Pierre‐Marc de BIASI
Në ngutin për t`i dhënë fund Regjimit të Vjetër, shekulli i XIX, fëmijë i parakohshëm i Ndriçimeve, nis karrierën e tij të dëshirueshme duke ecur 10 vjet para me kalendarin. Një herë babai kokëprerë dhe kombi komunar, foshnja e lindur para kohe i jep atij pagëzimin e zjarrit : ëndërr e Perandorisë që inaguron mes predhave e plumbave moshën e një frymëzimi të pathyeshëm : atë të kombësive. Një ndërgjegje e re e vetvetes rivizaton hartën e identiteteve, dijeve, raporteve të forcës dhe frymëzimeve. Ngado, një klasë sociale‐borgjezia ‐ pohon ngjitjen përgjatë revolucioneve politike e industriale që përfundojnë duke i siguruar një hegjemoni të plotë. Dëshira jeton orën e teknikës, shkencizimit, përfitimit, moralit puritan dhe tabuve, por gjithashtu orën e romantizmit, shkeljeve të ligjit, vdekjes dhe Zotit dhe të bohemit artist. Dy formave kundërshtare të dëshirës, duket, u duhet të jetojnë ballë për ballë. I vetëdijshëm se është lindur para kohe, shekulli i XIX beson se i duhet të realizojë një fund të parakohshëm me Shpartallimin « pa të ardhme » të 1870 dhe rrënojat në tym të Komunës. Por – surprizë ! – duke rilindur nga hijnajat e veta, shekulli i vjetër rimerr shpejt mjaft vrull për të besuar te bukuria e dekadencës së tij të pastër dhe festuar premtimin e ndriçimeve të reja me perëndeshën rrymë : një dëshirë për të mbijetuar që e shoqëron të luajë shtesat e lojës duke pushtuar gëzueshëm (është Epoka e Bukur) terrenin e paraardhësit të tij. Me katërmbëdhjetë vjet vonesë, është Lufta e Madhe që do të përgjumë në shekullin e XX, duke i dhënë dëshirës për të fituar një markë të re, të pasur me të ardhme : atë të kërdisë së shkallës së lartë. Nga ana e brendshme e këtij skenari të ripërtërirë të çmendur, si shpalohen metamorfozat e tre libidove klasike – pushtet, dije, sensualitet? Dy figurat titullare – Hegel e Nietzsche ‐ shkëputen nga të dyja anët nga shekulli si pole të një rryme që riorienton të paracaktuarit e një dëshire njëherësh të keqtrajtuar dhe të ndezur nga dredhitë e « moderniteti ».
Dëshira e dëshirës
Shekulli XVIII kishte kryer revolucionin mendor vendimtar : ideja e lumturisë, kulti i individit, besimi te progresi, laicizimi i botës, adhurimi i Natyrës, konceptet e gjenisë dhe origjinalitetit, shija e ndjenjës, gjithçka ishte në vend për një rehatim të dëshirës. Por filozofia hegeliane shkon shumë më larg. Bën dëshirë madje dhe proçesin e logos, mungesën pa të cilën Qenia nuk do të mund t`ia dilte. Qëllimi i fundit i vërtetë i dëshirës nuk është objekti i ndjeshëm, zotërimi i të cilit apo konsumimi shitet gjithmonë nga një zhgënjim për shpirtin e dëshirueshëm. Qëllimi i vërtetë i saj është njësia e subjektivitetit me vetë atë, njësi që vendos zbraztinë në qendër të çeshtjes e që vetëdija nuk mund t`i përbashkohet përveçse përmjet rinjohjes së një dëshire tjetër. Dëshira është burim negativiteti, motor i historisë, parim madje i dialektikës : është « shpirti që gjithmonë mohon ». Por ky mohim, duke u kthyer kundër vetvetes, bëhet një fuqi që pohon. Nga ky pikëvështrim dialektik që dëshira është në thelb të çdo ndërgjegjeje të vetvetes, po ja që në përballjen për vdekje të skllavit me pronarin, në Historinë që ia del ta shungullojë Arsyeja, që në artin me anën e të cilit mendja ndërgjegjësohet për vetëveten dhe objektivizohet duke e bërë ta shikojë dhe ta dëshirojë si dëshirë të dëshirës. Fatkeqësisht për këtë formë të përsosur të dëshirës, duhet hequr shpresën prej saj. Hegel beson tek perëndimi i artit : është papërsëritshmëria e zhdukjes së saj që jep saktësisht të gjitha mundësitë Estetikës. Nga ana tjetër, na thotë Hegel, ekziston pikërisht një aktivitet i së ardhmes, aspak i kërcënueshëm nga shuarja, që ndërthur (pothuaj) të gjitha përparësitë e artit duke i ofruar atij që e ushtron të njëjtën siguri për të shfaqur një formë të dëshirueshme të dëshirës së tij : puna. Si arti, puna ndërmjetëson dëshirën, humanizon objektin dhe i jep njerëzores pushtetin për t`u objektivizuar. Me anën e tij, skllavi përsos botën dhe përsoset, mëson të vonojë dëshirën e tij të lirisë, mbërrin dijen teknike dhe shpirtërore që do ta bëjë më në fund pronar të pronarit.
Censura dhe e rrema
Këtij detaji të fundit të afërt, prej të cilës i riu Marks do të nxirrte pasojat që i dimë duke e ringritur dialektikën në këmbët e saj, apologjia hegeliane e punës nuk do të ishte vënë në veprim tek borgjezia tregtare e Restaurimit, po qe se ajo do të kishte ditur të lexonte. Urdhri i Guizot « Pasurohuni » jep masën e saktë të asaj që po formohet, në sy të gjithë një klase, dhe për më pak se një shekull (por a thua të kemi dalë prej tij ?), objekti madje i dëshirës : përfitimi, paraja, grumbullimi i kësaj të barasvlershmje abstrakte me të cilën i pasuri mund t`i ofrojë vetes kënaqësi të çfarëdolloj dëshire, femër, objekt arti, luks, nderim, respekt, pushtet… shkurt, gjithçka, me përjashtim mbase të shijes dhe dijes. Në shekullin XIX, dëshira e pasurimit ka forcën e ligjit. Mbas puritanizmit të Terrorit dhe mosshlyerjeve të rrepta nën Konsullat, shoqëria e revolucionarizuar themelon me kodet civile dhe penale një moral të ndërmjetësve, maçist, të siguruar e të mirëmenduar, që jep mënyrat e shtrëngimit. Borgjezia mbretëruese nuk mungon për të mos iu vënë në shërbim. Arti, që ishte radhitur në anën e tij në shekullin e XVIII, ndryshon kamp. Bëhet antiborgjez. Nuk do të reshtë më së qeni i tillë. Të përndjekur nga një censurë prej procesit të së cilës “Madame Bovary” dhe “Fleurs du mal” 1857 mbeten simbol, arti dhe rishfaqja e dëshirës rigjenden në të njëjtën anë barrikade. Figurat më të guximshme të libido sentiendi janë burgosur në ferrin e bibliotekave. Fatit të trishtë që borgjezia i kurdis trashëgimisë liberale të Ndriçimeve, artistët i përgjigjen duke zgjedhur hijen e mbajtur si më të errëtën e shekullit të XVIII : Sade, dasmat e dëshirës dhe egërsisë. Ndarja e ndërmjetësve dhe artistëve dukej e plotë. Në fakt, notohet në mashtrim. Pikërisht nën formën e saj të shkeljes së ligjit që borgjezia merr tani e tutje kënaqësi më të madhe duke konsumuar art. Proçeset nuk bëjnë tjetër veç të piperosurit të salcës. Mbas një armiqësie fasadë, dëshira estetike e rrëmben në besimet e vjetra. Figura hyjnore, në hekë, ia lë vendin një besimi të ri : atij të artit. Paralelisht, me idealin pa gjak të një aristokracie të urryeshme nga tregtarët, vendoset në vend të saj ideja moderne e një « aristokracie të zemrës », e përbërë nga të dorës së dytë dhe shkëlqesi, e papërshtatshme, e çrregullt, trillanake e boheme, por shumë më tepër e shtrenjtë sesa ajo është e pabindur dhe paturpshme : elita artiste, kryeneçe kundrejt çirakëve të fondeve.
Stereotipi
Hegeli ka përfunduar duke qenë i lexuar dhe pasardhësit ‐ stërnipër të viteve 1860 nuk kanë patur nevojë për të pritur teoritë mimetike të Rene Girard për të krijuar një opinion të ndaluar mbi trekëndëshin e nevojshëm të dëshirës. Çka unë dëshiroj te ky objekt (seksual apo jo) që më tërheq, është dëshira që lexoj në shikimin e fqinjit tim. Kohën që shkrimtarët më të vetëdijshëm pyesin veten mbi shfaqjet e para të publicitetit dhe paraqesin nivelimin e kulturës së masës, ky trekëndësh i dëshirës dallohet përnjëherësh si motor madje i “modës”, nerv i reklamës: çka është duke e bërë dëshirën personale lëndë të një stereotipi kolektiv. Shpatë beteje‐tip, fotografi, litografi, shtyp me tirazh të madh, heliogravura: ideja e një “klisheje” është fillimisht teknike. Por në këtë shoqëri industriale që vë bast mbi numrin e madh e që zbulon pushtetin e medias, tregu kupton shumë shpejt që ajo çka shitet më mirë, saktësisht, është dëshira. Në dritën e akullt të këtij zbulimi, romantizmi riinterpreton të veçantën e tij “të keqen e shekullit”: sëmundjen kolektive të një dëshire të zënë në grackën e stereotipit, një dëshire që nuk i përket më. Të duash me çdo çmim për të ndjerë parfumin e limonit nën degët e një molle: ja, na thotë Floberi, sëmundja e vërtetë prej të cilës vuan Madame Bovary. Asnjë përvojë erotike nuk do të arrijë etjen e saj të pashueshme për apsoluten, por këtë apsolute, ajo e shikon shkarazi menjëherë, ishte po aq e thellë sa të gjitha pamjet e bëra që e kishin lindur: ato të keep sakes dhe të romaneve me ujë trëndafili që e kishin ushqyer. Me anën e ideve të marra, abuzimit të gjuhës dhe kushtëzimit, shpirti romantik bëhet i huaj për vetë atë: mungesa prej të cilës vuan është një produkt i fabrikuar dhe miliona shpirtra të dëshiruarish vuajnë në të njëjtën kohë të njëjtën të keqe. Shpirti në fakt nuk dëshiron: diçka dëshirohet përmjet tij, dhe kjo diçka nuk është tjetër veç trumës së mjerë të iluzioneve prej të cilës përfiton tregu. Çastin kur kjo e vërtetë e trishtë i imponohet Emës, çfarë zgjidhje tjetër mbetet veç arsenikut? Marksi do ta quante këtë marrëzi.
Tepria e teprisë
Është e vërtetë, thotë Nietzsche, që dëshira, sidomos kur bëhet ajo e një tufe, përmban një rrezik parësor të budallepsjes dhe vdekjes. Por nën pretekstin për ta shmangur këtë andrrallë, të gjithë apostujt e mospranimit, njerëz të kishës dhe jobesimtarë, vepruan me prerjen. Ideali asketik nuk njeh veçse një ilaç për dëshirën: Trajtimi i saj, është tredhja. ” Megjithatë, “ta luftosh dëshirën në rrënjë, është të luftosh jetën në rrënjë”. Përballë sakatimeve të dëshirës që kanë endokrinuar masat, një zgjidhje e vetme: të filozofosh me të trullosur. Me kritikën e tij të “nihilizmit”, me të cilën tregon dorën e neveritshme tredhëse përgjatë historisë së Lindjes judokristiane, Nietzsche dëshiron t`i japë fund me mallëkimin mijëvjeçar që rëndon mbi çdo dëshirë nga frika e vuajtjes. Vullnetit të asgjësë, të gjitha figurave riaktive, Nietzsche u kundërvë puqjen e forcave, emergjencën e një “vullneti të fuqisë”, pohimin e një fuqie që zemërohet pafundësisht në pikën sa të dojë gjallërimin e përjetshëm të dëshirës së tij të pastër. Dëshira, e rehabilituar me të gjitha të drejtat e saj, dhe tangente me përjetësinë, përmban energji të mjaftueshme për ta ngritur njeriun mbi kushtin e tij, mbi të gjitha nëse kjo energji shumëfishohet duke hedhur të gjitha forcat në iluzion, në krijim: artit, “barin më nxitës” për të rritur besimin tonë tek jeta dhe për ta ngritur dëshirën në pikën e saj më të lartë të ndezur flakë. Nietzsche vë bast për artistin po aq sa nuk u zë besë punës, vlerës së thelluar dhe të shkalluar të një shoqërie të trullosur nga fiksimi i rregullit dhe sigurisë. Kundërt me Hegelin, Nietzsche nuk e mendon jo aspak dëshirën nën shenjën operative të shtrembërimit, të konfliktit apo negativitetit. Që ai e tregon, sipas termave të Zaratustrës (“tre të këqijat”) si “ëndje”, “pasion për të zotëruar” ose “egoizëm”, që e nxjerr nga strofka në dykuptimësitë e “dëshirës së njohjes” ose që e nderon me një farë adhurimi në formën e “Dëshirës së Madhe”, dëshira te Nietzsche pohohet para së gjithash si shprehje fizike e pozitive e një trupi që shijon nga forca e tij e gjallë jetësore, pa nderim të veçantë për tjetrin apo për mungesën. “Virtyt që jep”, premtim i fashitur, dëshira njihej me një shenjë, teprinë: “Ishte plotnia që linte të endej shikimin e saj mbi detet ushtonjëse, në kërkim e në pritje; në qiellin e qeshur të syve të tu, shoh të shkëlqejë dëshira që lind nga tepria e teprisë.”
E pacënueshmja
Së shumti tepria, është pjesë e mallkuar e dëshirës, “e keqja” e saj që do të joshë dekadat e fundit, por mbase një pakufi patologjik të së dëshirueshmes. Nga “Sifilizi i Madh” të “Së prapi”, tek perversionet safike të Pierre Louys, duke kaluar nga provokimet erotiko‐blasfemike të Felicien Rops (Pornocrates, Luxure, 1890, gra të zhveshura të kryqëzuara, etjer), dëshira artiste rrënjëzon dyluftimin e dyfishtë kundër moralit borgjez: dëshmon ndërmarrjen anarko‐sadiane të Octave Mirbeau tek “Kopshti i torturave” ku dëshira e vuajtjes supreme shprehet po aq eksplicitisht sa urrejtja e demokracisë. Ekstremi Lindor i ëndërruar nga Mirbeau na flet për një dëshirë të hollë të shekullit që ka kaluar realisht në veprim. Sade lë sferën e fantazmës letrare për t`ju bashkuar “kjo ka qenë” fotografike të trupit të torturuar prej të cilit Bataille do të nxjerrë përfundimin kumbues të “Lotëve të erosit”. Fotot, dihet, që shiteshin lirshëm në bordellot pariziane të viteve 1890… për kënaqësinë më të madhe, sigurisht, të kësaj borgjezie që lodhej tashmë nga mitet e fundit erotike të modernizimit: nuret trallisëse deledash që nuk iu ndanë tre gjeneratave (nga Baudelaire tek Huysmans, nga Remy de Gourmont tek Rachilde, nga Josephin Peladan e Burne‐Jones) dhe sidomos ndikimi i parezistueshëm i Salome në moshën e martesës, gruaja fëmi që vret, paraadoleshencën fatale, të cilën Flaubert, Goustave Moreau e Mallarmé e bëjnë të vallëzojë e zhveshur para një turre njerëzish të lemeritur, trashëgiminë e të cilave Wilde e Klimt e transmetuan te paprekur te Nabokov. Ah! Lo… Li… Lolita…
Pierre‐Marc de Biasi , drejtor i Institutit të teksteve dhe dorëshkrimeve moderne në CNRS, shkrimtar, studiues, piktor, autor i «Erotizmi»,Gallimard, 2006, «Goustave Flaubert, një histori e veçantë e të jetuarit», «Leksiku i të sotmes», «Gjenetika e teksteve», etj.
Përktheu nga frëngjishtja: Anila Xhekaliu
Publikuar në “Haemus” (2012)