“Mëso të jetosh” janë letrat për Lucilin, të padiskutuara si kryevepra të Senekës, duke nxjerrë prej tyre thelbin e të gjitha mësimeve. Montenji, në Esetë e tij që u ngjajnë aq shumë Letrave për Lucilin, i përmend këto mbi 280 herë. Janë letra që citohen, por nuk lexohen. Ky libër, përzgjedhur e përkthyer nga latinishtja prej Alain Golomb, në shqip janë përkthyer prej frëngjishtes nga Eliana Sotiri, Natasha Sotiri, botuar se pari me 1997. Letrat më të mira për Lucilin janë përmbledhur në këtë libër, si kronikë e vërtetë e shpirtit, një dritë për urtësi dhe lumturi

LETRA VIII

Mos do të thuash se po të mësoj t’i shmangesh shoqërisë e të kënaqesh vetëm me ndërgjegjen tënde? Mos do të thuash se unë mohoj kështu parimet tona sipas të cilave baza e jetës njerëzore është puna? Mos vallë mendon se po të këshilloj përtacinë?

Por unë që jam tërhequr e që jam mbyllur brenda, e kam bërë këtë që të jem i dobishëm për shumicën e njerëzve. Për mua nuk ka asnjë ditë pushim. Pjesërisht edhe netët ia kam kushtuar studimit. Unë nuk i fal vetes as kënaqësinë e gjumit, përkundrazi, bëj luftë me të. Sytë e mi të lodhur, nga të ndenjurit zgjuar, mbyllen vetë. Kurse unë i detyroj të hapen për të punuar.

Unë nuk jam mënjanuar nga shoqëria, por nga punët e saj të rëndomta, e para së gjithash nga ato të miat. Unë po punoj për brezat që do të vijnë. Për ata po shkruaj. Po mbledh përvoja që do të mund t’u shërbejnë. Po u përcjell me shkrim mesazhe mësimdhënëse, ose në qoftë se do ta themi në mënyrë të figurshme, po përgatitem t’u dërgoj ilaçe të dobishme që i kam provuar më parë në plagët e mia, disa prej të cilave m’i kanë shëruar plotësisht, kurse disa të tjerave u kanë vënë kore.

Po u tregoj të tjerëve rrugën që duhet të ndjekin, atë rrugë që unë e zbulova me vonesë, pasi u enda gjatë. Dua t’i paralajmëroj ata: largohuni nga çdo gjë vulgare. Kujdes nga të mirat që u dhuron rasti. Ndaluni me mosbesim dhe frikë përpara çdo lumturie të papritur, sepse ajo është një egërsirë që e ndjell gjahun me anë të shpresës. Ju besoni se këto lumturi janë dhurata të Fatit? Jo, janë kurthe. Të gjithë ata që duan të jetojnë të qetë, duhet të ruhen që të mos mbërthehen nga nderet si miza nga mjalti, sepse këto ndere na mashtrojnë në mënyrë të dyfishtë; ndërsa ne mendojmë t’i mbërthejmë e t’i mbajmë fort, janë ato që na lidhin fuqishëm pas vetes së tyre. Kjo gjë të çon drejt e në humnerë. Jeta në qarqet e larta lakmohet shumë, por shpesh ajo përfundon me rënie. Përveç kësaj, kur pasuria që na sjell Fati fillon të na marrë mendjen, është e pamundur të mos thyejmë kokën. Dhe Fati nuk kënaqet duke na kthyer mbrapsht, d.m.th. atje ku ishim në fillim, por duke na gëlltitur e duke na bërë copa-copa.

Jeta e pastër është si një trup i shëndoshë. Jepini trupit vetëm atë që është e domosdoshme për të gëzuar shëndet të plotë. Kaliteni, në mënyrë që të përmbushë dëshirat e zemrës. Ushqejeni sa të qetësojë urinë, jepini të pijë sa të shuajë etjen, visheni sa ta ruani nga të ftohtit, strehojeni për ta mbrojtur nga rrebeshet. Nuk ka asnjë rëndësi se si është e ndërtuar streha, me baltë apo me mermer të ardhur nga jashtë. Një shtëpi e gurtë e mbron njeriun po aq mirë sa edhe një shtëpi e artë. Mos i përfillni zbukurimet që kërkojnë përpjekje të tepërta. Mos harroni se vetëm shpirti është i denjë për admirim, dhe se kur ai është i madh, nuk mund të gjendet një barasvlerësi madhështisë së tij.

Qëllimet që i kam vënë vetes ua këshilloj edhe brezave që do të vijnë. A nuk të dukem më i dobishëm tani sesa atëherë kur paraqitesha në gjykatë në ditë të caktuara për të zhvilluar gjyqe? A nuk të dukem më i dobishëm tani sesa atëherë kur, me cilësinë e noterit, vija vulën në fund të testamenteve, ose kur, në Senat, përkrahja një kandidat me një fjalë a me një gjest? Mësoje pra, se veprimtaritë më të larta i kryejnë ata që duken sikur s’bëjnë asgjë. Pikërisht ata dinë t’i trajtojnë njëherësh si detyrat njerëzore ashtu edhe ato hyjnore.

LETRA XII

Po vërej nga të gjitha anët shenja të pakundërshtueshme të pleqërisë sime.

Shkova në shtëpinë që kam në fshat, në rrethinat e Romës, dhe po qahesha se ajo rrezikonte të shembej e se meremetimi i saj më kushtonte shumë. Kujdestari im më thotë se përkujdesi nga ana e tij nuk ka munguar, se ai bën ç’është e mundur për të, por shtëpia është e vjetër. U mplaka bashkë me shtëpinë. Ç’do të ndodhë me mua kur gurët, bashkëmoshatarë të mi, janë dërrmuar deri në këtë pikë?

I nxehur ashtu siç isha, u kapa pas të parit pretekst që më erdhi në mendje dhe zbraza pushkën. “Shiko, këto pemë janë mbajtur keq, nuk kanë fare gjethnajë. Ç’degë të nyjëzuara dhe të thara! Sa të tmerrshme i kanë trungjet! Lëvorja u bie copa-copa. Nuk do të ishin kështu po të gërmoheshin dhe ujiteshin rreth e qark”. Por kujdestari më betohet për kokën time se ai bën ç’është e mundur, se nuk i rresht përpjekjet, porse pemët kanë filluar të mplaken. Le ta themi midis nesh, vetë i kam pasë mbjellë dhe po vetë i kam pasë prerë sythat e parë të gjetheve të tyre.

Kthehem nga dera e hyrjes kryesore dhe pyes: “Ç’është ai atje që gati po rrëzohet? E keni vënë edhe pranë portës! Do të thosha se gati po shtrin këmbët! Ku e ke psonisur? Je zbavitur duke ngritur një të vdekur që s’është i yni?”. Burri për të cilin po flasim ma kthen: “Nuk po më njeh? Jam unë Feliksi, që më sillje statuja të vogla ditën e fundit të festave të Saturnit. Jam djali i fermerit tënd Filozit, vogëlushi yt”. Eh, ja edhe një që e ka lënë mendja fare! Një djalkë. Dhe djalka im më i vjetër se unë!

Në fund të fundit është shumë e mundshme: ai është tamam në moshën që fillojnë e bien dhëmbët!”

Pikërisht, në saje të shtëpisë në fshat, unë pikasa rreth e përqark meje pleqërinë time. Më duhet ta mirëpres. Duhet ta dua. Ajo është shumë e ëmbël, në qoftë se dimë të sillemi me të. Frutat janë tepër të shijshme vetëm kur piqen shumë. Mosha e fëminisë që i afrohet fundit është më e këndshmja. Edhe kur pimë, kupa e fundit është ajo që të merr mendtë, të merr këmbët e të bën të dehesh.

Ëmbëlsira ruhet për në fund. Periudha më e ëmbël e jetës është kur ke zbritur deri në fund pa u rrokullisur. Edhe ai çast (që është si pika e ujit në buzë të gotës) ka për mua bukurinë e vet. E thënë ndryshe, kënaqësia zëvendësohet kur nuk e ndjen mungesën e saj. Sa e ëmbël është t’i kesh plotësuar dëshirat e tua dhe t’i lësh pas vetes!

Ti thua se është e pakëndshme ta kesh vdekjen para syve. Së pari, vdekjen e kanë pranë të rinjtë po aq sa edhe të vjetrit; nuk ka radhë, as përparësi për njerëzit e moshuar.

Përveç kësaj, asnjë nuk është aq i lashtë sa të mos shpresojë të jetojë edhe një ditë më shumë.

Na duhet pra të përgatitemi çdo ditë sikur ajo të jetë dita e fundit e jetës sonë, si të jetë një pikë skajore.

Kryezotin e Sirisë, Pocuvin, pasi bënte ceremoninë e varrimit të vet me pije të shumta dhe tavolinë mortore, e shoqëronin për në krevat me duartrokitje të shfrenuara të rinjsh. Ndërkohë, me muzikë, këndohej greqisht: “Ai ka jetuar!”. Çdo ditë pa përjashtim, ai festonte varrimin e tij. Atë që ky njeri e bënte me ndërgjegje të turbulluar, le ta bëjmë ne të tjerët me ndërgjegje të pastër. Kur shkojmë për të fjetur, le të përsërisim gëzueshëm: “Unë kam jetuar; e përshkova rrjedhën që më kishte caktuar Fati”. Në qoftë se Zoti na shton edhe një ditë nga e nesërmja, le ta mirëpresim me gëzim. Është shumë i lumtur ai që, duke zotëruar qetësisht vetveten, e pret të nesërmen pa asnjë shqetësim. Çdo njeri thotë me vete: “Unë kam jetuar”. Çdo ditë që lind është për të një shans i ri.

Tani më duhet ta mbyll. Kujton se kjo letër do të mbërrijë tek ti pa asnjë dhuratë? Mos u tremb! Ka diçka të vogël në të për ty. Oh, po çfarë po them kështu. “Një send të vogël”? Jo, “një diçka të madhe!”. Në të vërtetë, a ka ndonjë fjalë më domethënëse se kjo që po ta besoj në këtë letër?

“Është fatkeqësi të rrosh në perandorinë e nevojës, por nuk është e domosdoshme të jetosh nën pushtetin e saj”.

LETRA XXII

Ti tani e kupton që duhet t’i përvidhesh sa më shpejt shkëlqimit të rremë dhe të mjerueshëm të funksioneve që ke. Kërkon të dish se si mund t’ia dalësh mbanë? Disa gjëra bëhen vetëm në terren. Një mjek nuk mund të diagnostikojë me korrespondencë. Fillimisht, atij i duhet të masë pulsin e të sëmurit. Sipas një proverbi të lashtë, fitorja e gladiatorit vendoset në arenën e ndeshjes. Një shprehje në fytyrën e kundërshtarit, një lëvizje e dorës ose një përkulje e vogël e trupit të tij e informojnë gjerësisht shikuesin. Ajo që na mëson përvoja e përditshme përbën një tërësi këshillimesh të përgjithshme gojore ose të shkruara, që kanë vlejtur për paraardhësit njëlloj siç do të vlejnë edhe për pasardhësit. Por problemi është të gjesh çastin më të përshtatshëm në të cilin duhet vepruar për t’i vënë në jetë këto mësime dhe të jesh në brendësi të situatës që të mund të marrësh një vendim, sepse asnjë këshillë nuk mund të jepet nga larg.

Përfundimisht, nuk mjafton vetëm të jesh i pranishëm, por edhe syçelë, në mënyrë që të mund ta pikasësh çastin e përshtatshëm. Përgjo dhe mbërtheje rastin sapo të të paraqitet. Vër gjithë vrullin dhe forcat e tua për t’u çliruar nga “detyra ” që ke. Unë do të shkoja deri aty sa të të këshilloja: jeta që po bën është shumë e shkurtër, prandaj duhet ta braktisësh sa më shpejt. Por mendoj gjithashtu se këtë gjë duhet ta bësh dalëngadalë. Këtë lëmsh, ku për fat të keq je ngatërruar, është më mirë ta shpleksësh sesa ta këputësh. Mund ta këputësh vetëm kur nuk arrin ta zgjidhësh, por edhe atëherë me kujdes. Asnjë nuk është aq frikacak sa të parapëlqejë të jetojë gjithmonë i varur në fijen e perit, kur mund të bjerë e të shpëtojë njëherë e mirë.

E para gjë që duhet bërë është të mos pengosh vetveten. Mjaftohu me plotësimin e nevojave të domosdoshme për të cilat Fati të detyron. Nuk duhet të ngatërrohesh edhe më tepër, përndryshe nuk do të ketë shpëtim për ty, dhe jo vetëm kaq, por do të bëhet e qartë se rënia jote nuk qe e papritur. Në të vërtetë, arsyetimet që ndeshen zakonisht në jetë, si “Nuk munda të bëja ndryshe” ose “Edhe në qoftë se nuk do të doja, s’kisha ç’të bëja”, janë gënjeshtra. Asnjë nuk është i detyruar të vrapojë pas fitores. Përkundrazi, është më mirë të ndalesh në vend sesa ta nxitësh Fatin që na shtyn.

A do të të vinte keq në qoftë se, në vend që të të këshilloj vetë, do t’u drejtohem njerëzve të tjerë, gjykimi i të cilëve është pa dyshim më i matur se i imi, dhe të cilëve unë u referohem zakonisht kur dua të marr ndonjë vendim? Lexo letrën e Epikurit, që trajton problemin që na shqetëson edhe neve. Ajo i drejtohet Idomenës. Epikuri i kërkon asaj të bëjë ç’është e mundur për të ikur menjëherë para se një forcë tepër e fuqishme të hyjë në lojë dhe t’i heqë mundësinë për t’u larguar.

Ai shton gjithashtu se çdo përpjekje duhet bërë në çastin e duhur. Por, sqaron ai, kur ky çast i pritur kaq gjatë mbërrin, duhet ta mbërthesh menjëherë. Ai që ka ëndërruar të largohet, nuk duhet të gjunjëzohet, sepse do ta gjejë një rrugëzgjidhje të lumtur, pa dyshim pasi të ketë kaluar vështirësi tepër të mëdha. E për këtë nuk duhet te nxitohet e të veprojë para çastit të duhur, por as të vonohet kur ky çast mbërrin.

Unë kujtoj se ti do të dish edhe mendimin e Stoikëve. Asnjë nuk ka të drejtë t’i akuzojë ata përpara teje për guxim të tepruar. Ata karakterizohen më shumë nga kujdesi se sa nga guximi. Ndoshta ti pret të të thonë: “Është turp të përkulesh nga pesha në kurriz. Duhet të luftosh me të sapo ta kesh ngarkuar mbi vete. Ai që i bën bisht mundimit, është një njeri pa energji dhe pa nismë, sepse vështirësia e situatës nuk ia rrit guximin”.

Ja se ç’do të të thonë, kur do të të duhen shumë përpjekje për të provuar durimin, kur njeriu i ndershëm nuk denjon të merret me punë të ulta e poshtëruese, kur në këtë rast nuk bën as atë që mund të quhet më e -pakta. Me të hyrë në rrethin e lartë të politikës, ky njeri nuk bie në vorbullën e pandalshme; me të kuptuar se situata është e dyshimtë dhe e rrezikshme, ai bën hapa pas, dhe, pa u kthyer prapa, tërhiqet në majë të gishtave për të zënë një vend të sigurt.

I dashur Lucil, kur përbuz përfitimin, është e lehtë t’u shpëtosh telasheve. Dëgjoji zvarritjet e kundërshtimet që na bëhen: “Si të heqësh dorë nga shpresa kaq të mëdha? Të mos shkosh në mes të korrjeve?” Asnjë nuk e mbështet mospërfilljen për të cilën po të flas. Në këtë’ pikë jam i vetëm. Njerëzit e braktisin përfitimin vetëm të detyruar. Ndërsa e kujtojnë me dhembshuri këtë fitore të mjerimit të tyre, vetë mjerimin ata e mallkojnë.

Ambicia është si një mësuese për të cilën njerëzit ankohen vazhdimisht. Por, po të analizojmë ndjenjat e tyre të vërteta, do të vëmë re se ata i vërsulen ashpër asaj që nuk e arrijnë dot. Zbuloji këta njerëz që qahen për atë që kanë arritur dhe që flasin për t’u larguar nga ajo që nuk e arrijnë dot. Zbuloji pra njerëzit që kënaqen me një gjendje të mundimshme, që është për të ardhur keq.

E vërteta është, Lucil, se rrallë skllevërit janë viktima të skllavërisë, shumica janë skllevër vullnetarë. Ti p.sh., në qoftë se me të vërtetë e dëshiron lirinë dhe je i vendosur ta fitosh atë, në qoftë se ti përcakton një afat të domosdoshëm për ta realizuar sa më mirë këtë shkëputje, duke i dhënë fund kështu një shqetësimi të vazhdueshëm, as që duhet të dyshosh se trupa stoike nuk do ta miratojë këtë! Të gjithë Zenonët, të gjithë Krisipët do të të japin këshilla miratuese në përputhje me arsyen e moralin e tyre.

Por, nëse ti kërkon të fitosh kohë që të vendosësh se ç’do të marrësh me vete dhe ç’sasi parash të duhen për të përgatitur tërheqjen tënde, ti nuk do të dalësh kurrë prej andej. Asnjë nuk shpëton nga përmbytja së bashku me armët dhe bagazhin. Dil nga uji për të filluar një jetë më të mirë me ndihmën e perëndive (favor ky krejt i ndryshëm nga ai që u bëhet me një fytyrë plot mirësi dhe kujdes njerëzve, të cilëve u është paracaktuar një varfëri e tmerrshme, e përligjur me arsyetimin që të mirat që djegin e torturojnë, janë dhënë vetëm për të plotësuar urime e dëshira).

Isha duke e mbyllur letrën, por duhet ta hap përsëri që të fus në të dhuratën time të zakonshme, e cila është një përkushtim i mrekullueshëm, një përkufizim që më duket sa i vërtetë aq edhe shprehës. I kujt? I Epikurit. Po të shes mallin e tjetërkujt: “Gjithkush del nga jeta ashtu siç ka hyrë”. Merr kë të duash, një të ri, një plak ose një të rritur të moshës së mesme, i cili edhe trembet nga vdekja, edhe s’di të jetojë. Nuk ka njeri që t’i ketë të gjitha të përfunduara, sepse të gjithë ne i lëmë punët për më vonë.

Ajo që unë vlerësoj më shumë në këtë sentencë është qortimi që u bëhet pleqve, të cilët, megjithëse e kanë kapërcyer fëmijërinë, vazhdojnë të jenë fëmijë. Epikuri thotë: “Çdokush del nga jeta ashtu siç ka hyrë në të”. Kjo nuk është e saktë, sepse ne vdesim më të liq seç kemi lindur. Për këtë, faji është i yni dhe jo i Natyrës. Natyra do të ankohej me të drejtë: “Si? Unë ju solla në këtë botë të zhveshur nga frika, nga besëtytnitë, nga pabesia dhe vese të tjera; dilni prej saj me cilësitë që ju dhashë!”

Ai që vdes po aq i qetë sa ka lindur, ka ditur t’i vjelë të gjitha frutet e urtësisë. Kurse ne, ne që dridhemi kur na afrohet rreziku, ne që nuk kemi fare guxim, ne ndërrojmë ngjyrën dhe derdhim lot pa dobi. Sa turp! Të jesh i shqetësuar në prag të prehjes! Arsyeja është kjo: ne vuajmë se na ka shkuar jeta kot, atëherë kur interesat e rëndomta vetjake kanë marrë fund. Ne vuajmë se nuk na ka mbetur asgjë prej saj, se ajo na ka vajtur dëm. Të gjithë njerëzit mundohen e përpiqen, jo që të jetojnë mirë, por që të jetojnë gjatë, kurse në të vërtetë, të gjithë njerëzve u është caktuar detyra që të jetojnë mirë, por asnjërit prej tyre që të jetojë sa më gjatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

QENDRA KOMBËTARE E LIBRIT DHE E LEXIMIT, NJË KAMBANË PËRNDJEKJEJE
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Zbulimi i një mozaiku mund të ndryshojë historinë e zonës përtej amfiteatrit të Durrësit
Komunizmi si fe e njeriut të ri
Musineja në Arkivë!
Shkatërrimi i Teatrit dhe degjenerimi i qytetit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}