Në kuadër të konferencës ndërkombëtare shkencore, bashkëpunim mes AIDSSH, ASA, ISKK, studiuesi Agron Tufa në temën referuese “ Të mohuar nga regjimi; burgjet, sistemi i internim- dëbimeve dhe puna e detyruar në Shqipëri, 1944 – 1990”, rimerr çështjen e inxhinierëve të kënetës së Maliqit, të trajtuar artistikisht në dy romane: “Këneta” i F. Gjatës, shkruar gjatë regjimit diktatorial sipas skemave të luftës së klasës që falsifikoi të vërtetën historike – paraqitur me titull “Mnemozina e topikëve të trishtë letrare”

nga Agron Tufa

Punimi rimerr çështjen e inxhinierëve të kënetës së Maliqit, të trajtuar artistikisht në dy romane:

(Romani, është botuar mbi tetë herë me tirazh llahtarisht të madh, i përfshirë në të gjitha tekstet shkolloreuniversitare, i botuar në kolanën “seria e romanit të zgjedhur”, i detyrueshëm për lexim në shkollat tetëvjeçare, të mesme dhe universitare, i përfshirë në të gjitha antologjitë shkollore) dhe “Këneta e vdekjes” e Makensen Bungos, shkruar pas 1990. Shkrimtari Makensen Bungo që punoi atje si i dënuar, përshkruan llahtarin, ujërat e turbullta të kënetës, që iknin duke marrë me vete kufoma dhe skelete njerëzish. Përballë kësaj të vërtete tragjike, romani “Këneta” është vetëm këneta e Partisë.

Në burimet e Hipokrenës

Kujtesa si organ psikologjik i përjetimit të kohës mbetet e vetmja ndërmjetëse që na

garanton unitetin e thelbit të qenies, të projektuar në një shkallë vetënjohjeje individuale dhe

kolektive. E them në një shkallë vetënjohjeje, sepse kujtesa, siç e thamë, është organ psikologjik

dhe se vetë psikologjia njerëzore, individuale qoftë ajo apo shoqërore, gjendet në kushtet e një

trysnie të përhershme që e relativizon, e deformon, e transformon apo e çorodit krejtësisht

psikikën njerëzore, po të merren parasysh dramat individuale dhe kolektive. Psikologjia është

e varur nga psikika, pasi kjo e dyta është tregues i shëndetit të së parës. Rrjedhimisht edhe

kujtesa, duke qenë organ psikologjik i përjetimit të kohës dhe shprehje vetidentifikuese e

totalitetit organik të qenies në kohë, relativizohet, shformohet, manipulohet dhe na prezanton

marrtas, në pajtim me thelbin e deformuar të vetes sonë.

Kujtesa e manipuluar është një togfjalësh që shpreh reflektimin kritik, të ndërgjegjshëm

e oponencial nga pikëpamja e dikujt që zotëron një përvojë krahasimore në lidhje me origjinën

e njohjes dhe gjendjeve stadiale të trajektores së kujtesës, prej nga zë fill tjetërsimi dhe

manipulimi i saj. Ky proces nuk ka gjë të përbashkët me idiomën e përvojave individuale “më

tradhëton kujtesa”, pasi si akt ndërgjegjësimi, kjo shpreh riaftësimin dhe ripërftimin e po asaj

kujtese vetidentifikuese, për t’u pozicionuar mandej, në masën e vetëdijësimit, për një përballje

raportesh me të.

Fjala, më konkretisht, është për kujtesën historike apo kolektive, që deri më tash ekziston

kryesisht në po ato forma që e mendonin grekët e lashtë, në trajtën e mneme-së, anamnez-isit

dhe mnemozinës. Mneme paraqet një aftësi të dhënë fiziologjike të çdo organizmi për ta ruajtur

informacionin e ndërkallur në të. “Nga perceptimet ndjesore lind, siç themi ne, aftësia e

kujtesës”, thotë Arsitoteli. Ndërsa nga ndërmendjet e shpeshta për të njëjtën gjë lind përvoja,

sepse një numër i madh kujtimesh përbëjnë së bashku njëfarë përvoje. Nga përvoja pra, nga

tërësia e përvojës që ruhet në shpirt, nga përvoja e vetme, e ndryshme prej shumicës, nga

përvoja vetjake që paraqitet si identike në gjithë këtë shumësi, e ka zanafillën arti dhe shkenca:

arti, nëse kemi të bëjmë me krijimin e diçkaje, dhe shkenca, nëse kemi të bëjmë me thelbin dhe

esencën”. Anamnezisi – është ndërmendja (të kujtuarit). Ajo e ruan informacionin e futur në të,

por e ruan në atë mënyrë, që informacioni gjithmonë përplotësohet dhe pasurohet me përvojën

individuale, duke u realizuar jo rrallë në letërsi në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale – nga

rikrijimi artistik i ngjarjeve të kaluara deri tek historiografia, që del jashtë sinoreve të mnemesë (si tek Herodoti, Taciti apo Mishlje). Në kulturën europiane, anamnezis-i ka hyrë kryesisht

në atë kuptim të saj, siç e pati themeluar dhe përdorur Platoni: “Kur shpirti që ka humbur

kujtesën mbi ndjesitë apo dijet, e thërret sërish atë dhe përpiqet ta përtërijë në vetvete, atëherë

këtë ne e quajmë ndërmendje”. Kurse në një vend tjetër, Platoni thotë: “Prit pak, o Sokrat, – e ndërpreu Kebeti, – mendimet e tua na shpien edhe në një përfundim tjetër, nëse është e saktë

ajo që ti e përsërit shpesh, se pikërisht dija nuk është gjë tjetër përpos se ndërmendje: atëherë,

atë që ne po ndërmendim tani, duhet ta kemi nxënë në të kaluarën, – ja pra se çfarë nxjerrim

nga ky konkluzion. Por kjo do të kishte qenë e pamundur po qe se shpirti ynë nuk do të kishte

ekzistuar në ndofarë vendi tjetër, përpara se të lindej në trajtën tonë njerëzore”

Në një formë të ndryshuar, përfytyrimi mbi anamnezisin si një fundament i aspektit frymor ka

hyrë në kristianizëm: “Pastaj mori bukën, u falenderua, e theu dhe ua dha e tha: Ky është korpi

im, që flijohet për ju. Bëni këtë në përkujtimin tim” (Luka 22. 19). Përjetimi platonian i

anamnezisit, që mbijetoi deri në shekullin ХХ, përbënte bazën e simbolizmit edhe si filozofi,

edhe si drejtim letrar, në botën e krishterë. Një ndër poetët dhe teoricienët e simbolizmit rus,

Aleksandër Bllok, shprehej se: “Rruga e simboleve është rruga nëpër gjurmët e harruara… rruga e mbërritjes së dijes si ndërmendje (Platoni)”. Mnemozina. Mbi këtë nocion qendror të imazhit për analizën tonë na takon të flasim pak më gjerë. Në rendin e numërimit paraprak të atyre mishërimeve kryesore në të cilat ka ekzistuar për grekët e lashtë kujtesa e tyre historike dhe kulturore, mjafton t’u referohemi tipareve të Mnemozinës, siç na paraqitet ajo në të vetmin burim – në veprën “Teogonia” të Hesiodit, ku për grekët ajo është, para së gjithash, nëna e muzave.

Mirçea Eliade, në njërin prej librave të tij, ka shkruar një skicë mbi mitologjinë greke të

kujtesës. Ai na ndërmend që hyjnesha Mnemozina, motra e Kronosit dhe Oqeanit, quhej nënë

e muzave. N’akord me Hesiodin, Mnemozina ruante kujtesën për gjithçka që ajo ka qenë, por

kishte dijeni edhe për ato që do të ndodhnin. Kur muzat e përndritin poetin, ai bëhet i aftë për

dijen e Mnemozinës, njohjen e zanafillave të para. Muzat këndojnë, tue u nis ç’prej zanafillave

ato rrëfejnë për origjinën e zotave dhe njerëzve. Poeti përmes muzave fiton kujtesën

mbinjerëzore të Mnemozinës.

Por këto realitete parazanafillore, pikërisht ngase janë të lidhura me burimet, nuk hyjnë

në sferën e jetës së tashme, ato janë të pambrrijshme për përvojën e përditshme. Prandaj, pra,

poeti që ka fituar këtë dhunti mbikujtesore prej duarve të Mnemozinës, shtyhet, si të thuash,

prej saj në një botë tjetër, botën e së shkuarës dhe harresës, e cila identifikohet me vdekjen.

Lumi i harresës, Leta, që rrjedh në Aid, e shkatërron kujtesën e të vdekurve, duke i shndërruar

ata kësisoj në të vdekur. Por, vëren Eliade, me shfaqjen e doktrinës së transmigrimit

(rimishërimit) të shpirtrave ndryshon edhe mitologjia e kujtesës. “Është e rëndësishme tashmë

të mbash mend jo burimet dhe parazanafillat, por jetën paraardhëse të shpirtit, që shënon

humbjen e kujtesës së shpirtit në lidhje me ekzistencat e tij pararendëse. Dhe rishmi vdekja në

këtë kontekst del si kthim në një botë tjetër, botën e zanafillave dhe mbikujtesës.Vetëm pak të

zgjedhurve të muzave dhe profetëve, Mnemozina ua lë kujtesën e ekzistencave pararendëse dhe

parazanafillave. Dhe ata përpiqen t’i bashkojnë fragmentet e shkalafitura, t’i përfshijnë ato në

një zinxhir të vetëm, që të mbërrijnë kuptimin e fatit të tyre. Sepse ngjitja e fragmenteve të

memories së historisë, që s’kanë asnjë lidhje mes vedi, do të thotë “lidhja e fillesës me fundin”

(Eliade, 1988:156).

Këta poetë dhe orakuj, që rrahin të ribëjnë e ringjallin një tekst të lidhur prej fragmentesh

të bëra fir në kujtesë, përmbushin punën e kulturës – të shqyer, fragmentare, të shkërmoqur në

arkivin e padukshëm heterogjuhësor, por ama janë ata që gjakojnë të përftojnë tërësinë,

unicitetin, logjikën. Në thelb, çdocili tekst i bart në vetvete këto fragmente, herë të dukshme e

herë të maskuara dhe rreh t’i ndërtojë ato n’akord me logjikën e rrëfimit.

Ndër orakujt të cilëve zotat ua ruajtën kujtesën pas vdekjes, spikat njëri ndër më të

njohurit – Tiresia. Ç’prej kohës së djalërisë, ai pa rastësisht, tek po lahej cullake në burimet e

Hipokrenës, hyjneshën Atena dhe shi për këtë shkak i plasën sytë e mbeti i verbër, por

njëkohësisht u pajis me dhuntinë e profecisë. Mandej, duke bredhur nëpër krepat e maleve të

Kilenit, ai, po rastësisht, pa shlligat që po ndërzeheshin dhe për disa vite u shndërrua në femër.

Ky verban dygjinish u zgjodh prej zotave që të bartë përjetësisht një kujtesë të pashqimur.

Topikë të trishtë

Burgjet, kamp-burgjet, kampet “me tela me gjëmba” dhe kampet e zakonshme të

internimit me punë të detyrueshme, përbëjnë, përveçse topografi të dhimbjes e terrorit, edhe një

topikë të trishtë të shkrimit në letrat shqipe. Zhanret e shkrimit janë të larmishme; ato prekin

romanin, tregimin, poezinë, kinematografinë, përkthimin artistik e shkencor, poezinë dhe

memuaristikën, deri dhe disa lloje të pikturës e skulpturës (gdhendje të ndryshme, statueta,

punime të holla arstistike etj). Prania e kësaj topike të trishtë burgjedh e kampesh nuk e ka pushuar jehonën e vet traumatike edhe sot e kësaj dite, ndonëse që nga viti 1991 kur ato u mbyllën dhe u braktisën kanë kaluar mbi një çerek shekulli. Realet e këtyre “kronotopeve” ushqejnë ende vepra letrare e narrativa memuaristike. Disa piktorë si Maks Velo, Ali Oseku e sidomos Valer Dyrzi vazhdojnë t’i kthejnë jehonën e transfiguruar arstistikisht përjetimeve nga kjo topografi makthesh. Narrativa letrare, e drjtëpërdrejtë apo fiktion na i sjell këto vende me një metonimi diskursi alegorik, simbolik apo filozofik, si në veprat e Kasëm Trebeshinës (“Odin

Modvalsen”), Makensen Bungo (romani “Këneta e vdekjes” dhe memuaret), Pjetër Arbnori

“Vdekja e Gëbelsit” dhe memuaret), Petro Marko (“Retë dhe gurët”), Jamarbër Markos

(poezitë), Fatos Lubonjës (“Ridënimi”), Henrik S.G (romanet Metamorfoza e brezit të humbur”,

“Gjuetia e pëllumbave”), Bashkim Shehut (“Angelus Novus”, “Loja, shembja e qiellit” dhe një

varg romanesh), Visar Zhitit (poezitë “Hedh një kafkë në këmbët tuaja”, memuaristika, etj).

Letërsia e këtyre “topikëve të trishtë” është legtësisht e evidentueshme. Mjafton t’i

qasemi secilit topos ku vuajtën autorët e dënuar politikisht, për të hartuar mandej një repertor

të pasur e të larmishëm tekstesh e veprash.

Nëse studimet letraro-kritike shqiptare apo studimet sociologjike letrare do ta kishin

marrë në konsideratë faktologjinë e këtij shkrimi, të cilin me të drejtë poeti Visar Zhiti e quan

“Burgologji”, atëherëdo të na përftoheshin korpuse të veçanta, blloqe tekstesh e narrativash në

repertorin e gjerë të “burgologjisë”. Kështu do të dallonim qartë “tekstet e Burrelit”, “tekstet e

Tepelenës”, “tekstet e Kënetës së Maliqit”, “tekstet e Spaçit dhe Qaf-barit”, etj, et,.

Herëdokur studiuesit e kësaj fushe që do të merren me fenomenologjinë e këtyre teksteve, do të prekin vëretësinë simbolike të titullit të mësipërm: “Topikë të trishtë letrarë”. Të trishtë këto tekste i bën jo aq topika si vend vuajtje e torture, por nonsensi, paradoksi dhe absurdi

i fatit të vuajtësve, të cilët ishin qenie me rrënjë të thella në dije dhe kulturë, përkundër nivelit

katastrofik të xhelatëve të tyre. Në njëfarë mase persekutimi komunist mbi këta njerëz, që ishin,

pa asnjë fije dyshimi, elita e kulturës shqiptare, ajka e inteligjencës, njerëzit më të ditur e të

shkolluar të Shqipërisë së pasluftës. Mjafton të përmendim dis syresh: Petro e Jamarbër Marko,

Astrit Delvina, Arshi Pipa, Mitrush Kuteli, At Zef Pllumi, Sami Repishti, Kasëm Trebeshina,

Mustafa Greblleshi, At Konrad Gjolaj, Ejell Çoba, Makensen Bungo, Uran Kalakulla, Guljelm

Deda, Havzi Nela, Pjetër Arbnori, Lekë Previzi, Lekë Tasi, Fatos Lubonja, Visar Zhiti, Bashkim

Shehu etj. Veprat e tyre ilustrojnë një kronotopi të fatit të intelektualit në diktaturë dhe janë i

vetmi repertor i moralshëm i shkrimit që rivendos dinjitetin e raporteve me të Vërtetën, një

raport, i cili, jashtë këtij kronotopi, ishte përkeqësuar, fshehur, deformuar e shfytyruar nga

censura dhe autocensura komuniste.

Termi “Kronotopos” për këtë korpus tekstesh nuk e ka këtu funksionin e nocionit estetik

bahtinian, pasi ai nuk zbatohet në botën e trilit artistik. Ai thjesht ndodh dhe lind brenda një

realeje konkrete kohë-hapësinore, aty ku është e mbërthyer në kryq ekzistenca, mbijetesa e

autorit që përpiqet të ruajë fizionominë e vet njerëzore.

Një ndër këto kronotope, që ka determinuar lindjen e një repertori të veçantë tekstesh

letrare në prozë, poezi, memuaristike, kinematografi e, madje, edhe në zhanret kronikale

ideologjike të historisë zyrtare, sikundërse dhe të shkrimit diplomatik, është Këneta e Maliqit

me kampin famëkeq të Vloçishtit përgjatë periudhës 1946-1950. Këneta e Maliqit është

njëmend, jo vetëm “topikë e trishtë” letrare. Tekstet që ka prodhuar ky topos janë kundërthënëse

e diametralisht të kundërta. Nga njëra anë kemi tekste autoriale intencionalisht ideologjike,

propagandistike, manipuluese në raport me të Vërtetën dhe, nga ana tjetër, kemi tekste autoriale

autobiografike, që këmbëngulin në raportet dëshmuese me të Vërtetën tronditëse.

Konfrontimi i kujtesave letrare

Në këtë kundëvënie spikasin më fort tekstet letrare konfrontuese në gjininë e romanit.

Përkatësisht kemi: 1. Fatmir Gjata me romanin “Këneta”. Romani qe pjesë e srz (seria e romanit të zgjedhur), deri në vitin 1991; ishte një vepër letrare e programuar me detyrim në kurrikulat

shkollore/universitare, e shkruar në përputhje me tezat e doktrinës së realizmit socialist. Romani

paraqet versionin komunist të”heroizmit epik popullor”, ku masat e udhëhequra nga mësimet e

partisë, përmes heroit pozitiv, sekretarit Stavri Lara, kapërcejnë gjitë vështirësitëe mungesave

teknologjike, por më fort punën sabotuese të inxhinjerëve “të degjeneruar” e “armiq të popullit”,

qëgjoja janë rekrutuar si spiunë nga ish mësuesi i tyre Harry Fultz. Se çfarë origjine etike e

humane ka ky pushtet i ri, këtë në roman mund ta përkapim lehtë nga dialogu i protagonistit

Stavri Lara, sekretarit të partisë. Stavri është përfaqësuesi i atyre që kanë ardhur në pushtet dhe

do të themelojnë moralin e ri të drejtësisë, barazisë e vëllazërisë. Po sa çuditshëm tingëllon, kur

pasi ka treguar mes familjarëve të tij tërë mikro-Odisenë e tij romantike të mbijetesës nga

kampet naziste, zhvillon, që nga dushi ku po lahet, këtë bisedë me të ëmën:

“- Ku e keni gjetur këtë peshqir? Sa i madhe e i bukur qenka!

– Se mos kemi vetëm këtë. E kemi mbushur shtëpinë. Kemi marrë kolltukë, një raft me pasqyra,

dy qilima, perde, takëme për të ngrënë bukë me dymbëdhjetë peceta. Janë të atyre borgjezëve

<…> Ç’e do kur s’morëm edhe ca! Po s’desh yt atë! “Të marrin edhe fukarenjtë e tjerë”, thoshte!

Po shtëpia si të duket? Nuk është si pallat?

– S’e kam parë mirë, po pallat më duket!

– A e di se e kujt është? E atij që rri tani në kotecin tonë.

– Ashtuu? E atij burrit me gjyzlykë?

– Hëëë! Ç’ka qenë ai! Të vëllanë ia pushkatuam. Një djalë e ka të arratisur në Itali. I kanë

hedhur një milion franga.

Vullnetarët dhe populli i thjeshtë ia dalin mbanë, falë vigjilencës dhe mësimeve të partisë.

Triumfon suksesi, Këneta thahet.

2. Makensen Bungo me romanin “Këneta e vdekjes” jep një version të përmbysur të

realeve të Fatmir Gjatës për të njëjtën Kënetë, për të njëjtin proces. Rrëfimi është shkruar nga

perspektiva e narratorit që dëshmon në mënyrë kronikale përditshmërinë e detajuar të një

realiteti permanent vdekjeprurës në kënetë, ku ndaj të burgosurve ushtrohen sistematikisht, ditë

e natë, eksperimentet më çnjerëzore, të tilla që mund t’i ndeshesh vetëm në arsenalin e torturave

nëpër kampet naziste të shfarosjes. Tipologjia zhanrore e këtij rrëfimi auto(biografik) në veprën letrare është, tashmë, gjerësisht i njohur në repertorin e krijimtarisë letrare, që e merr lëndën drejtpërdrejtë nga përvoja reale e kampeve dhe burgjeve, të tilla si romanet e Primo Levit (“A është vallë njeri ky?”), Imre Kertezhit (“Romani i një të pafati”) Aleksandër Sollzhenicinit (“Arkipelagu Gulak”, “Një ditë e Ivan Denisoviçit”, “Pavioni i kancerrozëve” etj), rrëfimet e Varllam Shallamovit (“Tregimet e Kolimës”), Fatos Lubonjës (“Ridënimi”), Atë Zef Pllumit (“Rrno vetëm për me tregue”), Visar Zhitit (“Rrugët e ferrit”, “Ferri i çarë”) etj.

Përmes një realiteti ngjethës, që mpikset deri në makabritet, Bungo vizaton një tjetër të

vërtetë në kronotopin e Kënetës dhe këtë e bën me me realizmin e detajeve ngjethëse e

shokuese. Autori, një i mbijetuar i Kënetës, na rrëfen fatin tragjik të një grushti stundentësh

nacionalistë të Normales së Elbasanit. Pasi lënë qelitë e burgut të qytetit të tyre dhe vetë

profesorin e tyre të dashur, shkrimtarin Et’hem Haxhiademin, që po jep shpirt aty, ata dërgohen

të vuajnë dënimin në Maliq. Parakalon në rrëfim figura e shkrimtarit Mitrush Kuteli në Kënetë,

sikundërse dhe e profesorit-poet, Arshi Pipës, që dërgohet në spital. Romani mbyllet më kthimin

e përgjysmuar të atij grushti miqsh idealistë. Dikush ka vdekur nga puna e sfilitëse, sëmundja

dhe uria; dikush tjetër nuk e ka duruar sprovën e rëndë të mbijetesës dhe është bërë spiun, për

një copë bukë, e më në fund, i turpëruar e i vetëneveritur var veten. Skenat e dhunës, torturës

psikologjike, rrahjeve e poshtërimeve, zhburrërimet e nëpërkëmbjet e nderit janë norma e

përditshme në kamp. Heroizmi masiv i punëtorëve vullnetarë nga romani propagandistik i F.

Gjatës, ia lëshon vendin të vërtetave pataksëse e të shëmtuara: janë realisht të dënuarit politikë,

rreth 2500 skllevër, që janë dëguar aty për të mos dalë gjallë, çka përputhet saktë me faktet

reale zyrtare në dokumenta, raportime e dëshmi të tjera.

Kronotopia e Kënetës si strumbullar intertekstual

Përveç romaneve “Këneta” të Fatmir Gjatës dhe “Këneta e vdekjes” të Makensen Bungos,

episodi historik dhe topografik i Kënetës së Maliqit ka ushqyer në letërsinë shqipe dhe një radhë

tekstesh letrare të zhanrit memuaristik. Shkrimtarët memuaristë rreth kësaj realeje historike e

toponimike kanë qenë, kuptohet, vetë të burgosur, që u shfrytëzuan si skllevërit e faraonëve për

tharjen me krahë të kënetës. Mbresëlënëse e ngjethëse mbi punën në këtë kënetë janë memuaret

e At Zef Pllumit, Ejëll Çobës (“Jetë e humbun”) dhe Sulejman Xhixhës. Praqet interes në këtë

drejtim memuaristika e Ejëll Çobës për faktin, se dorëshkrimi i tij është shkruar në vitin 1975,

çka na garanton parimisht, se koha kur e ka shkruar, nuk ka qenë aspak e volitshme për çfarëdo

tundimi “hiperbolizues”. Si Çoba, ashtu dhe Atë Zef Pllumi e Sulejman Xhixha përshkruajnë

përafërsisht të njëjtin realitet konkret, të ngjashëm me romanin “Këneta e Vdekjes” të Makensen

Bungos, por aspak të ngjashëm me romanin “Këneta” të Fatmir Gjatës. Këtyre dëshmive u

bashkohen edhe kujtimet e Skënder Stefanllarit dhe e Ylber Merdanit, ish të burgosur politikë,

që kanë përjetuar punën e detyruar në kampin e Maliqit.

Por më i afërt me versionin e M.Bungos është poema sonetike “Kanali” e Arshi Pipës, e cila është e pajisur me një komentar të hollësishëm që sqaron kontekstin e poezive.

Përftohet, kësisoj, një repertor i larmishëm tekstesh letrare, historike, kinematografike e

memuaristike rreth të njëjtës realjeje historike të një vendi të caktuar e veprimi të caktuar: tharja

e Kënetës së Maliqit (1946-1949), ose në terminologjinë e Mihaill Bahtin-it, një kronotopi

tekstesh të ndryshme, që përbëjnë një intertekst brenda një teksti të kulturës, ndonëse

kundërthënës. Vendi qëndron në kujtesën tonë kulturore ku i përket kujtesës individuale për ta rizgjuar dhe vënë në lëvizje. Ky është kuptimi i thellë i kësaj thirrjeje të vazhdueshme, për metonimi, të interteksteve.

Për ne ka rëndësi rizgjimi dhe lëvizja e këtij repertori tekstesh për vendin dhe kujtesën duke i konfrontuar ato për hir të ndriçimit të raporteve që ata mbajnë me të Vërtetën.

Teskti socrealist i Gjatës u shndërrua në një metaforë po aq edhe metonimi intertekstuale , duke

manipuluar me të Vërtetën në shërbim të ideologjisë. Pra kronotopia e Kënetës këtu na shërben

në cilësinë e kujtesës intertekstuale të autorëve që përmendin e përshkruajnë të njëjtin referent

(tharjen e kënetës). Identiteti kulturor i një vendi shfaqet kështu në i rëndësishëm se sa pamja e

tij ngushtësisht gjeografike; janë lidhjet e tij me letësinë ato që kanë rëndësi, pasi ato na

përplasin në një nyjë të dukuptimtë kohore të historisë dhe kulturës. Në fakt rishkrimi i tekstit

të kënetës është bërë pa ndonjë polemizim të drejtpërdrejtë me të parin tekst nistor, atë të F.

Gjatës, por ekskluzivisht si zotërim e dominim të “unit” të projektuar e të dëshmuar nga rrëfimi

auto(biografik) e memuaristik, sikundër edhe letrar. Në këtë mënyrë, rishkrimi i një teksti nga

këndvështrime të ndryshme përvojash empirike, i mbivendoset tekstit të më parshëm duke e

fshirë atë nga gjithë rrafshet e të vërtetave. Në këtë mënyrë historia e vendit dhe kujtesës së

parë vjen në një pikë të tillë, sa nuk njihet më. Fakti që ne mund të thërrasim, në lidhje me një

kronotopi kulturore një shumësi tëkstesh që e përmendin atë, tregon qenësinë e përhershme dhe

gjallërinë e letërsisë.

Interteksti është pra strumbullari rreth të cilit lidhen subjekti, shkrimi dhe kujtesa. Qenësia

e përhershme e vendit duhet në fakt të dëshmojë, para së gjithash, për shndërrimin e unit dhe

cënueshmërinë e tij themelore: nëse vendi mbetet, subjekti (i lexuesit, psh) i cili rikthehet aty

ka ndryshuar thellësisht nga ballafaqimi me tekstet e tjera rreth të njëjtit kronotop. Referenca

kulturore, ngaqë ajo është rrjedhojë e një kujtese të gjallë dhe vepruese, dëshmon për

vazhdimësinë dhe lidhjen e unit. Uni këtu mund të shfaqet si parim identiteti: është uni ai që i

bashkon copëzat e teksteve të ndryshme dhe i mbledh përtej ndarjes së kohërave dhe veprave.

Puna e kujtesës rreth veprave mbi kënetën nxjerr në sipërfaqe copëza të së kaluarës dhe këtu

është pushteti i saj kryesor: përreth ndërgjegjes së një subjekti mund të rrotullohen copa e

fragmente tekstesh, të cilat përmbajnë realitetin që ato thonë. Intertekstualiteti është në zemër

të marrëdhënies që subjekti mban me kujtesën, realitetin dhe letërsinë. Kështu të gjitha tekstet

autoriale që janë shkruar me referencë tharjen e Kënetës së Maliqit kanë brenda tyre

konceptimin e tyre të realitetit: subjekti është para së gjithash mbartës i një kulture dhe i një

tradite shkrimi që duhet t’i zgjojë. Përllogaritja e shkrimtarit profesionist të realizmit socialist,

Fatmir Gjata, ka qenë themelimi i një tradite të re leximi dhe ndjeshmërie të lexuesit, që tash e

mbrapa do të lidhet jo me vërtetësinë e fakteve, por me shfrytëzimin koniuktural të tyre në

shërbim të botëkuptimit të ideologjizuar komunist; që lexuesit duhet t’i afrohet një model

manipulativ “edukimi të ndjenjave” të “njeriut të ri”, pavarësisht çmimit të së Vërtetës. Tekstet

që pasuan për romanit të Fatmir Gjatës nuk hynë në polemikë me romanin, por e “skartuan” atë,

e fshinë, duke ofruar në vend të trillit të tij manipulativ një realitet empirik tronditës me

gumëzhimat e rënda mortore me të burgosur që përpiqen të mbijetojnë në zgrip të eksistencës

fizike. Intertektualiteti i këtij repertori është pra vendimtar për të ndriçuar raportet e shumta

estetike, etike, psikologjike e metafizike që ka Letërsia me të vërtetën dhe moralin e shkrimtarit.

Interstekstualiteti është vendimtar gjithashtu, sepse shkrimi nënkupton gjithmonë një kujtesë

tekstesh, kujtesë e cila dëshmon njëkohësisht për vazhdimësinë e unit dhe për rrjedhjen e kohës:

thirrja e këtyre teksteve e lejon subjektin të nënshkruahet brenda realitetit, historisë dhe

letërsisë. Një tjetër dëshmi ngjethëse nga makabriteti i Kënetës na e sjell me mjetet e kurrsyera të

poezisë, poeti Arshi Pipa me poemën e tij sonetike “Kanali” (26 sonete). Pa ndonjë ekzagjerim

dhe brenda thelbit krahasimor të realeve, poema është ekuivalentja e “Ferrit” të Dantes në

letërsinë shqipe. Vargjet e saj poeti i shkroi i sëmurë, përmbys, në spitalin e Korçës, mbi letra

cigarjeje. Dorëshkrimi origjinal ruhet sot tek e mortra e poetit. Ia vlen të ngremë paksa “velin”

e këtij peisazhi dantesk në dy sonetet e para:

Kanali

1

Nga Korça bumbullon. Currila shiu

rrjedhin prej mushamás mbi krena e shtroje.

Pështillen, struken gjindja ndër mbuloje:

Nji lamsh ku qelben recka e mish njeriu.

Mbramje. Dikush përbrî qet gjak për goje.

Këndon letas mbatanë nji fmí arxhiu.

Ky grindet për pak uj qi shoku i piu;

Ai shán se i vodhën bukën. Hín nji roje.

Shkopinj e shqelma. Britma. Frín bilbili.

Pushim. E dergjet lodhja, prân secili,

E flên kush mundet për atë natë me fjetë.

Si lazaret rënkon e fshân baraka.

Nesër të gjithë i pret kanali, brraka,

veç atyne qi pret nji vorr i shkretë.

Rreshtohet puntorija: ndahet çorba,

dy-trí patate qi vozisin n’uj.

E shtrîhen duert e dridhshme… Por shumkuj,

Pse normën nuk e kreu, s i njomet vorba.

Ky ngjyen bukën me krypë, ai nji këpujë

Qepe qëron. E shkunden xhepa e torba.

Për nji fundrrí kazani mu si korba

T’etshëm mbi kërma sulen me rrëmujë.

Mbasdreke. Diell. Tash lahen, hjekin llucën

Nga kofshët; terin petkat; ngjesin arna.

Dikush morritet. Njeni zien do barna,

Si shtesë për darkën; tjetri qepë këpucën.

Nji professor me syza vetullçil

Bythça duhani mbledh e i ban fitil.

A mund të quhen njerëz? Qe, shikoj.

Fëtyra dheu ku sít e shojtun ngrohen

Kur shofin bukën; faqe qi gropohen

E nofulla qi dalin si patkoj.

Kambët s i mbajnë e krahët u rrëzohen.

Si dordoleca lkunden qi vendoi

Mbi hunj kopshtari. Njerz kta ksisoj?

Shauretën janë qi nga vorrezat çohen.

Njerëz kanë qenë. Sot janë veç zhele mishi,

Automa kockash, nji bërsí, nji pleh,

Ku veç prej emnave dallon e njeh

Bujkun nga beu, tregtarin nga dervishi,

kusarin, simahorin, lakanderin

prej atdhetarit qi luftoi për nderin.

Raporti me të vërtetën në tektet mbi Kënetën e Maliqit

Nëpërmjet romani “Këneta” të Fatmir Gjatës, që njeh mbi tetë ribotime me tirazh

llahtarisht të madh, të përfshirë në të gjitha tekstet shkollore-universitare, të përfshirë në

kolanën “seria e romanit të zgjedhur (srz)”, të përcaktuar si lexim të detyrueshëm në shkollat

tetëvjeçare, të mesme dhe universitare, të përfshirë në të gjitha antologjitë shkollore, shto këtu

dhe versionin e tij filmik “Vitet e para”, një mikster manipulativ të memories – u ndërtuan deri

në vitin 1990 perceptime të rrejshme mbi të vërtetën.Thelbi i romanit “Këneta” të shkrimtarit

komunist Fatmir Gjata, niset nga një e vërtetë, por shkrimtari i partisë këtë të vërtetë e shndërron

tërësisht të përmbysur, të falsifikuar dhe në fakt, falsifikimi i kësaj të vërtete është një rivrasje

e shëmtuar e viktimave dhe martirëve që u dënuan. Personazhet e veprës – Abdi Sharra, Kujtim

Shaqiri, Vasil Minga, Zyraka, Enxhenio Skutarini, Harry Fulci, në roman paraqiten si sabotarë,

armiq të popullit e të partisë dhe agjentë të ndryshëm e sidomos të imperializmit amerikan.

Prandaj si të tillë duhej të dënohen dhe vërtet janë dënuar. Përballë tyre del ndonjë personazh

letrar me ideale të reja socialiste, me një zgjuarsi të veçantë për “zbulimin e armiqve të popullit”

dhe me besnikëri të plotë ndaj idealeve të partisë. Tema e romanit është tharja e kënetës së

Maliqit në vitin 1946, kur sapo ka zënë rrënjë regjimi komunist. Brezat shkollorë që e kanë

lexuar kanë krijuar një pështypje të veçantë nga vepra, kanë ndjerë kënaqësi dhe i kanë urryer

“armiqtë e popullit”! Mirëpo me kalimin e kohës, me ndryshimin e rrethanave politike, me të

dhënat e bazuara në të vërtetën e kësaj ngjarjeje, na del një realitet tjetër, të cilin shkrimtari

Fatmir Gjata nuk kishte guxuar ta paraqiste si të tillë. Nuk ishin ushtri të huajsh ata që varnin

të shkolluarit në Perëndim, por ishin dora vetë, komunistët shqiptarë, që ngritën trekëmbëshat

në vjeshtën e fundit të vitit ’46. Partia Komuniste shqiptare me levat e saj të propagandës e

përdori gjerësisht si referencë dhe edukim për brezat gënjeshtrën e madhe të “inxhinierëve

sobotatorë”. Mjafton të kujtojmë demarshin e kësaj propagande në artin socrealist.

Çfarë ka të vërtetë në realet historike të romanit të F. Gjatës? Pas largimit të

paralajmëruar të misionit amerikan nga Shqipëria, Sigurimi i Shtetit, me orientim “nga lart”,

filloi me ngut hartimin e listave të individëve proamerikanë, për të vazhduar spastrimet e

përgjakta të radhës. Në këtë kuadër u përgatit dhe u zbatua skenari për ndëshkimin e të

ashtuquajturve “sabotatorë” të tharjes së Kënetës së Maliqit. Anëtarët e grupit ishin inxhinjerë

dhe kuadro të aftë, që kishin mbaruar politeknikumin e Harri Fulcit, mandej studimet e larta në

universitetet e Europës dhe shikoheshin me frikë patologjike si kundërshtarë të regjimit

komunist, sikundër ngjau, pa përjashtim, më vonë, me të gjithë elitën intelektuale

properëndimore.

Gjyqi-skenar nisi pak ditë para largimit të misionit amerikan nga vendi ynë, nën tamburet

e një propagande frenetike që mbyste çdo mendim e qëndrim të ndryshëm nga opinioni publik

i kohës. Dështimi i tharjes së Kënetës së Maliqit në afatet e vëna palogjikshëm nga partia

komuniste, ishte vetëm sfondi ku u lujat ndëshkimi tragjik për “koka turku” mbi inxhinjerët e

pafajshëm. Ky gjyq synonte, me gjasë, për të deskretituar Harri Fulcin dhe për ta shmangur

ndikimin e shkollës teknike amerikane në prag të kthesës dhe izolimit të plotë të Shqipërisë nga

Perëndimi11. Të japim disa të dhëna në përballje me romanin “Këneta”:

– Avdi Sharra, si personazh letrar, është Avdyl Sharra i vërtetë, 35 vjeç, inxhinier i

ndërtimtarisë i diplomuar në Romë, i caktuar si kryeinxhinier në tharjen e kënetës së Maliqit.

Më vonë i dënuar me varje!

– Kujtim Shaqiri, personazh letrar, është Kujtim Beqiri i vërtetë, 30-vjeçar, inxhinier, fitues i

medaljes së artë në Universitetin e Vjenës. I caktuar si drejtor i punimeve në kënetë. I dënuar

me varje!

– Vasil Mano, personazh letrar, me emër të vërtetë Vasil Minga, mbaron fakultetin e

inxhinjerisë në Kroaci dhe kthehet në Shqipëri, së bashku me bashkëshorten e tij

– Zyraka Mano (kroate), e cila del në roman me po atë emër letrar. Të dy dënohen me

pushkatim për sabotim dhe “tradhti” ndaj popullit dhe atdheut! Para ekzekutimit ajo i drejtohet

të shoqit dhe një inxhinjeri italian ne fjalët: “Ngrini sytë nga qielli të na shikojë Zoti, se Ai dhe

ne e dimë që jemi të pafajshëm!”12, fill pas të cilave pushkatohet dhe ajo, edhe pse ishte

shtatzanë. Po ashtu dënohen me pushkatim drejtori i shkollës, Fulci dhe inxhinieri italian,

Eugenio Scaturo, në roman, Skutarini. Dhe gjithnjë, duke gjurmuar shkrimet rreth kësaj

ngjarjeje mësojmë se në tharjen e kënetës së Maliqit nuk ka marrë pjesë populli, as punëtorë

vullnetarë të partisë, por të burgosurit politikë nga të gjitha burgjet e Shqipërisë, nën masa të

rrepta sigurie e në kushte e masa ndëshkuese mesjetare. Këneta e Maliqit ishte shndërruar në

një kamp të tmerrshëm ku bëhej shfarosja e “armiqve të popullit e të partisë”! Prandaj është e

qartë se ngjarjet rreth kënetës së Maliqit janë shtrembëruar dhe janë hartuar ashtu siç i ka

pëlqyer regjimit komunist.

A do ta shkruante ndryshe shkrimtari Fatmir Gjata po të ishte gjallë?! Përveç romanit

ka edhe një film të kinostudios “Shqipëria e Re” (“Vitet e para”) për ta kanonizuar masivisht

versionin zyrtar komunist, po ashtu edhe dokumentarë mbi këtë diavoliadë. Në kënetën e

Maliqit, sipas versionit të propagandës komuniste punonte “populli, rinia jonë heroike”, ndërsa

e vërteta është krejt ndryshe: Kontigjenti që realizoi në kushte naziskine këtë vepër, ishin të

burgosurit politikë. Disa nga shifrat që afrohen janë se rreth tre mijë të burgosur kanë punuar

atje. 63 vetë kanë vdekur në punët e vështira, janë pushkatuar, janë varur në kohën e tharjes së

kësaj kënete. Masat represive që u ushtruan në kënetën e Maliqit u përkasin metodave të

nazistëve. Përditshmëria e të burgosurve kalonte nëpër kushtet ekstreme: mushkonjat, norma e

rëndë e punës, ushqimi i pakët, rrahja, ndëshkimet poshtëruese deri te groposja në kanal,

mungesa e teknologjisë (mjetet përbëheshin prej lopatës, kazmës, tokmakut, dekovilit,

dinamiti). Tharja e kënetës kërkoi shfrytëzimin mizor të energjive të mijëra vetëve, ndërkaq

shteti refuzonte kredi dhe makineritë moderne që përdorte bota në tharjet e kënetave.

Tekste të tjera të kronotopisë së Kënetës së Maliqit

Një korpus më vete përbën repertori i dëshmive memuaristike. Janë përvoja në lëkurë,

përjetime të vetë autorëve. Autorët më të spikatur midis dhjetrave, janë: Beqir Ajazi, At Zef

Pllumi, Ejëll Çoba, Sulejman Xhixha, Arshi Pipa, Sami Repishti etj. Ky i fundit i përshkruan të

burgosurit si “kufoma lëvizëse”, “leckamanë të mbuluar me baltë”, që transportoheshin të lidhur

me zinxhirë.

Tekste politike, ideologjike e diplomatike. Këtu mund të përfshihën në një repertor më

vete të gjitha tekstet e Historisë së Shqipërisë së pasluftës, Historia e PPSH, tekstet shkollore

apo universitare të Historisë. Te këto tekste mund të përfshihet dhe një tekst diplomatik, Raporti

i qeverisë Amerikane i paraqitur në OKB në shkurt të 1055, prej 10 faqesh, ku flitet hollësisht

për mënyrat çnjerëzore të trajtimit të të burgosurve politikë në Shqipëri, në këtë kamp

shfarosjeje.

Nëse do të përmblidheshin të gjitha tekstet e repertorit të Kënetës së Maliqit në një

antologji të kësaj “topike të trishtë”, atëherë në letrart shqipe do të kishim rreth 2000 faqe

tronditëse në disa zhanre.

Pasi kujton thënien e Danillo Kishit se “shkrimtarët nuk janë ndërgjegjja e kombit, sepse

në mesin e tyre ka shumë qelbanikë e kriminelë”, në çast të dalin përpara personazhet e Fatmir

Gjatës nga romani “Këneta”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Unë “bir i armikut”!
Homazh/ Ali Oseku: Sa mirë që është shpikur një gjë e bukur, kaq madhore sa fryma!
Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}