Rikthimi i novelës drejt kushtit të poezisë

nga JOSE SARAMAGO

Përktheu nga spanjishtja: Brikena Smajli

    “Nga poema tek novela”; një rrugë, një udhëtim mes hapësirës, kohës dhe botësh të ndryshme; nga poemat homerike tek Marsel Prusti apo James Joyce-i, duke kaluar përmes përrallave të “Njëmijë e një netëve”, “Epikës indiane”, “Parabolave të Shkrimit të shenjtë” dhe “Këngës së këngëve”; nëpër “Fabulat milesiane” dhe “Gomarin e artë”; përmes “Rrëfimeve heroike”, Romancave të Rolandit dhe “Kërkimit të kupës hyjnore”; Aleksandrit  dhe Robin Hudit; përmes “Romanit të trëndafilit” dhe “Romanit të dhelprës”; Gargantuasë, “Dekameronit”, “Amadis-it” të Gaulit dhe “Don Kishotit”; ashtu si edhe përmes “Udhëtimeve të Guliverit” dhe “Robinson Kruzosë”; Verterit dhe Tom Xhonsonit; përmes “Ajvenhoe-s”, “Pesë mars” dhe “Tre muskëtierëve”; përmes “Shën Mërisë së Parisit” dhe “Komedisë njerëzore”; “Shpirtrave të vdekur” dhe “Luftës e paqes”; përmes “Vëllezërve Karamazov”, “Manastirit të Parmës” dhe “Malit magjik”. Deri këtu udha jonë është e qartë; ajo fillon një ditë, me një qarje të fortë nën hijen e një peme apo brenda një shpelle, në një fushim nomandësh nën qiellin e hapur, në një shesh publik apo në një tregtore dhe me pas,…dikush filloi të shkruajë, dhe me pas, më pas një tjetër shkroi për atë që qe shkruar, përherë duke përsëritur, përherë në përsosje, e tjetri, e tjetri, duke përshtatur e latuar fjalët në qetësi, për një lexim që lëmohet në heshtje.

          Pavarësisht nga mospërputhjet, midis fakteve të ditës dhe kësaj përhumbjeje lirike, të prirjes së fortë drejt narracionit që thotë psalmin për një tekst përkorësisht të saktë, shkruar në përshtatje me rregullat, perceptimet dhe normat, pa iu shmangur sistemit të konvencioneve; pavarësisht nga fakti i paikshëm, se janë të përkohshëm dhe rrjedhimisht të rivendosshëm  nga sisteme të tjerë, të dënuar të zhduken njëri pas tjetrit, kur t’u vijë ora, përfytyrimi që sapo kam nëpërmendur shërben thjesht për të ilustruar sa më bindshëm pjesën e parë të titullit që kam vënë në ekspozenë e shkurtër  “Nga poema te Novela”  dhe, për qëllimet që kisha në mendje, ky titull është po aq i përshtatshëm sa të tjerët. Ndonjë problem do ta shtjelloj më vonë ose, më mirë edhe tani.

          Them nga Novela te poema dhe këtë pikë do ta paraqisja ose të paktën, ta sugjeroja si hipotezë të kënaqshme, për atë gjini letrare së cilës i referohemi me novelë, e cila ka për të lëvizur, aq sa të mundet, në një drejtim, si një lavjerrës imagjinar, që tani lëkundet i varur trajektores së tij duke përsëritur ndoshta gjithë ato çaste të përjetuara, para se të rikthehet në varg rudimentar nga ku, rishtas do të fillojë udhëtimin e tij të njohur, duke kapërcyer disa shekuj apo mijëvjeçarë në të ardhmen. Nuk jam plotësisht i dhënë pas kuptimit të zakonshëm. E di se dinamika dhe kinetika buron nga një fushë tjetër e dijes edhe pse letërsia përsërit pambarimisht vetveten, siç pohova më parë apo është edhe pafundësisht e shumëllojshme siç po ashtu kam thënë. Megjithatë, askush nuk mund të ndihmojë për të kujtuar njëfarë Pierre Menard-i që e shkroi Don Kishotin  identik, fjalë për fjalë me atë të Servantesit, siç na informon Borhesi në Krijimet e tij, dhe duke pas përsëritur fjalë për fjalë veprën e pavdekshme të Njeriut me një krah nga Lepanto ( i quajtur kështu për të shmangur përsëritjen e emrit) dhe një Camoensi fatpak, sepse askush deri më sot nuk ka guxuar ta quajë  “Burri me një sy nga Ceutà”, shpesh na thotë gjëra krejt të ndryshme, thua të kishte vërtetë mënyra të ndryshme për kuptimin e tyre në shekullin tonë edhe në ato 16 shekuj të cilët nuk i kujtojmë. Në fund, prapë ky shembull na vë të kuptojmë  se një ripërsëritje e përpiktë është e pamundur; prandaj siç lëkundet lavjerrësi, kur kthehet rrugës së tij, duke rigjurmuar shtegun e njohur, e lë përherë diçka prapa vetes, të ngjashme me një alternativë të rastit, nëse është e lejueshme  kjo kontradiktë e ashpër me termat…

Natyrisht, mua nuk më mbetet veçse të mallkoj veten pse përfundova në këtë tunel qorr prej të cilit nuk është lehtë të dalësh. Në fakt, nëse në novelë nuk lejohet të udhëtosh në të kundërt, nëse Menard, kur kaq kujdesshëm krijoi një kopje besnike të Don Kishotit, arriti të shkruajë një tjetër libër, si mund të rikthehemi tek poema, ajo poemë e shumëdëshiruar, dhe edhe nëse do të arrinim, cilën poemë do të recitonim ditësh të sotme edhe sikur fjalët e muzika të ishin po ato? Jo shumë kohë më parë homeriada zinte një vend të konsiderueshëm në këtë botë; koha e gjithë gjërave është e vetmja që nuk mund ta ndryshojmë. Po çfarë na lejohet të bëjmë pra? Si do ta shpikim  këtë poemë të re për të cilën po shkruaj gjysmën e dytë të titullit tim? Dhe me çfarë justifikimi do ta propozoj, ose nëse është ky qëllimi im i vërtetë, të lajmëroj ardhjen e një ere të re në termat e atij që duhet të jetojë e ta shijojë këtë letërsi të re? A ka ndonjë shenjë të rigjallërimit të Homerit sot apo ndonjë përpjekje për të rishkruar një epikë homerike? Dhënë në natyrën e tyre këto pyetje dhe rendi në të cilën janë paraqitur, nuk mund të quhen të pafajshme. Ata më lejojnë të zhvendosem përfundimisht nga e përgjithshmja tek e veçanta, duke depërtuar në të vetmin univers prej të cilit mund të flas ligjërisht me njëfarë njohjeje, çka don të thotë, me universin tim të vogël, llojin e novelës që shkruaj, me arsyet dhe shkaqet e saj.

          Së pari, le ta marrim kohën, nëse është e përfytyrueshme një gjë e tillë. Jo kohën në të cilën e gjejmë veten, as atë kohën tjetër kur, autori shkruan librin, por një kohë të kufizuar e të përfshirë brenda novelës; e cila nuk është ato pak orë apo ditë që merr leximi i saj, as referenca kohore e përfshirë në ligjërimin artistik, aq më pak një kohë e shpikur qartë jashtë novelës, si për shembull në titujt e novelave: “Njëqind vjet vetmi” ose “Njëzet e katër orë nga jeta e një gruaje”.

          Koha për të cilën po flas është një kohë poetike e përfshirë brenda ritmeve dhe çasteve të pushimit, një kohë njëherësh lineare dhe labirirntike, e pasigurtë dhe e paqëndrueshme; një kohë me ligjet e saj, një përmbytje fjalësh që përmban një vazhdimësi, e cila në kthim sjell një baticë dhe një zbaticë si ajo e rrjedhës midis dy kontinenteve. Kjo, e përsëris është një kohë poetike, e cila ka të bëjë me recitimin dhe poezinë, një kohë që mund të jetë me lajle e lule apo rrokjesore, e gjatë dhe e shkurtër, apo e njëkoshme. Është ambicja ime që krijimet e dala prej kësaj dore do të jetojnë sipas këtij koncepti kohor, i ndërgjegjshëm siç jam, me përpjekjen t’i afrohem sa më shumë strukturës së një poeme, e cila t’ia dalë të jetë e gjerë, ndërsa mbetet fizikisht koherente.

          Muzikantët dhe muzikologët ankohen se sot është e pamundur të kompozosh një simfoni, po ashtu siç sot do të ishte e pamundur, të gërmoje një qytet korintian, sipas perceptimeve klasike. Sigurisht, ndokush i paisur me shumë aftësi, ka të ngjarë të mos e miratojë pohimin tim kategorik, si kompozimi i një simfonie apo gërmimi i një kryeqyteti, por kjo arritje pak gjasa ka të na bindë, sepse artisti po i përgjigjet disa nevojave të vërteta edhe për shkak të krijimit apo për shkak të gëzimit të tij. Tani, kush mund të na thotë, se nuk do na duhet të përballemi me  përgjegjësinë e rëndë të kalimit të një fjalie të ngjashme në një novelë; duke pohuar, për shembull, gjë e pamundur dikur, në formën e saj paradigmatike, e cila sot ka pushuar së ekzistuari si e tillë, me të vetmin variación të papërfillshëm, rrallë radikal, gjithmonë të përvetësuar dhe të përfshirë në çështjen subjekt, e cila na lejon, falë Zotit dhe botuesve tanë të bekuar, të vazhdojmë të shkruajmë sikur të kompozonim një simfoni, në imitim të Brahmsit apo të gërmimit të kryeqyteteve korinthiane? Por kjo novelë, e cila duhet të jetë e dënueshme dhe e pavlerësueshme, ka mundësi të përmbajë në vetvete dhe në transformimet e ndryshme dhe të lloj-llojshme, të vetmen mundësi të ndryshimit dhe të klasifikimit të saj letrar ( theksoj: klasifikim e jo gjini) e aftë të përthithë si një det i gjerë, i stuhishëm dhe kumbues, përroin që derdhet në rrëke të poezisë, dramës, esesë po aq sa  edhe atë të shkencës dhe filozofisë, duke u bërë kështu shprehje të diturisë e mençurisë, prej një vizioni kozmik, si poemat e antikitetit klasik në kohën e tyre.

          Edhe mund të jem gabuar, nëse ndokush e merr parasysh rritjen dhe sipas të gjitha gjasave, specializimin e pakthyeshëm të njeriut, i cili është bërë kaq i imët. Por kjo nuk është diçka e papërfytyrueshme. Ky specializim, për arsye të disa mekanizmave të parapërcaktuar ose prej  shtysash shpërblyese dhe ndoshta si një kusht instiktiv i mbijetesës dhe i ekuilibrit psikologjik, mund të na prijë për të kërkuar një zgjim të ri të së përgjithshmes, si përkundër edhe ruajtjen e shfaqur të së veçantës. Në një kontekst letrar, ndoshta, sepse këtu vetëm po diskutojmë për letërsi, novela do të mund të përtërijë atë gjallërim më të madh, poemën e lartë e dalldisëse të një njerëzimi i cili deri tani ka qenë i pazoti ta pajtojë me përkrahësit e saj.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Homazh/ atDheu i Podrimjes, ku është pas lufte?
Aventurë mbi librat e Lorkës
Botohet libri i rrallë 1847-es/ I pari historian i letërsisë shqipe, por arbëreshi është lënë në harresë
Poeti kombëtar Naim Frashëri, përkthyesi i parë i Iliadës në gjuhën turke
Bukuria e provokimit apo bukuri e konsumit masiv?
Vlerësohet për romanin “Flama”/ Gazetari Enkel Demi alias Tom Kuka merr çmimin Europian të Letërsisë, për vitin 2021
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>