Intervistoi: Alba Kepi

Massimilla di Serego Alighieri, stërmbesa e Dante Alighierit vjen në një rrëfim unik për gazetaren Alba Kepi, në këtë 700 vjetor të vdekjes së poetit të Komedisë Hyjnore.

Prej vitit 1353 familja Alighieri jeton në qytezën Gargagnago di Valpolicella, në rrethinat e Veronës, pak kilometra larg liqenit të Gardës e ku u vendosën pas azilit politik të detyruar të Dante Aligherit nga qyteti i Firenzes.

Stërmbesa e Dantes rrëfen se prej 21 brezash, familja Alighieri jeton në Gargagnago di Valpolicella.

Sot ajo banon po aty, së bashku me prindërit e saj, e janë trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të babait të letërsisë e gjuhës italiane.

“Jetojmë në tokat e blera më 1353, nga Pietro, djali i Dante Alighieri, thotë ajo. Dante Alighieri së bashku me familjen erdhi në këtë qytezë pas azilit politik, pra dëbimit nga qyteti i tij Firenze. Në provincën e Veronës u vendos familja Alighieri me dy djemtë, Jakopo e Pietro. E unë jam trashëgimtare e degës së Pietro Alighierit”.

Edhe pse kanë kaluar shumë breza, pronësia e familjes së Dante Alighierit nuk ka ndryshuar.

Sot rezidenca e familjes Alighieri është e rrethuar nga 11 vreshta rrushi, nga më antiket në Itali e  njihen si prodhuesë të verëva të ekselencës “made in Italy”.

Rezidenca mban emrin Serego Alighieri pasi prej shekullit të XVI, mbiemrit të familjes i është shtuar dhe mbiemri Serego. Stërmbesa e Dante Aigliherit shpjegon se pas 1500 trashëgimtarja e fundit direkte e Dante Alighierit ishte Gjinevra Alighieri.

“Duke qënë grua, thotë ajo, nuk mund të trashëgonte ligjërisht mbiemrin Aligheri. E martuar me Marc Antonio Serego, nga provinca e Vicenzas, përmes një leje speciale kanonike iu lejua të mbaj të dy mbiemrat, Alighieri të familjes së origjinës e Serego të familjes së bashkëshortit, duke mundësuar kështu trashëgiminë e emrit të familjes së poetit të madh.”

Prej vitit 1549, që është dhe data e martesës së Ginevra Alighierit me Marc Antonio Serego, nis historia e familjes Serego Aligheri, e nga kjo martesë lindin 15 fëmijë që përbëjnë dhe rrënjët e familjes Aligheri prej shekullit të XVI deri sot.

Sa trashëgimtarë të Dantes Alighierit jetojnë sot në Itali?

Massimilla di Serego Alighieri, thotë se ajo është trashëgimtare e brezit të 21 të Dante Alighierit. “Jemi aktualisht 26 trashëgimtarë të tij, të shpërndarë në disa qytete, si në Firenze, Romë, Verona. Dikush mban mbiemrin Serego Alighieri, të tjerë jo se i përkasin degës femërore. por jemi të gjithë pasardhës të familjes tonë të përbashkët.”

Stërmbesa e Dantes rrëfen se në brezat e familjes Alighieri ka pasur disa stërnipa që kanë trashëguar emrin Dante në nderim të Dante Alighierit.

“Ishte një traditë që respektohej në familje. Katërgjyshi im quhej Dante Alighieri e për shumë mandate rresht ka qënë kryetar i bashkisë së Venezias”, – thotë ajo, – “Falët tij qe ai u ndërtua transportin publik me anije në Venezia, e të mendosh se jetonte në një epokë kur në këtë qytet të gjithë shëtisnin me barkë. Pra ishte një inovacion absolut.”

“Po ashtu gjyshi im quhej Dante Alighieri e në historinë e qytezës ku jetojmë, pra në Gargagnago di Valpolicella, njihet si personi që mundi të shpëtoj banorët nga bombardimet e luftës së dytë botërore.

“Kjo vilë e familjes,-  thotë ajo, – e ku prej 1353 jeton familja e Dantes, u përdor gjatë luftës së dytë botërore si magazinë municionesh për ushtrinë gjermane. Thuhet se im gjysh shtroi një darkë për repartin gjerman, që ishte pozicionuar në tokat tona e pëbënte një rrezik për të gjithë banorët. Ndërkohë që ushtarët gjermanë hanin e pinin, banorët e Gargagnago di Valpolicella i c’armatosin e i zhdukën të gjitha municionet e tyre nga magazina. E kështu të nesërmen, ushtarët gjermanë nuk mundën as të bombardonin, as të shkatërronin shtëpi e as të keqtrajtonin vendalitë.”

Po sa e ka ndjerë ajo peshën e mbiemrit të familjes gjatë fëmijërisë e rinisë?

Massimilla di Serego Alighieri thotë se, veprat e Dantes i gjente në çdo qosh të shtëpisë e kujtimin e parë nga fëmijëria ishte pyetja se pse mbiemri i saj gjëndej i stampuar në këto libra.

“Im atë, thotë ajo mi mësonte këngët e Komedisë Hyjnore që e vogël, e që 3 vjec thonë se recitoja këngën e parë të saj. Në shkollën e mesme nuk qe e lehtë se sa herë që kishim mësimin e letërsisë më takonte të merresha në pyetje e të flisja për Danten. Në lice kisha një mësues lëtërsie filodantesk, pra i apasionuar pas poetit, e që vendosi si rregull një orë më shumë në letërsi për të folur vetëm për Danten. Për një adoleshente si unë kjo nuk që një kënaqësi e madhe se miqtë e klasës më morën inat se u duhej të qëndronin më gjatë në shkollë. Nuk kam pasur pasion letërsinë e kam nisur ta dashuroj e ta kuptoj Dantes pas formimit shkollor. Nisa ta njoh mirë përmes teksteve të studiuesit Vittorio Sermonte.”

Po cilat janë këngët ose vargjet e preferuar të saj nga Komedia Hyjnore?

Madhësia e Komedisë Hyjnore të bën të ndjesh të tuat vargje, këngë ose personazhe pavarësisht nga koha kur jeton. Dante ishte i drejtpërdrejtë e në këngët e tij ka futur mjaft personazhe qe jetonin në kohën ku ai realizoj veprën e tij. Ndjehet se nuk ka një simpati për politikën e qytetit të Firenzes e cila e largoj nga vendlindja, e perceptohet mendimi i tij në azil të detyruar e larg qytetit që adhuronte (Firenze). Të gjitha këngët e gjashta të Ferrit, Parajsës e Purgatorit, që janë vargje politike flasin jo vetëm se si ishte situata politike e korrupsioni në Italinë e asaj kohe por dhe se si ishte jeta në qytetin e Firenzes. Personalisht preferoj këngët e Ferrit e këngën e parë të Ulisses, si dhe këngën e Parajses kur ai takohet me ushtarakun e kryqëzatës italiane nga familja Elisei, e me të cilin flet e rrëfen për familjen e tij. 

Si dhe këngën e XXXIII të Parajsës që është një lutje e kaq aktuale dhe për sot për momentin që po kalojmë për shkak të pandemisë globale. (Vergine Madre, Figlia del tuo Figlio, umile ed alta più che creatura, termine fisso d’eterno consiglio. Tu sei colei che l´umana natura, nobilitasti, sì che il suo fattore, non disdegnò di farsi tua fattura..)

Po vendet e preferuara të historisë Danteske?

“Varri i Dantes në Ravena është një vend pelegrinazhi i imi”, thotë Massimilla di Serego Alighieri. Pa dyshim dhe statuja e Dante Alighierit e skulptorit Ugo Zanone realizuar më vitin 1865 dhe e pozicionuar në Sheshin Dante sic e thërrasin sot banorët apo Sheshi i Zotërinjve sic e ka emrin zyrtar (Piazza dei Signori), është një tjetër vend mjaft kuptimplotë për mua. Historia e kësaj statuje tregon se Dante Alighieri ishte Italia e asaj kohe ishte personifikim i gjuhës, kulturës italiane. kombit italian.

Verona e Italia jetonte nën sundimin austriak e banorët e vendosën statujën e Dantes në natën e 13-14 maijt të 1865 me rastin e 600 vjetorit të lindjes së poetit të madh. Sipas kronikave të kohës për atë ditë ishin parashikuar manifestime nga ana e banorëve të Veronës e që u ndaluan nga autoritetet austriake. Vendosja e statujës së Dantes qe simbol i krenarisë që veronezët ndjenin si ishin italianë. Ravena e Verona janë dy qytete që e nderojnë mjaft mirë kujtimin e Dantes.

Dante ndërron jetë në Ravena, e sipas historisë disa nga këngët e Komedisë Hyjnore u gjetën nga djali i tij?

Po është e vërtetë. Sipas rrëfimit historik, thuhet se pas vdekjes së Dantes më vitin 1321, i mungojnë 13 këngë nga Komedia Hyjnore. Një vit pas vdekjes Dante i rrëfen në ëndërr djalit të tij, se vargjet i gjen në vendin ku ndërrojë jetë në banesën e poetit në Ravenna.

Të nesërmen në mëngjes, Jakopo, djali i Dantes i kërkon e i gjen këto këngë të munguara, në një mur në dhomën e Dantes duke iu trashëguar më pas botës.

Këtë dëshmi e gjejmë të dokumentuar  në veprën e Giovanni Boçacio, publikuar më 1477 me titull “Jeta e Dantes”.

Massimilla di Serego Alighieri, rrëfen gjithashtu se mjaft studiues mendojnë se dorëshkrimi origjinal i Dantes ruhet i fshehur në shtëpinë e tyre.

“Disa herë, – thotë ajo, – kanë mbërritur dhe matematicien  që në bazë të llogaritjeve të fjalëve e rrokjeve në Komedinë Hyjnore supozonin gjetjen e këtij dorëshkrimi në dyshemetë apo në dhomat e tyre. Por deri më sot, nuk kemi gjetur asgjë të tillë”.

Në këtë 700 vjetor të vdekjes së babait të letërsisë italiane e botërore, familja e Dante Aligheri, pra prindërit e Massimilla di Serego Alighieri, kanë vendosur të realizojnë një bizhuteri spilë, në nderim të paraardhësit të tyre.

“Mjaft të rëndësishme janë librat mbi jetën e veprën e Dantes që mjaft studiues e shkrimtarë italianë kanë publikuar në këtë përvjetor apo i kanë në fazë publikimi”, thotë ajo. Dhe pse jemi në një moment të vecantë të jetës së secilit për shkak të masave antiCovid, disa kompani teatrale kanë në program shfaqeje në nderim të figurës së Dantes, si dhe po hapen disa ekspozita muzeale në qytet të ndryshme.”

“Eshtë inaugurar në Firenze Muzeu i gjuhës italiane, por ajo që unë kërkoj, thotë, trashëgimtarja e autorit të Komedisë Hyjnore, është se Dante të mos kujtohet vetëm në raste përvjetoresh, por të ketë çdo vit vendin e tij në programet kulturore e eventet e institucioneve italiane qoftë në nivel lokal ashtu dhe institucional.”

Komedia Hyjnore e Dante Alighierit u shtyp për herë të parë më 11 prill 1462 nga një poligrafi në Foligno në rajonin e Umbrias, nga botuesi Giovanni Numeister,  së bashku me Evangelista Angelini di Trevi e me bashkëpunimin e tipografit Emiliano Orfini. Trashëgimtarët e familjes së Dante Alighierit mbajnë titujt Kont e Kontesha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Unë “bir i armikut”!
Homazh/ Ali Oseku: Sa mirë që është shpikur një gjë e bukur, kaq madhore sa fryma!
Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}