nga Suadela Balliu

Në mënyrë krejt të çuditshme, gjashtë muaj pasi Edi Rama kishte vënë firmën e tij në miratimin e lejes së zhvillimit të godinës shumëfunksionëshe, emërtuar si “Book Building” në krye të Këshillit Kombëtar të Territorit, një Vendim i Këshillit të Ministrave deklaronte Qendrën Historike të Tiranës dhe përcaktonte zonat mbrojtëse të saj, me një hartë zonifikimi bashkëngjitur aktit.

Një vendim jo më larg se harku kohor i një viti, pasi qendra e re historike e kryeqytetit, ishte caktuar me VKM-në e prillit të 2017-s, që e ravijëzonte ndryshe nga ai i vitit 2000, duke lënë jashtë disa godina e duke futur të tjera. Por ajo çka vihej re, veçanërisht nga ekspertët e fushës ishte tkurrja që zona historike kishte pësuar në hartë.

Sipas VKM-së së 2018-s, Qendra Historike dokumentonte  rrugën e zhvillimit historik të qytetit dhe arritjet në arkitekturë, si xhamia e Et’hem Beut, ndërtimet administrative dhe kulturore, të aksit monumental të viteve ‘30–‘40, si dhe shembuj të spikatur të arkitekturës të pas viteve ’50.

Hapësira urbane e Qendrës Historike në Qytetin e Tiranës përfshinte ansamblin historik urban në bulevardin “Zogu I” dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit”; Sheshin “Skënderbej”;  Sheshin “Nënë Tereza”;  Sheshin “Italia” si edhe Hapësirat e gjelbra.

Ajo që vihej re nga harta e qendrës historike ishte lënia jashtë e godinës së Teatrit Kombëtar (ndonëse ky nuk pati asnjëherë statutin e monumentit të kulturës), tashmë të shembur prej majit si edhe stadiumit, shembja e të cilit i la vendin ndërtimit të “Air Albania”. E megjithatë ansambli i dy monumenteve, të ndërtuara nga Et’hem Beu, si Kulla e Sahatit dhe Xhamia, të dyja objekte të fillim shekullit XIX dhe të shpallura monumente kulture të kategorisë së parë prej fundit të viteve ’40, gjenden brenda kufijve të qendrës historike, që sipas kësaj VKM-je ka edhe zonën mbrojtëse.

Kulla e Sahatit jashtë zonës së mbrojtur?

“Kulla [e Sahatit ] u rrezikua ditën kur e nxorën nga Ansambli i Qendrës Historike më 2018, i njëjti vendim qe nxori edhe teatrin [Kombëtar]”, shprehet për Gazeta Si Doriana Musai, arkitekte dhe aktiviste e njohur në Mbrojtje të Teatrit Kombëtar, duke zbuluar një detaj që në leximin e parë të VKM-së së dy viteve më parë mund të rrëshqasë pa u vënë re, ku përmendet konkretisht si arritjet në arkitekturë vetëm xhamia e Et’hem Beut dhe jo kulla e Sahatit që ai ndërtoi më 1822-shin, që siç shpjegon Musai është lënë jashtë zonës së Qendrës Historike. Megjithatë ajo mbetet monument kulture i kategorisë së parë.

“Se si doli, pse doli, kush e sugjeroi dhe arsyetimet ligjore e shkencore, nuk janë vënë asnjëherë ne dispozicion për publikun. Ai vendim ka nxjerre shume objekte nga mbrojtja ligjore, mbrojte te cilën e siguronte te qenët pjesë e Ansamblit Monumental.

Tirana, ka qendër historike, thotë Musai, por problemi mbetet kufiri i cenueshëm i saj. “ Dhe lëvizja e saj ka sjellë pasoja të  parikuperueshme. Nëse  nuk do ishte lëvizur kufiri, teatri nuk ishte shembur dot”, thotë Musai, ndërsa edhe për këtë debati u bë politik, ku kryeministri Rama do të thoshte se as PD, kur ishte në qeverisje nuk e shpalli monument kulture Teatrin Kombëtar, ndonëse zona e shpallur historike e përfshinte godinën, prej vitit 2000.

Arkitekti Titi Seranaj, shpjegon për Gazeta Si se vendimi i Këshillit të Ministrave, i dalë më 2017 jo vetëm që mpaku zonën historike, por ndryshe nga ai i vitit 2000 nuk kishte më zona apo ansamble monumentesh kulture.

“Janë  përcaktuar , rrugët, bulevardi dhe objektet janë të shkëputura, nuk ka më zonë historike”,  thotë arkitekti Seranaj, i njohur për zërin e tij në mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar dhe pjesë e rezistencës më se dy vjeçare.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave,  ndërhyrjet në Qendrën Historike kanë si qëllim ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore dhe brenda perimetrit të saj do të kryhen vetëm ndërhyrje  konservuese, restauruese dhe të mirëmbajtjes së qendrës dhe monumenteve, të të dyja kategorive.  Të gjitha këto trajtime, sipas këtij vendimi të Këshillit të Ministrave, i cili doli pak muaj pas miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe një vit, pasi Qeveria Rama kishte përcaktuar qendrën historike, të ndryshme nga ajo e vitit 2000, kur në qeverisje qenë të majtët, me Metën kryeministër dhe Ramën ministër kulture, premtojnë të ruajnë kompozimin urban. 

Ndërhyrjet ama, si rindërtime, rikonstruksione, rehabilitime në objektet pa status, do të kryhen në përputhje me Planin e përgjithshëm vendor, të Tiranës.

Edhe këtu, shpjegon arkitekti Seranej, pati disa lapsuse. Ndërsa Këshilli Kombëtar i Territorit, në krye të të cilit është vetë kryeministri Rama e kishte reduktuar zonën historike, ndërsa Plani i Përgjithshëm i Bashkisë u miratua me zonën historike të vitit 2000. “Dhe iu desh që në vitin 2018, Këshilli Kombëtar i Territorit të ndërhynte në planin e bashkisë, me anë të një VKM-je”, sqaron Seranaj.

Me gjithë përsëritjet se,  ndërhyrjet në zonën mbrojtëse përreth qendrës historike do të jenë të një natyre restauruese, adaptuese apo edhe rikonstruksioni, ndërtimet e  reja nuk  janë të përjashtuara  me qëllimin “për të rritur vlerat brenda saj arkitektonike dhe funksionale, të cilat duhet të jenë në harmoni me vlerat e ansamblit”, thuhet në VKM.

Këto  projekte do të shqyrtohen dhe miratohen sipas legjislacionit në fuqi për planifikimin e territorit, ku  është lënë një nen për trajtimin e rasteve të paparashikuara.

“Për të gjitha çështjet që nuk trajtohen dhe për pasojë nuk zgjidhen në këtë rregullore, sipas kompetencave, ato zgjidhen nga ministrisë përgjegjëse për trashëgiminë kulturore, nëpërmjet institucioneve të specializuara”, thuhet në VKM e 2018, ndërsa shkeljet e rregullores do të ngarkonin me përgjegjësi sipas dispozitave të ligjit  “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë” dhe Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”.

“Heqja e zonës së mbrojtjes i bën objektet-monument të cenueshëm, duke rritur spekulimin me territorin”, është e mendimit arkitektja Musai, e cila në një krahasim të zonës së shpallur qendër historike dhe ansamblet monumentale të  vitit 2000, thotë se VKM e dy viteve më parë e ka reduktuar dukshëm sipërfaqen. “E pajustifikueshme teknikisht. Asnjë raport apo memo, asnjë relacion shkencor nga IMT apo KKT nuk ka publikisht që të  sqaroje arsyetimet teknike dhe ligjore”, thotë zonja Musai.

Ligji për Trashëgiminë ndalon ndërtimet pranë monumenteve të Kulturës

Pasojat e ndërtimit në krah të Kullës, monument i kategorisë së parë dhe ndër të fundmit të mbetur në qytet  të kësaj rëndësie. Mund të bëhen shkas në një të nesërme për heqjen nga monument, druhet arkitektja.

Në ligjin e  rishikuar më 2018-n,  “Për Trashëgiminë Kulturore” , neni 29 pika 1 dhe 2 parashikon se “zonat muze, ansamblet-muze, qendrat historike, parqet arkeologjike janë kategori objektesh në grup, që ruhen në tërësinë e tyre si komplekse historiko-arkeologjike, monumentale, arkitektoniko-urbanistike dhe mjedisore dhe se, në këto kategori objektesh është e ndaluar çdo lloj ndërtimi i ri, me përjashtim të rrjetit inxhinierik nëntokësor dhe rikonstruksionit. Në rastin e rikonstruksioneve, projekti miratohet nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve”.

Sipas nenit 32, të këtij Ligji, për monumentet e kulturës përcaktohet një sipërfaqe toke ose trualli përreth, si zonë mbrojtëse, në përputhje me vlerat e tyre arkitektonike, me përshtatshmërinë e tyre urbanistiko- estetike, me rrethinën dhe me rrethanat ekologjike.

Neni 33 i Ligjit, parashikon se gërmimi, restaurimi, përdorimi dhe çdo veprim tjetër në monumentet e kulturës, si dhe çdo ndryshim në truallin e vënë në mbrojtje rreth tyre, bëhet vetëm me autorizimin e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, Institutit Arkeologjik, për gërmimet shkencore, si dhe të Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, në rastet e gërmimeve të shpëtimit.

Sipas nenit 47, në rastet e ndërtimeve të mëdha, në territore në pronësi shtetërore ose private, si rrugë, autostrada, aeroporte, porte, vepra industriale, qendra të reja banimi, investitorët janë të detyruar që, gjatë procesit të projektimit dhe zbatimit, të  marrin miratimin, me shkrim, të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve dhe të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.

Përmasat e zonës mbrojtëse përcaktohen nga organi që shpall monumentin, sipas studimit të  bërë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe në atë zonë ndalohet çdo ndërhyrje me karakter ndërtimor. Rregullorja e administrimit për kategorinë e objekteve monument dhe zonën e mbrojtur rreth tyre miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore,  ndërsa heqja e plotë ose pjesshme e shkallës së mbrojtjes në këtë kategori objektesh bëhet me vendim të po atij organi, që e ka vendosur atë.

Por megjithatë, në dokumentin e rregullores për lejen e ndërtimit të kullës “Book Building” – që ndonëse nga emërtimi i shoqërizuar me librin, do të ketë shërbime pa lidhje me të si bare, restorante, zyra, etj., në rastet kur propozimi për zhvillim në këto zona bëhet direkt nga Këshilli Kombëtar i Territorit apo Bashkia e Tiranës, përmes një konkursi ndërkombëtar dhe kjo për një lloj të caktuar zhvillimit, atëherë parcelat dhe strukturat përjashtohen nga llogaritje e treguesve të zhvillimit dhe kushteve të planifikimit të përcaktuara në rregulloren në fjalë, si edhe të distancave.  

Seranaj thotë se ligji nuk e ka të përcaktuar specifikisht se cila është hapësira përreth, e quajtur zonë mbrojtëse e një monumenti kulture.

Edhe pse, sipas Ligjit për Trashëgiminë Kulturore dhe vetë VKM-së së Këshillit të Ministrave mbi Qendrën Historike, që sado e tkurrur për të lënë jashtë Teatrin, i cili u gjykua pa vlera të trashëgimisë kulturore nga Instituti i Monumenteve më 2014-n, nuk mundi të linte jashtë Xhaminë e Et’hem Beut, por duke mos e përmendur Kullën e Sahatit , rreth qendrës historike dhe monumenteve të kategorisë së parë ka një zonë mbrojtëse, brenda së cilës nuk mundet të ndërhyhet me ndërtime të reja.

Plani zhvillimor i godinës pas Kullës së Sahatit

Por lejet pranë  monumenteve dhe distancat i vendos Këshilli Kombëtar i Territorit

Leja  e ndërtimit  për godinën polifunksionmale mbështetet në ligjin dhe VKM-në  “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”,  ku në pikën 12 të nenit 34 sqarohen edhe distancat minimale midis ndërtimeve.  Aty përcaktohet se për objektet me kompetencë të Këshillit Kombëtar të Territorit, sipas nenit 19 të kësaj rregullore, distancat midis objekteve mund të përcaktohen nga ky Këshill, me rregullore të posaçme.  Po ashtu leja e ndërtimit për “Book Building” është konform Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Tiranë.

“Duke u bazuar në rregulloren e Planit të përgjithshëm vendor të  Bashkisë Tiranë 2030, për zonën e intersit TR/1, janë vlerësuar dhe respektuar të  gjitha kategoritë e përdorimit të  tokës që  propozon plani si dhe parametrat e zhvillimit të  saj, për sa i përket kategorive të përdorimit të tokës q 137 propozon plani, tipologjisë së ndërtimit”, thuhet në këtë dokumentin e rregullores së veçantë për miratimin e lejes së ndërtimit të godinës shumëkatëshe,  në shpinë të Kullës së Sahatit.

Distancat e lejuara mes ndërtimeve, theksohet se do të caktohen  nga Plani i Përgjithshëm Vendor, pa specifikuar konkretisht, po aq sa edhe ligji e ka lënë të pacaktuar se ç’perimetër kanë zona mbrojtëse përreth monumenteve.

Sipas Rregullores  së Planit të Përgjithshëm Vendor për  Bashkinë  Tiranë  thuhet se  në konservim përfshiheshin objektet monument, për të cilat lejohen vetëm ndërhyrje ristrukturimi me qëllim rivlerësimi të strukturave ekzistuese, pa ndryshime në volume apo karakteristikave të gjuhës urbane dhe arkitektonike. “Në këto raste, shtesat anësore lejohen në pjesët e pasme të strukturave. Në rastin e ndërhyrjes në struktura të përdorimit të lejuar “M” të cilat janë pjesë e listës së monumenteve të kulturës, ndërhyrjet do të lejohen vetëm sipas udhëzimeve të IMK dhe strukturave përgjegjëse përkatëse”, shkruhet në këtë rregullore, por shtohet se  “për parcelat private që shtrihen kryesisht në zonat e përdorimit “M-monument”, lejohen të drejta zhvillimi në trajtën e “Konsolidimit urban” sipas parashikimeve të pikës 2/b të këtij neni, me kushtin e respektimit të kushteve të zhvillimit dhe tipologjisë arkitektonike dhe urbane të objekteve kufitare, brenda zonës “M”.

Me konsolidim urban kuptohet procesi i densifikimit dhe mbushjes urbane të një njësie strukturore apo të një pjese të saj, pjesërisht të zhvilluar dhe kryesisht homogjene për nga kategoria e përdorimit të tokës, me struktura të të njëjtit karakter, funksion, përdorim, tregues të planifikimit, zhvillimit dhe ndërtimit me ato të pronave, strukturave me të cilat kufizohet.

Në rastin konkret strukturat, të paktën në të majtë të ndërtesës janë godina historike, si Xhamia, Kulla e Sahatit dhe ajo e Bashkisë.

Plan Vendor dhe zhvillime pa plan

“Në këto raste, lejohen zhvillime pa plan të detajuar vendor edhe përtej parashikimeve të kësaj rregullore për njësinë përkatëse, me kushtin që treguesit e zhvillimit për parcelën apo grup-parcelat për zhvillim nëpërmjet procesit të konsolidimit, të jenë të barabarta me vlerën mesatare që do të rezultojë nga raporti mes treguesve të zhvillimit maksimal të objekteve kufitare dhe të respektojnë kuadrin ligjor në fuqi…”, thuhet në Rregulloren e Planifikimit Vendor.

Ky Plan, thotë Seranaj, lë mundësi për ndërhyrje të tilla. “Duhet të ishte i mirëpërcaktuar, ku të vendoseshin gjurmët e objekteve dhe ky quhet planifikim. Por nëse e ndan me fasha apo parela dhe thua kaq është koeficienti i shfrytëzimit apo lartësia e kateve, ke lënë të drejtën të abuzosh ku të mundesh. Plani i pjesshëm është abuzim i planit të përgjithshëm. Ky nuk është plan”, thotë Seranaj, por një plan urbanistik i lirë, ku ndërton kush të mundë.

Duke lidhur pjesët e dy VKM-ve, që ndërhyjnë në planin vendor dhe sesi Ligji i Trashëgimisë ka ndryshuar për interesa, Seranaj thotë se është një sinkroni e plotë për të shkatërruar. “Megjithatë, ligjërisht ke ku i kap, se nuk i kanë kopsitur edhe aq mirë., por në momentin që mungon drejtësia, vazhdojnë pa iu hyrë gjemb në këmbë”.

Nga Kulla e Sahatit te Godina e Re, vetëm 8.4 metra largësi

“Duke hequr zonën historike dhe zonën e mbrojtur, e ke lënë të zhveshur për marrëdhënien zhvillimore, si objekt i çfarëdoshëm”. Dhe kjo, sipas arkitektit Seranaj ka ndodhur me lejen për objektin pas Kullës së Sahatit.

Në dokumentin e rregullores së veçantë për Lejen e ndërtimit të Godinës polifunksionale me 4,5,11 dhe 21 kate, me 3 kate nëntokë, zhvilluesi i së cilës është “Technoalb shpk” specifikohet se largësia nga objekti ekzistues në veri të ndërtimit, që përkon me Kullën e Sahatit është 8.47 metra, për volumin 11 kate  dhe 8.7 metra nga godina e Bashkisë Tiranë.

Një shënim më poshtë specifikon se projekt zbatimi i secilit nga objektet e kësaj lejeje zhvillimi, mund të ketë ndryshime të sipërfaqes së përgjithshëm ndërtimore mbi dhe nën tokë, deri në 2 përqind, brenda kufijve dhe kushteve urbane të zhvillimit.  Sipërfaqja e truallit për zhvillim është 4586 metra, ndërsa trualli i përgjithshëm 4639 metra.

Sipas Seranajt, kjo distancë prej 8.47 metrash e konsideron objektin-monument, si një godinë të zakonshme. Duke e konsideruar kullën e Sahatit si objekt prej 3 katesh e gjysmë, sipas rregullave të ndërtimit, duke i shtuar katër plus një metër, rezultati i dalë është ai i 8.4 metrave.

“De facto kthehet në një objekt të zakonshëm, pa respektuar peizazhin, distancën…Sepse monumenti i kulturës duhet të ketë edhe disa kritere, si për shembull të jetë i soditshëm, në vend të dukshëm, i perceptueshëm nga të gjitha anët”.

Në fakt, Ligji për Trashëgiminë Kulturore, i miratuar më 2018-n me ndryshime ka përfshirë edhe pasurinë e peizazhit kulturor, ku si të tilla konsiderohen ndër të tjera komplekset e pasurive të paluajtshme, që përbëjnë një aspekt karakteristik me vlera estetike dhe tradicionale, përfshirë qendrat historike.

“Në momentin  që reduktohet zona historike, të jepet e drejta për të ndërtuar në këtë zonë. Por reduktimi zonës nuk është bërë me një vendim juridik dhe  profesional që argumenton  se përse është reduktuar zona historike”, thotë Seranaj, i mendimit se duhet të kishte bashkëngjitur vendimit një raport të hollësishëm të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Ministrisë së Kulturës.  

“Nise nga ministrja, sepse VKM-ja është miratuese. Institucionet që  e propozojnë nisen nga vlerat, relacionet teknike dhe bazat ligjore”, thotë zonja Musai, duke shtuar se në VKM-në e 2018-s shkruhet e është me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave. Atëkohë ministre ishte zonja Mirela Kumbaro, e cila ishte edhe në qendër të punës për ndryshimet e ligjit për Trashëgiminë Kulturore, për t’u zëvendësuar pas gjashtë vitesh në detyrë, nga Elva Margariti.

“Pyetja që ngre unë është: Përse Ministri i Kulturës ka kërkuar nga Këshilli i Ministrave të zvogëlojë zonën historike të Tiranës gati gjysmë për gjysmë?”, pyet arkitektja Musai.

Nga një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit, kryer në Institutin e Monumenteve të Kulturës, tashmë Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, gjeti se;   për miratimin e VKM-së së prillit të 2017-s  rezulton se “nuk ka asnjë mbledhje të Këshillit Kombëtar Restaurues apo diskutim lidhur me projekt-vendimin për shpalljen e qendrës historike të qytetit të Tiranës dhe miratimin e rregullores për administrimin e saj e të zonës së mbrojtur përreth”.

Edhe arkitektja Doriana Musai thotë se nuk dihet kush janë anëtarët dhe ç’vendimmarrje kanë pasur në procesin, që sipas saj po rrezikon të gjithë objektet historike të Qendrës. “Kulla paralajmëron të tjera dëme”, thotë ajo.

Sipas raportit të KLSh-së, thuhet se VKM-ja e vitit 2017, ishte  miratuar nisur nga kërkesa e Bashkisë së Tiranës  më 27 shkurt  të 2017 – pra dy muaj para VKM-së –  për rishikimin e Qendrës historike dhe Zonës së mbrojtur të qytetit të Tiranës e cila thekson nevojat për ndryshimin e kufirit të ansamblit muzeal, “për saktësimin e koordinatave dhe mospërputhjeve të gjurmës se kufirit; edhe si nevojë e përshtatjes së terminologjisë bazuar në Ligjin “Për trashëgiminë kulturore” (i ndryshuar më 2013 ) dhe në VKM e 2007 “Për miratimin e Kartës Shqiptare të Restaurimit””.

Në këtë VKM shfuqizohej ajo e vitit 2000 me Shpalljen Ansambël Monument kulture të  aksit kryesor dhe qendrës historike të qytetit të Tiranës.

Kështu, Instituti i Monumenteve të Kulturës, nisur nga kërkesa e Bashkisë së Tiranës përgatiti një relacion në mars të 2017-s, i është drejtuar Ministres së Kulturës ku ka përcjellë dokumentacionin për shpalljen e qendrës historike të qytetit të Tiranës dhe zonës së mbrojtur të saj si dhe rregulloren e administrimit shoqëruar me hartën e zonifikimit.

Në këtë relacion të IMK-së,  kufiri i saj është saktësuar dhe zhvilluar duke,  rikonceptuar dhe racionalizuar përdorimet e truallit të lirë, hapësira të cilat nuk përfaqësojnë vlera të veçanta dhe nuk janë pjesë përbërëse e qendrës historike në vetvete, por nëpërmjet rizhvillimit të tyre kompletojnë dhe pasurojnë atë.

Projekt-rregullorja përcakton dhe mënyrat e bashkëpunimit të institucioneve të specializuara të Ministrisë së Kulturës  me Bashkinë e qytetit, si dhe me institucionet, organizatat dhe subjektet e ndryshme për një mbrojtje më efikase të vlerave kulturore të qytetit.

“Pra procesi i miratimit dhe propozimit të ardhur nga Bashkia Tiranë nuk ka kaluar përmendim në KKR, nuk rezulton se mbi çfarë dokumentacioni të cilësuar është kryer një vendimmarrje e tillë, duke krijuar një proces artificial, i cili heq ose përfshin ose zgjeron kufijtë e një zone e cila në fakt si proces dhe kompetencë i përket KKR-së,  përbërja e të cilit lejon mendimin profesional për ndryshime të tilla”, thuhet në Raportin e KLSh-së.

Arkitekti Titi Seranaj thotë se Plani i Përgjithshëm Vendor i Bashkisë është miratuar i tillë, duke i lënë të drejtë planeve të pjesshme vendore. “Në planin e përgjithshëm nuk ka të përcaktuar asgjë në lidhje  me njolla, apo me gjurmët e ndërtimit apo vendet ku do të ndërtohen, por është fragmentuar në parcela, fasha, ku jepen koeficientet dhe intensiteti  i ndërtimit dhe ku përcaktohet,  se në të gjithë  këto zona, mund të ndërtohet një kat më pak se objekti më i lartë”, shpjegon arkitekti, duke shtuar se kontaminimi i qendrës historike e ka zanafillën tek hotel “Plaza”, një objekt 24 katësh,i ndërtuar mbi një lulishte. “Kjo shërben si bosht për t’u dhënë  drejtën e ndërtimeve përreth deri në 23 kate”. Pra një kat më pak se godina më e lartë.

Në rregulloren e veçantë të Lejes së Ndërtimit, që ndryshe nga vendimi i KKT-së ka të shtypur një tjetër datë, atë të 2 shkurtit 2017 dhe jo të 2 shkurtit 2018, shpjegohet edhe sesi objekte të këtij karakteri e shndërrojnë Tiranën në metropolitane.

Leja e ndërtimit; një prototip zhvillimi për Tiranën e së ardhmes

“Pas analizave dhe studimit të zonës, me një  kompleksitet vlerash por edhe dëmesh urbanistike dhe arkitektonike të  krijuara ndër vite, volum i ri bashkëkohor, kërkon të  rigjenerojë  vlerat urbane në  zonë  dhe të vlerësojë hapësirën publike rreth e përqark propozimit te ri. Vendndodhja e tij qendrore i jep projektit nota të larta strategjikë për zhvillimin e qendrës së Tiranës”, thuhet në këtë dokument të lejes së ndërtimit, ku analizohen edhe disa nga dimensionet më të rëndësishme që e bëjnë Tiranën qendër metropolitane, unike dhe cilësore.

Sipas po kësaj  analize janë tre shkallët e ndërtimeve në këtë zonë si objekte me karakter publik në afërsi të  qendrës, objekte me karakter metropolitan, objekte të larta si kulla 24 katëshe  dhe objekte që  i përkasin teksturës urbane të ulët deri në 4-5 kate.

“Ky zhvillim i përshtatet këtij realiteti urban duke projektuar tre objekte solitare që përkojnë me këto dimensione konceptuale, integrojnë shkallën e vogël humane të qytetit dhe shkallën e madhe të qytetit Metropolitan dhe tenton t’i përkthejë këto në një prototip zhvillimi për Tiranën e së ardhmes”.

Sipas kësaj rregulloreje të veçantë të lejes, që mban firmën e Edi Ramës dhe Damian Gjiknurit, si ministri atëkohë i Infrastrukturës, Qendra e Tiranës  ka gjithçka për t’u shndërruar  në një destinacion ku njerëzit brenda dhe jashtë Tiranës mund të shkëmbehen. “Një park zemërgjerë, infrastrukturë publike, vende kulturore, shërbime mikpritëse do ta kthejnë Tiranën në një destinacion magnetik takimi”.

Duke ndjekur debatet dhe frikën e një pjese të qytetarëve se Kulla e Sahatit mund të hiqet nga vendndodhja për t’u degdisur diku tjetër, arkitekti Titi Seranaj thotë se pak rrezik ka të ndodhë diçka e tillë. “Po ta shohësh nga një analizë fizibiliteti  se çfarë ndodh ekonomikisht me ata që do të shfrytëzojnë ato ambiente, Kulla e Sahatit nuk iu prish punë, por iu ndreq.  Ajo  kullë, që nga vizitorët, turistët,  u shërben bizneseve. Në momentin që e heq, është një çmenduri.  Nuk  ka interes të spostohet apo të mos e kesh aty. Ajo nuk prish punë, për oligarkun që ka ambientet aty”, thotë Seranaj.

Po Peizazhi kulturor?

Ndërtimi i këtij kompleksi me katër godina, që nisin nga katër kate për t’u ngjitur në lartësi me 21 të tilla, e ndryshon njëherë e përgjithmonë peizazhin kulturor, të cilin Ligji i Trashëgimisë Kulturore e ka trajtuar hollësisht.

“Nuk di sa e pranueshme do të jetë me kohën, por profesionalisht di të them se ajo zonë aty ishte e pa sistemuar”, pranon Seranaj, duke iu referuar objektit dy katesh me shkallë, i pozicionuar përballë Ministrisë së Ekonomisë dhe në krah të Bashkisë.

“Ishte i pa organizuar mirë, flas nga ana profesionale. Duhet të kishte ndërhyrje, por nëse ke qasje për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë apo qasje  dashamirëse ndaj qytetit, mund ta kishte organizuar ndryshe”, vijon arkitekti, i cili në vizionin e tij e shihte edhe më të zhveshur e të rregulluar peizazhin për të vënë në hap monumentin e kulturës, në hapësirë më të madhe. “Duke ndërtuar, një park, lulishte, një objekt të zhvendosur pak  më tutje, një apo dy kate, që t’i shërbente të gjithë zonës”, shton Seranaj, i cili ngre shqetësimin në një tjetër pikë, atë të pronës publike aty ku po zhvillohet objekti i ri shumëkatësh.

Bashkia e Tiranës e dha për ndërtim truallin publik, me arsyetimin se i duheshin ambiente të tjera. “Tani, Bashkia është spostuar tek bulevardi ri; pse u dha kjo leje për hapësirë kur kishte në lan të zhvendosej? Kjo duhet ndjekur, sepse ndoshta nesër kjo pasuri publike dhënë si leje, mund të tjetërsohet”, thotë Seranaj, duke kujtuar sesi në mënyrë të paligjshme iu vu flaka objektit të një pronari privat, që nuk donte të bëhej pjesë e planit zhvillimor aty.

Harta e Qendrës Historike dhe zonave të mbrojtura, sipas VKM 2018

Vërejtjet e KLSh: Ndryshimi i qendrës historike, proces i paargumentuar  

Sipas auditit të bërë nga KLSh, në maj të këtij viti, theksohen ndryshimet e qendrës historike sipas VKM-së së 2018, bazuar tek vendimi i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit përmend përfshirjen e disa objekteve të reja në zonën e mbrojtur si  Piramida, Presidenca, Parku Rinia Parku në Krah të Presidencës, Hotel Rogner, Pallati i Kongreseve etj.,  “…objekte të viteve ‘50-‘80 për të cilat nuk ka një relacion mbështetës se  pse këto objekte konsiderohen me vlerë historike dhe duhen përfshirë, në relacion mungon një gjë e tillë”,  vëren raporti i KLSh-së duke shtuar se edhe në relacionin e Këshillit Kombëtar Restaurues të shtatorit 2018, nuk shprehet qartë se  cilat objekte hiqen nga qendra historike dhe arsyetimi përkatës për to, “…ndërkohë që nuk rezulton të kemi shprehje të Këshillit Shkencor të IMK-së  apo cilësim të opinionit të tyre lidhur me këto çështje”.

Nuk evidentohet pse ndryshojnë koordinatat e zonës së mbrojtur Z 82-Z-83-Z80 në  kufijtë e Universitetit të Tiranës dhe Liqenit artificial, nuk shpjegohet pse në qendrën e Tiranës janë shtyrë kufijtë e qendrës historike në zonën T83-T81apo T27-T28, etj.(qartësisht të dallueshme vetëm duke krahasuar hartën e zonimit të miratuar në vitin 2017 krahasuar me hartën e zonimit të vitit 2018 dhe koordinatat e saj).

Kontrolli i Lartë i shtetit, në raportin e publikuar në maj të 2020-s, konstaton se procesi i miratimit, nevoja e ndryshimit apo përcaktimit të kufijve sipas koordinatave nuk rezulton të jetë i plotë me argumente të qarta nga institucionet e përfshira në proces, si Këshilli Shkencor, Sekretariati teknik i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, Ministrin e Kulturës që është njëkohësisht dhe Kryetar i KKR vetë. Duke mos përmbushur kështu funksionet institucionale dhe specifikat profesionale të tyre, vendimmarrjet e të cilëve në fakt janë përdorur si fasadë për të justifikuar veprimet e institucioneve, që nuk kanë kapacitetet dhe njohuritë për vendimmarrje që prekin trashëgiminë kulturore dhe memorien historike të shqiptarëve në këtë rast Bashkia e Tiranës apo dhe Këshilli i Ministrave.

Ndonëse Këshilli i Ministrave e ka tagrin ligjor ta bëjë ndryshimin e qendrës historike, kjo nuk është e mjaftueshme thotë arkitektja Musai. “Mbi cilat baza shkencore është bërë rishikimi i qendrës historike? Ka gjithnjë një arsyetim teknik nga pas”, thotë  ajo duke shtuar se  Bashkia, në rastin e VKM-së së 2017-s, niset nga kërkesa e një enti apo pale të tretë “nga një grup adhoc të ngritur me qellim; niset nga fakti që e ka ajo territorin nën administrim, por jo nën pushtim”.

Doriana Musai thotë se aktivistët e shoqërisë civile në mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore kanë ngritur pyetjen se përse Këshillit të Ministrave i ka lindur nevoja për dy vendime njëri pas tjetrit që caktojnë qendrën historike, me një distancë kohore prej 18 vitesh.

Ndryshe nga sa mund të ndodhte në dy dekada, ku ansambli i ndërtesave historike mund të zgjerohej, ai ka ardhur duke u zvogëluar duke lënë jashtë godina si ai i Teatrit Kombëtar, ndërtuar në fund të viteve ’30. Institucionet, ato që mund të flasin e të bëjnë transparencë për çështjen nuk janë shprehur.

Edhe drejtoresha e Institutit të  Monumenteve të Kulturës, me emrin e ndryshuar Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, zgjodhi të mos u përgjigjej pyetjeve nga Gazeta Si.

Kulla e Sahatit, jo e para as e fundit

Në Vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit për miratimin e lejes së ndërtimit për godinën “Book Building”, procedurat administrative dhe ligjore mbi projektin do të vijojnë nga Bashkia e Tiranës, sipas rregullave të përcaktuara në ligjin “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.

Ndonëse zona e studiuar dhe e propozuar për zhvillim përshkruhej se ndodhej në qendër, pas kullës së Sahatit , xhamisë së Et’hem Beut, Bibliotekës Kombëtare dhe Bashkisë së Tiranës, monumente që në dokumentin e bashkëngjitur vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit, përshkruhen si të rëndësishme, theksohet se ky territor – parcelë private – historikisht  ka qenë zonë banimi dhe tregtare me godina nga një deri në katër kate, tanimë të amortizuara.

“Ashtu ndodhi me Teatrin. E lënë të degradojë monumentin deri në zhvlerësim. Po ndodh me vilat e Tiranës”, thekson arkitektja, ndërsa Tiranës i humbasin çdo ditë disa prej vilave të vjetra.

Në një intervistë televizive të pak ditëve më parë, kreu i Shoqatës “Tirana”, Arben Tafaj e sheh të gjithën si një peng të vjetër të drejtuesve vendor në gjenerata , ku pas Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, pas Teatrit Kombëtar, ndryshoi Sheshin Skënderbej dhe tanimë me Kullën e Sahatit. Ndryshime po pëson ndërkohë edhe Akademia e Arteve, me argumentin se po ristrukturohet e po ashtu thuhet se një godinë e lartë do të ndërtohet në oborrin e Muzeut Historik Kombëtar. Në rrezik thonë aktivistët janë një sërë objektesh historike, që me justifikimin e tërmetit të nëntorit të kaluar janë klasifikuar si të dëmtuara.

Vetëm suvenir në të ardhmen. Veliaj i jep kryebashkiakut të Mantovës, Kullën e Sahatit, simbol i Tiranës

Tafaj kujtonte se në kohën kur Rama ishte kryebashkiak i Tiranës, qytetarët dhe shoqata “Tirana” kishin kundërshtuar planin belg, të cilin e cilësoi famëkeq. “Por sot, kur pushteti, vendor e qendror është i të njëjtin krah politik po shohim sesi këto kulla po ngrihen”, do të thoshte ai, duke përmendur disa syresh si kulla tek Gjykata e Lartë, pas Hotel Tirana International, pas Kullës së Sahatit, një tjetër në aksin e Bulevardit Zogu i Parëm pranë ish-Estradës. “Janë disa kulla, që u bënë prezentë atëkohë dhe zoti Rama kishte dëshirë t’i ngrinte”. Sipas Tafajit në rrezik nuk janë vetëm disa godina të veçanta, por edhe gjithë qendra.

Arkitekti Seranaj ngre problemin e ligjit të shpronësimeve dhe sesi, sipas tij, luhet me të drejtën për të zhvilluar pronën.

“Çfarë ndodhi me pallatin e INSIG, që u shemb? U shpronësuan edhe disa vila pas Hotel Tirana, me arsyetimin se do të bëhej nënstacion.  U montua  për një vit dhe pas një viti i  jepet tjetërkujt, për të zhvilluar kullën 24 kate dhe nënstacioni zhvendoset diku tjetër. Është zhvendosur  tri herë me taksat tona,  që shpronësojnë pronarët legjitimë  dhe aty do të bëhen kulla”,  thotë Seranaj.  

Arkitekti thotë se me reduktimin e zonës historike, të drejtën për të miratuar leje aty e ka Këshilli Kombëtar i Territorit, vetë kryeministri, ndërsa zonat e tjera në planet e pjesshme vendore  janë në dorë të privatëve “…janë ata që propozojnë sesi do të zhvillohet zona. Plani vendor i bashkisë është burim i paligjshmërisë, i pasaktë edhe  në lidhje me trashëgiminë, nuk  ka saktësisht marrëdhëniet  me ruajtjen apo  e marrjen në mbrojtje të zonës historike  dhe atyre monumenteve të kulturës”.

Seranaj thotë se nga viti 2015 janë shkatërruar më shumë se 70 vila,  në rrugën e Elbasanit, rrugën e Kavajës, Pazari i Ri…

Sipas përkufizimit të pasurisë së Peizazhit Kulturor, në Ligjin e 2018-s,  të tilla konsiderohen evilat, kopshtet dhe parqet, që nuk janë objekt mbrojtjeje, sipas dispozitave të këtij ligji, por që dallohen për bukurinë e tyre të pazakontë.

“Nëse ndërtohet pa kriter në zona që nuk janë të mbrojtura që mundet të sistemohen në të ardhmen  me pak vështirësi dhe ndërhyrje, por shkatërrimi i vlerave të kulturës dhe trashëgimisë nuk e kthen dot mbrapsht. Janë vlera që nuk rikthehen më”, thotë Seranaj.

Ringjallje e Planit Francez?

Që të  kuptohet sot çfarë po ndodh me Tiranën, thotë arkitektja Doriana Musai, duhet të  kthehemi mbrapsht te Plani Francez. “Modeli i paraqitur me 24 kulla, tregon qarte një ridizenjim te territorit ne forme te dhunshme, pa marre parasysh pjesën historike te tij. Forma që  Europa i ka testuar në shekujt e kaluar”, thotë Musai, duke shtuar se kryeministri Rama e ka gjetur frymëzimin në Plan Voisin, të  Le Corbusier i ekspozuar më 1922-shin.

Plani u  cilësuar një koncept utopik urban, për të strehuar  3 milion banorë në një sërë qiejgërvishtësish.

Sipas arkitektes Musai, plani ishte aq utopik sa askush nuk mori guximin ta zbatojë dhe sot studiohet si teori e pazbatueshme qe vret qytetin.

“Trashëgimia është e drejte themelore e njeriu”, thotë Musai, duke shtuar “çdo here një monument shembet, ne na shkelet e drejta e Cultural Adequate Housing. Të shpëtojmë çfarë të mundemi, ne jo, brezat e ardhshëm nuk kane për te na e falur”, thotë  Musai, duke shtuar se ndërhyrjet në zona historike kanë nisur qysh para viteve ’90, por tashmë po kryhen në mënyrë të dhunshme. “Është fatkeqësi kombëtare, kishin mundësinë që  qytetin e ri ta ndërtonin në  veri të  atij të  vjetrit, sikundër të  gjithë kryeqytetet në Europë. Pa monumentet që janë memorie, s’kemi çfarë t’i tregojmë Europës kur të  hyjmë në të”, përfundon Musai.

Arkitekti Seranaj thotë se trashëgimia e përbashkët mbrohet me ligj, pasi me aktivizëm qytetar duket i vështirë. Ende më i vështirë bëhet kur pushtet i përkasin së njëjtës forcë politike dhe drejtësia është ende jo funksionale.(Gazeta Si)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Ku fshihet flamuri i pavarësisë?!
Arkeologët zbulojnë se Porti i Durrësit gjendej më në veri nga i sotmi
Historia e Patrullarit nga Amantia
Simbol i Kullave Krutane, por objekti “dëbohet” nga Lista e Monumenteve të Kulturës
Kodiku i Korçës nr. 93 është ekzemplar unik në botë?
Si po mbijeton thesari folklorik i Lezhës

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}