Këtë artikull po e shkruaj për arsyen se termi banesë tiranase, dendur përdoret, pa pasur njohjen e duhur për tiparet e këtij tipi, sa të veçantë, aq dhe të përhapur vetëm në një hapësirë të caktuar të trojeve shqiptare. Kuptueshëm studimet në këtë fushë do të jenë të vijueshme, duke rritur shkallën e njohjes së kësaj dukurie bashkangjitur asaj jetësore, në një periudhë krahasimisht të gjatë. Studimet shqiptare në fushën e banesës popullore shqiptare, janë më të gjera me atë të banesës qytetare.

Banesë tiranase me shtëpi zjarri rrethuar me kthinë me dy kate

Ak.Emin Riza

Banesa popullore shqiptare në hapësirën shqiptare, brenda kufijve politikë të shek. XX, ruan ende një pasuri të rëndësishme dhe njëherazi radikale të kategorisë ndërtimore banesa popullore. Kjo pasuri, tashmë e vlerësuar, dokumentar dhe studiuar, që prej fillimit të viteve 1962, në hapësirën politike shqiptare, ende nuk ka tërhequr vëmendjen e duhur si dëshmi autentike historiko-kulturore. Tashmë i ngarkuar që në fillimet e viteve 1962, për gjurmimin, dokumentimin, vënien në mbrojtje, studimin dhe restaurimin e këtyre vlerave, kam gjurmuar mbarë qytetet e Shqipërisë, duke kryer dhe botime në formë artikujsh, albumesh dhe monografish. Artikulli i parë për banesën tiranase, tip i veçantë i banesës popullore qytetare shqiptare, është hartuar prej meje dhe kolegut bashkëgjurmues të saj Koço Zheku (1). Kuptueshëm për banesën tiranase dhe vlerat e trashëgimisë në kulturën materiale, do të shkruhet vijimësisht me synimin për zgjerimin dhe saktësimin e vlerësimeve për këto dukuri thelbësisht dokumentuese për historinë shqiptare dhe me gjerë.

Këtë artikull po e shkruaj për arsyen se termi banesë tiranase, dendur përdoret, pa pasur njohjen e duhur për tiparet e këtij tipi, sa të veçantë, aq dhe të përhapur vetëm në një hapësirë të caktuar të trojeve shqiptare. Kuptueshëm studimet në këtë fushë do të jenë të vijueshme, duke rritur shkallën e njohjes së kësaj dukurie bashkangjitur asaj jetësore, në një periudhë krahasimisht të gjatë. Studimet shqiptare në fushën e banesës popullore shqiptare, janë më të gjera me atë të banesës qytetare. Tashmë është kryer, besojmë pakthyeshëm, përcaktimi i tipologjisë në banesën popullore e qytetare shqiptare në pesë tipa: banesa me shtëpi zjarri në qendër ( banesa tiranase) banesa me hajat, banesa me çardak, banesa e fortifikuar gjirokastrite dhe banesa me qoshk, krahas grupit krahasimisht të gjerë të banesës me zgjedhje të veçanta. Kriteri thelbësor për këtë klasifikim, që besojmë se do t’i qëndrojë kohës është ai i kompozimit, i cili përfaqëson synimin për arritjen sa më të përshtatshëm të formulimit vëllimor të bashkëformuesve të njësive të ndryshme të banesës popullore qytetare shqiptare, në periudhën e fundit mesjetare, deri në fillesat e marrëdhënieve kapitaliste, në hapësirat shtetërore shqiptare.

Banesë tiranase me një faqe me dy kthina

Banesa tiranase, më saktë tipi i banesës me shtëpi zjarri në qendër, me zhvillimin lartësor dykatësh, ndeshet vetëm në qytetin e Tiranës dhe në disa fshatra përreth saj. Banesa tiranase, në fillimet e saj, deri në përzgjedhjen e Tiranës kryeqytet i Shqipërisë, shfaqet si banesë fshatare dhe më pas qytetare. Ndërtimi i saj, sipas të dhënave që kemi prej vrojtimit hulumtues të ndërtimeve tradicionale banesore, nuk ndërtohet më që prej fillimit të shek. XX. Prej vrojtimeve të kryera në vitin 1970 së bashku me kolegun Koço Zheku, për gjurmimin e shembujve ekzistues të banesës tiranase në qytetin e Tiranës, kemi arritur të identifikojmë mbarë shembujt, të cilët dëshmojnë ecurinë e bashkësisë tipologjike të kësaj banese, prej së thjeshtës në të zhvilluarën. Përsërisim se veçoria kryesore e tipit të banesës tiranase, është kompozimi, me thelbin e tij shtëpinë e zjarrit, me lartësi 5 m, duke qenë në variantin e parë vetë banesa. Më tej fillon procesi i formësimit të katër varianteve të tjera të banesës tiranase. Këta variante formohen vijueshëm, duke ndërtuar radhazi në njërën, e më pas në këtë katër faqet e shtëpisë së zjarrit blloqe banimi dykatësh, kuptueshëm të lidhur teknikisht me shtëpinë e zjarrit njëkatëshe, në qendër të kompozimit.

Është e rëndësishme të theksojmë se studimi i banesës qytetare shqiptare, kuptueshëm ka parashtruar dhe dukurinë e rëndësishme të përkatësisë kombëtare, të pesë tipareve të lartpërmendur të banesës popullore qytetare shqiptare të mesjetës së vonë. Ashtu si dukuri të tjera ndërtimore dhe më gjerë, kombi shqiptar, në vijimësi të qenies së tij, ka ndërtuar banesa familjare, të cilat për rrethanat e kohës, me zhvillime krahimore krahasimisht të ndryshme shfaqen me ndryshime të përfillshme kompozicionale. Banesa tiranase, shfaq një kompozim racional në bashkësinë e banesës popullore qytetare shqiptare, ballkanike dhe evropiane. Racionalizmi i spikatur i kompozimit theksueshëm fondamental në rrethanat kohore, para shek.XX, i jep një përparësi të dukshme banesës tiranase në kuadrin e kohës kur ajo vijon të ndërtohet.

Banesë tiranase me një kthinë

Banesa tiranase, mendojmë kohësisht më e vjetër se banesa gjirokastrite, të dy tipe që ndeshen vetëm në trojet shqiptare, janë banesa shqiptare, pra të krijuara nga shqiptarët për shqiptarët. Mbarë bashkësia, më e gjerë e banesës popullore qytetare shqiptare,e cila përfshin banesat me hajat, me çardak, dhe ajo me qoshk, është bashkësi tipologjish banesore të cilat ndeshen në mbarë hapësirën ballkanike dhe më gjerë, duke u cilësuar si banesa të shqiptarëve, pra jo shqiptare, sepse nuk janë krijuar prej shqiptarëve. Përfundimisht, për këtë klasifikim, do të thoshim të rëndësishëm, banesë shqiptare, apo e krijuar prej shqiptarësh, me njohuritë e derisotme, është banesa tiranase ( me shtëpi zjarri në qendër) dhe banesa gjirokastrite (kulla qytetare), ndërsa banesat e tjera me hajat, me çardak dhe ato me qoshk, nuk janë krijuar prej shqiptarëve, por janë përvetësuar prej tyre, duke u ndërtuar gjerë edhe në hapësirat qytetare shqiptare deri rreth fillimit të shek. XX.

Shqipëria është vendi në të cilin arkitektura popullore e ndërtimeve të qytetare dhe fshatare, gjatë gjysmës së dytë të shek.XX dhe fillimit të shek.XI, është bërë objekt i studimeve sistematike në rrafshet kompozicionalë dhe teknikës së materialeve ndërtimore. Gjurmimet sistematike rreth gjysmës shekullore, mbështetur me njohjet e gjera e sistematike, kryesisht në qytete por përfillshëm edhe në vendbanimet fshatare, janë shoqëruar me botime sistematike në gjinitë e artikujve, kumtimeve në konferenca dhe monografive. I ngarkuar prej administratës për vlerësimin dhe përzgjedhjen e ndërtimeve popullore në qytet dhe në fshat, që prej vitit 1962, dhe deri më sot kam shkruar 18 monografi për temën e gjerë të arkitekturës popullore shqiptare (kryesisht në qytete), krahas 94 artikujve në revista shkencore, 22 kumtime në konferenca ndërkombëtare dhe veprimtari përzgjedhëse të banesave me vlerë dhe ndërhyrjeve restauruese në shumë prej tyre.

(1-E.Riza-K.Zheku, “Banesa tiranase”, “Monumentet” Tirana 1971/2)   

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Besnik Aliaj: Shembja e Piramides nuk ndihmon ne memorien historike!
Arkitektura propagandistike dhe evolucioni i saj në Tiranë -Arkitektura si një “libër i hapur”
Ndërtesa që na rrëfejnë diktaturën
Modernizmi dhe realizmi socialist ose, kontruktivizmi dhe neo- klasicizmi
Në “Tempull” të gazetares Anisa Ymeri/ Kafja e Madhe në Shkodër u shemb!
Kafja e Madhe – Tokë e zanë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}