Nga Agron Tufa
(31 maj 1954 – 22 tetor 2020)
Ikja e papritur e Ramadan Musliut, poetit dhe kritikut të shënuar të letrave tona më goditi dhe mua, si shumëkënd tjetër besoj, që e ka çmuar letërsinë e tij, kontributin krijues e intelektual të Danit. Ai ishte një natyrë e urtë, sqimatare, një burrë jashtëzakonisht i këndshëm e i çiltër kur gjente kuvendues. Kam mësuar shumë prej dijeve të tij në mes të viteve ’90. Përtej fjalëve dhe mpirjes që më pushton, dua t’ju sjell një pjesë nga ajo pavdekësi e poetit Ramadan Musliu, i cili gjatë gjithë karantinës së këtij viti na solli zërat e padekësisë me poetë nga gjithë kulturat. E hidhur të mendosh se kjo paska qenë vjeshta e mbrame e poetit. Prandaj për vete dhe për miqtë e poezisë po sjellim një pjezës të tij, ku mendoj se harrimi nuk është i pushtetshëm: Poezitë. Dhe mendoj se mbijetesa e poetit s’ka ku provohet më mirë, përveçse në silabet e vargjeve të tij.
Lamtumirë Dan, poet e njeri fisnik!
METAMORFOZAT E VJESHTËS
Me gishtërinjtë prej kristali
dielli gdhend fytyrën e vet
në gjethet plastike të hardhisë.Fryma ime
ngjitet trungut
kah palca
për ta thithë rrëshirën e kësaj dite vjeshte
Ai lëng i ardhur në tetrapak
mbështjellë me cipë alumini
që ruan ujin të mos thartohet
nga fryma e borës
Frutat po piqen
dhe avulli me përtaci është shtrirë
nëpër gjithë sipërfaqen e sheshit
Thell në ne
si në një shporet të ndryshkur
nën dritën e llambës elektrike
zbardhet drama e ndërrimit natyral
të gjendjeve agregate të ajrit
Energjia e fshehur në asht
zgjohet dhe lëviz
zingjirin e ndryshkur
të metabolizmit
Ja tani po fillon me shumë lëngje
fotosinteza
në gjethin prej plastike
dhe ngjyra jonë
ndërron: kuq e zi
vetëm kuq e zi, vëlla
në gjethin që mbulon
pjesët e padiellosura të trupit.
VJESHTË E VONË
Si një petk i vjetruar plot arna
rri e varur vjeshta
në gozhdën e ndryshkur të stinës
E tund era
netëve me hënë
fëshfërin si celofan
me të cilin mbështjellë e kam
një medalon të harruar
Statujës metalike mbi komodinë
ia numron vitet
që mosha ia gdhendi
në boshtin e saj pa unaza
Këmishën varur ma ka
në akrepat e orës
që trupin tim e kërkon
nën hijen e zverdhur të lisit
Dhe pas pak nga ora
do të dalë qyqja të këndojë
këngën e ushtarit të vjetër
që fitoret gdhendur i ka
në dorëzën e fildishtë të shpatës.
PARALAJMËRIMI I DIMRIT
Kam frikë nga dimri
nga mumiet e ngrira të borës
që dalin natën
nga hijet e pemëve
nëpër rrugë. Një hap larg është vjeshta
nga hija e trashë e arrës
që shtrihet përtace nën gjethet e kalbura të kopshtit
që i mbulon fshehtësitë nën lëkurë
Mbase rrëkeja e parë e shiut
mnund ta shpërlajë atë gjurmë të thembrave
që shkon deri
deri te kanalin
buzë rruge
Ku e derdh kohën time të lirë. Diçka si acid
më është derdhur në gjuhë
dhe s’ më lë të më zërë gjumi
e t’i harroj
të gjithë rrathët e pagërvishura
në trungun tim të moshës.
BARDH E ZI
Na buzëqesh nga ekrani
na përshëndet
me dorën në zemër
me pjesën e brendshme të syrit
fotografon pamjen tonë
sipas teknikës bardh e zi
Për të kremtë
rri gju më gju me ne
dhe ngre dolli
për gjithë ata që s’ janë më
në mesin tonë
Të etur
na kalon
matanë lumit
Na prin në labirinth
dhe na merr për dore
kur shkojmë kryelart
nga humnera
Biografi
Ramadan Musliu, u lind në Beguncë të Vitisë, më 31 maj 1954 .
Punoi si profesor i gjuhës dhe letërsisë Shqipe në Viti. Më pas, për një periudhë të gjatë, në gazetën e përditshme “RILINDJA”.
Gjatë viteve të nëntëdhjeta të shekullit të shkuar, u mor dhe me veprimtari politike në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Pas luftës, u zgjodh deputet, në legjislaturën e dytë të Kuvendit të Kosovës.
Jeton dhe krijon në Prishtinë.
Ka botuar pesë libra me studime dhe kritikë letrare:
“Mbindërtimi poetik”, 1990, Prishtinë;
“Konfiguracione narrative”, 1998, Tiranë;
“Estetikja e dallueshme”, 2005, Prishtinë;
“Ekskurs në letërsinë për fëmijë”,2000, Shkup
“Tangjenta letrare”,2012, Prishtinë
Si dhe, pesë librave me poezi:
“Parodia e trupit”, 1981, Prishtinë;
“Shqisa e gjashtë”, 1985, Prishtinë;
Pasqyra e të rrëfyerit”,1987, Prishtinë,
“Kënga e sibilave”, 1996 Tiranë,
“Në zemrën e gjërave”, 2004, Prishtinë