Nga Agron Tufa
Më ra këto ditë me ri-lexue mbas shumë vitesh romanin “Rrathë” të Camajt. Më shungullon koka si koshere nga mendimet prej kësaj proze të fortë, të thellë, si sistemi i rrjetëzuem i pyjeve me rrënjët e lisave, me dheun, shkambinjtl dhe gurët. Dhe çfarë pas-shijeje e paharrueshme letrare! Çfarë teksti (nënteksti) me përshkrime, filozofime, monologje, pleqnime, kuvendime alegorike! Fjali të gjata, të akordueme si tela instrumentash! Ese të mirëfillta me gjykime mbi artin, rolin, traditën dhe risinë, estetikën dhe etikën, që mbajnë diskursionin e personave që sillen e përsillën si në rrathë të ngallmuar, pa shtegdalje. Labirinte makthesh. Romani i kompozuar thjesht e filozofikisht në triadë pjesësh: rrathë uji, rrathë zjarri, rrathë gjaku. Rrethi i fundit, si sintezë e tezës dhe antitezës në një alkimi qeniesh njerëzore e natyrore, e cila nuk don t’i dorëzohet shpërbamjes nga trysnia ideologjike e gjoja, së resë. Andaj kjo Qenie, e shumta, mvesh maskë, siç dhe ka të shkruem pergamena e maskës në gjuhë klasike:
“Fryma ime asht e ngujueme këtu
Dhe sytë e mi nuk vrejnë të brishtit
E trajtave landore të shekullit”.
Gjithaq e kapun për tradite asht ceremonia e sektit pagan, që.ka një funksion të qartë alegorik në roman, atë të mosndryshimit në thelb, përnën maskë.
Rravgimi i personazheve idealistë të dy kohnave – traditës që mbahet me kreshnikë (Folkloristi) dhe Novelistit (e reja), ashtë rravgim idealistash, poetësh. E reja me panatyrshmërinë, dhunën dhe karakterin skartues ideologjik i vret të dy palët për llogari të shfytyrimit e denatyrimit total me propagandë e dhunë, duke i ngujuar, të dështuar, në një kohë të pakohë, të ngrime, asfiksuese.
Truku me përjetimin metafizik të kohës si traumë dhe iluzion idealist shpërthen filozofikisht në këtë roman. Personazhi qëndror i narrativës Novelisti ose Agoni (një emër ambiguid – agim apo agoni?), nuk mund ta rrokë dot kohën lineare, sepse ka mbetun i ngujuem në dështimin e idealit të vet në njëfarë Trekëndshi Bermude që quhet Ripa e mesit, midis malesh. Vetëm kur zbret në qytet atij ia bën me dije e dashtuna, të cilën e ka përdhunue, se kanë kaluar mbi 20 vjet.
Idealistat dhe andrrat e tyrne dështojnë, rrjedhimisht jashtë andrrave nuk ka kohë të matshme, të përjetueshme: pesha e dhunës deformon perceptimin e rrjedhës morale e emocionale të Kohës.
Sepse Koha e Re e Bashkësisë (Kooperativës/komunizmit) e vrau personalitetin dhe personin. Andaj, në fund të romanit, kur Agoni (tanimë agonia) ndesh ish të dashtunën, Sosen, me djalin regjizor (me gjasë i tij), i cili ka përshtatë suksesshëm për teatër kukullash novelën e pabotueme/pabotueshme të Agonit “Shtëpia mbas malit”, auktori i alienuem i novelës i thotë të birit-regjisor:
“Dashunia asht thelbi i Kohës dhe koha vetëm si e tillë nuk tkurret, qoftë ajo e kalueme në veprim apo në letargji”.
Mbase Camaj në shllimet e tij ka mendue si me i dhanë trajtë artistike e filozofike pezmit të tij mbi Gjuhën, Traditën, Shpirtin dhe Artin në Shqipninë Totalitare, sepse ky roman më duket si një Postscriptum dhe Epitaf njiherësh mbi Vorrezën e romanit socrealist shqiptar.
Camaj i ka pushtue këto maja me gjuhën e begatë leksikogramatikore të gegënishtes së tij letrare, të reformueme. Çka mundet me përfaqësue një vepër letrare? Gjuhë e ma së parit Gjuhë. Mandej, mendimi heideggerian të ndërmend, se te gjuha janë të tretuna të tana dijet e mençunitë.
Për ankthin e katastrofën e andrruesve që gjallojnë faqet e romanit të Camajt, asht përdorë një atmosferë e pambërrijtshmënisë posaçme, si tek romanet e Kafkës, veçanërisht me Gjeometrin K, te “Kështjella”.