Nga Zija Çela

Në këtë ditëlindje të Dritanit (11 janar 1970 – 4 mars 2006), nuk e di pse më është kujtuar disa herë ky tregim me fluturim. Ndoshta se, ndonese e shkruajta vite me vonë, e pata skicuar në avion gjatë një udhëtimi, kur Dritani po i drejtohej aeroportit për të pritur prindërit. Prej vitesh ai s’mund të dale ma në aerport. Por e kam thënë, ka gjithmone kohë për t’u dashur, se gjalli e së vdekurish. Veçse nuk ështëe koha qe e ben dashurine, është dashuria që bën kohën. Tashmë në aeroport na pret trinomi Çela: Lona, Kevini e Livia. Por ne per t’i ruajtur ata, ata per te ruajtur gjyshen e gjyshin, nuk udhetuam dot. Ndërsa Dritani, Tanushi ynë, është njëkohësisht andej dhe ketej. Por edhe te miqtë e lexuesit e shumte të perkthimeve te tij, ku shqipja gjen shprehje te pakufishme.

FLUTURIMI…

Kur u hap fjala se babë e bir, Dedali dhe Ikari, do të fluturonin mbi qiellin e qytetit të tyre, shumë athinas morën rrugën drejt kodrës së Akropolit. Pikërisht atje do të ishte baza e nisjes. Fakti që fluturuesit kishin dështuar në Kretë herën e parë, e rriste më tepër turmën dhe emocionet. Si banor i Tokës dhe gjallesë këmbësore, ndryshe nga shpendët, dukej se njeriut i qe mohuar Qielli përgjithmonë. Sidoqoftë besimi tek Dedali, miku besnik i Platonit dhe nxënësi i hershëm i Sokratit, nuk mungonte. Në qytet ende kujtohej si ishte shprehur njëherë Sokrati rebel: “Do të vijë koha kur Dedali ka për të ditur vetëm një gjë, atë që s’di asgjë. Por atëherë ai do të jetë bërë krijues i Të Vërtetave.” Kështu që sfidën dhe shpirtin e lirë, me gjasë, i kishte të rrënjosura qysh në rini. Por sa dhe si do të përballej me rrezikun Ikaru, djali që tashmë ishte në moshën e dikurshme të babait? Dhe, sidomos, do të ndikonte tek ai përvoja e hidhur e provës së shkuar? Kureshtarët më të mëdhenj, siç pritej, ishin ata që e kishin përfunduar gjimnazin me Ikarin, por edhe ata që ende venin në gjimnaz. Kurse vetë i ati, sado bluante përbrenda, nga jashtë nuk jepte shenja mëdyshjesh.  Veçse në çastet që po lidhnin krahët pas trupit, Dedalit i zuri syri një grup djemsh që flisnin të nxehur, duke bërë gjeste me këmbë e me duar. Për çfarë kishte hyrë grindja ndërmjet tyre? Përderisa me ta ishte edhe Kritobuli, kushëriri dhe bashkëmoshatari i të birit, ndoshta më vonë do ta mësonte përse ishin përçarë. Ndërsa, aty për aty, Dedali mendoi se djemtë po vinin baste. Ndoshta gjithë kundërshtitë me njëri-tjetrin i kishin për strukturën e krahëve dhe teknikat e lëvizjes në ajër. Por tashmë ai nuk kishte kohë t’u jepte sqarime të tilla. Bashkë me të birin ishin në vijën e nisjes dhe do t’u duhej të merrnin vrull për fluturimin.

*

Kur u shkëputën nga trualli, në fillim ndjenë një boshllëk në stomak. Por duke vënë në punë muskujt e fortë të shpatullave, e fituan shpejt ekuilibrin në pozicionin horizontal. Sa qartë po u zbulohej qyteti tani me atë vargun e kodrave, që i vinin rreth e qark. Veçse për pamjen asnjëra s’i afrohej kodrës së Akropolit, ku ishte ndërtuar Partenoni, vepër e skulptorëve Itkini e Kalikrati, të cilët ishin dënuar më pas për abuzime me fondet. Fluturuesit guximtarë i ranë rrotull Tempullit të Virgjëreshës, duke soditur grupet e statujave mbi fronotonet. Atje spikaste figura e Perëndeshës Atena, emrin e së cilës mbante qyteti, një skulpturë e punuar në ar e fildish nga Fidia i famshëm. Ndërsa njerëzit i ndiqnin nga poshtë, duke treguar me gisht herë njërin e herë tjetrin, atë e bir dukej sikur komunikonin atje sipër, sepse largësia që i ndante mbetej thuajse e pandryshueshme. Natyrisht, nuk kishin radio, por kishin disiplinë dhe intuitë për rrymat e ajrit. E këto i vinin në shërbim të itinerarit, që kishin caktuar paraprakisht për fluturimin.

Mirëpo kur Dedali u nis drejt Mureve të Gjata, që dikur e kishin bërë Athinën të barabartë ushtarakisht me Spartën, Ikari pati një shmangie. Duke shtuar ritmin e krahëve, mori përpjetë qiellit, çka e detyroi të atin të kthehej me një merak në zemër, sepse pikërisht lartësia u kishte sjellë aksidentin në sprovën e Kretës. Ai fluturim kishte qenë një shpikje nga nevoja. Mbreti Minos i pati izoluar atëherë në labirintin, që ishte ngritur për përbindëshin Minotaur. Në ato rrethana ngujimi, Dedali thuri krahë prej puplash dhe fluturoi me djalin për t’u arratisur. Por ky u ngrit aq lart, sa pastaj ra në det. Dy ishin versionet që qarkullonin për shkakun. Disa thoshin se, meqë ngjitja e puplave ishte bërë me dyllë, brumi i tij kishte shkrirë nga dielli dhe flatrat ishin shprishur. Por Poseidoni, perëndia e detit, mendonte ndryshe. Sipas tij, nuk kishte qenë ndonjë pakënaqësi e Heliosit, por e Zeusit: “Ti, mor dykëmbësh mjeran, ti ke paturpësinë të rrekesh për t’u ngritur në lartësinë e fronit tim?!” Dhe në qiell të thatë, nga zemërimi për shpërfilljen, i goditi flatrat e djalit me një degë rrufeje. Mirëpo në atë kohë Poseidoni kishte pasur konflikt me vëllain e tij, Zeusin fuqiplotë, që sundonte si satrap mbi majën e Olimpit. Prandaj në mbretërinë e vet i doli kundër, duke ua shpëtuar jetën dy fluturuesve, atij qe kishte rënë në det dhe tjetrit qe ishte ulur ndanë tij.

Sapo u bashkua me të birin dhe ia vëzhgoi krahët, Dedali u qetësua. E gjeti teksa fluturonte nën një re të bardhë, që kushedi ku e kishte zbrazur shiun dhe tani lëshonte vetëm hije. Atij iu kujtua vetvetiu trimi Leonidha që, në krye të treqind spartanëve të tij, kishte ndalur mijëra persë në Grykën e Termopileve. Dhe kur pushtuesit e kërcënuan se do t’i lëshonin sipër stuhitë e shigjetave, ai u përgjigj: “E po më mirë ahere, do të luftojmë në hije!” Pastaj, duke fluturuar drejt detit për t’i shfaqur nderim Poseidonit, atë e bir kujtuan burra të tjerë legjendarë. Muret e Gjata u sollën ndër mend mençurinë e Themistokliut, që kishte ngulmuar për fortifikimin e qytetit-shtet, ndërsa arratisja nga labirinti u kujtoi lavdinë e Tezeut, heroit të Atikës, që vrau përbindëshin Minotaur. Në kthim ata fluturuan përsëri thuajse paralel. Sa shumë do të kënaqej Platoni, sikur të ndodhej në Athinë, duke i parë së bashku atje lart! Por Dedali ia kishte kursyer mikut emocionet e rrezikut. Ndaj kohën për fluturim e zgjodhi kur mungonte filozofi, mësuesi i madh i të birit, i cili kishte vajtur në Sirakuzë. Por edhe pa këtë akt guximi, çfarë kishte dashur të thoshte, Platoni e kishte thënë tashmë. Një ditë, teksa dilte nga Akademia që vetë e kishte themeluar, disa të rinj e kishin provokuar me fjalë cytëse për djalin e Dedalit. “Mos harroni, djem gazmorë”, u kishte thënë filozofi, “përparimi arrihet shkallë-shkallë. Ikarit nuk i mungojnë Virtytet dhe këto mund ta çojnë te Njohja.” Të dilte nga goja e Platonit kjo lavdëratë për një bashkëmoshatarin e tyre, sidomos binomi Virtyt dhe Njohje, ishte diçka e pazakontë. Prandaj pati mes të rinjve nga ata që u galduan, nga ata që vetëm u gëlltitën, si dhe nga ata që njëkohësisht u gëlltitën dhe u zverdhën në fytyrë. Ndërsa i afroheshin bazës, prej ku qenë nisur dhe turma po gjallërohej, papritur Dedalit iu ringjall dyshimi brejtës. Atij iu duk se nga njëri krah i Ikarit, dhe pikërisht nga pjesa e brendshme, kullonte një bulë lëngu si të ishte pikë gjaku. Po përjetonte një fanepsje apo ndonjë paralajmërim të kobshëm? Mos po fluturonin shkëndija nga Qerrja e Diellit, duke u përhapur deri aty? Ku kishte gabuar në konstruktim?

Ai u ngjit më lart dhe, kur i bëri atij krahu një kontroll nga sipër, asgjë të gabuar nuk vërejti. Për t’i mbrojtur rrënjët e puplave, përveç dyllit, kësaj here kishte përdorur rrëshirë, ngjitës nga zhardhokë bimorë, fije shtrënguese liri, si dhe ca balestra të lehta prej kallami kundër nxehtësisë. Por as Qerrja nuk tregonte ndonjë trazim tani, përkundrazi, Heliosi sikur u buzëqeshte me dashamirësi. E kjo do të thoshte se perëndia e Diellit po mbante anën e tyre, duke ia lënë në dorë Zeusit vendimin për fatin e mëtejshëm.

Mirëpo babë e bir e kishin paramenduar edhe blatimin për Zeusin. Për nder të tij, ata do ta mbyllnin fluturimin duke i rënë tri herë kryq e tërthor asaj hapësire të Partenonit, që binte në drejtim të Olimpit, malit të shenjtë. Aso kohe të tilla ishin marrëdhëniet me zotat, secili prej tyre kërkonte përkushtim të plotë nga njerëzit e zakonshëm, por pa i dhënë askujt siguri si do të silleshin ndaj tij.

*

Kur arritën mbi kodër dhe po merrnin kthesën e parë nga e djathta, bashkë me përvijimet e relievit u bënë më të dukshëm edhe qytetarët. Për t’u shprehur ngazëllimin dhe mirënjohjen e tyre, disa kishin nisur të brohorisnin. Më të papërmbajturit kishin flakur pelerinat dhe kërcenin pupthi, si të donin t’i arrinin. Dedali ia doli të dallonte entuziastët. Madje pikasi edhe grupin e djemve që, për nga gjestet kundërthënëse, dukeshin gjithnjë të përçarë. Atij i erdhi keq që ishte nisur pa ua plotësuar dëshirën, pra, pa u folur për strukturën e krahëve dhe teknikën e fluturimit. Por mendimet iu ndërprenë befasisht dhe të gjitha shqisat i përqendroi te vëzhgimi i Ikarit. Jo, tani nuk mund të flitej më për dyshime. As për fanepsje, të cilat zgjasin një çast dhe pastaj vjen kthjellimi. Tani kishte bindjen se nga flatrat e të birit kullonin sumbulla të lëngshme, që dendësoheshin vazhdimisht.

Çfarë po ndodhte, ku qëndronte e keqja?! Ç’mund të ishte ky kërcënim po aq idhnak, sa rrufeja e Zeusit dhe krateri i Heliosit?! Sado pyeste veten, Dedali s’po arrinte të përgjigjej. Tashmë i dukej se vetë bota ishte kthyer përmbys, sepse në vend që rrezatimi të vinte nga lart-poshtë, po vinte nga poshtë-lart. Atij i bëhej se herë-herë vizëllonin në ajër ca rreze që, duke ardhur nga toka, i godisnin flatrat e të birit drejt e në faqet e brendshme. Ishin të holla, të shpejta, të verdha e të murme njëherësh, përvëluese si flaka në mish.  “Ç’furrë i lëshon?”, pyeti veten përsëri, “ku është burimi i tyre?”  Mirëpo as Dedali ngadhënjyes, krijuesi i së Vërtetës se njeriu mund të fluturojë, nuk po e zbulonte dot burimin e fshehtë. Turma ndoshta ende s’e kishte nuhatur rrezikun, ndërsa djemtë as që i hidhnin më atij ndonjë vështrim. Sytë e tyre ishin ngulitur vetëm te Ikari. Duke dashur t’ia ndërpriste fluturimin, Dedali i thirri të birit që të zbriste me urgjencë. Pastaj, ngaqë rrymat e ajrit e pengonin dëgjimin, ia përsëriti thirrjen dhe bëri t’i afrohej, për ta mbrojtur nga poshtë me trupin e tij… Por çasti fatal kishte mbërritur. Flatrat e dobësuara u shkërmoqën dhe honi i boshllëkut e përpiu Ikarin. Sa të tmerrshme e të pafundme iu dukën ato çaste të atit. E kishte të pamundur ta shkurtonte kohën e uljes, duke i mbledhur krahët ngjashëm me skifterin, që bie pingulthi si të jetë gur. Për të humbur lartësi, atij iu deshën rrotullimet spirale të lejlekut, siç i quante vetë. Megjithatë, kur preku tokën, flatrat që e kishin mbajtur lart, e penguan të ecte. Atëherë, për ta ndihmuar, iu afruan disa djem që ose e kishin kryer, ose ndiqnin ende gjimnazin. Mes tyre njohu bashkëmoshtarë e shokë të të birit, por iu drejtua kushëririt që vrapoi me të parët: “Kritobul, përse po vinit baste ju?” “Sepse kishte ziliqarë që ishin kundër Ikarit. Vunë baste për të mësuar se deri ku mund të arrijë fuqia e smirës.” “Smira ben pjese te fuqia e zezë. Dhe fuqia e zeze, sido te prodhohet, mund të arrijë deri atje, sa të vrasë edhe njerëz!”, ia ktheu i dërmuar Dedali. Nuk priti t’ia jepnin lajmin të tjerët. Tashmë ishte i bindur se i biri kishte ndërruar jetë. Dhe askush s’mund ta ndryshonte të vërtetën,  flatrimi i Ikarit aty ishte ndërprerë përgjithmonë. Ndërsa Dedali thonë se vazhdon të fluturojë edhe sot e kësaj dite. Jo vetëm me avionët e udhëtarëve, ku ndodhet autori i ketyre radheve, por edhe me anijet kozmike. Veçse zemërgjerët shtojnë se fluturon bashkë me kujtimin e të birit. (Ne linjen Tirane – Verona)

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Homazh/ atDheu i Podrimjes, ku është pas lufte?
Karta e madhe 806 vjeçare
Aventurë mbi librat e Lorkës
Botohet libri i rrallë 1847-es/ I pari historian i letërsisë shqipe, por arbëreshi është lënë në harresë
Poeti kombëtar Naim Frashëri, përkthyesi i parë i Iliadës në gjuhën turke
Bukuria e provokimit apo bukuri e konsumit masiv?
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>