Rritja e eksporteve të bimëve medicinale pësoi një ngadalësim të ndjeshëm vitin e kaluar. Xhevit Hysenaj, kryetar i Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, thotë se, pas një cikli katërvjeçar rritjeje të kënaqshme, viti 2019 solli një lloj stanjacioni. Vlera e eksporteve arriti në rreth 45 milionë dollarë, por me një rritje modeste krahasuar me vitin 2018. Arsyeja kryesore, sipas tij, është ndërprerja e politikave mbështetëse për kultivimin e këtyre produkteve dhe ulja e subvencionimit të TVSH-së për fermerët.

Pas vitit 2014, politikat mbështetëse sollën një rritje të investimeve në këtë sektor, përfshi industrinë përpunuese. Nëse dikur bimët medicinale eksportoheshin pothuajse pas asnjë lloj përpunimi, tashmë vlera e shtuar e përpunimit në vend është rritur ndjeshëm. Një pjesë e madhe e bimëve medicinale përpunohen deri në përgatitjen e produkteve të gatshme për konsum. Këto produkte kanë arritur madje të marrin edhe miratimin e Agjencisë Amerikane të Ushqimeve dhe Barnave (FDA), për t’u tregtuar në SHBA. Amerika është një nga tregjet kryesore të eksportit të bimëve medicinale dhe nënprodukteve të tyre. Për fat të mirë, vala e parë e krizës së Covid-19 nuk e ka prekur shumë këtë sektor. Prodhimi dhe eksporti kanë vijuar normalisht. Megjithatë, z.Hysenaj shprehet se vazhdimi i krizës do ta bëjë ndikimin të paevitueshëm, për shkak të rënies së kërkesës dhe porosive nga tregjet ku këto produkte eksportohen.

Mbështetur në të dhënat e Instat, për vitin 2019 pati një rritje të prodhimit të bimëve industriale dhe medicinale. Si do ta cilësonit vitin 2019 për industrinë tuaj?

Në këndvështrimin tonë, viti 2019 ka patur një rritje të vogël. Eksportet e bimëve dhe esencave u rritën me rreth 26 milionë lekë krahasuar me vitin 2018. Por, industria jonë është e pakënaqur në kuptimin e vijueshmërisë së këtij treguesi gjatë viteve të fundit. Viti 2019 nuk ka vazhduar me atë ritëm rritjeje që kishte nisur prej vitit 2014. Rritja e vitit të kaluar nuk ka qenë në nivelet e viteve të mëparshme dhe nuk justifikon potencialet e këtij sektori, por edhe investimet e mëdha të kryera në këtë sektor, që janë ndër më të lartat në Ballkan.

Cilat janë arsyet që tregu për vitin e kaluar nuk u rrit në ato përmasa që ju prisnit?

Deri në vitin 2014, ky sektor ishte zhvilluar vetëm falë nismës dhe përpjekjeve të bizneseve private, pa asnjë vëmendje dhe mbështetje direkte shtetërore.

Në vitin 2014, në këtë sektor filluan investimet e para, të mbështetura edhe nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, por dhe nga skemat IPARD të Bashkimit Europian. Sektori u mbështet në të gjithë zinxhirin e tij, që nga fermerët e deri tek industria përpunuese dhe eksportuese. Kjo mbështetje dha një ndikim të ndjeshëm dhe të prekshëm në rritjen e prodhimit dhe të eksporteve. Nga 27 milionë USD që ishte vlera e eksporteve të industrisë në vitin 2014, u arrit në rreth 45 milionë USD në vitin 2018. Por, vitin e kaluar mbështetja me subvencione për kultivimin e bimëve aromatike u ndërpre në mënyrë të menjëhershme. TVSH që iu subvencionohej fermerëve u ul, nga 20% në 6%. Heqja e njëkohshme e të gjitha mbështetjeve sigurisht që dha një ndikim negativ në këtë sektor.

Ky sektor ka kapacitete për të eksportuar qindra milionë dollarë, sepse kemi krijuar përvojë, kemi bërë investime, kemi lidhur marrëveshje dhe kemi partner biznesi në të gjithë botën.

Disa kompani në Shqipëri kanë kaluar me sukses kontrollin e FDA-së amerikane, institucioni që garanton sigurinë e konsumatorit në SHBA. Ata kryejnë gjurmueshmërinë e produktit që ne eksportojmë deri në Shqipëri. Kjo tregon seriozitetin e kësaj industrie, por edhe potencialet që ka vendi ynë.

Cilat janë sot produktet kryesore të kësaj industrie dhe tregjet ku eksportojmë?

Produkti kryesor dhe më tradicional i sektorit të bimëve medicinal dhe aromatike, sherebela, eksportohet kryesisht në tregun amerikan. Gati 70% e gjithë importeve amerikane të sherebelës vitin e kaluar vinin nga Shqipëria. Esencat bimore që ne prodhojmë eksportohen më shumë në tregjet europiane. Rigoni eksportohet sidomos drejt Turqisë. Aguliçja në tregun gjerman. Pra, kemi një hartë të gjerë tregjesh ku eksportojmë. Ndërkohë, tani po krijohet edhe një profilizim i komapnive, për produkte të veçanta. Në vitin 2014, kompania ime eksportonte rreth 60 lloje të bimëve dhe esencave. Sot eksporton dhjetë herë më pak lloje bimësh, por dhjetë herë më shumë vlerë. Kjo ka ardhur falë profilizimit në produkte të caktuara, por sidomos falë shtimit të vlerës së prodhimit në vend. Është bërë një punë kolosale në përpunimin dhe shtimin e vlerës, falë investimeve të mëdha.

Deri në çfarë faze arrin përpunimi i bimëve? Nxjerrim sot produkte përfundimtare?

Disa kolegët e mi kanë arritur që të çojnë produktin final në kuzhinat dhe restorantet shqiptare. Por, për tregun vendas jemi në fazat e para.

Një lajm shumë i mirë është se ne tashmë eksportojmë produkt përfundimtar në tregun amerikan, produkt që përdoret në industrinë ushqimore. Ne e dimë sa e vështirë është kjo, u deshën mbi 25 vite rrugëtim që të arrinim këtë pikë, kur FDA-ja na hapi dritën jeshile për të eksportuar një produkt ushqimore në SHBA.

Cilat janë sot raportet mes prodhimit të egër dhe atij të kultivuar në bimët medicinale dhe aromatike?

Sot për sot, është më shumë prodhim i egër, duke përjashtuar bimë të veçanta, si sherebela apo rigoni, që në mbi 80% janë prodhim i kultivuar, por me farë autoktone shqiptare. Natyra jonë është shumë e pasur me bimë aromatike dhe një nga avantazhet e industrisë sonë është se bimët vijnë kryesisht nga natyra. Por, jo të gjithë e kuptojnë këtë rëndësi. Të marrim rastin e Durrësit. Specialistët e Bashkisë nuk lejojnë mbledhjen e bimëve mjekësore, si mersina, në brigjet e detit. Bima, nëse nuk korret, ajo degradon. Mersina është si vreshta, që nëse nuk krasitet, dëmtohet. Industria humbet, fermerët humbasin, interesi public humbet. Tregu botëror është sensitive. Nëse ne nuk plotësojmë kontratat për një ose dy vjet, blerësit kërkojnë tregje të tjera.

Sa është prekur sektori juaj nga kriza e shkaktuar prej epidemisë së Covid-19?

Industria jonë nuk ka pasur ndonjë ndikim të madh nga ana ekonomike, sepse fermerët janë lejuar të punojnë. Fabrikat e pëprunimit të bimëve njëkohësisht kanë vijuar normalisht punën, sipas protokolleve të sigurisë.

Por, nëse kjo situatë do të vazhdojë, rreziku për të pasur goditje në eksporte është i konsiderueshëm. Në SHBA janë mbyllur shumë fabrika të përpunimit tyë mishit dhe kjo mund të shkaktojë pasoja në kontratat për vitin e ardhshëm.

Sa subjekte punojnë në grumbullimin e bimëve mjekësore dhe aromatike dhe sa njerëz punëson kjo industri?

Sot janë rreth 45 subjekte që eksportojnë, por vetëm pesë prej tyre eksportojnë së bashku më shumë se gjysmën e totalit. Punësimi i fermerëve është sezonal, por numri it ë punësuarve shkon nga 12 mijë deri në 16 mijë vetë. Rreth 75% e vlerës së eksportit iu shkon fermerëve dhe bimët medicinale e aromatike janë shumë të rëndëisshme për ekonominë e zonave rurale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Besnik Aliaj: Shembja e Piramides nuk ndihmon ne memorien historike!
Arkitektura propagandistike dhe evolucioni i saj në Tiranë -Arkitektura si një “libër i hapur”
Miratohet hapja e të gjitha dosjeve të ish-Sigurimit
Relacioni i Vincenc Zmajević i vitit 1702/03 dhe rëndësia e tij për shqiptarët
Debati mbi oksidentin/Si dështoi në ‘34 projekti i Mbretit Zog për kabinetin e “të rinjve”…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}