“[…] historia njerëzore është një përmasë shumë më e madhe se një sistem në ardhje apo një regjim në ikje. Kjo histori është blatuar me akte të zgjatur mbijetese, si një rregullator pa rregulla, por mbajtur fort në kolonat e besimit dhe të dijes.” (V. Myrtezai, 2020)
nga Edison Çeraj
Zakonisht, kur lexojmë për një autor të caktuar, duhet të përballojmë një dallgë të dhënash të cilat mund të na largojnë nga thelbi. A thua se autori jeton për të ndërtuar një koleksion me të dhëna për jetën dhe veprën e tij.
Këto lloj profilesh njihen ndryshe edhe si të autorizuar, “bekim” i cili vjen pikërisht pasi ai apo ajo që ka marrë përsipër të shkruajë një profil/biografi ka mbledhur të dhëna të mjaftueshme, apo të dhënat e duhura.
Besoj se çdokush që ka lexuar biografi të tilla, pra “të autorizuara”, ka ndierë një nevojë të parezistueshme për të lexuar diçka mes rreshtave, diçka joformale, ndonjë cen a thashethem, diçka përtej, por dihet që nuk është e lehtë, pasi kronologjia me të dhënat përkatëse ekzekuton një muzikë zyrtare, që ka “aftësinë” të shuajë meloditë e heshtjes, përmasën njerëzore të personazhit. Te profilet e Myrtezait dëgjojmë pikërisht këto melodi të heshtjes, të cilat na zbulojnë atë që të dhënat kanë prirjen ta fshehin.
Ndër të tjera, zbulojmë një anë që e tejkalon gjykimin shkencor, madje që e bën krejt të panevojshëm, sepse na ofrohet me bujari ajo që e quajmë rëndom si “ana njerëzore”, ku zakonisht përfshihet ndonjë yçkël, ves, ndonjë batutë apo humor, ndonjë virtyt, heroizëm apo peng i autorit që po i vizatohet profili.
Kështu, profilet e Myrtezait (“Atdheu si Dasanta H.”, “Zahiretë”) e tejkalojnë kritikën dhe për pasojë edhe gjykimin. Fundja, a nuk është e rëndë plumb që njeriu të gjykojë njeriun?!
Kritika si fenomen më shumë mbulon sesa zbulon, duke u bërë një ndërmjetëse e paftuar mes njeriut dhe veprës së artit. Për pasojë, kritika i largon njerëzit nga krijimtaria artistike. Dostojevski thoshte se “kritikët nuk më kanë mbështetur asnjëherë, kurse lexuesit gjithmonë”.
Kjo tipologji profili na kujton se autorit i paraprin dhe e shoqëron njeriu; domethënë, para se dikush të jetë autor, mbi të gjitha është njeri.Ndaj dhe Myrtezai nuk bën profilin e autorit, por të njeriut që fshihet pas autorit. Ai e zhvesh njeriun nga autori, nga ky mit i modernizmit që na mabn larg thelbit. E gjithë kjo jo në emër të çmitizimit, por të afrimit, të takimit pa ndërmjetësimin e autoritetit të ftohtë të autorit.
Në kërkim të huqeve
Shprehja e njohur se “çdo kalë i kuq e ka një huq”, na ndihmon shumë në këtë kontekst. Duke vijuar figurshëm, mund të themi se, ndërkohë që të gjithë merren me kalin e kuq, Myrtezai ka prirjen të merret me huqet, me cenet, domethënë me veçori të caktuara që na zbulojnë një tjetër përmasë të atij apo asaj që ai ka marrë përsipër të na paraqesë.
Pak rëndësi ka nëse personazhi i zgjedhur prej tij është i njohur për lexuesin (Gjelosh Gjokaj, Fatos Baxhaku) apo i panjohur (Kiu, Pediona), Myrtezai sërish përqendrohet te disa veçanti të papritura, gati intime, përmes të cilave ai kërkon të na ofrojë një lexim atipik.
Rrëfimi jokronologjik
Duke marrë parasysh sa më sipër, është e pritshme që kjo lloj tregimtarie eseistike të mos ndjekë një rend kronologjik. Myrtezai futet drejt e në temë (in media res), duke e treguar “plagën”, ama pa përcaktuar kurën, sepse jo çdo plagë duhet kuruar, ose jo çdo plage i gjendet kura. Nganjëherë rrëfimi i plagës është vetë kura.
Pavarësisht se në këto rrëfime gjejmë të dhëna konkrete, si: emra të përveçëm, vende, data dhe ngjarje konkrete, ato siten nga autori në kuadër të mjedisit ku vendoset personazhi, dhe jo për të ndërtuar një narrativë tipike. Ka edhe raste kur mjedisi apo skena merr vëmendjen kryesore të autorit, dhe më pas ai e mbush apo e zbraz atë nga persoanazhet.
Vlen të theksojmë se kjo lloj narrative nuk është qëllim në vetvete – rëndësi ka të rrëfesh, të ndash me të tjerët atë çfarë kujtesa ka mirësinë të na dhurojë, si një mënyrë fisnike për të hedhur dritë mbi Qenien dhe Kohën.
Pasthenia e librit “Mur”