nga Suadela Balliu
Ajo që i bën bashkë është gjinia. Më shumë se ajo artistike, biologjike. Gra të arteve pamore në botën shqiptare, me karriera të vendosura në kontekste të ndryshme. Jo vetëm gjeografike, por edhe kohore, nga Sofia dhe Androniqi Zengo dhe frymën realiste tek artiste kontemporane me fame edhe jashtë territoreve shqiptare si Flaka Haliti apo Alketa Xhafa Mripa.
Sipas kuratorëve, Adela Demetja dhe Erëmirë Krasniqi, ekspozita “Synime” ofron mundësi për diskutim të veprave të prodhuara nga gratë dhe konsideron trajektore të ndryshme artistike që ato kanë thurur në kontekstin e pas Luftës së Dytë Botërore deri më sot.
Jo vetëm që ekspozita, siç edhe pranojnë kuratorët, nuk ndjek një linjë lineare historike, por edhe koncepti mbi të cilin janë bërë bashkë është i gjerë.
Shumë i ndërlikuar për të qenë rrëfim linear, kuratorët kanë shmangua atë që e quajnë grackë, duke sjellë në stil të lirë individualitetin e artisteve gra. Janë dyzet të tilla, të paraqitura në këtë ekspozitë në katin e tretë të Galerisë Kombëtare të Arteve.
E para, pas shumë muajsh që ndjek Arkivin e Hapur, me vepra të fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe ende e hapur për publikun. Ajo që krijohet është një mishmash shprehish, me të vetmen busull; gruan. Gruan si krijuese dhe gruan si subjekt. Leximi i ekspozitës bëhet po aq stil i lirë sa edhe vetë koncepti i saj.
E ndarë në katër struktura kryesore, një vend të rëndësishëm në ekspozitë zë “Arkiva e Trupit”, një përzierje zhanresh, nga punimet artizanale – ku shfaqen dukshëm qëllimet në mos feministe të paktën sfiduese të patriarkatit – tek instalacionet video dhe fotografitë.
Trupi i zhveshur i gruas i paralelizuar me zhveshjen dhe dhunimin e natyrës nga dora e njeriut, gruaja si nënë, si partnere, gruaja në eksplorim të trupit, gruaja ‘e padukshme’ në shoqëri, ashtu si mes gjethnajës ku dallohen një palë sy.
Seksioni i titulluar “Gramatika e Kujtesës” përfshin vepra të realizuara gjatë Realizmit Socialist, ku spikat një tablo e Lumturi Blloshmit, ndarë nga jeta pak muaj më parë. Dy seksionet e tjera, “Anakronizma të Vullnetshëm”, me punime në skicë të artisteve si Merita Selimi dhe “Përmbledhje” e kryesuar nga një tablo në stil pop-art nga Ledia Konstandini.
Praktikat janë të ndërthurura dhe të mbivendosura. Ishte ambicia individuale e këtyre grave artiste që shërbeu edhe si burim mbështetjeje. Përpjekja e tyre ndihmoi në hapjen e fushës së artit dhe të kulturës për praktikuese të tjera. Ndaj për këtë, duket se dy kuratoret u janë për drejtuar edhe fondit të Galerive Kombëtare të Shqipërisë dhe Kosovës, për të plotësuar këtë ekspozitë.
Konteksti i dallueshëm historik tregohet përmes fotografive të një bunkeri, simbol i izolimit dhe diktaturës. Më larg shkohet me imagjinatë, ku në të njëjtin sfond shfaqet një altar i sajuar me gurë. Gruaja si fli e zotërve të patriarkatit apo sakrificë për shoqërinë?! Por siç thonë kuratoret, jo gjithçka e përfshirë në ekspozitë ka qëllime feministe.
Terreni ku u formuan këto gra është i dallueshëm, të paktën për brezat e mesëm. Shqipëria me sfondin historik të regjimit komunist, më të izoluarin në bllok dhe Kosova në sfondin e ish-Jugosllavisë dhe më pas Luftë. Jo vetëm kushtet dhe regjimet që kanë diktuar shprehjen artistike, por edhe vendin e gruas në të. Në të dy shoqëritë shqiptare, këtej dhe andej kufirit mbizotëron ende patriarkalizmi.
Për ta adresuar këtë përmes artit ishin formacioni HAVEIT, në performancën që u transmetua online për shkak të masave anti-covid, titulluar Baby Blues.
Në përpjekje për të ripërfytyruar truporen përtej esencializmave kulturor, Baby Blues rikonfiguron trupin gjithnjë-në-bërje dhe e vendos atë në një kontekst më të gjerë shoqëror.
“Jemi në kërkim të rrëfimeve jo-njësuese të grave, metodologjive individuale, dhe pozicionimeve artistike që zbërthejnë, por edhe i ripërfshijnë ato në narrativat historike të arteve pamore”, shkruajnë Demetja dhe Krasniqi në tesktin kuratorial.
Jo të gjitha punimet e zgjedhura rrjedhin nga një kontekst feminist, pohojnë kuratoret. Por disa pre tyre ndërthuren me mendimin feminist duke problematizuar rendin patriarkal.
“Përmes një praktike më fleksibile dhe të vetëdijshme, ato tregojnë përkushtim për të rinegociuar konstruktet gjinore shoqërore”, thonë kuratoret, të bindura se këto paraqesin mundësi për të ardhmen e grave në art.
Më shumë sesa qëllim në vetvete, ekspozita për organizatorët e saj synon, siç edhe është titulluar, të japë kontribut në diskutimet feministe lokale.
Ndonëse punimet e shumë grave në këtë ekspozitë nuk kanë qëllime feministe, zhvillimi i karrierës në sfonde patriarkale dhe maskiliste i bën ato në vetvete ta përqafojnë tezën.
Ndërsa në këtë ekspozitë feminizmi shprehet përmes lirisë trupore, seksuale, por edhe shprehisë artistike, në hollin e katit të parë janë disa karikatura të fondit të Galerisë që e prekin rolin e gruas në shoqërinë komuniste.
Në përpjekje për të luftuar prapambetjet e trashëguara nga rendi i vjetër shoqëror dhe për ta zëvendësuar me njeriun e ri, regjimi i atëhershëm solli përmes artificash barazinë e roleve, duke u dhënë grave edhe punë nga ato tradicionalisht mashkullore, por pa ia lehtësuar rolin shtëpiak, asfare.
Pak ka ndryshuar edhe sot, ku gratë artiste janë ende në minorancë, ato politikane pranojnë “zemërgjerësinë” e kuotave në parlament, pa hapur kurrë një debat më të madh për garë të barabartë dhe gratë e thjeshta ato të destinuara të kapërdijnë në heshtje depresionin post-partum, ndryshimet dhe ulërimat e trupit shfaqen si në performancën e HAVEIT, me karroca psonisjeje.
A mund të blihet liri në to?! Artistet gra tregojnë se po. Edhe duke mëkuar me gji një foshnjë, edhe duke psonisur, edhe duke qenë partnere apo bashkëshorte mund te gjesh lirinë për të shprehur botën e brendshme dhe atë jashtë përmes artit. / Gazeta Si.