“Ky tregim është i rrallë, ashtu siç janë të rralla, madje shumë të rralla, çastet kur ne përballemi me të kaluarën tonë; me imazhin e ngelur në kujtesë. Ne priremi t’i shmangemi vetes tonë fëmijë, vetes tonë adoleshent, pragut të burrërimit. I shmangemi ish mjerimit, skamjes, vuajtjeve që kemi hequr, poshtërimit e talljeve, që u kanë bërë ëndërrave tona. Përpiqemi të harrojmë për të ecur përpara…” – Ramiz Gjini

nga AGRON TUFA

Më qëlloi (krejt papritmas) me ndejtë me të… Më thanë të drejtën i druhesha atij takimi, siç na ndodh kur ndeshim përballë një shok ushtrie mbas 30 e kusur vitesh, ndonëse koha e kalueme bashkë ka qenë e pakrahasueshme me asgja tjetër për sinqeritetin, ngushëllimet, trishtimin dhe sfilitjet; për zhgënjimet dhe hidhësitë e një jete pa shpresa, përkundër andrrimeve nën qiellin e natës dyst me yje që shkëlqejnë e kputen honeve të errët; për ngashërimat e heshtuna me kokën e mbulueme ndën batanijet e ashpra ushtarake… Po, por nuk mjaftuakan as këto, se ne, prapëseprapë, i bishtnojmë takimit: kthejmë kokën mënjanë, kinse nuk e vemë oroe, kinse jemi të përpimë nga puna, ndërkohë që vigjëlojmë veshëcurrekë, derisa momenti i takimit të jetë shmangë. Atëherë kthejmë të lehtësuem sërish në udhën tonë. Se, sigurisht, nuk jemi ma të njajtët, me gjasë, as unë, as ai… Jeta që s’len gur mbi gur pa e ndryshue, ka ba tashma të vetën… Madje ka gjasë, që mbas kaq kohe, ne mund të flasim në gjuhë të ndryshme me njani-tjetrit. A ka gja ma të pikëllueshme se tmerri i moskuptimit? Të qenët i pakuptuem në këtë botë t’randume me shenja?
Por në një qoshk të botës paska qenë parathanë që ernat e vetmisë të na përballnin pashmangshëm. Isha po ai dhe aj ishte po unë. Vetëm fytyrat tona shprehnin ndryshim të dukshëm. Koha që len gjurmët e veta me hartën e brengave, me pakënaqësitë dhe me pengjet e papërmbushuna, atë s’e kishte prekë as përskej: fytyrë rioshe me dy sy shkëlqarë, t’uritun për andrra, njëlloj si atëherë kur ishim bashkë, para tridhjetë e kusur motesh.
– Si i lodhun më ngjan, si i prishtë, – thotë tue e anue kryet për me më pa në profil.
– Jam mirë, – ia kthej, – jam mirë, po aq sa ndjehesh mirë dhe ti.
– Unë nuk ndjehem hiç mirë. Nga e gjete se jam mirë? Ku e sheh të mirën time? – thotë, tue ia qëllue taktikës sime për me i ba lak kuvendimit. Andaj më gozhdon me pyetje:
– Çdo me thanë mirë, simbas teje? Mos ndoshta ti quen mirë atë kohë kur ishim bashkë në kazermë dhe qanim netëve tue ba shërbim roje në kodrat me ullishta?
– Kanë kalue vite dhe nuk them se ishim mirë, por kishim andrrat, – i them. – Të kujtohet Paulini? Vrau veten në vendrojë me një të shkrepme… Pati mbështetë mjekrrën në grykën e pushkës dhe plumbi i kishte dalë përmbas rrashtet. Kishte shpërthye pranvera, nëse e mban mend dhe rrjedha e përronit aty ndanë nuk dëgjohej, por dukej prej rrëkesë së luleshegëve, që skuqte në një vazhdë të vetme drejt Drinit. Na qamë atëbotë për Paulnin që i dha fund vedit: aq i ri, aq i gjatë, aq i pashëm, aq gazmor dhe nuk na besohej, se si mund të ikte ashtu, ai deli djalë, pa asnjë shkak të dukshëm, kur tan jetën e kishte përpara e mundej me u ba çka t’ia kishte anda. Nuk e pritshim prej tij…
– Lene Paulinin ti, mos m’iu shmang kuvendimit, – tha, tue më ndërpre pa pikë taktit, mandej fill shtoi: – Nuk kemi qa për Paulinin atëbotë…
– Thue ti…?
– As ti, as unë… Paulini ishte thjesht një shkas. Një ndërmendje. Një qortim për mungesën e guximit dhe burrnisë që ti nuk pate me e ba të njajtën gja dhe pse e shestoje kahmoti. Po thuej lavdi Zotit që u gjet Paulini…
– Qe, tash po vret të trasha mbarë e prapë e nuk din çka po qet goje… Ç’pate? Ti ma njef guximin… si mundesh me e vu në dyshim?
– Nuk ke qa për Paulin të thashë, mos t’rrejë mendja. Kaq.
– E ti? Ti vetë, për kënd e kishe vajin? Dro për vajzën e komandantit që humbi garën e vrapimit? Se ti i pate ba hartimin, me sa po më bie ndërmend…
– S’po them as për vedi, se po qaja për Paulinin e shkretë, jo…
– A ban me ditë, pë kand? Për duditë e prendverës dro?
– Leni mahitë! Vajin tem e kisha për ty! Për diç që po të piqej në mendje, që po avitej tinëzash e që unë nuk kisha fuqi me e ndalë, derisa ndodhi pashmangshëm një mesnate, në kapanonin e braktisun. Pa krismë… me jastëk. Pabesisht. Në kulmin e gjumit të pafajshëm. Bash ditën që prisnim lirimin. Ma qite për dritareje kurmin kinse të pajetë e mandej, dite me e heqë zvarrë e me e fshehë në prronin me shegë të egra, tashma të pjekuna. Askujt s’i ra në sy mungesa jeme n’atë tollovi festive ku ushtarë e komandanta ishin të zanun me ndamje, përqafime dhe zhurmën e kamionave ushtarakë që prisnin të mbusheshin me ushtarët e liruem në oborrin e repartit. I kishe ba hesapet mirë, si dhelpën vjeshte, me e fshehë vrasën tande mes haresë e galdimit të përcjelljes, nën tingujt e harmonikës. Pse hesht? A mos po rrej? Mandej dihet, u ktheve pa mue… Pse s’e thue? Kjo asht arsyeja pse më bishtnon e ndërron rrugë? Ke bash fytyrën e atij që nuk kuxon me u përballë.
– Qe pra… a po përballemi? – qita e thashë, tue e pa drejtazi në bebe të synit. – Po përballemi, ani, por ta dijsha, sak kam qenë tue ndërrue udhë…
– Ta dijshe? Ta dijshe çfarë?
– Që je kaq budallë. Ke qenë qysh atëherë, a po tani je ba i marrë?
– Por nuk asht kjo arsyeja që të shtyu me më hekë qafë ashtu, si brac në mesnatë, me jastëk në fytyrë, në pikun e gjumit që e kput njérin si deka…
– Në kjoftë se ty të asht ulë galuc ndër tru se të paskam hjekë qafe në atë mënyrë, besa boll mirë paskam ba, por s’po ma spiegon një gja: pse hem të paskam mbytë e hem më del përpara si fanti spathi tue më broçkullisë nji thes me marrina?
– Ti veçse kujtove se më hoqe qafe… Po siç e sheh, unë kam jetën teme, ashtu siç deshe ti ta kem, ndaraz prej teje. Dhe a e di ç’ka? Po ta them nji gja të mbrame e po largohem kësaj radhe, se nuk po mundem ma gjatë me të durue: je ba i shëmtuet, i prishtë e i mërzitshëm, mu si një gazetë lokale e kohës sonë…
– Mirëmbetsh! – thotë e largohet për me hupë në turmën laramane të rrugës.
– Ani, prapë ka me kthye, kem me u ndeshë, – them tue ngushëllue vedin me nji përballje tjetër, për të cilën nuk jam krejt i sigurtë.

Per tregimin “Takimi” të Agron Tufes

Kujtesa mbart vulën e çdo kohe

Ramiz Gjini

Unë nuk kam hasur kund në letërsinë shqipe një tregim aq të bukur sa “Takimi” i Agron Tufes.
Sigurisht, i bukur nëse gjatë leximit, i kushton vëmendjen e duhur çdo fraze. Sepse dialogu aty, ka një ngjeshje kuptimore, një rëndesë psikologjike dhe filozofike, që rrallë mund të haset dikund tjetër.
Por, unë mendoj, që edhe leximi kërkon një gjendje, ashtu si krjimi.
Mjafton një frazë fare e shkurtër për të kuptuar, që personazhi flet me atë vetveten e dytë, me imazhin, që ka mbet në të shkuarën: “Isha po ai dhe aj ishte po unë”, thotë narratori.
Ky tregim është i rrallë, ashtu siç janë të rralla, madje shumë të rralla, çastet kur ne përballemi me të kaluarën tonë; me imazhin e ngelur në kujtesë.
Ne priremi t’i shmangemi vetes tonë fëmijë, vetes tonë adoleshent, pragut të burrërimit. I shmangemi ish mjerimit, skamjes, vuajtjeve që kemi hequr, poshtërimit e talljeve, që u kanë bërë ëndërrave tona. Përpiqemi të harrojmë për të ecur përpara.
E thotë vetë autori, që në fillim: “ne i druhemi atij takimi, i bishtnojmë, kthejmë kokën mënjanë, kinse nuk e vemë oroe, kinse jemi të përpimë nga puna, ndërkohë që vigjëlojmë veshëcurrekë, derisa momenti i takimit të jetë shmangë. Se, sigurisht, nuk jemi ma të njajtët, me gjasë, as unë, as ai”.
Përse ndodh kjo shmangje? Përgjigjja është po aty: “sepse na duhet të flasim me një gjuhë të pikëllueshme”.
Pra, askush nuk e dëshiron pikëllimin
Megjithatë, asnjëri nga këta “të dy’ nuk është i lumtur. Ushtari i gazermës, që kishte ëndërra të bukura, ka mbetur aty, në gazermë. E qara e tij me kokën nën batanije, dëgjohet edhe pas tridhjetë vjetësh. “Vajin tem e kisha për ty! Për diç që po të piqej në mendje, që po avitej tinëzash e që unë nuk kisha fuqi me e ndalë”. Pra është e qara e dikurshme për vetveten, për ëndërrën, që tashmë, është bërë realitet. A duhet harruar ajo? Jo. Nuk duhet harruar kurrë. Ky është edhe mesazhi, që përcjell tregimi, mendoj unë.
Kujtesa mbart vulën e çdo kohe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Unë “bir i armikut”!
QENDRA KOMBËTARE E LIBRIT DHE E LEXIMIT, NJË KAMBANË PËRNDJEKJEJE
Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}