nga Julia Vrapi
Monumentet e kulturës duhet të restaurohen dhe jo të lihen deri në shkatërrim. Kështu shprehen specialistë të njohur të fushës së trashëgimisë kulturore këtë muaj të parë të vitit 2021, ku sipas tyre kur flitet për probleme zëri nga institucionet nuk dëgjohet. Godinat historike, që kanë dhe statusin monument kulture sipas specialistëve duhet të ruhen dhe mirëmbahen për të mos lejuar degradimin. Por sipas tyre mungesë vëmendje për këto objekte ka jo vetëm në Tiranë, por dhe më gjerë. Specialistët ndalen në reagimet tyre edhe për mjerimin, që është te ndërtesa e parë e “Radio Tiranës”. Sipas akademikut Emin Riza, ajo godinë është historike dhe duhet që Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK) sot Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) të reagojnë përballë dëmtimeve. “Godinat historike duhen ruajtur, por nuk kanë vëmendje prej vitesh. Ne kemi një drejtoreshë të Institutit të Monumenteve të Kulturës, që duhet të reagojë. Pa marrë vendim IMK dhe Ministria e Kulturës, nuk mund të ndërhyhet në godinat monument kulture. Nëse flasim për një nga godinat historike si ajo e “Radio Tiranës” duhet të ishte restauruar. Nëse ekziston si monument kulture duhej të ishte restauruar, kjo është e qartë”, thotë Riza në një reagim të tij. Profesor Emin Riza është një ndër emrat më të shquar të restauruesve shqiptarë dhe një nga studiuesit më të mirë në fushën e ndërtimeve të vjetra. Por ai shprehet se problemet me objektet historike që janë monument kulture nuk janë vetëm në Tiranë. “E kam thënë dhe më parë, godinat historike, objektet monument kulture duhet të restaurohen jo të lihen të shkatërrohen. Por në Tiranë kanë ndodhur shkatërrime dhe vite më parë. As nuk i dinë se ku janë banesat historike në vend. Janë në Tiranë dhe nuk i zë njeri me gojë, imagjinoni për ato që janë jashtë Tiranës. IMK duhet të reagojë pranë MK, të ndalen shkatërrimet dhe të fillojnë restaurimet në monumentet e kulturës, që ne kemi me probleme. Instituti i Monumenteve të Kulturës ka përgjegjësi për çfarë ndodh”, shprehet akademiku Emin Riza.
Vëmendja e munguar
Profesor doktor Emin Riza herë pas here ka folur për kujdesin që duhet për monumentet në vend, por dhe etnografja e njohur Afërdita Onuzi ish drejtoreshë e Institutit të Kulturës Popullore në vendin tonë shprehet se godina historike duhet të ishte në vëmendjen e institucioneve për tu restauruar. “Përderisa ajo ndërtesë dikur është vlerësuar monument kulture kategori e dytë, si dhe ka edhe disa fakte të tjera të rëndësishme nuk duhej të ishte lënë në atë gjendje që shohim. Ajo ndërtesë është godina e parë e “Radio Tiranës”. Aty është godina ku ka funksionuar për vite e vite të tëra Instituti i Kulturës Popullore. Vendi ku ka qenë arkivi unikal i muzikës popullore shqiptare. Ajo godinë ka shumë rëndësi për kulturën shqiptare edhe si një ndërtesë nga ana arkitektonike e një periudhe të caktuar e viteve ‘20-’30. Prej vitesh aty është ruajtur arkivi unikal. Ajo godinë nuk duhet të preket”, thotë në reagimin e saj prof. dr. Afërdita Onuzi. Ashtu si dhe akademiku Emin Riza, edhe etnografja Afërdita Onuzi thotë se ka shpresuar gjithmonë se ajo godinë historike do të kishte një projekt restaurimi për ta shpëtuar nga gjendja, që është sot. “Unë pata shpresë kur u la ashtu dhe shikoja çdo ditë, duke shpresuar që qeveria apo bashkia do të vënë dorë dhe ta restauronin. Ka funksionuar dikur si “Radio Tirana”, një godinë që duhet të ruhet nga shteti”, pohon etnografja e njohur Afërdita Onuzi. Një ditë parë Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore publikoi foto, ku vinte në dukje gjendjen me probleme të kësaj ndërtese historike të ish “Radio Tiranës”.