Prodhuesit e stimuluar privatë të energjisë elektrike arkëtuan rreth 10.8 miliardë lekë ose rreth 87 milionë euro vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), të ardhurat e shoqërive që menaxhojnë impiantet e vogla prodhuese të energjisë elektrike pësuan një rënie me 10% krahasuar me vitin 2018. Rënia e të ardhurave lidhet me uljen e prodhimit, për shkak të prurjeve më të pakta hidrike gjatë vitit të kaluar.
Në total, prodhuesit me përparësi prodhuan 1485 GWh energji për vitin 2019, duke sjellë rreth 29% të prodhimit total të energjisë në vend. Këtu nuk përfshihen prodhuesit privatë të pavarur, që nuk përfitojnë nga politikat e stimulimit të miratuara nga qeveria shqiptare.
Prodhuesit me përparësi të energjisë elektrike janë kryesisht HEC-e të vegjël, por edhe impiante të prodhimit të energjisë fotovoltaike me kapacitete të instaluar deri në 2 MWH. Statistikat zyrtare tregojnë se deri në fund të vitit 2019 ishin në prodhim 182 HEC-e të vegjël dhe 8 impiante fotovoltaikë që përfitojnë çmime preferenciale për energjinë e prodhuar. Prodhuesit me përparësi arkëtojnë rreth 30% të shpenzimeve totale të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike për blerje energjie.
Sipas ERE, çmimi mesatar me të cilin OSHEE e bleu energjinë nga prodhuesit e stimuluar vitin e kaluar ishte 8.4 lekë për KWh ose 68 euro për MWh. Ky çmim ishte mjaft afër çmimit mesatar të blerjes së energjisë në tregun e lirë për të njëjtën periudhë. Politika e stimulimit të prodhuesve të vegjël të energjisë po bëhet një barrë e konsiderueshme për kompaninë publike të energjisë dhe, tërthorazi, për qeverinë shqiptare.
Në muajin maj, qeveria shqiptare vendosi të ulë koeficientin e stimulimit të këtyre prodhuesve, duke shkaktuar një reagim të ashpër të tyre. Shoqata e Prodhuesve të Energjisë së Rinovueshme, e mbështetur edhe nga disa shoqata të bizneseve të huaja në Shqipëri, akuzoi qeverinë shqiptare për represion dhe cënim të parimit të sigurisë juridike të kontratave.