Speciale/ Ikja nga Shqipëria. Emigrimi i shqiptarëve në Itali, të paktën duke nisur nga dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XIV, ka qenë një dukuri thuajse e qëndrueshme në historinë e dy vendeve. Në periudha historike të veçanta, siç është kjo që po kalojmë, ky fluks ka marrë përmasat dramatike të një vërshimi.
Paolo Petta
Emigrimi i shqiptarëve në Itali, të paktën duke nisur nga dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XIV, ka qenë një dukuri thuajse e qëndrueshme në historinë e dy vendeve. Në periudha historike të veçanta, siç është kjo që po kalojmë, ky fluks ka marrë përmasat dramatike të një vërshimi.
Pas vdekjes së Gjergj Kastriot-Skënderbeut (1468), njeriut që për më se dy dhjetëvjeçarë drejtoi një luftë sa heroike aq edhe të pashpresë kundër perandorisë osmane, dhjetëra mijëra shqiptarë mërguan në Itali. Prapa tyre ata linin një vend të rrënuar, ku po konsolidohej një regjim që për ta ishte i huaj dhe armiqësor, por që me kalimin e kohës do të hidhte rrënjë të thella në shoqërinë shqiptare. Ky libër rreket të ndjekë fatin e një grupi tepër të veçantë të ikurish, atë të pinjollëve të familjeve fisnike të Shqipërisë së krishterë, të cilët gjetën strehim në Itali, duke mos pranuar të ktheheshin në fenë islame, gjë që do i kishte lejuar ata të ruanin qoftë edhe pjesërisht zotërimet e veta. Në krye të tyre qëndronin, të paktën idealisht, pasardhësit e Skënderbeut, por bashkë me ta mund të shquajmë gjurmët e një pjese të mirë të familjeve që kishin qenë në krye të listës para pushtimit osman.
Nuk përfshihen në këtë studim ato familje shqiptare (si Buat), që erdhën në Itali nga Greqia, ku gjithashtu kishin arritur të bënin emër.
Siç pohonte Paolo Sarpi, ajo çka i jep shtysa historianit është gjithmonë “shija e gjërave njerëzore”: shija e përhershme që qëmtohet në çdo histori dhimbjesh e pasionesh, pushteti e intrige, pavarësisht nga fakti se në të përfshihen pak persona, grupe të gjëra shoqërore apo popuj të tërë. Në rastin tonë historia zhvillohet në botën gjithë shkëlqim të Rilindjes italiane, edhe pse protagonistët e saj nuk janë italianë: ata janë fisnikë të shpronësuar, që luhateshin mes dëshpërimit të një rrënimi të pakthyeshëm dhe shpresës për një integrim të mundshëm në klasën sunduese; që vuanin fatalisht sa inercinë e një jete të karakterizuar nga solidariteti i familjes, i grupit ose i fisit, aq edhe joshjen për t’u përshtatur, për t’u bërë italianë, ndonjëherë madje më shumë se vetë italianët. Në mënyrë të pashmangshme ky trajtim lë në hije masën kryesore të mërgimtarëve, ata që nuk patën fatin të priteshin në pallatet e papëve, të mbretërve e të princërve, ata që, edhe nëse u lejuan të zbrisnin në tokë, gjë që nuk ndodh sot, gjithsesi nuk u lanë t’u afroheshin qyteteve, që i shihnin ata me dyshim e frikë.
“Të zë një trishtim i madh, Imzot, kur sheh të vijnë këta njerëz të ngratë e mjaft të varfër të shoqëruar nga fëmijë, të cilët nuk lejohen të hyjnë në qytetet e në zotërimet tuaja dhe janë vendosur në fushë të hapur, të zhveshur ose të veshur si mos më keq”: kështu i shkruante më 1467 një oficer aragonez mbretit të tij1.
Do të ishte e padrejtë të akuzoheshin Kastriotët, Arianitët, Muzakët që nuk e kishin vënë ujin në zjarr për fatin e këtyre njerëzve: por historitë e tyre ishin pa dyshim shumë të ndryshme.
Aristokracia shqiptare
Për arsye që vetëkuptohen, të ikurit shqiptarë në Itali u përpoqën të paraqiteshin si trashëgimtarë të një bujarie pak a shumë të ngjashme me atë perëndimore. Shpesh herë një gjë të tillë e bënë duke i veshur vetes tituj të bujshëm e krejtësisht të sajuar, sipas modeleve që ofronte tradita bizantine, ajo e feudalizmit latin në Lindje ose tradita perëndimore (“despot i Epirit”, “dukë i Akesë”, “princ i Maqedonisë”). Kuptohet, nuk na lejohet të kemi dyshime mbi karakterin e vërtetë të kësaj “bujarie”, por nga ana tjetër nuk ka përse të përqeshim një praktikë, që ndiqej edhe nga pinjollë të familjeve që kishin qenë vërtet të fuqishme e me lavd.
Në kuadrin e shpërbërjes së pushtetit qendror që kishte karakterizuar Shqipërinë pas shembjes së perandorisë serbe (1356), mjaft krerë feudalë arritën të krijonin minishtetet e tyre, ku silleshin si sovranë të vërtetë: jo si “baronë”, siç do të thuhej në terminologjinë e kohës, por si “princër”. Kronikat e dokumentet italiane ose raguzane, siç duket qartë, të pavendosura se si mund t’i thërrisnin, i quanin “signoretti”, “signorelli” ose edhe “reguli”.
Disa prej këtyre zotërinjve i përkisnin familjeve që ishin të pushtetshme, ngaqë qenë në krye të fiseve të mëdha dhe që në ndonjë rast, si në atë të Muzakëve e të Dukagjinëve, i kishin dhënë emrin e tyre krahinave të tëra. Megjithatë, me kalimin e kohës, pushteti i tyre mbështetej gjithnjë e më shumë mbi pasurinë e trashëgiminë, duke i humbur tiparet demokratike të organizimit të dikurshëm fisnor. Në shumë raste ngjitja e tyre ishte bërë nën hijen e perandorëve ose despotëve bizantinë e serbë, të cilëve u kishin shërbyer dhe prej të cilëve ishin shpërblyer me tituj të bujshëm, si sebastokrator e të tjerë. Në fund të fundit, kështu vepruan edhe turqit, të cilët përshtatën një sistem mjaft të ngjashëm me sistemin feudal, atë të timareve, të cilat shpesh u shpërndaheshin anëtarëve të familjeve të mëdha në po ato toka që kishin qenë gjithnjë pronë e tyre.
Në Shqipërinë paraosmane nuk mund të flitej për një sistem feudal në kuptimin e vërtetë të fjalës. Kjo edhe për arsyen se mungonte vetë institucioni që e karakterizon sistemin në fjalë: dhurimi solemn i feudit nga ana e kryezotit. Vetëm nëse u referohesh formave të pushtetit ekonomik dhe kushteve të bujqve, mund të flitet për një feudalizëm shqiptar me po ato tipare të përafërta që kishte “feudalizmi bizantin” i studiuar nga Ostrogorski, ku bujkrobëria praktikisht mungonte.
Sa për “fisnikërinë”, që sipas konceptit perëndimor përfaqësonte një shtresë me një status juridik të veçantë, as që mund të bëhej fjalë. Në fund të fundit, edhe në Perëndim nocioni i “fisnikërisë” u poq gjatë një procesi të gjatë historik e ideologjik, si rezultat i puqjes së traditave juridike e kulturore të ndryshme. Është rasti të nënvizojmë se në Shqipëri, ndryshe nga ç’ndodhte, për shembull, në Kostandinopojë, thjeshtësia e madhe e strukturave shoqërore e bënte më të dukshme ndarjen e klasave, sadoqë një ndarje e tillë mund të zbutej nga solidariteti i fisit; nga ana tjetër, nuk ekzistonte, ose ekzistonte fare pak, ajo lëndë amortizuese, që në shoqëritë më të zhvilluara përfaqësohej nga shtresa shoqërore siç ishin fisnikëria e togës ose patriciati i qyteteve, për të mos folur pastaj për elementë të ndryshëm të borgjezisë qytetare në formim e sipër.
Në rastin e Shqipërisë do të ishte më e saktë të flitej për një grumbull anarkik zotërinjsh të vegjël, të mbështetur nga krerë të tjerë të vegjël që ishin nën pushtetin e tyre (dhe që për lehtësi do të mund t’i quanim “vasalë”), të cilët shpesh herë lidheshin me të parët në linjë fisnore dhe, për rrjedhojë, pranoheshin në rrethin e tyre familjar. Pas çdo gjase, e tillë ishte pozita e Vrana Kontit (për të cilin do të flitet më poshtë) ndaj Skënderbeut. Konturet e këtyre hierarkive shoqërore shquhen qartë edhe pas fasadës barazitare e meritokrate të perandorisë osmane. Sa për zotërimet veneciane, aty përmenden familje të hershme, që kishin mundur të ruanin pasurinë dhe autoritetin e dikurshëm, edhe pse nuk kishin më pushtet politik. Familjet në fjalë përbënin atë që vetëm për krahasim mund ta quajmë “bujari” ose më mirë, “fisnikëri” shqiptare, kohezioni i së cilës ishte ngjizur me një rrjet të dendur marrëdhëniesh martesore, falë së cilës, si dhe numrit të madh të fëmijëve nga familjet e shquara dhe zakonit të rimartesës së burrave të ve e grave të veja, çdo shtëpie të rëndësishme i binte të kishte lidhje familjare të shumëfishta me familjet e tjera.
Është e tepërt të thuhet se pikërisht një praktike të tillë i duhet njohur edhe ai funksion legjitimimi shoqëror i ndërsjelltë, i cili konfirmon homogjenitetin e segmenteve të ndryshëm të kësaj shtrese sunduese (si në zotërimet e pavarura ashtu edhe në zotërimet veneciane ose turke) dhe largësinë e tyre nga shtresat më të ulta.
Mërgata e shqiptarëve dhe mërgata e të tjerëve
Fatet e princërve shqiptarë në mërgim, me të cilët do të merremi në këtë punim, ndërthuren me fatet e mërgimtarëve të tjerë ballkanikë, viktimë edhe ata të pushtimit turk, me të cilët u thurën marrëdhënie martesore: italianët Toko, despotë e sundimtarë të Artës e Qefalonisë; serbët Brankoviç, ish-despotë të Serbisë; Kozakat, dukët e dikurshëm të Shën Sabës e zotër të Hercegovinës dhe, me ta, Katerina, e fundit nënë mbretëreshë e Bosnjës; Cërnojeviqët e Malit të Zi; Paleologët e familjes perandorake të Kostandinopojës dhe fisnikët bizantinë që emigruan pas pushtimit turk të qytetit dhe më vonë të Peloponezit: Laskarët, Ralët, Tarhaniotët e shumë e shumë të tjerë. Secila nga këto histori meriton të rindërtohet: pothuaj të gjitha dëshmojnë dinamizmin dhe aftësitë e këtyre njerëzve, të cilët e kishin zakon të thonin “se, megjithëse kemi humbur unazat, ruajmë shëndoshë e mirë gishtërinjtë”.
Akoma më interesante duket të jetë historia paralele (prej së cilës fatkeqësisht kanë mbërritur deri tek ne vetëm disa fragmente) e degëzimeve të këtyre familjeve – Paleologët, Cërnojeviqët, Kozakat, Tokot –, të cilët vendosën të ngjiteshin në karron e fitimtarëve duke u kthyer në fenë islame. Kësaj “historie paralele” do t’i kthehemi në ndonjë rast, kur të flasim për familjet e mëdha shqiptare.
Forca e besimit dhe pesha e klasave shoqërore
Shqipëria moderne është një vend jo shumë besimtar, por gjithsesi, në pjesën më të madhe mysliman. Mendohet se kalimi masiv në fenë islame nuk ndodhi para shekullit XVII. Përsa i përket anëtarëve të klasës sunduese, duke lënë mënjanë rastin e djemve që dërgoheshin në pallatin e sulltanit si pengje ose si “haraç gjaku”, islamizimi filloi të përhapej qysh nga fillimi i shek XV. Gjithsesi, Shqipëria dhe Epiri qenë viset ku fluksi i konvertimit nga krishtërimi në islamizëm ishte më i madh7.
Nuk më duket e drejtë të flitet, siç bëhet zakonisht, për “renegatë”: ndryshimi i besimit bëhej shpesh për oportunizëm, për konformizëm, nga frika – jo rrallë ishte i shtirë – , por ndonjëherë ishte edhe i sinqertë, në mos për tjetër, për perspektivën më të madhe që ofronin vendet myslimane për të rinjtë e shtresave të varfra, gjë që shumëkush e shihte si një provë se feja myslimane frymëzohej vërtet nga parimet e drejtësisë8. Në rastin e familjeve më të fuqishme, oportunizmi ishte padyshim faktori përcaktues. Që bëhej fjalë për llogari politike, shpesh herë edhe për një veprim të shtirë, këtë e vërteton vetë lehtësia me të cilën pranohej brenda familjeve një vendim kaq i vështirë e tragjik për jetën e gjithsecilit: për rrjedhojë, rezultonin prindër të krishterë që kishin fëmijë myslimanë (e anasjelltas), vëllezër të ndarë në fe të ndryshme, vajza të krishtera me prindër të krishterë që martoheshin me myslimanë (kurrë nuk ndodhte e kundërta). Interesant është edhe rasti i “të penduarve”, ku ai i Skënderbeut është më i njohuri, por jo i vetmi. Fjala është për të rinj që kishin përqafuar fenë islame dhe që riktheheshin në fenë e të parëve. Në veprën e tij Commentari, Piu II Pikolomini kujton një zotëri shqiptar, zotërimet e të cilit i kishin kaluar Skënderbeut, që nga i krishterë u bë mysliman për t’iu rikthyer më vonë fesë së të parëve, “megjithëse pak nderim kishte si për njërën ashtu edhe për tjetrën, dhe asnjërës nuk i qëndroi besnik”. Në raste të tjera ky ndryshim mund të përcaktohej edhe nga një krizë e brendshme.
Në fazën e parë të pushtimit turk, krerët ballkanikë kishin rënë në kushtet e vasalit; në një fazë të mëvonshme, zotërimet e tyre u përfshinë plotësisht në territorin e perandorisë, por mjaft prej tyre kishin mundur t’i ruajnë ato tërësisht ose pjesërisht në cilësinë e timarit. Do të ishte e tepërt të sqaronim se ky lloj zotërimi ishte, për nga natyra, i mangët dhe nën shantazhin e vazhdueshëm të sovranit të ri, i cili në momentin e duhur dinte ta ushtronte pushtetin e tij për t’i vënë njërën kundër tjetrës familjet shqiptare. Qenë të shumtë të krishterët që morën timare (midis tyre edhe disa peshkopë): por një mundësi e tillë erdhi duke u zvogëluar, dhe në fund iu la vetëm atyre që nuk kishin marrë pjesë në luftën e tejzgjatur të drejtuar nga Skënderbeu.
Ndër ata që me kalimin në fenë islame siguruan edhe një ngjitje në karrierë, ishin edhe familjet Skurra e Kurtiqi. Të parët ishin të njohur e të fuqishëm qysh nga shek. XIII. Një pinjoll i kësaj familjeje, i çuar qysh fëmijë në oborrin e Adrianopojës, në betejën e Varnës (1444) u bë bejlerbeg i Rumelisë dhe më vonë u bë një nga protagonistët e betejës së Kosovës (1448), që përfundoi me triumfin e Muratit II mbi Jan Huniadin. Anëtarë të tjerë të familjes (tashmë të njohur si Uzgur-oglu) morën poste të rëndësishme në perandorinë osmane: gjë që nuk na ndalon të gjejmë një Skurrë midis luftëtarëve të fundit të Shqipërisë së krishterë12, si dhe të ndeshim të tjerë në emigracion (një Skurrë ishte në vitin 1860 anëtar i njërës prej qeverive të përkohshme të Garibaldit). Sa u përket Kurtiqëve, që kishin një zotërim në Shqipërinë e mesme, ata u treguan besnikë ndaj sovranit të ri dhe kaluan në fenë islame: për rrjedhojë, mundën të rrisin së tepërmi pushtetin e tyre. Nëse Pavllo Kurtiqi (që ende mbante një emër të krishterë) zotëronte 26 fshatra, djali i tij i islamizuar, Isa beu kishte 107 të tilla.
Në familje të tjera pati një ndarje midis atyre që u bashkuan me regjimin e ri dhe atyre që vazhduan qëndresën ose që e rifilluan atë, pas një nënshtrimi të përkohshëm. Kemi folur tashmë për qëndrimin e Kastriotëve në këto ngjarje. Vetë Skënderbeu dhe vëllezërit e tij ishin kthyer (ose u shtirën se ishin kthyer) në fenë islame në kohë dhe rrethana jo shumë të qarta dhe që, gjithsesi, nuk janë ato që është bërë zakon të thuhen. Djali i një vëllai të Skënderbeut, Hamzai, fillimisht e kishte ndjekur pas të ungjin në kryengritje (e, sipas Barletit, edhe në rikthimin në fenë e krishterë, ndonëse nuk rezulton të ketë marrë ndonjë emër të krishterë): por më vonë kaloi përsëri në anën e turqve dhe, pasi u zu rob nga i ungji, u dërgua si rob lufte në Napoli (ku, çuditërisht, gjurmët e tij humbin). Një tjetër nip, djali i së motrës, pas vdekjes së Skënderbeut mori prej turqve një pjesë të zotërimeve të tij. Ky mund të identifikohet me djalin e Muzak Topisë dhe të Mamica Kastriotit, tradhtia e të cilit dëshmohet edhe nga njoftime të tjera. Burime të tjera të asaj kohe japin të dhëna, jo fort të besueshme, lidhur me kalimin në anën e turqve të “nipërve” të tjerë të Skënderbeut, më 1466 e 1467, dhe lidhur me fundin e tyre romancesk.
Mbi Muzakajt do të flasim gjerë e gjatë kur t’i kthehemi fateve të mëtejshme të emigrantëve nga kjo familje.
Përsa i përket familjeve që nuk do të jenë objekt i trajtimit tonë, mund të përmendim edhe Zenebishët, zotër të Gjirokastrës. Qysh prej fillimit të shek. XV, ata kishin luftuar ashpër me turqit dhe në fund ishin mundur16; në periudhën e kryengritjes së madhe të Shqipërisë së jugut të viteve ’30, njëri prej tyre, emigrant në Itali, u kthye në atdhe për t’u venë në krye të revoltës, por u mund falë gjenisë strategjike të një komandanti të madh turk, Turhanit, në një betejë, ku ai vetë gjeti një vdekje të tmerrshme. Pinjolli i breznisë së mëvonshme të Zenebishëve, Simoni, arriti të shtjerë në dorë kështjellën e Strobilit në bregdetin përballë Korfuzit dhe t’u shkaktojë shumë andralla turqve dhe po ashtu venecianëve, të cilët nuk mund të duronin që Strobili të bëhej një bazë për piratët katalanë. Ai ishte shpallur vasal i mbretit të Napolit dhe me ndihmën e trupave italiane, më 1456, kishte mundur të pushtonte disa kështjella në bregun e Himarës, duke kërcënuar edhe vetë Butrintin. Më vonë e braktisi luftën dhe u strehua në Korfuz. Po në atë kohë, një farë Hamza Zenebishi ishte bërë një nga gjeneralët më të besuar të Mehmetit II, të cilin e shoqëroi ne fushatat kundër kryengritësve shqiptarë të Peloponezit, ndërkohë që një vëlla i tij ishte subash i Tetovës. Nuk dimë se ç’lidhje kishte me këto personalitete një murg me emrin Mihal, që sigurisht i përkiste të njëjtit fis dhe që në dekadën e dytë të shek. XVI kopjoi, për një kishë të vogël ortodokse të Kalabrisë, disa kodikë liturgjikë që ruhen sot e kësaj dite.
Siç del, asnjë eksponent i familjeve të mëdha që qëndruan në Shqipëri nuk iu shmang dot ndërrimit të fesë. Në fakt, apostazia ishte e domosdoshme jo aq për të shpëtuar jetën dhe lirinë personale, siç është thënë shpesh, sesa për t’i shpëtuar deklasimit. Gjithsesi, duam të vëmë në dukje se, pavarësisht se në Shqipërinë e kohëve moderne mund të ndeshen emra të familjeve që kishin qenë aristokrate përpara pushtimit turk, si Dushmanët e Berishat, sot emra të tillë u përkasin fiseve pak a shumë me ndikim, në gjirin e të cilëve asnjë familje nuk është në gjendje të pretendojë një origjinë të drejtpërdrejtë nga aristokracitë e dikurshme të krishtera. Disi më i ndryshëm duket rasti i Dukagjinëve, një fis i përbërë nga disa degë, më të shquarat e të cilave emigruan, të tjera kaluan në fenë islame, ndërsa ndonjë degë tjetër, dikur e panjohur, u fuqizua falë karrierës së suksesshme të ndonjë pinjolli të vet në strukturat e perandorisë osmane. Të mos harrojmë, së fundi, pretendimin e princërve katolikë të Mirditës, sipas të cilit ata rridhnin nga fisi i vjetër me këtë emër.
Edhe në këtë rast mund të dallohet një ndryshim në raport me përvojën që patën grekët në këtë drejtim: ndërsa shumë prej tyre, që mbetën të krishterë, mundën të sistemoheshin në burokracinë perandorake ose në atë të Patrikanës greke të Kostandinopojës, për shqiptarët e vetmja mundësi karriere për të rinjtë me një farë prejardhjeje ishte ajo ushtarake, që në Lindje mund të ushtrohej vetëm nga ata që pranonin fenë islame.
Emigrantët shqiptarë nuk e lanë vendin në mënyrë të organizuar, nën drejtimin e krerëve të tyre. Ata emigruan në grupe pak a shumë të mëdha, në kohë e në drejtime të ndryshme. Është rasti të theksojmë se grupe të rëndësishme emigrantësh shqiptarë nuk erdhën nga Shqipëria, por nga Greqia, ku shqiptarët kishin filluar të emigronin qysh nga shek. XIV, dhe ku gjithashtu kishin luftuar ashpër me turqit.
Nuk do të ishte e drejtë të arrihej në përfundimin se princërit shqiptarë u shkujdesën për fatin e njerëzve të tyre: por fakti është se fatet e njërës palë dhe të tjetrës ishin mjaft të ndryshme, pasi të parët u integruan pa problem në klasën drejtuese të gadishullit, ndërsa të dytët patën fatin e keq të provojnë përvojat e ashpra që provojnë të gjithë emigrantët. Madje një pjesë e tyre njohën edhe një përvojë krejt të veçantë: atë të krijimit të fshatrave italo-shqiptare, që bënë të mundur ruajtjen e gjuhës dhe të traditave, por që në të vërtetë ngjanin pak a shumë me geto, ku erdhën e u vendosën grupet më të lidhur me traditën fetare ortodokse, pra, edhe më të dyshimtë për autoritetet civile e fetare të vendit pritës.
Nuk kemi ndërmend të merremi këtu me këtë temë, e cila ende nuk e ka gjetur historianin e saj, ndërkohë që trajtimi i marrëdhënieve midis shqiptarëve ortodoksë dhe autoriteteve kishtare është bërë tashmë, falë përpjekjeve të disa studiuesve, të cilët kanë shkatërruar përfundimisht mitin e besnikërisë së përjetshme të katolikëve të ritit bizantin ndaj Kishës së Romës.
Gjithsesi, ne do të shohim se si logjika e një shoqërie të ndarë prerazi në klasa, siç ishte shoqëria italiane, bëri që fatet e familjeve princore të ndaheshin gjithnjë e më shumë nga ato të masës së të vobektëve, që në ndonjë rast iu nënshtruan një procesi integrimi në shoqërinë italiane duke humbur edhe kujtesën për origjinën e tyre, por që në përgjithësi i qëndruan besnik ndryshimit etnik e fetar të tyre. Familjet e mëdha, edhe kur i përkisnin ritit ortodoks, kaluan pa vështirësi në ritin katolik dhe u asimiluan më shpejt nga shoqëria italiane.
Në rastin e shqiptarëve, ndarja midis këtyre dy grupeve të emigracionit bëhet më e dukshme nga mungesa e shtresave shoqërore të ndërmjetme, edhe pse herë-herë flitet për ndonjë humanist, laik apo fetar, të emigruar në Venedik, ose për zejtarë shqiptarë që emigruan në Raguzë ose në zotërimet veneciane, pa folur pastaj për atë shtresë të ushtarëve të paguar, që ngjallën kureshtje e admirim tek bashkëkohësit, të cilët shpesh i identifikonin ata me vetë nocionin e “shqiptarit”. Në fakt, krahasimi me emigracionin grek flet mjaft qartë: midis emigrantëve grekë, të cilët nuk duket të kenë qenë më të shumtë se shqiptarët, gjenden jo vetëm aristokratë, krerë ushtarakë e prelatë, shkrimtarë e filozofë, kopjues, piktorë e muzikantë, por edhe ndërtues anijesh, marinarë e tregtarë, mjekë e zejtarë, mjeshtër të shumë profesioneve të kërkuara, të cilët u shpërndanë jo vetëm në Itali, por pak a shumë në të gjithë Evropën perëndimore, deri në Flandër e në Skocinë e largët, pa folur për ata që u hodhën në Vllahi, Moldavi e Rusi.
Prej krahasimit mes jetës së emigrantëve shqiptarë dhe atyre grekë, del në pah edhe një tjetër ndryshim: të dytët, por jo të parët, i mbajnë në shumë raste marrëdhëniet me atdheun, ku kanë të afërm e të njohur, dhe ndonjëherë kthehen aty (kujtoni misionin e njohur të Joan Laskarit në Lindje, në kërkim të kodikëve grekë për llogari të Lorenco dei Mediçi). Kuptohet që në rastin e shqiptarëve nuk bëhet fjalë për lidhje më të dobëta me dheun e lindjes, por për një qëndrim të ndryshëm, që përcaktohet nga roli i ndryshëm shoqëror i tyre: emigrantët shqiptarë nuk ishin intelektualë, afaristë, por fshatarë e ushtarë, dhe emigrimi i tyre ishte një nisje pa kthim, ose një emigrim që e presupozonte kthimin vetëm në rast të një lufte fitimtare.
*Titulli është redaksional
Ikja nga Shqipëria
Me vdekjen e Gjergj Kastriot Skënderbeut (1468) çdo rezistencë tjetër ndaj turqve rezultoi e padobishme: Shqipëria u kthye në një provincë të Perandorisë Otomane. Për ata që kishin luftuar deri atëherë heroikisht kishte vetëm dy rrugë: o të hiqnin dorë nga besimi i tyre dhe të integroheshin në botën islame, ose të emigronin në ndonjë vend të krishterë për të ruajtur identitetin, në pritje të kohëve më të mira. Shumë prej tyre zgjodhën rrugën e mërgimit dhe këtu zë fill rruga e gjatë e diasporës. Kësisoj valët e njëpasnjëshme të shqiptarëve u derdhën kryesisht drejt Italisë, duke populluar fshatra të zonës së Napolit ose duke ushtruar zanatin që njihnin më mirë, atë të armëve. Por nuk ikën vetëm stradiotët, luftëtarët mercenarë, mjekërgjatë e krenarë. Arratinë e morën edhe ata që kishin mbijetuar nga dyert e mëdha, të mbarsur me shpresë e me tituj të bujshëm.
Libri “Despotë të Epirit dhe princër të Maqedonisë”, botimet “IDK”, përkthyer nga historiani Pëllumb Xhufi, ndjek këtë diasporë, mërgimin e pjesës më të madhe të aristokracisë shqiptare në Italinë e Rilindjes.
“Në këtë rrugëtim të trazuar gjenden Kastriotët, Muzakajt, Topiajt, Dukagjinët, dhe të tjerë krerë të fiseve të lavdishme, sovranë të vërtetë në vendin e tyre, të cilët, të dëshiruar për të mos humbur sërën e tyre të lartë, u rrekën, jo rrallëherë, të luanin një rol dytësor në skenën e vështirë të politikës italiane. Nuk është thjesht historia e një grupi bashkudhëtarësh, është më shumë një thurje copëzash jete njerëzore e personazhesh megjithatë konkretë, të cilët na vijnë të gjallë me karakteret e pasionet e tyre”.
Paolo Petta (1942 – 1999), një ndër studiuesit më interesantë të historisë së Shqipërisë të këtyre dekadave të fundit, u lind në Feltre të Italisë në një familje me origjinë nga Piana degli Albanesi.
Ekspert i së Drejtës Kushtetuese dhe studiues historie, ai ka punuar në Senatin e Republikës Italiane si Drejtor i Shërbimit për hartimin dhe rishikimin e teksteve legjislative. Veç shkrimeve të tij të shumta prej eksperti të së drejtës kushtetuese, Paolo Petta është autor i disa shkrimeve historike, mes të cilave dhe i dy librave, si dhe i një sërë shkrimesh me temën shqiptare. Ndër veprat e tij mund të veçohet “Stratiotët, ushtarë shqiptarë në Itali (shek. XV – XIX) Argo, 1996. Bashkë me librin “Despotë të Epirit e princër të Maqedonisë”, po i japim lexuesit edhe një shkrim tjetër interesant të autorit, “Paradokse shqiptare, kaq afër e kaq larg”, marrë nga revista “Politika ndërkombëtare” nr. 3, 1994 Romë. Pjesa e shkëputur më lart lidhet me “Ikja nga Shqipëria”, zhvendosjen e aristokracisë shqiptare drejt Italisë, dhe titujt që ata ia veshën vetes, për të cilën Paolo Petta mbetet skeptik në shqyrtimin e tyre, për “bujarinë” e trashëguar.