Regjisori i njohur i Teatrit të Operas dhe Baletit, Nikolin Gurakuqi ngre problematikat që kanë përfshirë këtë institucion kombëtar të kulturës, muzikën operistike – si po degradohen artistët. Regjisori pohon se asgjë nuk po bëhet në drejtim të të rinjve, dhe se Opera e ka zhdukur në këtë kohë pandemie gjithë repertorin e tij aktiv, të këtyre 30-40 vjetëve duke u shndërruar në një shoqatë televizive…
Nga Nikolin Gurakuqi
Teatri “La Scala” i Milanos shfaqi mbrëmjen e 24 janarit, streaming operan komike “Cosi fan tutte ” të W.A.Mozart, me regji te gjermanit Mikael Hampe një produksion klasik i vitit 1983 në Salsburger Festshpiele, dhe në 1988 regjistrohet ne “La Scala”. Çfaqja u dha pa publik por u ekzekutua dal vivo, si një produksion i plotë.
Kjo shfaqje me këtë regji, ka në repertorin e teatrit “La Scala” 34 vjet në repertor.
Në Operan tonë Kombëtare jepen vetëm tek- tuk ndonjë koncert, duke e kthyer Teatrin herë në filarmoni kalamajsh, e herë në shoqatë televizive e agjensi spektaklesh dhe, duke zhdukur nga repertori aktiv i TKOB, të gjitha veprat që janë vënë në skenë gjatë drejtimit të teatrit nga intendantet e tjerë para drejtores aktuale.
Këto 4 vite, TKOB nuk ka vënë në skenë asnjë premierë absolute, (titull të ri), por vetëm 4 tituj repertori, çfaqje të lodhura, me videokozmetike publicitare. Politika me elementët e rinj, nuk është e re ne TKOB. Ajo është konstante, që në kohën e diktaturës, pavarësisht drejtorëve që vijnë e ikin. Artistë të rinj quhen talente
22 – 30 vjeç që pasi mbarojnë univertsitetin të drejtuar nga pedagogët respektivë të kantos, solfezhit, regjisë etj pedagogë që i kanë zbuluar dhe maturuar artistikisht, opera i afron në punë nëpërmjet konkurseve që duhet të drejtohen nga specialistët e vokalit, regjisorët e dirigjentët si kudo ku ka shtet.
Të tjerët janë artistë karrierë aktive.
Një 35- 36 vjeçar që ka 13-14 vjet që ka mbaruar shkollën e ka bërë një mori rolesh është artist në karrierë.
Sot artistët e rinj të punësuar në TKOB, nuk i drejton asnjë specialist vokali me licence, pra pedagog në universitet. Kjo nuk ka ndodhur asnjeherë në historinë 60 vjeçare të Teatrit të Operas. Dikur kur, unë isha i ri, në Teatër, këngëtarët e rinj i drejtonin artistët e mëdhenj si Ramiz Kovaçi apo Gaqo Çako etj.
Solistët e rinj nuk duhet të këndojnë një natë koncert xhazi, që s’ka lidhje me të kënduarin operistik, dhe pastaj bëjnë masterklas me Sajmir Pirgun (bëjnë shumë mirë) për të rregulluar atë që ka prishur muzika xhaz. Këngëtarët e Operas nuk mund të jenë hibride, as mish as peshk, por fatkeqësisht shumë prej tyre, janë të tillë, ndaj dhe nuk shkëlqejnë në Opera edhe se kanë vokalë të bukur, por u mungon teknika e kantos operistike.
Sot, TKOB duket si një teater i mjerë, që ka vetëm 4 vjet që është themeluar, sepse i gjithë repertori aktiv i prodhuar në 30- 40 vjet e më shumë mund artistik, është zhdukur nga faqja e dheut me një të rënë të lapsit dhe mediat e institucionet e kontrollit si Ministria e Kulturës bëjnë sehir këtë degradim para syve të të gjithëve, ditën për diell.
Kur shikon se teatrot e huaj vënë çfaqje repertori 30 vjeçar në skenë edhe në kohë pandemie, dhe Opera jonë, bën ndonjë koncert tek tuk, kupton se sa larg është propaganda mendjelehtë e drejtuesve, me të vërtetën e hidhur!