Fundjava e filmit të shkurtër, programit studentor si dhe Akademia Dea në takimet ndërkombëtare të Filmit

Çdo pasdreke, në orën 15.00, në sallën Black Box, programi i filmit të shkurtër i prezantuar në Festivalin Ndërkombëtar Dea Open Air, ka angazhuar sidomos të rinjtë, në vështrimet e produksioneve të paraqitura nga Kosova, Greqia, Shqipëria, Bullgaria, Norvegji, Kore e Jugut, Itali, Amerikë apo Brazili. Një hartë e pasur vështrimesh artistike, por edhe mesazhesh humane në një vit të vështirë për gjithë globin që si duket i ka bërë regjisorët e të rnjtë, të ndërtojnë një refleksion mbi veten, në në eksplorim të dedikuar.  Kosova e pasluftës, është tema që ka eksploruar regjisori nga Kosova, Besnik Prekazi, me filmin “Lojë pa hile”, ku në focus ka dëshirat e një djali për të qenë pjesë e një loje futbolli. Është një përballje e sotme e adoleshentëve me pasojat e luftës. Duket se frymëzimi edhe i regjisorit grek, Ioannis Makro është pikërisht kjo moshë, i cili me produksionin “Fëmija i dëbuar”, përball dhunën dhe ngre temën e racizmit duke ngritur dilemën: A do mundet djaloshi 11  vjeçar (i vendosur në film) të kapërcejë pengesat, dhe të ndjekë ëndrrat?

Produksioni “Biri i zjarrtë”, me regji të Martin Oliveros Heinze, përfaqëson Shqipërinë duke sjellë një histori familjare, ku tragjizmi lë pasoja sociale si ai i djalit 17 vjeçar, që i duhet të vendosë pas vdekjes së babait, të largohet nga qyteti, apo të ndjekë studimet?! Sa mundësi ke në një fshat të vogël për të përballuar jetën, por edhe për të ëndërruar mbi të ardhmen? Këto shqetësime, që jo pak janë edhe në Shqipëri, regjisori Georgi Martev, i sjell në filmin “Nga këtu atje”, duke na zhvendosur në një fshat të vogël bullgar, në mes të një realiteti të shkatërruar.

Nga Amerika vjen një histori tepër e ndjeshme, ku për herë të parë luan një aktor shurdhmemec, një histori “coming of age” që regjisori Doug Roland, e vendos në fokus të adoleshentit që endet rrugëve të Nju Jorkut.

I shqetësuar për botën çnjerëzore, regjisori francez Hugo Le Gourrierec krijon një sfidë psikologjike. “Pipo dhe dashuria e verbër” është filmi i prezantuar nga Franca, ku emocionet arsyetohen dhe maten me çdo çmim që i duhet një sacrifice për dashurinë. Pipo, një punëtor fabrike dashurohet me një grua të ulur në një stol. Ai do të provojë gjithçka për ta tërhequr vëmendjen e saj dhe për ta joshur me «gjuhën» e tij.

E diela e programit të filmit të shkurtër, ka vijuar në Dea Open Air, me filmin e autores Ambra Cani, ku shfaqet raportet e vështirë e të ndërlikuara që ndodhin në familje. E sidomos në rastin konkret në filmin “Sonja”, regjisorja ndan me publikun jetën e një vajze 17 vjeçare, e mbetur shtatzanë, por që për shkak të kushteve ku ndodhet, aborton dhe helmon të atin, si pasojë e një marrëdhënie me të.

Ëndrrat vazhdojnë në Dea Open Air, sidomos për moshën e adoleshncës, kur në filmin prej 15 minutash, regjisori Giuseppe Marco Albano nga Italia , vendos Shqipërinë në ngjarjen e tij, si një vend i vështirë për të jetuar. Lufta e Kosovës vazhdon të jetë në fokus të kinemasë, edhe këtë herë, me metrazh të shkurtër është produksioni “Lufta ime e fshehtë” me regji të Kevin R. Phipps, nga Amerika, ku tregohet përballja me luftën, një histori e vërtetë e një gruaje të re që merr vendimin e errët që u detyrua të merrte si fëmijë i luftës.

Nga Brazili “Filmi pa zë”, i regjisorit Melo Viana na zhyt në një projeksion filmash si ëndërr e tre fëmijëve, që në kushte rrethanore vendosin imagjinatën në këtë produksion. Se si mund të përgjithësohet një histori personale, e sidomos ajo e aventurës së lëvizjes, këtë e bën regjisori nga Norvegjia Jasemin Demirci, në filmin “Ndryshim klime”, duke na kthyer vëmendjen tek njeriu, sa e vështirë është përshtatja. Duket se Shqipëria, këtë edicion të Dea Open Air, ka frymëzuar mjaft regjisorë, si edhe, në rastin e regjisorit nga Korea e Jugut, Hyejin Kim i cili është “zhvendosur” në Patos, aty ku ndodhet zona naftëmbajtëse, i shqetësuar për pasojat që lë ndotja tek njeriut, pasojat fizike.

Programi i filmit studentor në fundjavën e Dea Open Air

Të shtunën ka qenë  një program i ngjeshur në prezantimin e festivalit të Dea Open Air, ajo e studentëve. Nga Rusia, regjisori Roman Sinitsyn me filmin “Polic”, zhvendos jetën personale të një polici, në një mjedis publik, ku përballja është një engimë… Me ndjeshmëri fine, “Zhaëty” me regji të  Hsiu Hui-Ëang, sjell fragment të jetës së Taivanit në ditët e stome, duke kthyer vëmendjen në gjera të vogla, të thjeshta, në disa sjellje humane përballë jetesës së vështirë. Dhe ja ku është sërish shqetësimi për moshën më delikate, adoleshentët. Filmi “Jashtë rrezes së dritës” të regjisorit Sebastian Plasencia, që përfaqëson Perunë, problemet sociale dhe humaniteti, jo vetëm në kontekst familjar bëhet frymëzues dhe mesazh për të rinjtë. Nga Venezuela, me filmin “Tenxherja”, regjisori Gilberto Polo Pacheco,  vendoset në një lagje me të ardhura të ulëta në Maracaibo Julio ku trajtimi i fëmijëve është gjithnjë një shqetësim, sidomos për dhunën brenda familjes. Ndërsa të dielën, studentët kanë pasur mundësinë të shohin një tjetër gjeografi artistike të prezantimit të kinemasë sot. Nga Rusia, “Kllouni” i regjisorit Vladimir Feklenko; më tej në filmin “Noa” të Dekel Nitzan, nga Izraeli, kthehemi tek plagët sociale të mbijetesës, papunësia që gjeneron sa interesat, aq edhe disa ndjeshmëri të pazakonta për të rinjtë. Kështu vjen edhe produksioni “Viktoria” – Alejandra Perea Martín, Spanjë 2019,  e cila në tetë minuta, përqëndron këtë përvojë të re, në një ndërgjegje e qartësi për të njohur realitetin. Lindje-Perëndim, me regji të Natalia Koniarz e zhvendos vëmendjen e përfaqësimit nga Polonia, nëpër rrugët e refugjatëve të Donbasës, ku  gra dhe burra – kryqëzohen vazhdimisht dhe ngadalë ndërtojnë marrëdhënien e tyre. Ne të gjithë jetojmë në të njëjtën botë, megjithatë bota e secilit është e ndryshme. Secili prej nesh i percepton gjërat ndryshe. Kjo është “jeta” që kërkojnë dy personazhët në një vend të çuditshëm të ndërtuar në filmin “Pamje” të regjisorit Roman Pivovarník, Sllovaki 2021.

Akademia Dea – takime ndërkombëtare të akademive të Filmit

Në këto tre ditë Akademia Dea ka organizuar tre takime ndërkombëtare të akademive të Filmit, nisur nga e shtuna, kur është bërë prezantimi i Departamentit të Regjisë së Filmit dhe Televizionit të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës; të dielën u mbajt takimi ndërkombëtar i akademive të filmit Prezantimi i Akademisë Europiane të Filmit, në Shkup; dhe sot Akademia Dea ka organizuar takimin ndërkombëtar të akademive të arteve të filmit, me prezantimin e Fakultetit të Filmit dhe Televizionit të Akademisë së Arteve Performuese në Bratislavë, mbajtur në galerinë FAB, të Universitetit të Arteve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Fati i themeluesve të shtetit shqiptar
Deti monumental i Adrian Pacit përmbyt Mudec-in
Autorja koreano-jugore, Han Kang ka fituar çmimin Nobel në Letërsi
Ismail Kadare – Obituare
Ramadan Sokoli në Arte
Kortezi e imazheve të Leon Rey

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}