Nga Visar Zhiti

Emrin “Federico Gracia Lorca” e kisha dëgjuar më parë se ta lexoja, kur isha student në Shkodër. Dhe pashë një libër me poezi të tij, i botuar në Kosovë, s’e di si e kishte kaluar kufirin atëhere, fshehurazi sigurisht…

Më vonë miku dhe poeti Ndoc Gjetja më dha një bllok të madh, të bërë me ftesa të Festivalit të ndaluar të 11-të të Këngës, ku pas tyre një tjeter poet e mik, Sadik Bejko, kishte shkruar me dorën e tij të gjitha poezitë e atij libri, ku ta dish si e kishte siguruar. Të nesërmen duhej të ktheja bllokun. Shoku im, studenti Simon Vrusho, i kishte kopjuar për gjithë natën, me dorë dhe ai. Keshtu ne u bëmë  me “Lorkë” dhe e shpërndamë ndër miq të tjerë…

Ekzekutimi i Lorkes ne vitin 1936

Kur isha në burg, lexova në një revistë “Nëntori” dramën “Jerma”, e kishte përkthyer Aurel Plasari, i grisa me kujdes fletët e saj dhe ia dhashë këpucarit të burgut të m’i lidhte bashkë dhe pastaj arkitekti Maks Velo, mik imi, i bëri një kopertinë, duke prerë nga revistat ndonjë figurinë, që mund t’i përshtatej veprës apo shkronjat nga gazetat për titullin dhe autorin. Botim burgu, unikal, vetëm në një kopje, thosha me vete. Lexova dhe tre drama të tjera të Lorkës, ku s’ishte vënë emri i përkthyesit. Duhej të ishte ndonjë i burgosur, sigurisht.

Poezite e Lorkes kopjuar me dore nga Visar Zhiti

Kur dola nga burgu mësova se atë libër e kishte përkthyer shkrimtari Kasëm Trebeshina.

Fletoret e dikurshme me poezi të Lorkës, që kisha kopjuar vetë, i gjeta në shtëpinë time, i kishin shpëtuar nga konfiskimi, se ata të policisë sekrete m’i kishin marë nja 39 fletore e blloqe me shkrime e ditar… dhe poezive të Lorkës u bëra një kopertinë siç desha vetë, me plastmas, qe m’i ngjiten fshehurazi te njohur në fabrikën e plastmasit në Lushnjë.

Ja, i ruaj ende, aventurë librash dhe pasion poezie…

Dhe pasi ra diktatura e unë isha në Itali, bleva të gjithë Veprën e Lorkës, gjeta dhe një libërth me poezi të panjohura të tij, i përktheva shpejt, shtova të tjera dhe botova i lirë përmbledhjen lorkiane, të vogëlth, “Ballkoni i hapur”, me skica të vetë Lorkës.

I nëpërmenda këto në ditën e Lorkës…

Vriten poetë, por dhe libra, edhe lexues… gjithsesi poezia shpëton ashtu siç mundet dhe siç di ajo… dhe na vjen e shenjtë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit
Luljeta Lleshanaku merr titullin e laureates: E vështirë të impresionosh lexuesin shqiptar!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}