Fitimi i kompanisë më të madhe të sigurimeve në vend, Sigal Uniqa Group Austria, pësoi rënie për vitin 2019. Sipas pasqyrave financiare të audituara të kompanisë, fitimi neto për vitin e kaluar kishte vlerën e 132 milionë lekëve ose rreth 1.05 milionë euro. Krahasuar me vitin 2018, fitimi neto i Sigal ka pësuar rënie me 29%.
Rezulati operativ, në fakt, ishte edhe më i ulët, në vlerën e 55 milionë lekëve; por, fitimi u përmirësua falë të ardhurave nga investimet, që edhe për vitin 2019 ishin ndjeshëm më të larta se fitimi operativ i kompanisë.
Tkurrja e fitimit erdhi kryesisht nga rritja e shpenzimeve për dëme, që arritën në rreth 1.6 miliardë lekë, 24% më shumë krahasuar me një vit më parë. Por, nga ana tjetër, shifrat dëshmojnë se Sigal, ashtu si gjithë kompanitë e sigurimeve në Shqipëri, ka shpenzime tejet të larta administrative dhe të marrjes në sigurim.
Të marra së bashku, këto shpenzime për vitin e kaluar arritën në më shumë se 1.9 miliardë lekë. Shpenzimet administrative dhe ato të marrjes në sigurim i kaluan me gati 20% pagesat e kryera për dëmet. Veç shpenzimeve të larta për administratën, faktor tjetër që rëndon në bilancet e kompanive janë nivelet e larta të komisioneve që paguhen për agjentët.
Sidomos në sigurimin e detyrueshëm motorrik, kompanitë konkurrojnë përmes komisioneve që iu ofrojnë agjentëve dhe që shpesh kalojnë kufirin e 20%. Me projektligjin e ri “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, parashikohet vendosja e një tavani ligjor prej 12% për këto komisione.
Ndërkohë, baza kryesore e të ardhurave të Sigal, primet e shkruara bruto shënuan një rritje vjetore modeste me më pak se 5%.
Sigal Uniqa Grup Austria është kompania më e madhe e sigurimeve në Shqipëri, me pothuajse 30% të totalit të aktiveve të tregut të sigurime. Vlera e aseteve në fund të vitit të kaluar arriti në 10.3 miliardë lekë ose rreth 83 milionë euro.