nga Visar Zhiti
…Janari sapo na mori dhe një nga dëshmitarët e fundit të martirizimit të Kishës tonë Katolike, Dom Gjergj Simoni, ndërkaq një ditë më pas ikjes së tij vinte datëlindja e një qendrestari tjetër të madh, bashkëvuajtësit Uran Kostreci, që u shua vjet.Kur unë botoja librin “Kartela të Realizmit të Dënuar”, një studim i gjerë për letërsinë e burgjevedhe të internimeve, në kartelat e Dom Gjergj Simonit dhe të Uran Kostrecit kisha vetëm vitet e lindjeve të tyre, vdekja i mori njëri pas tjetrit, duke pikëlluar të gjithë ata që i njihnin. Ishin dhe karaktere, aq sa të përunjur, po aq dhe epikë.Dom Gjergj Simoni, kur diktatura ndaloi fenë dhe shkatërroi tempujt e saj, 10 thasë nga arkivi i Arqipeshkvisë së Shkodrës i mori dhe i rroposi në oborrin e shtëpisë së tij, por ia zbuluan dhe e dënuan me 10 vjet burg. Në Spaç e kishim bashkë me të vëllanë, ipeshkvin e ardhshëm Dom Zef Simonin. Edhe Uran Kostreci bëri 20 vjet burg të rëndë. Do të mbante një borsalinë që s’e hiqte kurrë nga koka, se mbulonte një plagë plumbi, qê e kishte marrë, kur u ishte hedhur telave me gjëmba për të ikur a për t’u vrarë si hero.Të dy na ka lënë dhe poezi, shumica të shkruara në burg, kanë dhe kundër diktatorit Enver Hoxha. Guxuan…“Letër Luçiferrit”, “Mëngjezet e Shkodrës” janë tituj te librave të Domit, kurse Urani ishte mjeshtër i qindra soneteve dhe i (anti)”Epopesë së karkalecave”, grotesk hakmarrës për luftën e fitimtarëve të kuq që sollën diktaturën. Hakmarrja jonë janë librat.Ditëvdekja e njërit në 28 janar dhe ditëlindja e tjetrit 29 janar bëjnë dritë si dy qirinj në kujtesën tonë dhe ditët më pas do të kenë dhe metaforën e poezisë së tyre, që theu pranga burgjesh…Poezia është dhe akt trimash.