvojë përballjeje, a mund të na thoni si është jeta e shkrimtarit përballë politikës?
Krahas luftës për pavarsinë e Malit të Zi unë kam punuar vazhdimisht për letërsinë, kam botuar 82 vëllime, veprat të zgjedhura dhe kam shkruar një roman, “Dashnori i Duklës”. Ky roman ishte një përballje tjetër e fuqishme pas shpalljes së pavarsisë së Malit të Zi.
Në Mal të Zi e dija që të gjithë punonin me motive të caktuar, me motiv të përfitimeve të ndryshme, të cilat nuk ishin motive bindëse njerëzore, për të cilët duhej një shtet privat, përmes së cilës do të krijonin veprime të ndryshme kriminale. Kështu që menjëherë pas shpalljes së pavarsisë u botua romani im i njohur, “Dashnori i Duklës”. Ishte një roman që ngjalli interesim të madh, bashkë me një vepër tjetër. Ata të cilët e gjetën vetveten si personazhe negative si mafiozë dhe kriminelë, si mafia ndërtimore, si tregtues me Malin e Zi, me begatitë e saj natyrore, si njerëz të cilët ishin të gatshëm të shitnin çdo gjë nga Mali i Zi, qofshtë rusëve apo kujtdo tjetër. Ata panë se unë u rashë në gjurmë punëve të tyre të ndyra se i zbulova, kështu që vendosën të më likujdojnë. Më 24 tetor ky grup mafiozësh, që i kisha prekur në kallo organizuan një atentat kundër meje. Para shtëpisë sime në orën dhjetë të mbrëmjes më sulmuan ku vranë shoferin tim, i cili më ndihmoi ndërsa unë luftoja me atentatorët e mi. Luftova më to, i rrëzova, ua mora levat me të cilat synonin të më godisnin në kokë dhe në këmbë. Por në çastin kur e vranë shoferin ikën. Njërit arrita t’ja marr maskën dhe t’ja zhvesh dorëzën e hekurt. Kjo ngjarje e zgjoi opinionin publik në Mal të Zi, jo vetëm aty por në të gjithë botën. Të gjithë ambasadorët më vizituan. Më kanë takuar burra shteti të ndryshëm. Boris Tadiç, kryetari i republikës së Serbisë, kur e thirrën në Mal të Zi tha, se “Vallë edhe Brkoviçin po e gjuani!”. Kështu familja ime vazhdimisht është në sulm nga kriminelë të ndryshëm, mafiozë nga trafikantë të duhanit, mafia politike. Edhe pas kësaj ngjarje nuk e kam ndërprerë luftën time. Ky ishte atentati I tretë pas të parit më 21 korrik të vitit 1991, të dytit më 27 qershor të ’99-ës,dhe të tretit më 24 tetor 2006 në Malin e Zi të pavarur. Nuk kisha besuar se këto do të ndodhnin në shtetin tim të pavarur për të cilin kisha luftuar. Kur shkrimtari lufton për demokraci kundër forcave të errësirës, kur lufton për shtetin e tij, shkrimtari vazhdimisht është humbës. (botuar se pari ne gazeten “standard”)