Si tjetërsoi historinë romani i Fatmir Gjatës me titullin “Këneta”, duke vazhduar skandalin edhe në Ëikipedia, ku historia serviret e njëjtë, ku deri tani, të gjallët e përfshirë në këtë propagandë të krimit nuk janë distancuar duke ruajtur ende titujt “artist i popullit”!

Agron Tufa

Për kampin shfarosës të Maliqit kanë shkruar kujtime personalitete të rëndësishme të letrave shqipe, e njerëz të thjeshtë të cilëve iu ra për short të përjetonin atë rreth të përzishëm të Ferrit komunist. Mbresëlënëse e ngjethëse mbi punën në këtë kënetë janë memuaret e At Zef Pllumit, Ejëll Çobës. Nuk ishin ushtri të huajsh ata që varnin të shkolluarit në Perëndim, por ishin dora vetë, komunistët shqiptarë, që ngritën trekëmbëshat në vjeshtën fundit të vitit ’46-s.

shkrimtari Agron Tufa

Partia komuniste shqiptare me levat e saj të propagandës e përdori gjerësisht si referencë dhe edukim për brezat gënjeshtrën e madhe të “inxhinierëve sobotatorë”. Mjafton të kujtojmë demarshin e kësaj propagande në artin socrealist. Ka një roman të Fatmir Gjatës me titullin “Këneta”, që e shndërron të vërtetën e kësaj ngjarje në një afresk të manipuluar epike sipas kanoneve të realizmit stalinist në letërsi. Nëpërmjet këtij romani që njeh mbi tetë ribotime me tirazh llahtarisht të madh, të përfshirë në të gjitha tekstet shkollore-universitare, të përfshirë në kolanën “seria e romanit të zgjedhur (srz)”, të përcaktuar si lexim të detyrueshëm në shkollat tetëvjeçare, të mesme dhe universitare, të përfshirë në të gjitha antologjitë shkollore, – u ndërtuan deri në vitin 1990 perceptime të rrejshme mbi të vërtetën.

Thelbi i romanit “Këneta” të shkrimtarit komunist Fatmir Gjata, niset nga një e vërtetë, por shkrimtari i partisë këtë të vërtetë e shndërron tërësisht të përmbysur, të falsifikuar dhe në fakt, falsifikimi i kësaj të vërtete është një rivrasje e shëmtuar e viktimave dhe martirëve që u dënuan. Personazhet e veprës – Abdi Sharra, Kujtim Shaqiri, Vasil Minga, Zyraka, Enxhenio Skutarini, Harry Fulci, në roman paraqiten si sabotarë, armiq të popullit e të Partisë dhe agjentë të ndryshëm e sidomos të imperializmit amerikan. Prandaj si të tillë duhej të dënohen dhe vërtet janë dënuar. Përballë tyre del ndonjë personazh letrar me ideale të reja socialiste, me një zgjuarësi të veçantë për “zbulimin e armiqve të popullit”, dhe me besnikëri të plotë ndaj idealeve të Partisë .

Tema e romanit është tharja e kënetës së Maliqit në vitin 1946, sapo ka zënë rrënjë regjimi komunist. Brezat shkollorë që e kanë lexuar kanë krijuar një përshtypje të veçantë nga vepra, kanë ndjerë kënaqësi dhe i kanë urryer “armiqtë e popullit”! Mirëpo me kalimin e kohës, me ndryshimin e rrethanave politike, me të dhënat e bazuara në të vërtetën e kësaj ngjarjeje, na del një realitet tjetër, të cilin shkrimtari Fatmir Gjata nuk kishte guxuar ta paraqiste si të tillë.

T’i japim disa të dhëna në përballje me romanin “Këneta”: – Avdi Sharra, si personazh letrar, është Avdyl Sharra i vërtetë, 35 vjeç, inxhinier i ndërtimtarisë i diplomuar në Romë, i caktuar si kryeinxhinier në tharjen e kënetës së Maliqit. Më vonë i dënuar me varje!

– Kujtim Shaqiri, personazh letrar, është Kujtim Beqiri i vërtetë, 30-vjeçar, inxhinier, fitues i medaljes së artë në Universitetin e Vjenës. I caktuar si drejtor i punimeve në kënetë. I dënuar me varje!

– Vasil Mano, personazh letrar , me emër të vërtetë Vasil Minga dhe bashkëshortja e tij Zyraka Mano ( kroate) që del me po atë emër letrar, dënohen me pushkatim për sabotim dhe “tradhti” ndaj popullit dhe atdheut!

Po ashtu dënohen me pushkatim drejtori i shkollës, Fulci, dhe inxhinieri italian, Enxhenio Skaturra, në roman Skutarini.

Dhe gjithnjë gjurmuar shkrimet rreth kësaj ngjarjeje mësojmë se në tharjen e kënetës së Maliqit nuk ka marrë pjesë populli, as punëtorë vullnetarë të Partisë, por të burgosurit e burgut të Tiranës nën masa të rrepta sigurie e në kushte e masa ndëshkuese mesjetare. Këneta e Maliqit ishte shndërruar në një kamp të tmerrshëm ku bëhej shfarosja e “armiqve të popullit e të Partisë”!

Prandaj është e qartë se ngjarjet rreth kënetës së Maliqit janë shtrembëruar dhe janë hartuar ashtu siç i ka pëlqyer regjimit komunist. A do ta shkruante ndryshe shkrimtari Fatmir Gjata po të ishte gjallë?!

Fatmir Gjata
Fatmir Gjata

Përveç romanit ka edhe një film të kinostudios “Shqipëri e Re” për ta kanonizuar masivisht versionin zyrtar komunist, po ashtu edhe dokumentarë mbi këtë diavoliadë. Në Kënetën e Maliqit, sipas versionit të propagandës komuniste punonte “populli, rinia jonë heroike”, ndërsa e vërteta është krejt ndryshe: Kontigjenti që realizoi në kushte naziskine këtë vepër ishin të burgosurit politikë. Disa nga shifrat që afrohen janë se rreth tre mijë të burgosur kanë punuar atje. 63 vetë kanë vdekur në punët e vështira, janë pushkatuar, janë varur në kohë të tharjes së kësaj Kënete. Masat represive që u ushtruan në kënetën e Maliqit u përkasin metodave të nazistëve. Mushkonjat, kushtet e vështira të punës, ushqimi i pakët, rrahja, ndëshkimet poshtëruese deri te groposja në kanal, mungesa e mjeteve të punës (mjetet përbëheshin prej lopatës, kazmës, tokmakut, dekovil dinamiti dhe pako gjë – këto ishin kushtet e këtij kampi shfarosjeje. Tharja e kënetës kërkoi shfrytëzimin mizor të energjive të mijëra vetëve, ndërkaq shteti refuzonte kredi dhe makineritë moderne që përdorte bota në tharjet e kënetave.

Vetëm pas rënies së komunizmit për horrorin e vërtetë të kësaj Kënete shkruhet një roman tjetër – “Këneta e vdekjes” e Makensen Bungos. Sipas shkrimtarit Visar Zhiti, shkrimtari Makensen Bungo që punoi atje si i dënuar, përshkruan llahtarin, ujrat e turbullta të kënetës, që iknin duke marrë me vete kufoma dhe skelete njerëzish. Policia vriste këdo, si të donte. Prandaj dhe në titull është shtuar ndajshtimi përfundues “e vdekjes”. Nisur nga kjo, shemra e tij “Këneta”, mbase lë të nënkuptohet kënetën e partisë. Në atë kënetë kanë punuar si të burgosur dhe dy kolegë të shkrimtarit, prijëtari i rrëfimit shqip, Mitrush Kuteli, me poetin e studiuesin, profesorin në universitetet amerikane, Arshi Pipa, i cili arriti të nxjerrë nga ai burg “sonetet e Kanalit”, të cilat i botoi në Romë, më 1959 në vëllimin “Libri i burgut”. Ndryshe nga Fatmir Gjata, në sonetet e Pipës ne ndeshemi me atmosferën kobshme danteske, në rrathët më drithërues të “Ferrit” ku punonin të dënuarit politikë, sikundër na e jep këtë afresk të makthshëm soneti hyrës i poemës së tij “Kanali”:

I

Nga Korça bumbullon. Currila shiu

Rrjedhin prej mushamas mbi krena e shtroje.

Pështillen, struken gjindja ndër mbuloje:

Nji lamsh ku qelben recka e mish njeriu.

Mbramje. Dikush përmbri qet gjak për goje.

Këndon letas mbatanë nji fmi arixhiu.

Ky grindet për pak ujë qi shoku i piu;

Ai shan se i vodhën bukën. Hin një roje.

Shkopinj e shqelma. Britma. Frin bilbili.

Pushim. E dergjet lodhja, pran secili,

E flen kush mundet për atë natë me fjetë.

Si lazaret rënkon e fshan baraka.

Nesër të gjithë i pret kanali, brraka,

Veç atyne qi i pret nji vorr i shkretë.

Pasi kujton thënien e Danillo Kishit se “shkrimtarët nuk janë ndërgjegjja e kombit, sepse në mesin e tyre ka shumë qelbanikë”, në çast të dalin përpara personazhet e Fatmir Gjatës nga romani “Këneta”. Në këtë rast nuk ke si të mos shtrosh dilemën se, po të ishin gjallë ata personazhe, si do të silleshin vallë me autorin e tyre? Çfarë do të bënin gjithë ata inxhinierë shqiptarë, që autori i librit i shpalli sabotatorë, dezertorë dhe armiq të atdheut!? Dhe së fundi do të ishte me vend të ngremë një pyetje kuaziretorike, së cilës na takon t’i përgjigjemi njëherë e mirë: Si do t’ia bëjmë ne, si shoqëri, me botën e librave të mbushur me shtresa të trasha gënjeshtrash?

***

Gjyqi i “sabotatorëve” për tharjen e kënetës së Maliqit

Më 8 nëntor 1946, ditën e premte, në sallën e Kinemasë Nacionale filloi gjykimi kundër 16 anëtarëve të grupit sabotator për tharjen e kënetës së Maliqit. Anëtarët e këtij grupi ishin inxhinierë dhe teknikë të aftë të përgatitur në shkollën shqiptare amerikane “Harry Fultz” dhe diplomuar në Universitetet e evropiane.

Ishte një gjyq me skenar të përgatitur me imtësi qysh më parë, i cili u hap në fillim të nëntorit 1946. Dështimi gjoja i tharjes së kënetës së Maliqit ishte preteksti dhe sfondi tragjik ku u luajt akti i turpit dhe ndëshkimit me jetën e intelektualëve të radhës.

Gjykata e Lartë Ushtarake e përbërë nga: nënkolonel Gaqo Floqi, kryetar e kapitenët Veledin Zeneli e Neshat Hyseni, anëtarë dhe prokurorë Nevzat Haznedari jep vendimin:

Me varje në litar:

Abdyl Sharra inxhinier, Kujtim Beqiri, inxhinier, i rivarur dy herë, sepse herën e parë i shpëtoi varjes

Dënohen me pushkatim:

Vasil Mano inxhinier, Zyraka Mano ekonomiste, bashkëshortja e tij, shtatzënë, duke u pushkatuar me foshnjën në bark, Euxhenio Skaturo inxhinier italian, Mirush Përmeti inxhinier

Me burgime të rënda u dënuan teknikët:

Hans Vata, Mario Guarnjeri, Mihal Stratoberdha, Jani Vasili, Pandeli Zografi, mjeku italian Anastasio Riçio etj

Skandali i “Kënetës”; vazhdon indoktrinimi në Wikipedia

Ngjarja e vërtetë ka përballë devijancën në dy krijimtaria artistike të prodhuara në diktaturë për ta fshehur historinë reale të gjyqit për tharjen e kënetës së Maliqit. Ndonëse është bërë i njohur fakti se romani i Fatmirës Gjatës “Këneta” kthen një realitet në gënjeshtër, po ashtu dhe ish kinostudio ka një produksion mbi këtë roman të titulluar “Vitet e para” me regji të Kristaq Dhamos deri tanë asnjë distancim, apo rrëfim mbi të vërtetën e kësaj historia nga të gjallët nuk është bërë.

Historia e “sabotatorëve” të Maliqit, ku shkuan me varje në litar dy inxhinierë dhe të pushkatuar gjashtë të tjerë qoftë dhe institucionalisht nga Arkivi i Filmit nuk është reaguar. Në fakt deri tani nuk njohim ndonjë nismë që të zbardhet historia ndryshe, në bazë të fakteve ajo e vërteta nga institucione, apo organizime festivalesh të filmit, që të zbërthehet realiteti, duke vështruar deri ku ka shkuar indoktrinomi i shqiptarëve në diktaturë. E për fat të keq ka vazhduar edhe në këto 20 vite duke harruar historinë. Për këtë të bind edhe fakti se në Ëikipedia ku volëm informacionin mbi filmin në mënyrë të turpshme shkruhet ende se “filmi është bazuar në një ngjarje reale të marrë nga një roman i Fatmir Gjatës. Ngjarjet ndodhin gjatë tharjes së kënetës së Maliqit midis Stavri Larës sekretar partie dhe Abdyl Sharrës dhe Zyrakës të cilët kanë bërë sabotime. Stavri Lara i zbulon ata dhe do t’i demaskojë publikisht”. Aty vetëm sqarohet thatë se: “Në ngjarjen reale dy njerëz nga stafi teknik janë ekzekutuar”. Filmi mban vendin e prodhimit dhe vitin 1965, bashke me ekipin realizues që janë: Regjia Kristaq Dhamo, skenari Fatmir Gjata, muzika Nikolla Zoraqi, aktorët kryesore: Pirro Mani- Stavri Lara, Aleksandër Prosi – Abdyl Sharra, Margarita Xhepa – Zyraka, Ilia Shyti – Inxhinier Mborja, Pandi Raidhi – Kasëmi, Skënder Plasari – Ekskavatoristi, Spiro Urumi – Fulci, Bexhet Nelku – Aleksi, Todi Thanasi – Ing. Minga, Maria Kraja – Nëna e Stavrit, Mihal Stefa – Mësuesi, Thimi Filipi -Sekretari i Partisë, Violeta Manushi – Lonevica, etj. Sic shihet nga lista aktorët që janë ende gjallë janë të nderuar me titujt e diktaturës “Artisti i Popullit” vetëm për kësi rolesh, dhe deri më sot asnjë prej tyre nuk është distancuar, apo të paktën të rrëfejë a të pranojë diktaturën si krim, dhe vetë ata bashkëpunëtorë në shumëfishimin në mendjen e njerëzve. Alibia që përdorin sa herë qëllon fjala për filmat e diktaturës alibia e tyre më e zakonshme është “nuk mund të dilnim nga binarët”, që presupozon frikën intelektuale, që edhe sot jua mban gojën e lidhur dhe historinë në kthetrat e së kaluarës diktatoriale.V. M.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Fati i themeluesve të shtetit shqiptar
Të përndjekurit nuk i luftuam me plumba, por me shpërfillje
Unë “bir i armikut”!
Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}