Shkruan: Lazër Shantoja
Shkrimtarët nuk janë porsi shishet e vênës. Këto, sikur dihet, sa mâ të vjetra të jenë, aq janë mâ të mira. Përkundrazi, zbatue shkrimtarve, adjektivat «i rí, i vjetër» nuk shênjojnë kurrnji cilsí vlere. Këtu due vetëm të përshkruej disa symptoma të cilat e dajnë në shêj shkrimtarin qi vêhet me shkrue së parit e qi prandej po e quejmë «të rí». Tue pasë qênë un vetë dikur i tillë, mund të shkruej mbi ta.
Shkrimtarët e rij zakonisht urrejnë fushën. Fillojnë mejherë me u kacavjerrun malit. Nuk âsht nevoja me thânë se ky mal âsht ai i Parnazit. E mbasi ndër sa cilsí të bukra qi ka ky mal i famshëm âsht edhe ajo, me bâ rrimë me kalin me flatra të poetve, Pegazin, qe se shkrimtarët e rij i shohim mâ të shumen e herës në shpinën e ksaj shtaze fisnike e heroike. Ec e ndali mandej. N’at mal legjendar at s’shohin tjetër por lila e zymbyla e karajfila, malle e valle e shtojzavalle, agime, kërcime e defrime. Nuk e harroj kurr çasin kur, kalamâ 12 vjetsh, i u ngjita dhe un atij mali. M’a xêni besë, tue u shprishë kâmbësh e duerësh… Sidomos duerësh…; pse 12 vargjet e atyne trí strofave të shkreta qi kjenë stacjonet e para e asaj shetije, ishin të matuna me gishtat e duerve. Nuk kam marre t’a thom. Por ec e fol me mue se! As mos me të shkue mâ buka, as mos me të marrë gjumi i natës. Këndo e rikëndo ato vargje të shkreta, qi për mue ishin at herë quintessenzae poezís. Nuk e besoj se Madame Récamier âsht qênë qyrë në pasqyrat e sallonit të saj t’Abbaye-aux-Bois me nji vetkënaqsí mâ të madhe se un në vjerrshën e parë t’eme. Të rijt qi nuk kan bâ a nuk bâjnë si un, të më shajnë!
Por kjo âsht gjymsa e së keqes: me shkrue vjerrsha! Halli âsht se shkrimtarët e rij nuk kanë duresë. Duen me dalë ne mejdan. Vjerrshat për ta janë si simitat, e këta duhen hangër të xehtë. Vrap prandej me i botue. E vaj halli me bâ me pasë guximin me u a qitë në kosh! U ké marrë nderën! E bân pse dron konkurrencen e gjeníve të rij! Nuk din ça âsht arti. Duhet me ju falun nderës Zotit qi të dashunit e zânave Ky nuk na i ka stolisë mâ të shumën e herës edhe me trimní, pse, qe besa, për nji vjerrshë të qitun në kosh të nji redakcjoni, këta nuk kishin pritue me qitë pushkë në redaktorin.
Shkrimtarët e rij të më ndigjojnë mue. Ase mâ mirë të ndigjojnë Horacin. Nji kângë popullore e malsinave t’ona thotë: «mbas ndandë muejsh bân vasha djalin» e Horaci kërkon jo ndandë muej por ndandë vjet për me botue prodhimet e zânave t’ona. Un kam botue pak fort vjerrsha, por më kënaqin sod mâ fort ato qi nuk kam botue. Pse? Pse sod ato s’më duken vjerrsha mâ, por vetëm vargje. Pse me u koritë kot e botnisht?
Théophile Gautier na thotë se nji artist i rí do të shkruej së paku 50.000 vargje për ushtrim, para sé me botue nji të vetëm.
Ushtrim pra, ushtrim i gjatë, e kur të shohim se me gjith ushtrim vargjet çalojnë, të zdrypim në fushë e t’ecim në kâmbë. Fusha e prozës ka me i diftue nji artisti të vërtetë se âsht mbushë dhe ajo me poezí e jo me mâ të lehten!
Tue këndue këta vjett e fundit disa prodhime shkrimtarësh të rij të botueme andej e këndej ndër rivista të ndryshme kam konstatue nji gjâ shum të ngushllueshme. Nji stil 1937! Due methanë nji stil me perjudha të shkurta, të caktueme, të këputuna, të dallueme. Nji stil kristal qi sot quhet stil frêng. Sod sikur nuk veshet kush mâ me modene shekullit 15. (jashta ndër shqena theatrore a në ndoj proçesjon kanivalesh) kështu edhe nuk shkruen mâ kush n’at mënyrë. Në Shqipní un njoh dy vetë, nji të vjetër e nji të rí, qi shkruejnë gjithnji me perjudha të gjata as me qênë brêza dibranësh… Perjudhat e mëdhaja nuk bâjnë në shekullin t’onë shkrimtarët e mëdhaj e kështu mbasi kush nuk i njeh, s’po due me u a përmendë emnin. Por tjerët? Me t’u kënaqë shpirti me i këndue! Shkruejnë shqip, por në veshë moderne.
«Çë ferk, Emzot, ka ndërmjet tënji malsori e të nji zadrimori?» pyette tash ka disa vjet nji mik i emi, Emzot ai vetë sot, të parin e vet. Ky ngurron me përgjegjë. At herë pyetsi i a bân:«Qe, Emzot! Me bâ me i ra pushka nji malsorit, plumbi kishte për t’i përshkue tirqët e tij tue bâ: tak, tak! Perkundrazi me pasë për t’i ra plumbi nji zadrimorit, ai kishte me shkue tue bâ llapallapa nëpër brakesha… Ndiç… Kastil malsorësh e stil zadrimorësh, stil tirqish e stil brakeshash. Shkrimtarëte mirë, të rij e të vjetër, veshen me tirqë.
«L’art d’être ennuyeux, c’est de toutdire», thotë nji shkrimtar frêng. Masë pra. Duhet me lânë dhe lexuesin me mêndue, me bashkpunue me né. Vetëm at herë ka m’u zgjue kureshta e tij, ka me na ndjekë, nuk ka m’u merzitë. E për mos me e mërzitë, këtij nuk do t’i falim klishe të lame e të stërlame, por fytyra të reja e origjinale. Aty rri arti i vërtetë e nji artisti qi meriton kët emen. Sikur kur marr me këndue nji libër të Fishtës un këndoj Fishtën e vetëm Fishtën, kështu edhe kur të marr me këndue librin e nji shkrimtari X. duhet të këndoj ça shkruen e si shkruen shkrimtari X. e jo të këndoi shkrime qi kanë erë Fishte, erë Mjede a erë Koliqi. Shkrimtarët qi shkruejnë mbi falsarigen e huej janë si ata pleq të shkretë qi ecin me terfurksa, gjindë qi sillen gjithmonë ne e huejen, pa fytyrë e fizionomí të veten. Kopista e jo shkrimtarë.
Për me i a mbërrijtë këtij origjinaliteti në shkrim duhet nji send i vetëm. Mos me ndërrue fytyrë. Stili âsht nji me njerín e sikur nuk ka dy njerz qi të kenë tamam nji fytyrë kështu natyrisht nuk do t’u gjindshin dy vetë qi të shkruejnë krejt në nji mënyrë. S’âsht çashtje gramatike e syntaksi këtu. Âsht çashtje mendimesh, ase ma fort formulimit mendimesh. Gazetarët e mëdhaj e mund të thomi përgjithësisht shkrimtarët e mëdhaj dallohen n’origjinalitetin e formulimeve të tilla. Qe dy fjalë qi sqarojnë të tanë nji situatë. Ai qi nuk din me shkrue, mbushë dỳ fletë me thânë po at send e kurrkush s’e merr vesht e kurrkuj fjalët e tija s’i bâjnë përshtypje. Por ky origjinalitet ky art me gjetë fjalën e shprehjen e duhun, përfytyrimin e nji fyshqete, frazën qi bâhet e mbetet popullore, paradokset e shkëlqyeshme e të gëzueshme, âsht fryti i nji vërejtjeje të gjatë e të padame të jetës, i nji studimi e të përmbledhuni të përmbrendshëm, âsht takti e delikatesa shpirtnore, âsht pasunija e patrashigueshme e artistave. Shkëndija e gjenit? Këta janë të rrallë. Edhe për shkrimtarë shkon fjala popullore qi Turqit kanë për njerzit e mëdhaj: Fati xên marak në njerin e aftë.
Shkrimtarët e rij prandej të punojnë e mos të lodhen. Ka ndër ta sod asish qi munden me mësue të vjetrit. Na të vjetrit i shtrëngojmë dorën me gzim e mundohemi me ecë me ta. Kur të kujtohemi se bukurín e artit e përdorin me përshkrue e këndue sende qi nuk janë të bukura e kemi me detyrë me u ngrehë veshin.
S’do të na idhënohen. Asë?
Botue s’parit tek e përkohshmja Cirka, 18 Korrik 1937
(L. Shantoja, Vepra, Botime françeskane, Shkodër 2005).