Fjodor Dostojevski jetoi në shumë shtëpi dhe në shumë vende të ndryshme – s’u ndal kurrë për më shumë se tri vite në të njëjtin vend – dhe pati prore fiksimin që të kishte apartamente në qoshk, me dritare kah dy rrugët dhe afër një kishe, në mënyrë që të mund t’i dëgjonte kambanat, një muzikë që e qetësonte shpirtin e tij. Kërkonte gjithmonë banesa me dritare që shihnin në dy perspektiva të ndryshme: ishte mënyra e tij e të qenit.

Mario Vargas Llosa

Fjodor Dostojevski jetoi në shumë shtëpi dhe në shumë vende të ndryshme – s’u ndal kurrë për më shumë se tri vite në të njëjtin vend – dhe pati prore fiksimin që të kishte apartamente në qoshk, me dritare kah dy rrugët dhe afër një kishe, në mënyrë që të mund t’i dëgjonte kambanat, një muzikë që e qetësonte shpirtin e tij. Shtëpia e fundit në të cilën banoi e ku vdiq më 1881, pak muaj para se t’i mbushte gjashtëdhjetë vjet, mes Perspektiva Kuznechny dhe rrugës së moçme “Yamskaya”, sot rruga “Dostojevski”, u përgjigjej të gjitha këtyre rekuizitave e sot kushdo që e viziton, mund t’i dëgjojë akoma tingëllimat e kambanave të kishës së afërt ortodokse të Vladimirit që i thërrasin të mblidhen besimtarët.

Kjo zonë e Shën Petërbergut, e njohur si “Lagje e pazareve”, sot zien nga çeçenët dhe të huajt e tjerë të varfër, prandaj është konsideruar e rrezikshme për turistët. Kur e vizitova shtëpinë për herë të parë, dyzet vite më herët, ishte një vend më tepër i trishtë dhe i veçuar, shumë më ndryshe nga si është tani, i zhurmshëm, popullor, i përzier, shumë i gjallë. Ende nuk ekzistonte muzeu ku janë rikonstruktuar gjashtë dhomat në të cilat Fjodor Dostojevski dhe Anna Grigorjevna, me bijtë e tyre Ljubovin dhe Fjodorin, u transferuan në tetor të vitit 1878, për të ikur nga apartamenti ku kishte vdekur Aleksej i vogël, njëra nga tragjeditë që e bënë të vuajë më së shumti autorin e trazuar të “Demonët”. Është një shtëpi modeste, anipse më pak asketike se të mëparshmet, bile edhe me ndonjë objekt luksi, si servisi i porcelantë për çaj që ndrit njërin nga ormanët vitrinë apo divanin e rehatshëm anglez të studios ku Dostojevski mund të shtrihej për një pushim të shkurtër në netët e pafundme e të ethshme gjatë të cilave shkruante, pothuajse përherë në një gjendje transi, “Vëllezërit Karamazov”, njëra nga veprat e tij mjeshtërore. Tashmë ishte bukur i sëmurë. Apartamenti gjendet në katin e dytë e sa herë që zbriste shkallëve, qiraxhiu i njohur duhej të ndalej një çast për të marrë frymë. Mjeku ia kishte ndaluar duhanin, por ai e respektonte ndalimin vetëm gjatë ditës; në mbrëmje pinte pandërprerë kur shkruante, e në tavolinën e tij të punës edhe sot e kësaj dite gjendet kutia e cigareve që dridhte me duart e tij nervoze derisa rilexonte fletët e saposhkruara.

Në fund të janarit të vitit 1881 pati hemorragjinë e parë të fytit. E luti gruan t’ia lexonte njërin nga pasazhet e tij të preferuara të ekzemplarit të Biblës që e merrte me vete prej se ia kishin dhuruar gratë e “dekabristëve”, tridhjetë e një vite më parë, në stacionin e Tobolskit, derisa kalonte andej, si një i dënuar, drejt mërgimit të tij prej katër vitesh në Siberi. Anna ishte gruaja e tij e dytë, njëzetepesë vjet më e re se ai. Ishin martuar prej njëmbëdhjetë vitesh dhe ajo, me energjinë, talentin dhe devotshmërinë e saj, kishte vënë njëfarë rendi në jetën prore të çrregullt dhe buzë katastrofe të Fjodorit. Falë kësaj gruaje të re dhe luftarake, financat e tij ishin përmirësuar, ajo fitonte diçka duke shpërndarë libra e ai nuk duhej të bëhej theror më duke shkruar me detyrim. E kishte hequr qafe vesin e bixhozit që i kishte shkaktuar aq shumë mynxyra. Pas hemorragjisë së parë të papritur pati edhe dy të tjera. E dyta ia mori jetën. Vetë e veja e tij ose dikush që ishte në vizitë aty, arriti ta ndalte orën e tryezës së shkrimit në po atë çast të vdekjes së tij: tetë e tridhjetë e tetë e mbrëmjes. Ora është ende aty, njëqind e tridhjetë vite më vonë, për ta shënuar orën e kobshme.

E varrosën në varrezën Tiçvin, të manastirit të Aleksandër Nevskijt, në periferinë e Shën Petërburgut. Është një vend i këndshëm e varri i Dostojevskit, i rrethuar me drurë e lule, me një statujë të bukur që reflekton besnikërisht hijen e tij të rëndë dhe shikimin e thellë dhe të ethshëm, kufizohet me ato të eksponentëve të tjerë të gjenisë kreative ruse: Rimskij-Korsakov, Aleksandër Borodin, Modest Musorgskij, Iliç Cajkovskij, Glinka. Mëngjesin që shkova ta shihja varrin, binte shi e disa vizitorë të nderuar vënin tufa lulesh mbi varr. Unë vura një gjysmë duzine trëndafilash të kuq.

Edhe pse Dostojevski nuk u lind në Shën Petërburg, po në Moskë, ky është qyteti që la shenjë më shumë mbi të. Këtu u formua si shkrimtar dhe këtu u bë i njohur e i famshëm dhe pikërisht këtu, pas dhjetë vitesh heshtjeje letrare, të cilën e pësoi për shkak se nuk bënte pjesë në rrethin revolucionar të “dekabristëve”, u detyrua ta risajonte veten si shkrimtar. Në Shën Petërburg jetoi më gjatë. Nga ana tjetër, asnjë qytet nuk është më shumë i mbarsur me historitë e tij, me personazhet e tij dhe me përzierjen e mizorisë, dramës, spiritualitetit, thyerjes intelektuale dhe misterit tipike për veprën e tij, që perceptohet para se gjithash duke ecur rrugicave të leckërosura të lagjës Senaja përgjatë brigjeve të Kanalit Griboedova, ku zhvillohen episodet kryesore të “Krim e ndëshkim”, një roman që Dostojevski e shkroi jo larg prej këtu, në një apartament të rrugës “Kaznaçejskaja”, edhe ai i vizitueshëm.

Është tregimi i tij më realist, të paktën në kuptimin se vendet që përshkruan janë që të gjitha të identifikueshme, disa me tabela të asaj kohe. Shtëpia ku Raskolnikovi vret Aliona Ivanovnën, në 104 të Kanalit Griboedova, ruhet e paprekur ashtu si e tregon ai, tullëzat e çrregullta, muret e dala boje dhe hekurat e dritareve të ndryshkur, ashtu si edhe njerëzit e tij melankolikë e të mjeruar. Bile edhe mëngjesi i plumbtë, me shi dhe dëng me paralajmërime të errëta duket dostojevskian. Po edhe më impresionues janë vendet që i asociohen jetës së Raskolnikovit, që duken që sapo kanë dalë nga faqet e romanit, si taverna ngufatëse ku ky rrëfen krimin e vet në Zametov apo shtëpia ku vrasësi jetonte. Edhe ajo është në qoshk e një bust i Dostojevskit tullac dhe kurrizdalë hijeshon fasadën. Motet e këqija kanë fshirë vernikun dhe e mbarë godina – në të vërtetë e mbarë lagjia, e varfër dhe e heshtur – duket se është gati të rrënohet. Hajati i gjatë në gur ka një tavan qemer ku jehona përsërit çdo tingull dhe oborri i brendshëm, përreth të cilit ndërtohen apartamentet, është i ankthshëm dhe ngalakaq si shkalla e vogël që çon në banesa. E mërzitur nga vizitorët, një qiraxheshë që tërheq zvarrë me mundim trashësinë dhe urrejtjen e vet ndaj jetës na nëm mbarë e mbrapshtë. Një maçok mjaullin andej dikah. Është e pamundshme të mos kesh përshtypjen se një vrasës i përpirë nga shqetësimet e tij metafizike është duke u sjellë rreth e rrotull.

Shtëpia-muze e Dostojevskit këmbëngul të na thotë se, përkundër legjendës, autori i “Sozisë” ishte larg nga të qenit njeri i errët, i zymtë dhe i hidhëruar. I pëlqente të luante me fëmijët për të cilët sajonte dhe u lexonte tregime. Ua tregonte atyre koleksionin e tij të fotografive të shkrimtarëve dhe artistëve të famshëm që, sot, janë të ekspozuara në dhomën në të cilën Anna i ruante librat që i shiste. Pjesa më e madhe e fotove janë të shkrimtarëve rusë. Mes evropianëve figurojnë një Kishot i sllavizuar, disa vepra të Charles Fourierit dhe Hoffmanit, portretet e Victor Hugosë si ri dhe të George Sand, një shkrimtare që, shkaku i një keqkuptimi befasues, u bë pafundësisht popullore mes të rinjve liberalë rusë të brezit të Dostojevskit, jo aq si shkrimtare romanesh sa si ideologe progresiste dhe protagoniste e luftërave sociale. Këtu, disa fragmente të korrespondencës na i tregojnë opinionet që i zoti i shtëpisë i kishte ndërtuar rreth disa prej qyteteve të Evropës Perëndimore gjatë udhëtimeve të tij. Më i paprituri: se Parisi ishte një qytet shumë i mërzitshëm ku s’kishte gjë të hajrit për të bërë.

Pas këtij pelegrinazhi dostojevskian, është pothuajse e detyrueshme që dita të përmbyllet në teatrin “Mariinskij”, për të marrë pjesë në një vepër të përshtatur nga “Kumarxhiu”, me libret e muzikë të Sergej Prokofievit. Edhe pse historia dhe personazhet janë të njëjtit, ajo që ngjet në skenë, ka fare pak të bëjë me romanin e Dostojevskit, të paktën për aq sa mbaj mend, duke pasur parasysh se i lënë anash situatat farseske, intrigat dhe karikaturat e drama zgjidhet mes buzëqeshjesh. Por muzika është e shkëlqyeshme, zërat të mrekullueshëm, orkestra e jashtëzakonshme dhe barokizmi marramendës i lokalit i shkon për shtati mrekullisht spektaklit. Elementi i vetëm dostojevskian i natës është drejtori i orkestrës, Valerij Gergiev, me shikimin e tij të elektrizuar dhe gjestikulimin që kalon pa pra nga moderator në frenetike, nga delikatesa në brutalitet, nga pëshpërima në ekstazë, duke i bërë protagonistë të gjitha instrumentet dhe duke i mbajtur spektatorët, muzikantët, këngëtarët (deri edhe maskat) në një gjendje mahnitjeje dhe pasigurie të shfrenuar.

Hera e fundit kur e pashë Gergievin, në Strasburg, kishte flokë të gjata dhe një mjekër të rritur goxha; sot i ka flokët e shkurtër dhe rruhet, por derisa dirigjon orkestrën vazhdon të jetë një i poseduar, që shkon gjithnjë përtej partiturës, një qenie nëntokësore, i lidhur me thellësitë shqetësuese të humnerës njerëzore, i zoti ta shndërrojë një koncert apo një vepër në një ceremoni gjeniale dhe drithëruese. Ata që e njohin, më kanë siguruar se në pjesën tjetër të ditës është një person shumë normal, të cilit ia ka ëndja të kullufisë, në dy restorantet në pronësinë e tij në Shën Petërburg, salmonë të bardhë për t’i lëpirë gishtat.

Autori:

Shkrimtari peruan Mario Vargas Llosa (Arequipa, 28 mars 1936) botoi librin e parë më 1963, «Qyteti dhe qentë», roman që, si edhe veprat e tjera në vijim, karakterizohet nga zotësia e madhe përshkruese. Në vazhdim pati sukses me «Pantaleón dhe vizitoret», 1973 dhe «Halla zia Julia dhe shkrimtaruci», më ‘77. Kandidoi për President të Perusë si rivali kryesor i Alberto Fujimorit. Për romanin «Rreshteri Lituma në Ande» ka fituar çmimin “Planeta”. Më 1994, ka marrë nënshtetësinë spanjolle. Ka fituar edhe çmimin “Cervantes” dhe “Grinzane Cavour”.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Një Itali e dytë me emrin Lukania!
Matanë Gjallicës, kah “Guri i Mëngjesit”
Visar Zhiti në shtëpinë e Heminguejt
Përkthimi i Agron Tufës/ “Gusht” i Boris Pasternak – për t’i shpëtuar torturës dhe mundimeve
Eseja dhe eseizmi
Shënime udhëtimi/ Të frymosh mes maleve dhe reve
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>