nga Entela Tabaku*

Sot me 9 nëntor, 100 vjet më parë, Nils Holgersoni përfundon udhëtimin e tij nëpër Suedi dhe troket me hezitim në derën e shtëpisë. Nilsi heziton, sepse i dhimbsen prindërit. E di sa do të dëshpërohen kur të shohin se është shndërruar në xhuxh. Por e shtyjnë ndjenjat e miqësisë, i duhet të shpëtojë patokun mik Martin, që prindërit kanë ndërmend ta mbysin për Shën Martin, siç ishte zakon në Suedi. E ëma hap derën dhe shpërthen në ”Oh, sa qenke rritur!”. Këto fjalë shënojnë edhe përfundimin e udhëtimit të brendshëm të Nilsit. Ndjenjat e dhimbsurisë dhe miqësisë, që provon aty përpara derës, e bëjnë njeri jo vetëm fizikisht, por shënojnë edhe rritjen e tij si njeri.

perkthyer nga Entela Tabaku


Nilsi e nis udhëtimin si njeri i vogël, në të gjitha kuptimet. Prindërit janë të dëshpëruar. Ky djalë është i pashpresë. I ati e përshkruan si një djalë dembel, të pabindur dhe të trashë. E ëma e përshkruan si fëmijë zemërkeq që torturon kafshët dhe njerëzit. Dhe prindërit nuk gënjejnë. Gjatë librit do të mësojmë se Nilsi, ashtu siç thotë i ati, kurrë nuk ia ka vënë mendjen mësimeve në shkollë, kurrë nuk e ka kuptuar sa shumë punonin prindërit. Edhe kur ruante patat, më shumë e kishte mendjen të ngacmonte shokët. Dhe, ashtu siç thotë e ëma, ka torturuar të gjitha kafshët e fermës, ka rrëzuar të ëmën kur shkonte me kovat e qumështit e të tjera si këto.
Por njëkohësisht, indirekt, mësojmë edhe mënyrën si e kanë rritur të birin. Nga përshkrimi i prindërve, kuptohet se i ati ka prindëruar në mënyrë dominante dhe autoritare. Ai është rrufeja dhe bubullima në qiell: Nilsi nuk vlen asnjë lek dhe duhet ta ketë të qartë se nuk vlen për asgjë. E ëma prindëron si rrufepritëse: e ruan, ia fal të gjitha pa kushte, përkujdeset që të mos i bjerë rrufeja në kokë. Që në rreshtat e parë, me “bubullimën” e parë, vrapon si e marrë t’ia rregullojë vendin ku do të ulet e të lexojë i biri, sepse e ka dënuar i ati. Por kur Nilsi zhduket pa gjurmë, shpjegimi i tyre i mënjehershëm është se ka vjedhur patokun dhe ka ikur nga shtëpia. Në thelb të dy e duan shumë Nilsin dhe ia kanë siguruar të gjitha, simbas normave të kohës. Por ky prindërim ekstrem, nga njëra anë dominant dhe autoritar dhe nga ana tjetër krejt pa kushte, kanë krijuar një monster, një përbindësh. Nilsi është një monster i vogël. Argëtohet duke u shkaktuar dhembje kafshëve dhe, siç do të thotë gjatë librit, nuk ndien dashuri për askënd, nuk i do as prindërit, as shokët. E para qenie për të cilën do të ndiejë dashuri është Aka, pata e egër prijëse. Pse vallë? Çfarë bën Aka, që nuk e bëjnë prindërit e Nilsit?


Si gjithë librat e mirë, ky libër ka shumë nënshtresa. Nilsi “fluturon” edhe mbi një manual të prindërimit të mirë. Aka është po aq autoritare sa i ati i Nilsit, në kuptimin që nuk është se ia përshtat Nilsit rregullat e veta, POR ajo i jep atij gjithmonë mundësinë ta tregojë veten dhe tregon besim se do t’ia dalë mbanë. Nëse të thonë gjithë ditën se je kokëbosh, edhe në mos e paç bosh, do ta boshatisësh. Aka është përkujdesëse si e ëma, e ndihmon psh të gjejë ushqim, POR përkrah dhe bashkë me Nilsin, nuk e bën punën në vend të tij. E dënon haptas shpirtligësinë, por jo duke rënkuar dhe duke u ankuar, apo duke u çirrur, POR duke i treguar me shembuj se ku të çon dashakeqësia, se si vuajnë të tjerët nga dashakeqësia dhe pakujdesia e tij. Njëkohësisht që ka humor e qesh e tallet dhe e bën jetën argëtuese. Jeta me Akën është e mundimshme, por e gëzueshme. Jeta me Akën e bën Nilsin të ndihet i gjallë dhe i vlefshëm. Konfliktet janë të pashmangshme, Aka vetë e ka provuar me birin e vet adoptiv Gorgon, POR dashuria dhe respekti mes tyre është i padiskutueshëm.
Nilsi niset kështu si një djalë shpirtvogël, por ai që kthehet natën e Shën Martinit është një djalë zemërgjerë, i gatshëm ta ndajë mantelin e vet me të tjerët. Ky shndërrim nuk ndodh me magji, por në sajë të prindërimit të mirë të Akës.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Homazh/ atDheu i Podrimjes, ku është pas lufte?
Aventurë mbi librat e Lorkës
Botohet libri i rrallë 1847-es/ I pari historian i letërsisë shqipe, por arbëreshi është lënë në harresë
Poeti kombëtar Naim Frashëri, përkthyesi i parë i Iliadës në gjuhën turke
Bukuria e provokimit apo bukuri e konsumit masiv?
Vlerësohet për romanin “Flama”/ Gazetari Enkel Demi alias Tom Kuka merr çmimin Europian të Letërsisë, për vitin 2021
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>