nga Dr. Hasan Bello

Vendosja e regjimit komunist u shoqërua me konfiskimin jo vetëm të pasurive të tundshme dhe të patundshme të atyre që konsideroheshin kundërshtarë politik, por dhe me “përvetsimin” e bibliotekave personale, që individë të njohur kishin krijuar me shumë mund e sakrifica për dekada e shekuj me radhë. Skuadra të ngritura anëembanë vendit ku merrnin pjesë punonjës të Sigurimit të Shtetit, specialistë të dërguar enkas nga Tirana (nga Ministria e Arsimit, Propagandës dhe Kulturës Popullore, etj) sekuestruan dhe hartuan inventarë të posaçëm për bibliotekat e personave të arrestuar. Shumica e këtyre librave, duke shfrytëzuar raportet e shkëlqyera që ekzistonin me Jugosllavinë përfunduan në Beograd, disa në Bibliotekën Kombëtare dhe pjesa tjetër në shtëpitë e atyre që morën pjesë në këtë fushatë.

Për fat të keq, të njëjtin fat patën edhe shumë dokumente me vlerë për historinë tonë kombëtare. Fillimisht dokumentacioni i shtetit shqiptar u grumbullua pa asnjë kriter shkencor dhe administrativ për tu kontrolluar nga organet e Ministrisë së Brendshme, prokuroria dhe gjykatat. Kjo në funksion të luftës politike për arrestimin edhe dënimin e kundërshtarëve të regjimit komunist. Sipas kujtimeve të shefit teknik të arkivit, Injac Zamputit, materialet arkivore të institucioneve të ndryshme mbasi ishin shfrytëzuar nga hetuesia e gjykatave “popullore”, duheshin kërkuar mes ndyrësirave të bodrumeve, që më parë kishin shërbyer për kafshët. “Fondet e kalbëzueme i kemi nxjerrë me lopata dhe i kemi transportue me karro dore e, pastaj, kemi nisë spastrimin e tyre”. Ai shkruan se dy a tre shtëpi në qytetin e Durrësit ishin plot e përplot me shkresat e Ministrisë së Brendshme dhe të Luogotenencës (Mëkëmbësisë së Përgjithshme). Ato ishin grumbulluar aty gjatë marrëdhënieve të mira me Jugosllavinë, gjoja për t`i çuar në fabrikat e letrës, por në të vërtetë,-thekson ai,-për të pasuruar arkivat e shërbimit sekret.

Në fakt, ishte e vërtetë se dokumentet arkivore fillimisht vlerësoheshin sipas vlerës operative që ato kishin për Sigurimin e Shtetit. Por nuk mund të mohohet fakti se ato shpëtuan për një fije pa u dërguar në Beograd, falë prishjes së Stalinit me Titon në vitin 1948 dhe ndikimit që ky raport pati në marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave.

Sidoqoftë biblioteka të tëra dhe kushedi sa dokumenta përfunduan drejt Jugosllavisë gjatë “muajve të mjaltit” 1944-1948.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Gazetaria si bilanc lufte
Të përndjekurit nuk i luftuam me plumba, por me shpërfillje
QENDRA KOMBËTARE E LIBRIT DHE E LEXIMIT, NJË KAMBANË PËRNDJEKJEJE
Zbulimi i një mozaiku mund të ndryshojë historinë e zonës përtej amfiteatrit të Durrësit
Komunizmi si fe e njeriut të ri
Musineja në Arkivë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}