nga Julia Vrapi

Baleti i parë shqiptar “Halili dhe Hajria” u shfaq premierë shqiptare në 13 janar të vitit 1963. Vepra e kompozitorit Tish Daija, që erdhi në skenën shqiptare me koreografi nga Panajot Kanaçi dhe dirigjent Mustafa Krantja do të botohet. Akademia e Shkencave do të botojë partiturën e plotë muzikore në një libër, një lajm që është mirëpritur dhe nga autorë të tjerë të muzikës në vendin tonë. Akademik Vasil S. Tole, zëvendës kryetar i Akademisë së Shkencave shprehet se partitura e plotë muzikore e baletit të parë shqiptarë del së shpejti. Akademiku pohon se baleti “Halili dhe Hajria” është i treti në krijimin e veprave të mëdha të muzikës shqiptare. “13 janar 1963 u krye premiera e “Halilit dhe Hajrisë”, të parit balet shqiptar! Mirënjohje dhe respekt për autorët, kompozitorin Tish Daija, koreografin Panajot Kanaçi dhe gjithë interpretuesit muzikorë të drejtuar nga dirigjenti Mustafa Krantja. Ky balet erdhi i treti, në radhën e krijimit të veprave të mëdha të muzikës shqiptare, që fillojnë me simfoninë e Zadesë-1956 dhe operën “Mrika” të Jakovës-1958. Së shpejti del nga shtypi partitura e plotë muzikore e baletit, e notizuar në kompjuter nga Gusti Daija, botim i Akademisë së Shkencave!”, bën me dije akademik Vasil. S. Tole zëvendës kryetar i ASH, në një postim të tij në Facebook. Kompozitori Miron Kotani, e cilëson këtë një lajm shumë të mirë dhe shprehet se më në fund çdo person i interesuar ka mundësi ta blejë këtë vepër muzikore. “Më në fund! Bravo! Një super lajm nga Akademia e Shkencave! Një vepër e plotë nga “klasikët” e muzikës shqiptare! Tish Daija: baleti “Halili dhe Hajria”. Tashmë çdo person i thjeshtë i interesuar nga publiku mund ta blejë këtë vepër muzikore në librari. Një ëndërr që pret të realizohet për të gjithë krijuesit- kompozitorë të muzikës shqiptare”, shprehet kompozitori Kotani.

Baleti shqiptar në skenë

 “Halili dhe Hajria” është një vepër tërësisht shqiptare, e para në skenën e baletit shqiptar. Ishte 13 janari i vitit 1963, kur kompozitori Tish Daija, baletmaestri Panajot Kanaçi, dirigjenti Mustafa Krantja e një suitë e tërë artistësh, vunë në skenë baletin. Interpretuesit e parë në rolin e Halilit, kanë qenë Xhemil Simixhi, Kristaq Rada dhe Llaqi Nako dhe në rolin e Hajries: Ganimet Vendresha (Simixhi) Zoica Haxho, ndërsa në rolet e tjera përmenden emrat e Luan Shtinos, Miltiadh Papës, Agron Aliajt, Skënder Jazexhiut, etj. Në vitin 1983, kjo vepër rivihet në skenë. Krahas emrit të Llaqi Nakos, në rolin e Halilit, radhitet edhe ai i Ilir Kernit, ndërsa në rolet e tjera Albana Sulejmani, Pëllumb Agalliu, Hajdar Shtuni, Ludmill Çakalli, etj. Më 12 dhjetor 1973 u luajt për të njëqind e pesëdhjetën herë, ndërsa në skenën e Teatrit të Operës e Baletit dhe jashtë saj u luajt mbi 250 herë. Në turnetë në Greqi, Itali, Turqi, Francë ka pasur sukses të padiskutueshëm. Në Francë është vënë në skenë nga një trupë franceze, më pas edhe në Prishtinë. Në të dy rastet baletmaestër ka qenë i madhi Panajot Kanaçi. Tish Daija (Shkodër, 30 janar 1926 – 3 tetor 2003) ka qenë kompozitor dhe muzikant shqiptar. Lindi në Shkodër në një familje të thjeshtë. Pa mbushur moshën shkollore, bëhet pjesëtar i “Korit Françeskan”, ku nën drejtimin e P. Martin Gjokës dhe Filip Mazrekut merr mësimet e para muzikore bashkë me Tonin Harapin, Çesk Zadenë, Lukë Kaçajn e Simon Gjonin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Fati i themeluesve të shtetit shqiptar
Deti monumental i Adrian Pacit përmbyt Mudec-in
Autorja koreano-jugore, Han Kang ka fituar çmimin Nobel në Letërsi
Ismail Kadare – Obituare
Ramadan Sokoli në Arte
Kortezi e imazheve të Leon Rey

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}