nga Albana Tali / Nju Jork

Janë bërë shumë studime në fushën e psikologjisë mbi marrëdhëniet në çift dhe është dalë në konkluzione të cilat janë përdorur si udhërrëfyes për të ndërtuar marrëdhënie të shëndetshme. Sferat ku këto studime përqëndrohen janë të larmishme, si komunikimi, përkushtimi, intimiteti. Sot dua të ndalem dhe të hedh dritë në tre qëndrime të rëndësishme. Vendimi se cilin prej tyre do përqafojmë, do vendosë se cila derë do hapet, duke lejuar në marrëdhënie gjëra që e ndërtojnë ose shkatrrojnë atë.

Konkurrencë apo bashkëpunim

Sipas psikologutt B.A.Al Ubaidi, karakteristikat e një marrëdhënie të shëndetshme në çift janë vlerësimi, aftësia për tu përshtatur me sfidat dhe bashkëpunimi në vend të konkurrencës. (Referuar studimit nga po ky autor Stadet Emocionale dhe Psikologjike të Divorcit) Shpesh herë mes çifteve vihet re një ndjenjë konkurrence, ku njëra palë thotë unë jam koka e tjetra qafa që leviz kokën.

Ka një frymë gare përsa i përket arritjeve profesionale, kush ka një jetë sociale më të pasur,  kush siguron më shumë të ardhura. Garë se kush po stresohet më shumë,  kush po investohet më shumë në familje apo në rritjen e fëmijëve

Studimet tregojnë që, nëse tërë shembujt e përmendur më lart do të vendosen nën dritën e bashkëpunimit marrëdhënia do jetë më e frytdhënëse dhe më harmonike. Përqafoni në jetën tuaj në çift qëndrime si: si mund ta suportoj partnerin të ketë arritjen profesionale që dëshiron, si mund të kemi një jetë sociale familjare që na krijon ambientin për t’u rritur. Vlerësoni përpjekjen e secilit partner jo domosdoshmërisht mbi përfitimin financiar që sjell pasi jo çdo punë dhe përpjekje përkthehet në para.

Menaxhim të problemit apo zgjidhje të tij

Në studimin “Shtatë Principet që bëjnë një martesë funksionale”, të psikologut John Gottman, thuhet se 69% e problemeve të çifteve janë që nuk mund t’i japësh zgjidhje.

Këto mund të jenë probleme që shkaktohen nga tiparet e personalitetit të partnerit, nga sjellje të përforcuara në vite (p.sh shpenzon shumë) ose nga situata të caktuara të cilat nuk janë në dorën tonë (p.sh gjendje ekonomike e rënduar). Për këtë arsye fokusi dhe energjia nga të dy palët nuk duhet të jetë tek dhënia zgjidhje e problemeve, por tek aftësia për t’i menaxhuar ato. Duke diksutuar mbi problemin që ju keni, mund të krijoni hapësirë për rritje në marrëdhënien tuaj, dhe mund të gjeni një mënyrë se si të përshtateni duke krijuar harta të shëndetshme të cilave mund t’i referoheni në të ardhmen kur konflikti ndodh përsëri.

Gjykim apo pranim

Përkufuzimi i dashurisë, sipas Dalai Lama, është të munguarit e gjykimit. Askush prej nesh nuk është perfekt, madje perfektja do thoja nuk ekziston. Të gjithë ne jemi njerëz që gabojmë, me zakone ndoshta dhe irrituese, të cilat i marrim me vete në çdo marrëdhënie që ndërtojmë. Sipas Psikoterapistit Abe Kass, “pranimi është një vegël e fuqishme ndërtuese në marrëdhënie. Me pranimin ulen presionet, komunikimi behët më ndërtues duke e bërë marrëdhënien një lundrim në det të qetë.

Kur, ne, gjykojmë e bëjmë partnerin te mos ndihet rehat me personin që ai/ajo është, duke e vënë nën presion që duhet të ndryshojë. Mos përdorni armën e shkatërrimit gjykimin, por ndërtoni përmes pranimit.

Komunikim apo nënkuptim

Çdo studim psikologjik dhe seancë këshillimi del në konkluzionin që komunikimi është baza e çdo marrëdhënie. Dhe kjo është e vërteta më absolute, po aq sa është e vërtetë  që komunikimi mes burrave dhe grave është i ndryshëm.

Kjo mund të lejojë vend për keqkuptim pasi shpesh gjërat e pathëna, mund të krijojnë hapësirë për nënkuptim

Në ato pak raste të mia të këshillimit kam vënë re që shumë bien në grackën ku i marrin gjërat me mend. Për shembull, gjatë një bisedë burrat do të reagonin vetëm nëse duhej t’i shtonin diçka bashkëbisedimit, në te kundërt kur kishte dakortësi, sipas tyre ishte i kotë komenti. Ndërsa gratë kishin nevojë për konfirmim verbal në çdo rast, pasi heshtjen e merrnin herë si neglizhim, e herë si injorim .

Vetëm përmes sqarimit do mund të kuptoni që, gratë dhe burrat nuk funksionojmë njësoj, dhe se, duhet të ndërtoni ura komunikimi, dhe të njihni mirë sinjalistikat e tyre. Sipas njërit ndër ekspertëve të këshilimit martesor J. Gottman, tipari që është me shumë i lidhur me suksesin ose dështimin e një martese është aftësia për të komunikuar.

Ndërtimi i një lidhje martesore me themel të fortë dhe shtylla të qëndrueshme ka nevojë për investim nga të dy partnerët, për të ngritur kështu  një ‘ndërtesë’ të palëkundur,  plot harmoni dhe qetësi.

*Autorja eshte psikologe

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Besnik Aliaj: Shembja e Piramides nuk ndihmon ne memorien historike!
Arkitektura propagandistike dhe evolucioni i saj në Tiranë -Arkitektura si një “libër i hapur”
Miratohet hapja e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit
Relacioni i Vincenc Zmajević i vitit 1702/03 dhe rëndësia e tij për shqiptarët
Debati mbi oksidentin/Si dështoi në ‘34 projekti i Mbretit Zog për kabinetin e “të rinjve”…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}