E sjellim artikullin e mësipërm të Arshi Pipës, botuar në prill 1944, si një shënim krahasues për çfarë ndodh sot e si shfrytëzohet qendra muzeale e Tiranës. Mjaft specialistë kanë sugjeruar që përgjatë bulevardit të Tiranës të ketë një jetë të pasur muzeale, dhe argumentet janë: godinat përgjatë bulevardit, qendra e vjetër historike e Tiranës ku në këto vite është bërë zbulimi i kalasë së vjetër, dhe pikërisht m’u tek vendi ku na flet Pipa për sarajet e Toptanasve etj…A i përgjigjet Tirana sot, kësaj fryme kulturore e muzeale për të cilën fliste kritiku?!

nga ARSHI PIPA

 

Bibliotekat, pinatekat, museumet janë institute kulturore ku pasqyrohet jeta mendore e nji kombi. Këtë s’e thomi për vehte, natyrisht, por për ata qi nuk e dinë. E thomi për ata të huej, qi vijshin deri dje me na vizitue si nji vend të rrallë. Gjejshin kta zotnij, lorda plakoça të velun nga mondanitetit, gazetare kulima qi kërkojnë për shtyllat e tyne sensacionalitete, se Shqipnia asht nji vend “piktoreskt”, pak “selvaggio” por charmant” n’at “simplicityy”-n e vet natyrale., qi ka thesare të panjohuna bujarije e pyjesh virgjine etj…etj…

Kta zotnij na i marrim për dore dhe i çojmë – jo te Xhamija e Ethem Beut, a te Ura e Brarrit, a te Kalaja e Petrelës, se kto ma i mori vesht bota- por te ndonji prej institutevet tona kulturore të sipërpërmenduna. Dhe u thomi: Urdhnoni, Zotnij, na kemi edhe kësi llojesh tjera!

I çojmë, fjala vjen, te Biblioteka e te Museumi. Asht e vërtetë, spjegojmë atëhere, se na nuk kemi shum biblioteka e museume. Historija e jonë, në robninë e saj pesë herë shekullore….e u thomi ktu at pak fjalë të nevojshme të zakonshme. Veç, shtojmë mandej, nji Bibliotekë e nji Museum i kemi si duhet…E u prijmë për atje.

Edhe përjashta kështu bajnë. Kur viziton ndonji qytet, të drejtojnë ma parë kah monumentat ma të përmendun, shtatore, pallate, tempuj, galerina arti. Dihet se kishat janë të stolisuna zakonisht me vepra plastike nga mjeshtrat e medhej. Shpesh, kush ka mndësi, pinakotekat e museumet e edhe bibliotekat, i vendosin ndër pallate historike. Ka lezet e njikohësisht dinjitet qi nji vepër arti të ruhet në nji ndërtesë gjithashtu arti ose në nji tempull. Kështu në Firencë, pinakoteka ma e madhe e Italis ndodhet në “Galleria degli Uffizi”, vepër e Vasarit. Në pallatin Pitti ndodhet galerija e artit modern. Verës në kopshtijet e tij epen çfaqje theatrore, dhe në njenën prej sallavet të tija, “Salla e Bardhë”, koncerte. Kapela e princave “Medici”, ku gjinden disa nga skulpturat ma të bukura të Michelangelos asht në Kishën San Lorenzo. Jo fort larg ksaj kishe ndodhet nji nga pallatet ma të bukura të Rilindjes, pallati “Strozzi”. Këtu, tash vonë, vendosën bibliotekën e moçme të “Gabinetit Viesseux”. Nji tjetër pallat i vjetër: “Bargello” asht sot museum armësh e veshjesh.

Dhe tash pyesim:

Ata qi e vendosën bibliotekën-museumin kombëtar të Tiranës te binaja e moçme qi qe dikur e princavet Toptanas, a mos u frymëzuan prej nji ideali të këtillë?

Bibliotekë e museum! Dy institute kulture të harmonizuem në nji të vetëm! Ekonomi vendi qi i ka hije shijes të madhit burr qi dijti me i vllaznue aq mrekullisht! Bibliotekë e museum bajnë dy. Shto edhe arkitekturën e pallatit ku janë ruejtë, e bajnë tri! Pallati asht në stilin klasik të traditës së madhe qerpiçane: i gjanë e i bollshëm, me çardak sa me nga kuajt, me salla të ndrituna –hygjenikisht- prej shumë dritorevet.

Karakteristikë dalluese: shkallët i ka jashtë dhe i ka, natyrisht, si të gjitha pallatet, simetrike ndër dy anët. Kto shkalla gurit puqen në maje tue përba nën të nji hark qi në thjeshtësinë e vet “austere” ka bukurin e vet. Mbi shkallë, përpara derës së hymjes, stolisë me xhama, çelet nji terracë me parmakë hekuri ndër ana qi përban ballkonin. Prej këndej mund të soditet natyra përqark.

Tash qi ka ardh pranvera asht nji lezet i veçantë me ndjeë në kët ballkon e me kënaqë syt me pamjen e oborrit. Pse harrova me ju diftue, pallati ka përpara nji copë oborr, katërkandësh i rregullt, ku bin bari pa pasë nevojë me e lagë.

Për çdo eventualitet ashtu aty, në mes, nji pus, me nji grukë të punueme në relief t’ulët prej daltuesit t’onë ma të përmendun…mjerisht nuk më kujtohet emni. Nuk ka gja ma të kandshme se me kullotë…sytë në kët jeshillëk.

Por nuk mjafton. A thash se shkallat jane guri te latuem? Jane keshtu per t’u-intonue me arkeologjin e kopshtit! Pse ketu ka pase kene dikur nji qytet greko-romak shum i permendun. Me germime te zellshme jane qite ne diell disa nga monumentat e vorruem. Kane zbulue keshtu nja disa shtatore pa krena, rrashta pa trupa, nja disa rrasa (jo me la tesha), ndonji qyp i madh per ufull, ndonji mbishkrim turçe qi permende daten e aleances se madhe turko romake te vj. 759 p.Kr. etj. etj.

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Homazh/ atDheu i Podrimjes, ku është pas lufte?
Aventurë mbi librat e Lorkës
Botohet libri i rrallë 1847-es/ I pari historian i letërsisë shqipe, por arbëreshi është lënë në harresë
Poeti kombëtar Naim Frashëri, përkthyesi i parë i Iliadës në gjuhën turke
Bukuria e provokimit apo bukuri e konsumit masiv?
Vlerësohet për romanin “Flama”/ Gazetari Enkel Demi alias Tom Kuka merr çmimin Europian të Letërsisë, për vitin 2021
{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}
>