Në mbrëmjen e 9 shtatorit, historiani Romeo Gurakuqi lajmëronte për zjarr në Kepin e Rodonit, pikërisht në kishën mesjetare, të Shën Ndout. I alarmuar për këtë pamje, historiani ka reaguar në rrjetin social, por asnjë sinjal tjetër nuk ka pasur edhe dy ditë më pas. S’ka pasur asnjë shenjë nga ministria e kulturës, as ndonjë lajm emergjent siç janë të zakonshme nga mediat të turren. Në këtë mëshirë të fatit, historiani shkon më tej duke aluduar se zjarri në vende të tilla po bëhet gati e qëllimshme, për tu shfrytëzuar nga qeveria për synime biznesi.
Në mbrëmjen e 9 shtatorit, historiani Romeo Gurakuqi lajmëronte për zjarr në Kepin e Rodonit, pikërisht në kishën mesjetare, të Shën Ndout. I alarmuar për këtë pamje, historiani ka reaguar në rrjetin social, por asnjë sinjal tjetër nuk ka pasur edhe dy ditë më pas. S’ka pasur asnjë shenjë nga ministria e kulturës, as ndonjë lajm emergjent siç janë të zakonshme nga mediat të turren. Në këtë mëshirë të fatit, historiani shkon më tej duke aluduar se zjarri në vende të tilla po bëhet gati e qëllimshme, për tu shfrytëzuar nga qeveria për synime biznesi.
Ja si ka reaguar një ditë më parë Gurakuqi: “Një ndër kishat më të rëndësishme të periudhës së Mesjetës shqiptare, Kisha e Shën Ndout në Kepin e Rodonit ndodhet në këto orë e rrethuar nga flakët. Bëhet fjalë për një monument historik dhe për një ndërtesë, që i takon arkitekturës romaniko-gotike te shek. XIII, që ndodhet afër Kalasë së Skandërbegut, një masiv pyjor qarkues, pronë e Kishes Katolike (Provinces Franceskane Shqiptare), që rrezikojnë të dëmtohen tërësisht nga zjarrëvënës dhe grabitës profesioniste.
Afrimi i përditshem dhe i pandalun nga Qeveria e Edi Rames i gllabëruesve të tokave në bregdetin rreth e qark Kepit te Rodonit, zonave në Jug dhe Veri të kësaj pasurie natyrore dhe kulturore, që në mënyrë të pakuptimtë dhe artificialisht vazhdon t’i mbetet Durrësit, ka qenë një sinjal paralajmërues për zjarrvënien e natës së sotme.
Ajo që po ndodh në këto orë në Kepin e Rodonit duhet të vendose në alarm dhe veprim të gjitha strukturat e specializuara të Shtetit, Forcat e Armatosura, Ministrine e Mbrojtjes, Ministrine e Puneve te Brendshme dhe bashkite Durrës, Kurbin, Krujë, Lezhë dhe Tiranë.”
Kepi i Rodonit është një rrip toke në formë gadishulli që futet në brendësi të detit Adriatik. Ai shtrihet në formë trekëndëshi midis gjirit të Rodonit në veri dhe atij të Lalzit në jug. Në veri të tij derdhet lumi i Ishmit një nga lumenjtë e vegjël të Shqipërisë. Kepi i Rodonit është kepi më i madh në vendin tonë, i cili mbyll nga ana e jugut gjirin e Drinit. Paralel me bregun e tij shtrihen kodra argjilore, të cilat dallohen nga format e rrumbullakëta që e rrethojnë krejt kepin. Një pjesë e tyre mbulohen nga pyje të vogla duke krijuar dy ngjyra shplodhëse: të kaltrën e detit dhe të gjelbrën e bregut.
Pak histori
Kalaja e Rodonit u ndërtua nga Skënderbeu rreth viteve 1451-1452. Ndërkohë që punime plotësuese në të u bënë edhe në vitin 1463, kur Skënderbeu solli disa mjeshtra raguzianë të ndërtimit. Pas vdekjes së Skënderbeut kalaja u mor nën kontroll nga Venediku, i cili në vitet 1500, kur Durrësi nisi të kërcënohej nga osmanët, ndërmorën punime për rindërtimin e saj. Qëllimi I ndërtimit të kësaj kalaje nga Skënderbeu ishte sigurimi i një daljeje komunikimi në bregdet, i cili kontrollohej nga Venecianët, të cilët gjithmonë e shikonin politikën e Skënderbeut me dyshim.
Ndërkohë kalaja do të shfrytëzohej ndoshta edhe si stacion i fundit i Skënderbeut për tu larguar drejt Italisë, në rastin e një sulmi fatal turk. Për këtë qëllim në 22 janar 1462 në bisedimet e zhvilluara në Raguzë midis Ambasadorit të Skënderbeut Andrea Gazuli dhe Republikës Dalmate, Skënderbeu kërkoi ndihmë detare. Kjo gjë u sigurua në traktatin e 4 shkurtit 1462 ku Raguza në rast lufte do ti vinte në shërbim Skënderbeut limanët dhe flotën e saj për qëllime të luftës kundër turqve. Vite më vonë pasi u pushtua prej turqve kalaja e Rodonit nuk u shfrytëzua më për qëllime ushtarake. Për tu mbrojtur ajo kërkonte punime plotësuese por ishte edhe pre e lehtë për tu goditur nga artileria e anijeve të luftës (Gj. Karaiskaj, 5000 vjet fortifikime në Shqipëri, Tiranë 1981, fq. 183-185). Kështu ajo u braktis për tu quajtur një relike e kohës së shkuar, u lanë jashtë kujdesit për tu shndërruar në rrënojë.
Kalaja e Rodonit
Kalaja e Redonit nuk ishte një Kala e mirëfilltë, por një fortifikim i cili përbëhej nga një mur mbrojtës me gjatësi 100 m që shtrihej nga një breg i kepit në bregun tjetër. Ky mur shoqërohej edhe me një hendek që mbushej me ujë deti. Në anën veri-lindore muri ishte i paisur me një hyrje me të cilën kryhej komunikimi. Ngjitur me këtë hyrje ndodhej një bastion në formë harku i cili shtrihej paralel me bregun. Ai ishte i lartë rreth 10–12 m dhe muri i tij kishte një trashësi prej 3–6 m. Muri i Bastionit shoqërohej nga një tjetër mur i dytë në formë paraleli në distancë 4,80 m (5000 vjet fortifikime në Shqipëri. Gj. Karaiskaj. Tiranë 1981. fq.182). Në të dyja anët ekstrem të tyre muri dhe Bastioni ishin të paisur me kulla. Interesante është se edhe sot shihen në rrënojat e tyre frengjitë e topave të dikurshëm. Një kullë e tretë ndodhej 200 m në brendësi të kepit. Ajo shërbente për të komunikuar me anë të zjarreve në vijë ajrore me kalanë e Krujës. Fortifikimi ishte ndërtuar nga gurë shtufi të punuar me forma katërkëndëshi. Ata ishin të lidhur me llaç dhe të kombinuar me tulla. Kështjella u ngrit nga Skënderbeu për të pasur një dalje në det duke mos qënë në varësinë e Venedikut, që kishte nën kontroll bregdetin. Por Skënderbeut i duhej edhe një pikë portuale për të zhvilluar aktivitet tregtar me perëndimin, pasi lufta shqiptaro-turke “gëlltiste” të ardhura të shumta, për të cilat ai kishte shumë nevojë. Dokumentat Venedikase dëshmojnë se edhe gjatë shekullit të XVI-të në Rodon ka ekzistuar një skelë detare e kompletuar që quhej në shumës “Dyert e Redonit” (Dokumenta të shekujve 16-17 për Historinë e Shqipërisë. 1. Tiranë 1989. dokumenti 191).
Ndërtime të tjera
Kisha e Shën Ndojit
Pranë kështjellës së Kepit të Rodonit ndodheshin edhe katër manastire katolike të cilat kanë ekzistuar në këtë vend të vetmuar përpara se të ndërtohej kështjella. Të tilla manastire kanë qënë ai i Shën Anastasisë, Shën Kollit, Shën Mërisë dhe ai i Shën Ndout. Ky i fundit ishte i vetmi objekt që ekzistonte deri përpara disa vjetësh në gjëndje rrënoje. Kisha e Shën Ndout kishte një planimetri 13,6 m x 6,2 m. Ajo përbëhej nga Naosi, narteksi dhe kthina e altarit (A. Meksi. Arkitektura mesjetare në Shqipëri. Fq.135). Objekti ishte ndërtuar me një muraturë prej gurësh shtufi dhe tullash të lidhura me llaç gëlqereje, ku është përdorur teknika bizantine e kluasonazhit. Kisha i takon arkitekturës romane-gotike e cila shihet tek harqet e mprehta. Kisha e Shën Ndout është ndërtuar sipas specialistëve në shekujt 14-15. Njëri prej këtyre manastireve përmendet në një document të vitit 1488 në të thuhet që Papa Inoçenti VIII-të u lejon Minareve Observante të Dalmacisë të marrin rishtaz nën kujdesin e tyre manastirin e Rodonit pranë Currilave. (Dokumenta të shek. XV për historinë e Shqipërisë. Vëll IV.I. fq.108) Ndikimin dalmatin edhe në fushën e besimit në Shqipërinë e shekullit të XV. Diku në fund të viteve 1990 (1998-200) në financime gjermane u restaurua kisha e Shën Ndout, ku sipas legjendës këtu ka kaluar një pjesë të kohës së saj motra e Skënderbeut, Mamica.