Nga Ergys Mërtiri

Në romanin “Vëllezërit Karamazov” Dostojevski e paraqet komunizmin si një fe, duke e parë atë si çështje e kullës së Babelit, jo për të shkuar nga toka në qiej, por për ti zbritur qiejt në tokë. Në fakt, marksizmi është një ideologji mesianike e ngjashme me atë të feve të mëdha, e cila ofron një përfytyrim biblik mbi Mbretërinë e Perëndisë. Në thelb kjo ideologji është një ofertë alternative ndaj feve tradicionale, e cila predikon shpëtimin tokësor, ku, ashtu si në eskatologjinë e krishterë, parashikohet një ditë ku do të mbretërojë paqja e ku ujku do të jetojë krah për krah me qengjin.Marksizmi ngrihet mbi idenë se natyra njerëzore është korruptuar prej pronës private dhe pronësisë mbi mjetet e prodhimit. Ai merr përsipër ta rregullojë këtë shtrembërim historik, duke predikuar një rend të ri, ku puna dhe prodhimi nuk mbështeten më mbi privaten. Kjo do të shpjerë në korrigjimin e natyrës njerëzore, e cila do të çvishet nga veset që ka kultivuar për shkak të pronësisë. Njeriu i ri, i dalë nga një transformim i tillë do të ishte një qenie krejt tjetër, me tipare mbinjerëzore, krejt të ndryshme nga këto që ka sot.Kur rendi komunist të jetë vendosur plotësisht, atë ditë ndërgjegjia e njeriut do ketë arritur në atë nivel sa të bëjë të panevojshme ekzistencën e shtetit. Njeriu do të dalë në mëngjes nga shtëpia për të punuar “aty ku ka nevojë shoqëria”, dhe do të kthehet në mbrëmje, duke marrë nga pasuria publike, vetëm aq sa ka nevojë për të jetuar. Vetë nevojat do të jenë reduktuar, pasi shumicën prej tyre e kemi brendësuar, si pasojë e veseve që na ka kultivuar kapitalizmi. Rendi i ri, do ta ketë çveshur njeriun nga ligësitë, egoizmi, lakmia dhe çdo gjë që e bën njeriun të mendojë thjesht për vete, qoftë kjo edhe familja dhe fëmijët.Një përfytyrim i tillë vegjetarian, thellësisht pacifist, i qenies njerëzore në “fundin e historisë” duket shumë kontradiktor krahasuar me realitetin e historisë së gjakut që kjo ideologji ka treguar. Zjarri i revolucionit dhe krimi shtetëror i instaluar në regjimet totalitare në emër të fitoreve provizore drejt këtij qëllimi final flasin për të kundërtën e asaj çfarë predikohet. Rruga për në parajsën e premtuar kalon përmes ferrit dhe, përtej optimizmit të verbër revolucionar, duket se fundi i saj është një postobllok mbi urën e Siratit që qendron pezull mbi ferr.Njeriu i ri, krijoji vërtetë një fytyrë tjetër, sigurisht jonjerëzore. Vetëm se ajo nuk ishte aspak engjëllore siç predikohej, por i ngjante më shumë një përbindëshi, të programuar për ti shërbyer makinerisë vrasëse të regjimeve. Socializmi, kultivoi veset më të këqija të njeriut në shoqëritë ku u përhap, duke stimuluar ligësinë. Ai integroi në rangje të larta të hierarkisë së shtetërore njerëzit më të paskrupullt dhe më të aftë për të dhunuar, nënshtruar, spiunuar e terrorizuar të tjerët.Në vend të diktaturës së proletariatit, për të shpëtuar shoqërinë nga shtypja dhe shfrytëzimi, socializmi krijoji atë që autorë të ndryshëm e kanë quajtur “diktaturë e sekretariatit”, burokracinë e terrorit shtetëror, e cila u bë sistemi më antihuman i organizuar që ka njohur historia. Natyra njerëzore, jo vetëm që nuk u çlirua nga veset, por u përkeqësua, madje u pervertua në nivele të frikshme. Regjimet totalitare iu dhanë fuqi individëve dhe forcave më të korruptuara, duke i pajisur ato me apologjinë ndaj krimit dhe legjitimimin e dhunës, gjë që korruptoi tërë shoqërinë.Krijesa të punësTeoria e Marksit mbështetet mbi një pikëpamje ndërvarësie të natyrës njerëzore me punën. Ai mendonte se natyra e njeriut prodhohej nga puna e tij dhe mund të transformohej pikërisht nëpërmjet saj. Duke punuar dhe prodhuar diçka, njeriu ndryshon dhe prodhon edhe vetëveten e tij. Për rrjedhojë, nëpërmjet ndryshimit të punës, mund të ndryshojmë vetë njeriun.Sipas Marksit, puna ndikon, jo vetëm drejtpërdrejtë tek njeriu, por edhe tek mjedisi social, i cili gjithashtu formëson natyrën njerëzore. Vetë mjedisi social është gjithashtu produkt i marrëdhënieve të prodhimit të krijuara midis njerëzve. Pra, duke punuar, njeriu prodhon mjedisin si objektifikim të imagjinatës së tij, dhe nga ana tjetër, mjedisi prodhon njeriun, duke ndikuar mbi natyrën e tij. Puna është reagim ndaj nevojave njerëzore, por gjatë punës kemi gjithashtu transformim të vetë nevojave njerëzore. Njeriu krijon nevoja të reja, në funksion apo përgjigje ndaj saj, e më tej ai krijon mënyra të reja pune, për të përmbushur këto nevoja të reja.Prej këtej, Marksi shkon në idenë se, problemet e shoqërisë së sotme vijnë pikërisht për shkak të mënyrës sesi janë krijuar marrëdhëniet e prodhimit. Për shkak të kapitalizmit dhe, në tërësi, marrëdhënieve ekonomike të mbështetura mbi pronësinë mbi mjetet e prodhimit, shoqëritë njerëzore kanë shtrembëruar punën e tyre. Duke punuar për pronarin, individi nuk punon për vete, gjë që e bën të humbasë objektifikimin e punës së tij. Puna bëhet qëllim, jo më mjet, duke mos i shërbyer më punëtorit, por sistemit skllavërues ku ai punon.Pikërisht, këtu qendron edhe çelësi i parajsës tokësore të komunizmit. Duke eleminuar pronën private, puna i kthehet punëtorit, e për pasojë shoqëria do të bëhet produkt i objektifikimit të punës që ai tashmë e bën për vete. Pra shoqëria gjithashtu i kthehet punëtorit, duke bërë të mundur që njëkohësisht individi të rigjejë natyrën njerëzore të deformuar nga tëhuajëzimi kapitalist. Komunizmi nuk pretendon të na çlirojë thjesht nga shtypja dhe shfrytëzimi, por edhe nga vetë deformimi i natyrës sonë, duke bërë të mundur lindjen e njeriut në një formë krejt të re, të panjohur më parë.Rrëzimi i tempullitRrëzimi i marksizmit përbën një rast krejt të veçantë, thotë Ernest Gellner. Ndryshe nga ç’ndodh në përgjithësi me fetë, – të cilat rëniet i kanë graduale, ndërkohë që mbetet gjithmonë një grup që lufton deri në fund për ta mbrojtur, – komunizmi u shemb për një ditë, dhe askush nuk u ngrit ti dilte për zot. “Kurrë ndonjëherë nuk ka patur ndonjë anije që fundoset, e cila të braktiset me aq gatishmëri e unanimitet”. Madje edhe “nomenklatorët e vjetër, me një shpejtësi të pabesueshme dhe tmerruese, u kthyen në shovinistë dhe kapitalistë-oportunistë”.Arsyet mund të jenë të shumta, por ka diçka thelbësore pse “fesë së parë botërore laike i mungonte aq haptas këmbëngulja dhe aftësia për të lulëzuar”. Kjo ka të bëjë me natyrën e tij të kultit. Ndryshe nga çdo fe, thotë Gellner-i, marksizmi nuk shenjtëron dashurinë, por punën. “Ikonat e këtij besimi gdhendin shenjtërinë e punës dhe të punëtorit, të shaluar në ndenjëse të traktorit, me muskujt gufuar nga përpjekjet prodhuese”.Kjo shpjegon edhe kriminalitetin e sistemit komunist dhe indiferencën kolektive ndaj krimeve të ethshme. Në shërbim të një kulti që nuk ka asgjë mbitokësore, ku imanenca përmbushet plotësisht tek materialja, krimi çvishet nga dimensioni transedental. Ai fiton legjitimitet moral, në emër të revolucionit që na shpie në tokën e premtuar. Dhuna dhe vrasja, kthehen thjesht në mjete strategjike të vlerësuara në një logjike instrumentaleKjo e bën të tmerrshme dhunën revolucionare, e cila sipas Albert Camus-së, prodhon gjithë egërsinë e krimeve të kryera në emër të arsyes. Arsyeja, thot ai, prevalon mbi skrupujt dhe çliron tërbimin. Revolta, është një askezë në kërkim të një shenjtërie në kushtet e mohimit të realitetit dhe krijuesit të tij dhe blasfemia e të revoltuarit bëhet në emër të shpresës për një zot të ri. Por, duke dashur të krijojnë botën e tyre ata bëhen të kobshëm, pasi zgjedhin rehatinë e tiranisë. Të gjithë ata që u ngritën kundër krijuesit, thotë Camus, kanë afirmuar vetminë e krijimit dhe kotësinë e çdo morali. Ata nuk arrijnë ta ndërtojnë dot botën e re, por vetëm burgun e tyre.Duke iu referuar lëvizjeve ruse të fundshekullit XIX dhe impaktit të tyre në atentatet politike në Europë, Camus, vëren se si nihilizmi i përzjerë me revolucionarizmin përfundon në terrorizëm. Njerëzit gjithmonë janë flijuar për gjëra që i kuptojnë, por nga ky moment kemi një dukuri të re. Ata fillojnë të flijohen për diçka, për të cilën nuk dinë asgjë: e ardhjma. Ai vëren plot habi sesi revolucionarët sakrifikoheshin duke e gjetur ngushëllimin tek drejtësia e njerëzve që do të vijnë më vonë. Ardhmëria, sipas tij, është transedenca e vetme për njerëzit pa zot.Sipas Gellner-it, terrori masiv nuk i shkatërroi themelet e këtij besimi të ri; përkundrazi e konfirmoi atë, pasi një transformim aq i thellë i gjendjes njerëzore sa ç’ishte marksizmi duhet të shenjtërohej me gjak. Ajo që shkatërroi bindjen kolektive, ishte mjerimi ekonomik i viteve të Brezhnievit. Ajo që e bëri besimin të avullojë ishte pikërisht mjerimi i marrëdhënieve të punës, gjë që në fetë e tjera i korespondon korruptimit të klerit. Pra, prej këtej mund të themi se feja e punës, u rrënua në zemër të kultit të saj. Ajo provoi që zoti i saj ishte i rremë, ndaj dhe u shemb rrëmbyeshëm pa lënë pas asnjë besimtar.Kështu, komunizmi u shemb pasi ishte shuar më parë çdo shpresë për një të ardhme të ndritur. Çdo sakrificë e shpenzuar në emër të tij, u bë e kotë dhe madje një kontribut për mjerimin ekzistues. Komunizmi ishte një eksperimet që rezultoi i dështuar, dhe një bast i humbur si mos më keq. Kjo i bëri besimtarët e tij ta braktisnin besimin, ndonëse vet sistemi mbijetoi edhe për shumë kohë nëpërmjet dhunës. Procesi i rrëzimit u bë më pas një formalitet, kur vendet socialiste ran njëra pas tjetrës, pasi në thelb, ai ish rrëzuar që herët, në ndërgjegjen e besimtarëve.Por sidoqoftë komunizmi vijon të mbetet ende një tundim i pashlyeshëm. Ringjallja e tij, në forma të reja, tregon se operacioi nuk ka qenë i plotë dhe rrënja e tumorit nuk është hequr. Kjo bëhet edhe më e ndjeshme në Shqipëri, ku fara e tij është ngulur thellë tek shumë njerëz. Këtë mund ta ndeshësh më hapur, Ky fenomen shfaqet në forma të ndryshme, qoftë nëpërmjet cinizmit nostalgjik tek trashëtimtarët e enverizmit, qoftë nëpërmjet narcizmizmit ideologjik tek grupe të rinjsh radikalë, në përpjekje për të fituar vëmendje publike. Impulset totalitare nuk janë shlyer nga mendësitë e njeriut modern, dhe, siç thotë Breht, “barku që e polli, nuk është shterpëzuar”.Kulti i Punës në Shqipërinë KomunisteRrëzimi i komunizmit u shfaq në të njëjtën mënyrë edhe në Shqipëri. Mjaftoi një protestë studentore, e nisur fillimisht për të kërkuar përmirsimin e kushteve në konvikte, që pirgu i dominove të rrëzohej menjëherë, pa pritur rradhë. Në pak muaj, Shqipëria kishte një fytyrë krejt tjetër dhe e gjithë ngrehina e një propagande 50 vjeçare, – ku regjimi krekosej se e kish kthyer vendin në një bahçe me lule, shkëmb graniti dhe kështjellë të pamposhtur në brigjet e Adriatikut, i vetmi që mbante lart flamurin e besnikërisë ndaj marksizëm-leninizmit, – u shemb sikur të kish qenë vetëm një shaka e hidhur e një çasti. Populli pështyu masivisht ndaj kësaj historie, duke kthyer sytë e shpresës drejt vendeve kapitaliste. Armiku gjysëmshekullor u kthye brenda ditës në një ëndërr.Partia Komuniste, mori pushtetin me premtimin se do të ndërtojë vendin, do të sjellë zhvillim, industrializim, barazi sociale dhe çlirim të plotë nga të gjitha problemet e së kaluarës. Ky projekt shfaqej si vazhdimsi e misionit të saj mesianik të nisur me luftën Nacional Çlirimtare, pjesë e një revolucioni të madh që do të vazhdonte me ndërtimin e atdheut, për ta shpënë atë drejt fundit të një historie të gjatë mundimesh, udhën e së cilës ai e çante prej shekujsh “me shpatë në dorë”. Ata që pretendonin se bënë luftën, tani do të bënin punën, e cila ishte gjithashtu një formë lufte, e adresuar kundër një armiku më të madh: varfrisë, e cila ishte pasojë e shtypjes dhe shfrytzimit klasor.

Duke e pagëzuar partinë me një emër të ri, “Parti e Punës”, komunistët nisën projektin për të krijuar idenë e transformimeve të mëdha. Aksionet, zboret dhe angazhimet për ndërtimin e një sërë veprash të industrisë së rëndë, të zhvilluara paralelisht me një reformë agrare që eleminonte pronën private, ishin përpjekje për të krijuar përfytyrimin e një ndryshimi të madh. Letërsia, muzika, kinematografia, televizioni, gazetat, e gjithë propaganda, u përfshi fuqishëm duke prodhuar pafundësisht materiale që glorifikonin punën, djersën, aksionet, fabrikat, uzinat, kantieret, ofiçnat, fermat, brezaret, traktorët, vinçat që gatuanin gëzueshëm Shqipërinë e Re. Romantika e realizmit socialist u frymëzua nga puna dhe djersa e punëtorit, më shumë edhe sesa nga lufta dhe gjaku i dëshmorëve.Por, shumë shpejt, gjithçka rezultoi një dështim dhe, megjithë propagandën agresive, realiteti nuk mund të fshihej. Industria nuk ishte rentabël, ekonomia shkonte drejt rrënimit, ndërkohë që politikisht Shqipëria izolohej, ndërsa lufta e klasave thellohej gjithnjë e më shumë. Dyqanet ishin bosh, rradhat për të siguruar nevojat më elementare të jetesës u bën të gjata e të padurueshme, ndërsa njerëzit shtrëngoheshin keq e më keq, nën darët e tollonit, kequshqyerjes dhe mungesës së kushteve.Vonesat, iu faturuan grupeve sabotatore dhe përpjekjeve të armiqve për të penguar arritjet e mëdha të vendit, gjë çoi në një paranojë kolektive të paguar me jetë njerëzish të pafajshëm e mijëra të burgosur, internuar, persekutuar. Shqipëria ishte realisht vendi më i varfër, më i shtypur, më i izoluar dhe më i keqarsimuar në rajon, i mbetur shumë më mbrapa se çdo vend fqinj. E megjithatë, përkundër mjerimit të thellë të vendit, propaganda e kohës, përfshirë këtu filmat, këngët, vjershat flisnin ironikisht plot patos për gëzimin e jetës, mirëqenien, zhvillimin që kish sjellë partia, të cilin na e kishin zili të gjithë vendet në Europë.Ndërrimi i kulteve në Shqipërinë paskomunisteRrëzimi i komunizmit, erdhi në Shqipëri më shumë si lodhje e vetë regjimit, sesa si një zgjim i aspiratave të shoqërisë shqiptare për liri dhe drejtësi. Komunizmi u braktis më shumë për arsye ekonomike sesa morale e shoqërore dhe ishte më shumë varfëria ajo që e bëri të urryer, sesa padrejtësitë sociale, mungesa e lirisë dhe kriminaliteti. Për pasojë, rënia e tij, nuk u shoqërua nga ndonjë reflektim i thellë mbi të kaluarën, as nga ndonjë përpjekje serioze për të rivënë në vend padrejtësitë e krijuara, dhe as nga ndonjë brerje ndërgjegjeje për krimet dhe shkatërrimet e 50 viteve.Shoqëria shqiptare e pasrënies së diktaturës, ishte e çinteresuar ndaj rivendosjes së drejtësisë sociale, qoftë në drejtim të dënimit të krimeve, të kompensimit të viktimave, apo të rikthimit të pronës tek pronarët. Tridhjetë vjet nga komunizmi historia e krimeve vijon të mbetet e pazbardhur plotësisht, dosjet e sigurimit të shtetit vijojnë të mos hapen, ndërsa një pjesë e mirë e atyre që i shërbyen regjimit trashëgon ende pushtet politik, ekonomik e kulturor, duke riprodhuar luftën e klasave në kushtet e një sistemi tjetër.Parrulla kryesore e lëvizjeve transformuese që sollën ndryshimin e sistemit “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, në fakt nuk përbënte gjë tjetër vetëm se dëshirën e përgjithshme për të jetuar në kushtet ekonomike dhe komoditetet e vendeve të industrializuara, imazhet e të cilave, të kontrabanduara nëpërmjet antenave televizive që sfidonin zhurmuesit e regjimit, kishin lëngëzuar për vite me rradhë, gojët e uritura të një populli barkbosh. Kjo parrullë ishte kërkesa imediate e shqiptarëve për të përvetësuar të mirat materiale të botës së konsumit, në indiferencë ndaj mjeteve dhe përpjekjeve, nëpërmjet të cilave ato arrihen.Ëndra europiane ishte një shpresë për një happy end ku gjërat do të rregulloheshin si me magji. Europa konceptohej më shumë si shpërblim për vuajtjet gjysëmshekullore dhe jo si një objektiv që kërkon mund dhe sakrifica. Puna ishte diça e neveritshme për shqiptarët dhe shumica e tyre e shihte zhvillimin si diça që do të vinte nga qielli, në mos nga solidariteti perëndimor me vështirësitë e një populli europian të mbetur në varfëri.Max Horkheimer e shpjegon një sjellje të tillë si reagim i natyrshëm kur puna humbet qëllimsinë. Ai thotë se njeriu ndjen gëzim dhe e dashuron punën, qoftë kjo edhe e rëndë, kur nëpërmjet saj ai arrin një objektiv kuptimplotë, por një filozofi e cila e kthen punën në qëllim në vetvete, shpie në mllef kundër çdo pune. Komunizmi kish arritur që, nëpërmjet rropatjes pa kuptim të popullit në ara, fabrika, kantjere, zbore, aksione, e vullnetarizëm të imponuar me dhunë, të krijonte një dembeli të plotë kolektive dhe demotivim total kundrejt çdo përpjekjeje për të ecur përpara nëpërmjet djersës dhe mundit.Zhgënjimi dhe rimohimiRrëzimi i diktaturës nuk mund të mjaftonte për të ndërtuar një shoqëri të aftë për të ecur me ritmet e duhura. Në kushtet e shkretëtirës shpirtërore e intelektuale të prodhuar nga regjimi, ishte e vështirë që shoqëria të përvetësonte vlerat e reja që i duheshin dhe kjo ka ndikuar ndjeshëm në realitetin e këtyre viteve. Kjo vjen, nëse i referohemi Raymond Aron-it, pasi komunizmi nuk është thjesht një filozofi e historisë, por vetë filozofia e historisë, e për këtë arsye ai nuk lejon hapësirë për asnjë zgjedhje tjetër. Duke uzurpuar gjithçka në lidhje me njeriun, rrëzimi i tij sjell një boshllëk të madh, sidomos në vlera, bindje, pikëpamje. Pas tij pason vetëm vaniteti i cili prodhon njerëz që mund të përmbushen vetëm materialisht.Kjo ngurtësi kolektive, buron pikërisht nga një sistem shoqëror që e ka zëvendësuar shpirtin me “ndërgjegjen klasore”. Duke kultivuar ftohtësinë dhe pandjeshmërinë përballë çdo tragjedie njerëzore, ky mekanizëm ka sjellë dehumanizimin e “njeriut të ri”, të interesuar vetëm për progres material, madje ngushtësisht individual. Kjo është edhe arsyeja, pse në këtë vend nuk ka ende asnjë solidaritet njerëzor, përveç atij partiak i cili, gjithashtu shihet si instrument në funksion të realizimit të qëllimeve dhe ambicieve personale, kryesisht materiale.Kështu, shqiptarët e braktisën menjëherë anijen e komunizmit sepse ajo nuk i shpuri në bregun e mirëqenies. Ata u ndjenë të tradhëtuar prej saj sepse dështoi në gjënë më të rëndësishme. Shumë shpejt, ata u ndjenë të tradhëtuar edhe nga demokracia, sepse, ndonëse ajo i nxorri nga skamja e 50 viteve, nuk arriti t’iu ofrojë mirëqenie të menjëhershme, pa mund e pa djersë. Çmenduria e 97-s është ilustrimi më i mirë i kësaj mendësie.Zërat nostalgjikë, që përsërisin herë pas here refrenin e trishtë “ishim mirë kur ishim keq”, nuk janë gjë tjetër vetëm se “lapsuse” që na tregojnë tensionet që ziejnë në kazanin e të pandërgjegjshmes sonë kolektive. Mesa duket, edhe zotat e rinj, të demokracisë liberale dolën mashtrues, një zhgënjim ky i mjaftueshëm për të provokuar tradhëtinë hakmarrëse për të riflirtuar me kufomën e zotit të vjetër. Ashtu siç shprehet Gellner, besimi ra dhe la pas vetëm vakumin e tij, të shprehur në liberalizmin ekstrem. Thënë ndyrshe, ajo që mbeti është vetëm etja për pasuri e pushtet, asnjë moral, asnjë motivim, asnjë besim zëvendësues.Idhulli i punës u thërrmua në sytë e historisë, por mbeti lakmia për parajsën tokësore, të cilën sot rreket ta përmbushë korupsioni makutëror dhe imoraliteti, dy forcat lëvizëse të asaj filozofie që në në Shqipëri, në një gjuhë më të sofistikuar e quajmë, liberalizëm. Krejtësisht në antitezë, por në një linjë shumë të qartë logjike, njeriu i ri po përpiqet tashmë të arrijë parajsën materiale pa punë e pa vepra, sigurisht edhe pa skrupuj e ideale. Në fakt kjo përbën edhe shkakun kryesor përse shoqëria shqiptare po gjen e rigjen vazhdimisht vetëm ferrin e përditshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Besnik Aliaj: Shembja e Piramides nuk ndihmon ne memorien historike!
Arkitektura propagandistike dhe evolucioni i saj në Tiranë -Arkitektura si një “libër i hapur”
Miratohet hapja e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit
Relacioni i Vincenc Zmajević i vitit 1702/03 dhe rëndësia e tij për shqiptarët
Debati mbi oksidentin/Si dështoi në ‘34 projekti i Mbretit Zog për kabinetin e “të rinjve”…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}