nga Ledi Shamku Shkreli
Sot bota e krishterë kremton festën liturgjike të Epifanisë. Për disa thjesht “dita e Kryqit në ujë”, për disa të tjerë ”dita e dritës së bardhë”, e për më të vegjlit “dita e dhuratave, qymyr a t’ëmbla, që sjell plaka maje shkopit të fshesës fluturuese”.Në fakt Epifania, e cila prej greqishtes ἐπιφάνεια, epifàneia don të thote “përshfaqje, prani hyjnore, ardhje”, për besimin e krishterë perëndimor përkon me rrugëtimin dhe shfaqjen e tre mbretërve që ndjekin yllin kometë të Lindjes së Krishtit; ndërsa për besimin e krishterë lindor përkon me pagëzimin e Krishtit në lumin Jordan nga Shën Gjon Pagëzori, e së këndejmi edhe riti i kryqit në ujë. Le të përqëndrohemi te riti i krishterë perëndimor, pra te Epifania që këtë ditë përkujton rrugëtimin e gjatë të tre Mbertërve mistikë, në ndjekje të yllit për t’i blatuar dhantì e devotshmëri Krishtit-fëmi të sapolindur.Si quhen në këta tre Mbretër që shtegtojnë nga Orienti drejt Jeruzalemit, duke ndjekur Shenjën? Në italisht thirren “I Re Magi” dhe duket të jetë një sërë transliterimesh, që nis nga persishtja “magush”, akadishtja “magushu”, sirishtja “mgosha” dhe e gjitha kjo bartur në greqishten “magos” – shumësi “magoi”.
Çfarë ishin këta tre mbretër paganë dhe pse thirreshin me këtë term që na kujton fjalën “magjistar”? Sikundër sqaron Ludolfi i Saksonisë te Vita Christi “tre mbretërit paganë u quajtën Magi jo se kishin ndonjë zanat në punë magjie, por për shkak se shquheshin veçanërisht në fushë të astrologjisë.
Ata që zotëronin këto dije, thirreshin “magush” nga persianët, fjalë të cilën Hebrejtë e përdornin për të emërtuar skribët, ndërsa Grekët e Romakët thërrisnin kështu të urtët”. E madje kaq hollë i kanë shkuar kësaj emërtese përkthimet e Biblës në gjuhë të ndryshme, saqë në përkthime të ndryshme këta tre mbretër konsiderohen mirëfilli si “astrologë e parafolës, si fatthënës” e jo si “dijetarë”. E njëjta punë e hollë verëhet edhe në italishte, në të cilën këta mbretër biblikë thirren me një term paksa të sforcuar “magi” (lexo. “maxhi”), për t’i dalluar nga termi jo fort I këndshëm në fushë të besimit, pra “maghi” (lexo: “magi”), i cili përdorej për turlisoj magjistarësh e sharlatanësh.
Le të vijmë te Shqipja dhe fuqia e saj shenjuese. Teksa po lexoja kremtimet e së dielës së Epifanisë, lexova për “Vizitën e Dijëtarëve”. Hapa të shoh Ungjillin sipas Mateut dhe po, tre mbretërit që shtegtojnë drejt Krishtit të posalindur, aty quheshin kështu: Dijetarët. U stepa disi. Liturgjia në vetvete është një ligjërim i veçantë (special language), dhe si i tillë kërkon fuqi të qartë emërtuese, e poashtu kërkon terma me sa më pak polisemi e sinonimi. Termi “dijetarë” është një term shekullar, laik, i cili të sjell ndërmend Ainshtainin, Njutonin, Mari Kyrinë, Engelsin, Fojerbahun, por asesi tre mbreterit astrologë e disi profetikë, ngarkuar me dhurata e sidomos ngarkuar me mistikë. Shqipja e ka një fjalë për të tillë term.
I quan DIJËSA ose DIJSA ose DIESTARË. E kanë të gjithë fjalorët para se të niste lufta ideologjike kundër katolicizmit e gegnishtes. E ka Fjalori i Shoqnisë Bashkimi, e ka Fjalori i Gazullit, e ka Fjalori i Benedikt Demës, e madje e ka edhe Fjalori i ’54-s. Te secili kjo fjalë lidhjet me botën mistike e jo me atë të dijes. (vetëm të ’54 fjala “dies” ka si kuptim të dytë, por të dytë ama, kuptimin “njeri i ditur, dijetar”). Në kësi punësh shkohet hollë, sikurse edhe italishtja luan mes formave “magi” e “maghi”, duke i lënë kësaj të parës ngarkesën biblike. Shqipja e ka fjalën e saj të posaçme për këtë koncept, e nuk shoh asnjë arsye pse duhet me viju me e ndry në darën e panevojshme të “harresës” së dikurshme ideologjike. Shqipja ka fuqi shenjuese abstrakte, të cilën s’ka arsye t’ia mpakim, qoftë edhe padashje.