Sot, 105 vjetori i lindjes se Roland Barthes
Përktheu : Anila Xhekaliu
Figurë e madhe e semiologjisë dhe strukturalizmit francez të viteve 1950 në 1970, i lidhur si me avant-gardën letrare të kohës së tij si me klasikët, Roland Barthes pajtoi mënyrën e trajtimit të njohjes së thellë dhe kënaqësinë estetike. Rrezatimi i tij mbetet i madh mbi kritikën dhe praktikat letrare bashkëkohëse.
Semiologu i shoqërisë
I lindur në një familje borgjeze dhe protestante, jetim nga babai në moshën një vjeçare, Roland Barthes kalon fëmijërinë e tij në Bayonne mandej në Paris. Pas një diplomimi në letrat klasike në Sorbonë, ai heq dorë nga marrja e titullit të profesorit për arsye të tuberkulozit. Qëndrimet e tij të gjata në sanatorium (1941-1946) do të jenë rasti për një jetë intelektuale të ngjeshur : lexon e komenton krejt Michelet, zbulon Sartrin, Marksin, Leninin dhe Troskin ; mban konferencat e tij të para (mbi Beaudelaire, Whitman, Michaux, Valery). Gjithashtu në revistën e sanatoriumit, Existences, që do të publikojë tekstet e tij të para (mbi Gide, në 1942, dhe mbi « I Huaji », të Kamysë, në 1944). Sociolog në C.N.R.S. që nga 1955, Barthes bën të njihet nga një publik i gjerë me Mitologjitë (1957). Kronikan i përpiktë me mprehtësi të hollë, analizon në të disa prej simboleve të shoqërisë së epokës (që nga DS Citroën tek Greda Garbo, nga tunika tek Paris-Match, nga Guidat blu tek produktet e detergjentëve), duke zbuluar pas dukjeve shumë të lëmuara një sistem vlerash të borgjezisë së vogël të analizueshme shkencërisht. I tillë është objekti i metodës që ai teorizon në Elementët e semiologjisë (1965) : shkenca e përgjithshme e shenjave, semiologjia zgjeron modelin linguistik të Ferdinand de Saussure dhe strukturalizmin e antropologut Claude Lévi-Strauss në të gjitha praktikat simbolike të një shoqërie. Semiologu, duke pohuar se kuptimi i një shenje çfarëdoqoftë qëndron gjithmonë në raportin që mban me shenjat e tjera, lidhet me rrjetet e lidhjeve mes shenjave për të shpenguar shenjëzimin e tyre. Barthes, i emëruar ndërkohë drejtor i studimeve në Shkollën e studimeve të larta (1962), do ta përshtasë semiologjinë me veshjen (Sistemi i modës , 1967) dhe do ta vazhdojë aventurën e tij në Perandoria e shenjave (1970), ku flitet për Japoninë.
Teoricieni i shkrimit
Por është teksti letrar, vendi sidomos i shenjëzimeve të shumta, që Barthes do t`i kushtojë pjesën më të madhe të analizave të tij. Që në 1953, Shkalla zero e shkrimit shtron parimet e një kritike të re lidhur me organizimin e qenies së tekstit, në kundërshti me një kritikë më akademike që pretendon ta shpjegojë veprën me anën e burimeve të veta, biografinë e autorit dhe kontekstin historik. Pas Eseve kritike (1964), trajtesa e propozuar mbi një klasik të letërsisë franceze (Mbi Racine, 1963) i kushtoi Barthes sulmet plot vrer të universitarit Raymond Picard (Kritika e Re dhe Mashtrimi i Ri, 1965), të cilave u përgjigjet me Kritika dhe vërteta (1966). Ndjekin, më tutje shkrimet e mbledhura në Ese të Reja Kritike (1972), S/Z (1970), dhe Sade, Fourier, Loyola (1971). Bashkëpunëtor i revistave të mëdha të shkencave humane dhe letërsisë së kohës (Communications, Tel Quel, Critique), mik i Algirdas Julien Greimas, i Philippe Sollers e Julia Kristeva, Barthes vendoset në udhëkryqin e marksizmit, të psikoanalizës dhe linguistikës, por përçapja e tij nuk e ndan kurrë mendimin e përpiktë të imagjinatës dhe ndjeshmërisë, dhe me një Kënaqësi të tekstit (1973) të kërkuar shumë si lidhje mërshor e me gjuhën (Fragmente nga një diskurs dashuror, 1977). I njejti shqetësim për t`ia hapur veprën shumtësisë së papritur të kuptimeve të saj shënon punën e tij mbi pikturën l’Obvie et l’Obtus , përmbledhje shkrimesh pas vdekjes, 1982).
Vetë shkrimtari.
Cilido qoftë objekti i tij, mendimi i Barthes bëhet njësh me shkrimin e tij : elegant, shpikës, gjithmonë kundër automatizmave të gjuhës (« shkruaj ngaqë nuk dua fjalë që më vijnë ») ; ai lidhet me trupin e shënjuesit dhe me Rruazën e zërit (përmbledhje intervistash pas vdekjes, 1981). Kështu që vepra e Barthes mund të lexohet si një ecje përpara, shumë shpejt e ndërprerë, drejt shkrimit letrar. Një shkrim që merret përsipër si i tillë që në 1975, në Roland Barthes nga Roland Barthes, një autobiografi ku ai shkatërron parakuptimet e zhanrit. Duke vazhduar me puqjet e fragmenteve ku ndërthuren unë dhe ai, Barthes nuk ofron « as një tekst kotësie, as një tekst vetëdije, por një tekst në thonjëza të pasigurta, në kllapa pluskuese ». Pesë vite më vonë, Dhoma e ndriçuar, më shumë se një ese mbi gjurmët fotografike si vend paradoksal të pranisë së humbjes (e famshmja « kjo ka qenë »), zbulohet një meditim mbi vdekjen e Henriette Barthes, nëna që e ka patur kaq shumë të shtrenjtë, të cilës i kushton Ditari i zisë (2009). Në fund, në mësimin e tij të fundit në College de France (ku ai zë katedrën e semiologjisë që nga 1977), Barthes ngjall projektin e tij për një roman, Vita nova, që e lë të papërfunduar në momentin e vdekjes së tij të egër : i përplasur nga një kamionçinë para College de France 25 shkurtin e 1980-ës, vdes pak më vonë.
Marrë nga Enciklopedia e Larousse.