Kafja e Madhe në Shkodër, një godinë historike për nga arkitektura por edhe rëndësia kulturore, trashëgimi e monument i kategorisë së parë, është shembur, rrënuar totalisht. Me lejen e Bashkisë, dhe në mes të ditës, deri tani nuk ka asnjë reagim nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë, si përgjegjëse e shkatërrimit edhe të këtij monumenti. Vetëm një gazetare ka lëshuar alarmin, ndërsa askush nuk ka folur, asnjë zë nga Shkodra çfarë po ndodh në zemër të qytetit.
Gazetarja e kulturës Anisa Ymeri ka qenë ndër të parat që ka dhënë lajmin për shembjen e Kafes së Madhe në Shkodër. Asnjë personalitet, apo institucion nuk ka folur deri në rrafshimin e godinës historike, për nga vlera arkitektonike, edhe pse shumë herë është folur, shkruar e keqardhur nga vendasit pse po rrënohet një nga godinat më të bukura të qytetit. Ymeri ka lëshuar dje klithmën, për vëmendje, por dhe fatkeqësi: “Është Kafja e Madhe në Shkodër! Është monument kulture i kategorisë së parë! Është e rrafshuar! Është bërë PLUHUR e gjithë godina! Veç ndonjë metri muri anësor dhe fasadës…U bë pluhur në mes të ditës! U bë pluhur në zemër të Shkodrës! U bë pluhur me “lejen” e Bashkisë dhe Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë “nuk e pa” ato dy ditë që fadromat shembnin. Më e tmerrshmja e dini ç’është? Askush nuk thotë ASNJË FJALË!”
Historiku/ Kafja e Madhe, Kafe-Park-Shkodër
Kafja e Madhe është ndërtim me karakter shoqëror i periudhës së gjysmës së dytë së shek.XIX,19. Kati i parë ka shërbyer si lokal ndërsa kati i sipërm hotel. Kafja është pjesë e atij kompleksi ndërtimesh që mbushin rrugën e pjacës të projektuara edhe ato nga Idromeno.. Vërehet një gërshetim i traditës së ndërtimit të godinave qytetare me stile të ndryshme , veçanërisht të fasadave, dekoracioneve,korniza, bordura, mensola, ballkone të stisura dhe dritare me grila. Është i dukshëm në këtë drejtim, ndikimi i arkitekturës së qyteteve të përparuara të mesdheut. Kafja e Madhe ishte në ato vite shprehja tipike e zhvillimit të kapitalizmit në fushën e tregëtise dhe veçanërisht në atë të hotelerisë. Kolë Idromeno, artisti shumë dimensional la gjurmë të pashlyeshme, që edhe sot lartësohen krenarisht në qytetin e artit dhe kulturës. “Kafja e Madhe” ishte një prej këtyre objekteve, ku të gjithë vizitorët që preknin Shkodrën e atyre viteve, gjendeshin përballë një godine luksi për kohën, ku përfshihej argëtimi, teatri, muzika dhe ballot elegante të kohës. “Kafja e Madhe” ishte edhe vend lajmesh, lidhjesh me botën, vend bisedash e argëtimesh. Pa “Kafen e Madhe” Shkodra në fillim të shekullit ndoshta nuk do të mbetej aq gjatë në kujtesën e të huajve dhe nuk do të konsiderohej si qyteti më grishës i Ballkanit.
Austriakët madje në 1914, pasi u larguan nga Shkodra, foton me Kafen e Madhe e shtypën në kartolina, imazhet e së cilës ua dërgonin miqve si kujtim nga Shqipëria.
Kafja e Madhe ishte një barrier psikologjike ku nuk mund të hynte kushdo. Ishte një vend ku e gjenin veten muzikantët, intelektualët, shkrimtarët. U desh viti 1997 që ajo për tiparet e veçanta tipologjike e morfologjike të shpallej monument kulture i kategorisë së parë. Por për ironi të fatit ky status i dhënë, në vend që të shënonte një kthese, ndodhi e kundërta dhe vitet e mëvonshme sollën degradimin e saj, gati deri në shkatërrim.
Referuar projektit të Xhenis Sh- SHPK dhe qeverise Shqiptare, objekti pritej të kthehej në identitet. Rrugëtimi i kësaj godine historike pretendohej të merrte tjetër rrjedhë, pas nisjes së punimeve për rikonstruksionin e saj. Kompania Xhenis SH – SHPK kishte marrë përsipër persiper t’i rikthente lavdine e dikurshme. Por si duket, shembja ishte rruga më e shkurtër!
Un’altra cancellazione di un pezzo di storia!!