nga Julia Vrapi

Salla e koncerteve në Universitetin e Arteve do ti nënshtrohet restaurimit. Projekti 3.7 milionë euro, prej të cilave TAP do të financojë 1.7 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër 2 milionë euro do të financohen nga qeveria shqiptare. TAP ka financuar edhe studimin e fizibilitetit dhe hartimin e projektit të detajuar inxhinierik për rinovimin e sallës së koncerteve, me një vlerë prej 150.000 euro. Projekti bën së bashku një sërë partnerësh, si Ministrinë e Kulturës dhe TAP (Trans Adriatic Pipeline), në cilësinë bashkëfinancuesve të projektit, Agjencinë Italiane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (Cooperazione Italiana), Atelier4 dhe Universitetin e Firences. Punimet restauruese, që janë planifikuar të zgjasin 14 muaj dhe pritet të përfundohen brenda prillit të vitit 2022. Ministrja e Kulturës Elva Margariti gjatë prezantimit të projektit të rikonstruksionit, restaurimit dhe rinovimit të sallës së Universitetit të Arteve, realizuar nga Universiteti i Firences, studioja Atelier 4 dhe TAP, nënshkroi me këtë të fundit ditën e hënë edhe marrëveshjen e bashkëfinancimit për zbatimin e tij. Ministrja Elva Margariti në fjalët e saj u shpreh se restaurimi i kësaj salle dukej i largët, por sot një nga shembujt e ruajtjes së trashëgimisë. “Restaurimi i sallës së koncerteve dukej si një ëndërr shumë e largët, ashtu si edhe rikonstruksioni i ambienteve të kësaj ndërtese historike, që reflektonte mjerimin e harresës, ndërsa sot është një nga shembujt më të mirë të ruajtjes së trashëgimisë dhe funksionalitetit”, tha Margariti. Sipas ministres së Kulturës, kjo marrëveshje e dytë që nënshkruhet me TAP është konfirmimi i një pune gati dyvjeçare për hartimin e projektit, për t’i hapur udhë restaurimit të kësaj salle historike, ku kanë interpretuar artistë të mëdhenj. “Gjej rastin që t’i falenderoj përfaqësuesit e TAP që fondin e dedikuar ndaj shërbimeve sociale dhe kulturore e adresuan në këtë sallë, që në memorien e secilit prej nesh nuk është thjesht e vetëm një sallë koncertesh, por pjesë e trashëgimisë sonë monumentale, por edhe artistike e pedagogjike. Kjo sallë është dëshmitare e artit që është bërë në këto hapësira dhe ato bulëza lirie e demokracie, që kanë lindur pikërisht këtu. Ka qenë një punë e gjatë, që të mund të ruhej çdo element trashëgimie dhe për të integruar në të teknologjinë më të fundit, që do ta shndërrojë këtë sallë në një ndër më të mirat në Shqipëri”, tha ministrja Margariti.

Një investim i pritur

 Rektori i Universitetit të Arteve z. Kastriot Çaushi u shpreh se ky ishte një moment që komuniteti i artit, duke filluar prej tij dhe ai i pedagogëve e studentëve e kanë pritur prej kohësh një investim të tillë. I pranishëm në nënshkrimin e marrëveshjes, Malfor Nuri, drejtor vendi për TAP në Shqipëri, u shpreh se TAP ka qenë gjithmonë i angazhuar në mbështetje të kulturës dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në Shqipëri. “Përveç rehabilitimit të muzeut “Gjon Mili”, ky është një investim tjetër kyç në arenën kulturore të vendit, duke qenë se salla e koncerteve në UAT është pikë referimi për artet performuese”, tha ai. Godina e UAT-së gëzon statusin e monumentit të kulturës së kategorisë II dhe si rrjedhojë mbrohet me ligj. Ajo është projektuar nga arkitekti italian Gherardo Bosio, është ndërtuar në vitin 1942 dhe konsiderohet si pikë referimi për arkitekturën shqiptare të periudhës së mes shekullit të 20-të. Universiteti i Firences, i cili ka përvojë në restaurimin e godinave historike dhe objekteve të artit, ka kryer tashmë një studim lidhur me qasjen e konservimit dhe do të vijojë të monitorojë dhe të mbështesë zbatimin e këtij projekti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Autorja koreano-jugore, Han Kang ka fituar çmimin Nobel në Letërsi
Ismail Kadare – Obituare
Ramadan Sokoli në Arte
Kortezi e imazheve të Leon Rey
Nga trashëgimia e shkatërruar historike në të tashmen!
Mbetet zëri i trishtë i Lindita Ahmetit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}