Sistemi bankar në Kosovë arriti edhe vitin e kaluar parametra të përfitueshmërisë dhe shëndetit financiar më të mirë se sistemi fqinj shqiptar. Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se për vitin 2019 sistemi bankar kosovar arriti një kthim nga kapitali në nivelin 18.9%, ndërkohë që për të njëjtën periudhë sistemi bankar shqiptar regjistroi një kthim prej 13.45%. Në vlerë absolute, bankat kosovare raportuan një fitim neto prej 86.2 milionë eurosh.

Burimi: BSH, BQK

Sistemi bankar kosovar gjithashtu ka një ndër portofolet më cilësorë të kredisë në Europë. Për vitin 2019, raporti i kredive me probleme ishte 2%, ndërsa për sektorin bankar në Shqipëri ky tregues ishte mbi katër herë më i lartë, në nivelin 8.4%. Sektori bankar në Kosovë ka vuajtur më pak se gjithë vendet e tjera të rajonit nga kreditë e këqija. Kjo mund të lidhet me faktin që ekonomia kosovare u prek më pak nga kriza, por edhe me një zhvillim më të vonë të kredidhënies krahasuar me vendet fqinje.

Në Shqipëri, pjesa më e madhe e kredive me probleme e kishin origjinën në vitet e para të krizës financiare që shpërtheu në vitin 2008, sidomos në segmentin e biznesit të madh. Sektori bankar në Shqipëri pagoi faturën e ekspansionit të shpejtë dhe euforisë që vijuan madje edhe në vitet e para të krizës financiare.

Burimi: BSH, BQK

Fakt është se sistemi bankar në kosovar paraqitet më fitimprurës dhe me një cilësi më të mirë të aktiveve. Kjo shpjegon edhe një vëmendje në rritje të bankave shqiptare për këtë treg. Dega e BKT në Kosovë u rrit me ritme të shpejta në pesë vitet e fundit, derisa arriti kufirin e 10% të tregut dhe u detyrua të ndahej nga banka mëmë në Shqipëri dhe të veprojë si bankë e veçantë, duke filluar nga fillimi i vitit 2019.

Një tjetër bankë shqiptare që është në prag të nisjes së operacioneve në Kosovë është Credins Bank. Banka më e madhe me kapital shqiptar mori miratimin paraprak nga Banka Qendrore e Kosovës vitin e kaluar, ndërsa pritet të nisë biznesin këtë vit.

Një tjetër bankë e interesuar për tregun kosovar është OTP. Grupi bankar hungarez ka pasur një plan për të hyrë në Kosovë përmes filialit të saj shqiptar, OTP Bank Albania. Hungarezët ende nuk e kanë zyrtarizuar projektin për të hyrë në Kosovë dhe ndoshta kriza e lidhur me pandeminë e Covid-19 mund të ndikojë edhe vendimin në fjalë.

Në fund të vitit 2019, në Kosovë operonin dhjetë banka tregtare, nga të cilat tetë me kapital të huaj.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>