Studimi i z. Çelo Hoxha, drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK), botuar në numrin e parë të revistës studimore “Memoria”, botuar nga ky institucion

Abstrakt

Në fund të vitit 1944, komunistët zaptuan institucionet në Shqipëri dhe qëndruan në pushtet afërsisht gjysmë shekulli. Gjatë kësaj periudhe shteti pësoi ndryshime rrënjësore. Ndryshoi forma juridike e tij, mënyra e organizimit të ekonomisë, marrëdhëniet e punës dhe të pronës, sistemi i drejtësisë, etj.. Ky artikull studimor trajton vetëm çështjen e ligjshmërisë së institucioneve shtetërore gjatë regjimit komunist dhe marrëdhëniet ndërmjet tyre. Gjykimi mbi krijimin dhe veprimtarinë e institucioneve të regjimit komunist është bazuar në dy parime themelore: vijueshmëria ligjore e institucioneve të shtetit dhe kushtetueshmëria e tyre, si parim themelor i shtetit, referuar kushtetutave në fuqi gjatë periudhës të marrë në shqyrtim.

***

Shteti është një formë e organizimit njerëzor që dallon nga grupet e tjera prej qëllimit të tij (vendosja e rendit dhe sigurisë), metodat (ligjet dhe zbatimi i tyre), territori (zona e juridiksionit ose kufijtë gjeografikë) dhe sovraniteti i tij. Ai është tërësi institucionesh të krijuara me ligj, të cilat kryejnë veprimtari të caktuar, edhe kjo e përkufizuar me ligj.

Në themel të shtetit, qëndron marrëveshja e individëve (shtetasve) për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet me anë të ligjeve.[1]

Korpusi ligjor i një shteti ka hierarkinë e tij. Në një numër të madh shtetesh, përfshi Shqipërinë, ligji bazë është (dhe ka qenë, në aspektin formal, të paktën) ligji themeltar, prej nga burojnë gjithë ligjet e tjera. Ky ligj, përgjatë historisë së shtetit shqiptar është quajtur herë statut, herë kushtetutë. Një ligj themeltar është i gjerë, trajton shumë çështje, por, mes të tjerave, referuar dhe kushtetutave shqiptare, sanksionon institucionet kryesore të shtetit, të cilat ndryshe quhen institucione kushtetuese ose organe kushtetuese. Organizimi dhe detyrat e institucioneve kushtetuese përshkruhen, përgjithësisht, në ligjin themeltar ose në ligje të veçanta.

  1. Një institucion i paligjshëm me pretendime legjislative

Në themel të shtetit, sipas territorit të përcaktuar dhe banorëve të tij, të cilët kanë rënë dakord për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet me ligj, qëndrojnë institucionet. Institucioni kryesor, prej nga burojnë ligjet dhe institucionet e tjera, është institucioni i ngarkuar me hartimin e ligjeve (legjislativi). I pari institucion, me pretendime legjislative, i regjimit komunist ishte Këshilli i Antifashist Nacional-Çlirimtar (KANÇ),[2] i krijuar me vendim të Kongresit të Përmetit.[3] KANÇ-i, sipas vendimit të Kongresit, përfaqësonte “trupin kryesor legjislativ dhe ekzekutiv që përfaqëson sovranitetin e popullit dhe të shtetit shqiptar”.[4]

Sipas burimeve historike,[5] Kongresi u mblodh me vendim të kryesisë së Këshillit të Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar (KPNÇ),[6] 15 prill 1944, por vendimi nuk kishte referencë të një akti administrativ ose ligjor nga buronte e drejta e kryesisë së KPNÇ për nxjerrjen e një akti të tillë. Kongresi tentoi t’i jepte një farë legjitimiteti KPNÇ, por përmbajtja e tekstit në vendimin e Kongresit e prezantonte KPNÇ si një entitet politik, jo si institucion legjislativ apo ekzekutiv me pretendime për të nxjerrë akte ligjore ose administrative. Kongresi u shpreh se aprovonte “vijën e drejtë politike që ka ndjekur Këshilli i Përgjithshëm Nacional-Çlirimtar në luftën e ashpër kundër okupatorit dhe të gjithë klikave reaksionare të vendit t’onë, aprovon gjithë direktivat[7] e dhëna prej tij gjer më sot.”[8] Kongresi nuk i përmendi vendimet, rregulloret ose aktet e tjera të kësaj natyre të nxjerra, nëse kishin dalë, nga KPNÇ ose kryesia e tij deri atëherë.

Aprovimi ose miratimi i akteve të nxjerra nga një entitet i caktuar, shumë kohë pas daljes së tyre, ishte praktikë e ushtruar në historinë e shtetit shqiptar. Në periudhën e mbretërisë një gjë e tillë ishte e parashikuar në kushtetutë. Këtë praktikë e ndoqi dhe Asambleja Kushtetuese më vonë, e cila aprovoi vendimet e Kryesisë së KANÇ-it. Aktet e KANÇ-it dhe Asamblesë Kushtetuese, për sa kohë ato ekzistuan, dilnin pa referencë aktesh të tjera, si burim i autoritetit ligjor të tyre.

Ky realitet ndryshoi pas miratimit të Statutit të Republikës (1946), kur komunistët krijuan ligjin e tyre themeltar. Pas hyrjes në fuqi të Statutit të Republikës, Presidiumi i Kuvendit Popullor filloi të vendoste referencën ligjore në aktet që nxirrte, prej nga buronte autoriteti i tij për nxjerrjen e atyre akteve. Për shembull, ja si e ka formuluar ai hyrjen e dekretit nr. 241, 6 dhjetor 1946, për ligjin nr. 370: “Në mbështetje të art. 54, [pika] nr. 5, të Statutit të Republikës Popullore, pasi u votua nga Kuvendi Popullor, shpall…”[9] Me këtë mënyrë, Presidiumi tregonte që autoriteti i tij për dekretmin e atij ligji buronte nga neni 54/5 i Statutit të Republikës. Duke përmendur faktin që ligji ishte miratuar nga Kuvendi Popullor, shfaqej më i plotë zinxhiri kushtetues për realizimin e një akti të tillë. Në dekrete më të hershme, pas 16 marsit 1946, kur Presidiumi i Asamblesë Kushtetuese ndryshoi emrin, ka një seri dekretesh, të cilat kanë për referencë kushtetuese nenin 54 të Statutit të Republikës, por jo pikën 5.[10] Kuvendi Popullor nisi të përdorte referencën kushtetuese edhe për akte te tjera, si vendime.[11]

Në vendimin e Kongresit të Përmetit, dhe në gjithë aktet që nxori KANÇ-i, mungonte referenca lidhur me burimin e autoritetit ligjor dhe jo pa arsye: ajo nuk ekzistonte.

Megjithatë, edhe sikur ta pranojmë legjitimitetin e Kongresit të Përmetit, ta marrim të mirëqenë që, ai, kishte autoritet ligjor për krijimin e KANÇ-it, KANÇ-i nxori vendime dhe ligje jashtë funksionit të tij. Kongresi e përcaktoi KANÇ-in si trupë legjislative dhe ekzekutive, por nuk përcaktoi llojin e detyrave të tij, si nxjerrje vendimesh, dhënie gradash, etj., emërimin e komandantit të ushtrisë partizane, emërimin e kryetarit të qeverisë etj., që vendimi i Kongresit, sado i cunguar, të konsiderohej një farë kornize ligjore e epërme, prej nga buronte autoriteti i KANÇ-it.

Për Asamblenë Kushtetuese, e cila doli nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, mund të themi se, bazuar në një vendim të saj, ajo ishte e vetëdijshme për mungesën e legjitimitetit të akteve që kishte nxjerrë KANÇ-i dhe kryesia e tij. Më 11 janar 1946, Asambleja aprovoi të gjitha vendimet e kryesisë së KANÇ-it,[12] të nxjerra që prej Kongresit të Përmetit. Mirëpo, vendimi i Asamblesë paraqiste dy probleme. Probelmi i parë ishte që vetë Asamblesë i mungonte autoriteti ligjor për ta bërë një gjë të tillë, sepse mungonte autoriteti i epërm (kushtetuta) që parashikonte veprimtarinë e saj. Vendimet dhe ligjet e Asamblesë dilnin, në origjinal ose në Gazetën Zyrtare, pa referencë ligjore mbi burimin e autoritetit të saj për të nxjerrë vendime dhe ligje. As në ligjin zgjedhor (1945) dhe as në dokumente të tjera ligjore nuk kishte gjurmë që Asambleja Kushtetuese u krijua dhe vepronte, referuar një teksti kushtetues ose ndonjë ligji tjetër, derisa hyri në fuqi kushtetuta e krijuar prej vetë asaj Asambleje.

Presidiumi i Asamblesë Kushtetuese nisi më herët se Asambleja të vendoste referencën e burimit të autoritetit ligjor të saj, sepse Asambleja miratoi që në fillim, 12 janar 1946, një ligj për funksionimin e presidiumit të saj. Çdo akt, i nxjerrë prej tij, niste kështu: “Në mbështetje të Ligjës Nr. 195, datë 12 Janar 1946, mbi Presidiumin e Asamblesë Kushtetonjëse…”.[13]

Problemi i dytë është se, edhe sikur të pranohej si ligjor aprovimi që Asambleja u bëri vendimeve të KANÇ-it, ajo nuk e aprovoi vendimin e Kongresit të Përmetit, i cili prodhoi KANÇ-in, dhe që është pranuar nga historianët[14] si burim legjitimiteti për ekzistencën dhe gjithë veprimtarinë e tij. Formalisht, Asambleja e la pa autoritet ligjor vendimin e Kongresit të Përmetit, por fakti që ai vendim, i botuar në Gazetën Zyrtare, nr. 1, 21 dhjetor 1944, mbante numrin 1 në zinxhirin numerik të ligjeve të regjimit komunist, flet më shumë për nivelin e ulët juridik që zotëronte institucioni i Asamblesë.

Një argument tjetër, i cili tregon paligjshmërinë e vendimeve të Kongresit të Përmetit është fakti që krijimi i KANÇ-it ishte devijim i Kongresit të Përmetit nga qëllimi për të cilin ishte ngarkuar të përmbushte. Duke e anashkaluar faktin e mungesës së autoritetit ligjor të KPNÇ për të thirrur një kongres kombëtar, Kongresi nuk veproi në përputhje me përmbajtjen e vendimit të kryesisë së KPNÇ. Ai vendim e autorizoi Kongresin vetëm për të krijuar Komitetin Antifashist Nacional-Çlirimtar, si një organ me atributet e një qeverie.[15] Këtë detyrim të tij, Kongresi ia delegoi, pa qenë i autorizuar nga një dokument me fuqi ligjore, një organi që e krijoi vetë, përsëri pa qenë i autorizuar për një gjë të tillë.

E fundit, Kongresi i Përmetit ishte krejtësisht i kontrolluar nga Partia Komuniste Shqiptare (në vazhdim PKSH)[16] dhe në funksion të qëllimeve të saj. Vendimi i kryesisë së KANÇ-it për mbajtjen e Kongresit u mor me kërkesën e KQ të PKSH dhe hyri në fuqi pasi miratimit prej tij në plenumin e KQ të PKSH në Helmës, 15 maj 1944.[17] Kryesia e KPNÇ vepronte si instrument i PKSH. Për rrjedhojë, Kongresi i Përmetit ishte një veprimtari partiake dhe vendimet e tij ishin të vlefshme vetëm për strukturat e PKSH dhe anëtarët e saj.

  1. Krijimi i një qeverie në mes të luftës

Në prill 1944, në vlerësimin e KPNÇ balanca e luftës ishte kthyer në favor të Aleatëve. Bombardimet e anglo-amerikanëve mbi industrinë gjermane e kishin dobësuar shumë Gjermaninë. Ushtria e Kuqe ishte në ofensivë, fronti me gjermanët tashmë ishte përtej kufijve nga kishte nisur sulmi ndaj Bashkimit Sovjetik, ajo përparonte drejt perëndimit, kishte marrë Ukrainën, Krimenë, Odesën, dhe po futej në Rumani. Aleanca mes aleatëve ishte e qëndrueshme dhe ata po përgatiteshin të hapnin një front të dytë, që kryesia e KPNÇ besonte se do të hapej në Ballkan. Shkurt, vizioni i Hitlerit për një rend të ri botëror kishte marrë fund, bota e pas luftës do të projektohej sipas vizionit të Aleatëve dhe, në arsyetimin e kryesisë së KPNÇ, rreshtimi në krah të tyre ishte rruga drejt suksesit për lëvizjen e armatosur të tyre, që ata e quanin lëvizje nacionalçlirimtare. Suksesi i Titos, i cili kishte siguruar mbështetjen e Aleatëve për ushtrinë partizane jugosllave dhe për njohjen e një qeverie të tij, ishte shembulli që komunistët shqiptarë e shikonin si model për t’u ndjekur.[18]

Edhe në planin e brendshëm, në gjykimin e anëtarëve të kryesisë së KPNÇ, lëvizja partizane shqiptare nuk i kishte keq punët. Forcat ushtarake gjermane që ndodheshin në Shqipëri ishin shumë të dobëta të ndërmerrnin raprezalje kundër partizanëve. Ushtria partizane ishte rritur në numër dhe, në vlerësimin e një anëtari të kryesisë së KPNÇ, ishte më e përgatitur se “ushtria e Zogut në kulmin e saj”.[19] Këto dy elementë u jepnin komunistëve siguri për të dominuar mbi faktorët e tjerë politikë dhe ushtarakë të brendshëm, të cilët ishin të dobët, të përçarë, dhe nuk shikoheshin më si një rrezik serioz ushtarak për të siguruar dominimin politik në Shqipëri.

Duke vlerësuar gjendjen e jashtme dhe të brendshme, KPNÇ gjykoi se lufta partizane kishte hyrë në fazë të re, e cila e bënte të domosdoshme krijimin e formave të larta organizative në lëvizjen e tyre. Format e larta nënkuptonin krijimin e një organi legjislativ dhe një qeverie provizore. Këto organe do të shërbenin si instrumente në marrëdhëniet e komunistëve shqiptarë me aleatët “anglo-sovjeto-amerikanë” dhe aleatët e tyre fqinjë, “jugosllavë dhe grekë”.[20]

Këtu shfaqet e plotë hipokrizia e luftës partizane, si luftë me pretendime çlirimtare. Pikërisht, kur drejtuesit e luftës partizane gjykonin që armiku ishte i dobët, në vend të përpunonin strategji ushtarake e të merrnin vendim për t’i dhënë atij goditjen përfundimtare, ata u preokupuan me çështjen e konsolidimit të rrugës drejt pushtetit, duke krijuar struktura politike në dëm të interesave kombëtare.

Krijimi i një qeverie nga komunistët, bazuar në procesverbalet e mbledhjes së kryesisë së KPNÇ, ishte kalkulim logjik bazuar në rrethana të caktuara ushtarake dhe jo proces ligjor në përputhje me ligjet dhe zhvillimin e proceseve politike në Shqipëri. Kryesia e KPNÇ nuk mori shkas nga ndonjë krizë qeverisëse brenda vendit, gjë që mund të impononte zëvendësimin e qeverisë ekzistuese me një tjetër. Ata e mendonin prej kohësh krijimin e qeverisë, veç prisnin momentin e volitshëm për ta krijuar, që, në gjykimin e tyre, do të thoshte, kur të kishin sa më pak pengesa.

Në gjykimin e anëtarëve të kryesisë së KPNÇ, pengesë për krijimin e qeverisë do të kishte qenë ekzistenca e një qeverie mijëra kilometra larg Shqipërisë, në mërgim, ndërsa qeveria ekzistuese në Tiranë nuk shikohej si e tillë. Për krijimin e qeverisë, tha Ymer Dishnica, në fjalën hapëse të mbledhjes së kryesisë së KPNÇ, “s’kemi as ndalesën e disa vendeve të tjera që kanë qeveri jashtë [vendit]. Zogu s’ka qenë i njohur [nga Aleatët] edhe kur s’kemi patur një qeveri n. ç. [nacionalçlirimtare/komuniste]. S’është përmendur makar një herë në radio [BBC].”[21]

Për arsyet e mësipërme, kryesia e KPNÇ mori vendim për thirrjen e një kongresi prej të cilit do të dilte një komitet (qeveri). Në vendimin e kryesisë së KPNÇ dhe bisedimet gjatë mbledhjes që janë ruajtur nuk u përmend çështja e krijimit të një organi legjislativ.[22] Sidoqoftë, Kongresi, në shkelje të vendimit të kryesisë së KPNÇ, krijoi organin legjislativ dhe ia delegoi atij përgjegjësinë për krijimin e komitetit.

Në aspektin juridik, duke iu referuar ligjeve në fuqi në atë periudhë, qeveria që u krijua në Përmet, më 27 maj 1944, ishte një strukturë, si shumë të tjera të krijuara nga komunistët në atë periudhë, e paligjshme.

  1. Ushtria Partizane

Në përkufizimin kushtetues, ushtria ka qenë (dhe është) një pjesë – pjesa kryesore – e forcave të armatosura të shtetit shqiptar. Edhe qëllimi i ushtrisë ka qenë (dhe është) i njëjtë: mbrojtja e interesave të larta morale dhe materiale të vendit.[23] Për ushtrinë partizane nuk mund të thuhet që ishte pjesë, ose pjesa kryesore, e forcave të armatosura të shtetit shqiptar dhe, për rrjedhojë, ajo nuk mund të përfaqësonte mbrojten e inetersave kombëtare. Së pari, gjatë Luftës së Dytë Botërore, në periudhën 1943 – ‘44, në Shqipëri ekzistonin një numër grupimesh të armatosura, të cilët jo vetëm që ishin të pavarur nga njëri-tjetri, por ishin dhe në konflikt mes tyre. Asnjëri prej grupimeve nuk kishte autoritetin juridik për të vepruar në emër të shtetit shqiptar, përveç ushtrisë së shtetit shqiptar, e krijuar me vendim ekzekutiv,[24] më 20 shtator 1943, i kthyer në ligj më vonë.

Formacionet partizane që ekzistonin në atë periudhë “ishin ngritur mbi baza territoriale sesa si ushtri.”[25] PKSH kishte mundur të depërtonte në shumë prej tyre, duke i kontrolluar me anë të komisarëve politikë, por ato ishin ende të vogla, pa armatime, pa disiplinë ushtarake, dhe vepronin lokalisht, pa një komandë ushtarake të centralizuar.

Më 10 korrik 1943, që njihej si data e krijimit të ushtrisë partizane gjatë regjimit komunist, nuk u diskutua krijimi i ushtrisë,[26] por heqja e yllit pesëcepësh nga flamuri që mbanin çetat partizane. Vendosja e yllit në flamurin kombëtar, pa autorizimin e një autoriteti ligjor, ishte dhunim i simboleve kombëtare. Ky është veç një shembull shtesë, prej së cilës kuptojmë se ushtria partizane nuk do të ishte, kur të formohej, mbrojtëse e interesave kombëtare, por përçarëse e unitetit kombëtar, ashtu siç ndodhi. Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë partizane nuk mori vendim për heqjen e yllit, por pjesëmarrësit në mbledhje ranë dakord që ajo çështje të diskutohej në një konferencë ose kongres në të ardhmen.[27] Në dy mbledhje të organizuara nga komunistët më vonë, njëra e quajtur konferencë[28] dhe tjetra kongres,[29] çështja e yllit nuk u diskutua. Madje, vendimi i Shtabit të Përgjithshëm, menjëherë pas Kongresit të Përmetit, ishte dërgimi i një divizioni partizan në Shqipërinë e Mesme, për të asgjësuar forcat e armatosura të ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm, Abaz Kupi,[30] i cili ishte anëtari i vetëm i SHP pro heqjes së yllit të kuq pesëcepësh nga flamuri kombëtar. Kupi ishte ndarë përfundimisht me komunistët në vjeshtën e vitit 1943.

Ushtria partizane ishte një entitet ushtarak i pavarur nga strukturat shtetërore dhe, si e tillë, nuk mund të përfaqësonte interesat kombëtare. Juridikisht ajo ishte një strukturë e paligjshme, e cila u përdor nga komunistët si instrument për marrjen e pushtetit. Veprimtaria e saj nuk rregullohej me asnjë ligj dhe legjitimiteti i saj nuk rridhte nga ndonjë organ legjislativ që përfaqësonte vullnetin e popullit shqiptar, pavarësisht pretendimeve të Kongresit të Përmetit, KANÇ-it, drejtuesve të PKSH apo historianëve, gjatë regjimit komunist ose dhe pas rënies së tij.

Për analogji, lidhur me legjitimitetin e ushtrisë, mund të shikojmë mënyrën si u krijua Ushtria Shqiptare e Shtetit Shqiptar,[31] pas kapitullimit të Italisë. Më 14 shtator 1943, u rinkonfirmua pavarësia e Shqipërisë, u krijua një qeveri e përkohshme, e cila krijoi infrastrukturën juridike, procedurat dhe instrumentet institucionale për krijimin e Kuvendit Kombëtar, prej nga u ringritën institutcionet e shtetit të pavarur shqiptar. Ushtria Shqiptare u rikrijua me vendim të Komitetit Ekzekutiv të Përkohshëm (KEP), nr. 43, 20 shtator 1943, i cili suprimoi dekretin e bashkimit të forcave të armatosura të Shqipërisë me forcat e armatosura të Italisë. Vendimi i KEP u kthye në ligj nga Kuvendi Kombëtar.[32] Me krijimin e ushtrisë së shtetit shqiptar, ushtria partizane duhej të kishte pushuar së ekzistuari, sepse, juridikisht, nuk ekzistonte më objekti për të cilin komunistët pretendonin, pse ajo ishte krijuar; pushtimi ushtarak fashist i Shqipërisë mori fund me kapitullimin e Italisë, 8 shtator 1943. Deri në mesin e nëntorit, Shqipëria u çlirua edhe juridikisht nga pushtimi fashist; ligjet u abroguan dhe institucionet u ndërtuan në përputhje me Statutin Themeltar të Mbretnis Shqiptare. Më 20 shtator 1943, partizanët ose duhej të ishin kthyer në shtëpi, ose mund të ishin bërë pjesë e Ushtrisë Shqiptare.

  1. Krijimi i institucioneve paralele

Pas kapitullimit të Italisë, Komiteti Kombëtar, i mbledhur në kushtet e emergjencës dhe boshllëkut institucional, rinkonfirmoi pavarësinë e Shqipërisë, më 14 shtator 1943, dhe krijoi një organ për drejtimin e punëve ekzekutive, KEP-in. Një nga detyrat e KEP-it ishte organizimi i një Kuvendi Kombëtar, si përfaqësues i vullnetit të popullit. Kuvendi, i cili nisi punimet më 16 tetor 1943, u formua nëpërmjet zgjedhjeve me përfaqësim, në përmbushje të detyrimeve që rridhnin nga vendimi i KEP, nr. 112, 23 shtator 1943,[33] dhe në përshtatje me situatën.[34]

Kuvendi Kombëtar abrogoi vendimet e Asamblesë, të dala më 12 prill 1939, një prej të cilëve ishte vendimi për bashkimin e kurorës së Shqipërisë me kurorën e Mbretëris së Italisë. Abrogoi Statutin e Mbretërisë Shqiptare, 3 qershor 1939, që njihte mbret të Shqipërisë mbretin e Italisë dhe Shqipërinë pjesë të Mbretërisë së Italisë. Abrogoi – në parim – të gjitha ligjet, dekretligjet, dekretet dhe rregulloret e dala prej 12 prill 1939 deri më 14 shtator 1943, që binin ndesh me frymën e vendimeve të Kuvendit Kombëtar dhe ngarkoi qeverinë të bënte identifikimin dhe abrogimin e tyre, një për një. Abrogoi dekretligjin dhe ligjin që e njihte Shqipërinë të hyrë në luftë me ato shtete që kishte qenë në luftë Mbretëria e Italisë. Ktheu në fuqi Statutin Themeltar të Mbretnis Shqiptare, 1 dhjetor 1928, dhe, bazuar në Statut, krijoi institucionet qendrore të shtetit shqiptar, Këshillin e Naltë (Regjencën), që, në përputhje me Statutin, zëvendësonte mbretin, dhe qeverinë.

Procesi i ringritjes së institucioneve dhe rikthimit të rendit të Mbretërisë Shqiptare u bë me rigorozitet ligjor. Kryetari i qeverisë, Rexhep Mitrovica, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë (1912), u shfaq para Kuvendit Kombëtar, 27 tetor 1943, me vetëdije juridike të qartë, duke e hapur fjalimin me këtë fjali: “Në bazë të Statutit Themeltar, Këshilli i Naltë pati besimin në këto çaste historike të më ngarkojë barrën e randë të formimit të Qeverisë.”[35] Gjithë procesi i ngritjes së institucioneve u karakterizua nga një nivel i lartë i ndërgjegjes juridike të personave që zgjodhën të sakrifikonin në ato kohë të vështira e shumë paragjykuese.

Qeveria gjermane e mirëpriti dhe e mbështeti rikofirmimin e pavarësisë së Shqipërisë.[36] Ata persona që u angazhuan në ngritjen e institucioneve, në fillim e më vonë, mund të ishin dashamirës ndaj Gjermanisë, por nuk bashkëpunuan me forcat ushtarake gjermane në dëm të interesave të larta kombëtare. Ata kishin dy zgjedhje, ose të përkrahnin anarkinë dhe gjakderdhjen, ose të mbronin interesat e kombit, rendin, qetësinë dhe ngritjen e institucioneve të shtetit. Ata zgjodhën interesat kombëtare, duke rrezikuar, me vetëdije të plotë, jetën dhe reputacionin e tyre.[37]

Kundër anarkisë ishin dhe forcat gjermane që ndodheshin në Shqipëri, drejtuesit e lartë, të cilat u interesuan për një qeveri shqiptare “për [të mbrojtur] interesat e larta kombëtare.”[38] Forcat gjermane nuk erdhën në Shqipëri me qëllime pushtimi, misioni i tyre ishte i përkohshëm, dhe, për të qëndruar ushtarakisht indiferente ndaj shqiptarëve, ishin të interesuara të mos goditeshin nga grupet e armatosura vendase.[39]

Komunistët, jo vetëm që nuk bashkëpunuan për ngritjen e institucioneve të shtetit shqiptar pas kapitullimit italian, por nuk u treguan as dashmirës në distancë, të paktën si forcat ushtarake gjermane që ndodheshin në Shqipëri. PKSH, drejtuese e Lëvizjes Nacionalçlirimitare (LNÇ), emërtimi i saj për forcat partizane, prishi Marrëveshjen e Mukjes e arritur mes LNÇ dhe Ballit Kombëtar, më 1-2 gusht 1943, dy grupimet politike dhe ushtarake më të mëdha në atë kohë, pasi komisioni i deleguar prej tyre e kishte firmosur. Vendimi Konferencës II të PKSH, 4-9 shtator 1943, për prishjen e Marrëveshjes,[40] është provë që luftën civile e nisi PKSH.

Partizanët, forca e armatosur e PKSH, u shpallën luftë institucioneve legjitime të krijuara nga Kuvendi Kombëtar pas kapitullimit të Italisë. Për këtë luftë nuk ka një vendim të shkruar,[41] por ka një gjest simbolik, i cili përmendej vazhdimisht në librat e historisë:[42] goditja me top e godinës së Kuvendit Kombëtar.[43] Juridikisht, lufta kundër grupeve partizane, e bërë nga Ushtria Kombëtare apo xhandarmëria ishte luftë kundër grupeve krimininale. Veprimtaria e partizanëve ishte një seri deliktesh[44] të parashikuara në Kodin Penal.[45]

Komunistët krijuan institucione paralele, të cilat ishin të paligjshme dhe vetëm në interes të tyre. Kongresi i Përmetit ishte dublim i Kuvendit Kombëtar, KANÇ-i ishte dublim i Parlamentit që doli nga Kuvendi Kombëtar, Komiteti ANÇ ishte dublim i qeverisë së dalë nga Kuvendi Kombëtar.[46] Ushtria partizane ishte dublim i Ushtrisë Shqiptare, e krijuar me ligj nga Kuvendi Kombëtar.

Nëse nën pushtimin italian organizimi i armatosur dhe institucionet paralele, të krijuara nga shqiptarët, mund të justifikoheshin moralisht për shkak të pushtimit të paligjshëm të Shqipërisë, ekzistenca e tyre, pas rikonfirmimit të pavarësisë dhe kthimit të rendit kushtetues të shtetit shqiptar, ishte, referuar ligjeve në fuqi, veprimtari e paligjshme. Ushtria partizane, e udhëhequr nga PKSH, në kolaboracion me faktorë të huaj – pjesa më e madhe e ushtarakëve britanikë që ndodheshin në Shqipëri dhe jugosllavëve, përfaqësues politikë e ushtarakë – arriti t’i shkatërronte institucionet legjitime të shtetit.[47] Pas grushtit të shtetit më 1924, marrja e pushtetit nga komunistët, ishte hera e dytë, në historinë e shtetit shqiptar, që paligjshmëria fitoi mbi ligjshmërinë.

  1. Forma juridike e shtetit, 22 tetor 1943-15 mars 1946

Komunistët nuk e pranuan asnjëherë publikisht rikthimin e rendit kushtetues të monarkisë, sepse zgjodhën t’i përdornin ligjet në mënyrë seleketive. Më 17 maj 1945, kryesia e KANÇ-it nxori ligjin nr. 61,[48] i cili la në fuqi “edhe për kohën e ardhshme”[49] ligjet, dekretligjet, dekretet dhe rregulloret që kishin qenë në fuqi para sulmit ushatarak të Italisë ndaj Shqipërisë, 7 prill 1939. Nga ky korpus ligjor, sipas nenit 3 të ligjit nr. 61, ishin të pavlefshme për t’u zbatuar vetëm ato akte ligjore e administrative, të cilat ishin në kundërshtim “me frymën e re demokratike” dhe me deklaratat, vendimet dhe ligjet e nxjerra prej KANÇ-it dhe “qeverisë demokratike.”[50] Në dallim nga Kuvendi Kombëtar (1943), komunistët nuk e bënë abrogimin e ligjeve në funksion të interesave kombëtare, por të pushtetit të tyre, maskuar pas koncepteve “frymë e re demokratike” dhe “qeveri demokratike”. Në fakt, fryma ishte, siç do ta shohim në vazhdim, diktatoriale.

Neni 3 i ligjit nuk kishte fuqi zbatuese, sepse abrogimi i akteve juridike nuk mund të bëhej en mase. Në Shqipëri ekzistonte tradita e abrogimit të ligjeve dhe literatura teorike, që hartuesit e ligjeve mund t’u ishin referuar. Veç një vit më herët, ndërsa Shqipëria ishte zhytur në luftë civile, një jurist i njohur kishte botuar librin “Theoria e ligjës së ligjave”, ku trajtonte, mes të tjerave, mënyrën e abrogimit të ligjeve. Autori, Koço Tasi,[51] bazuar në përvojën e kodeve të huaja dhe shqiptare, trajtonte tri mënyrat tradicionale të abrogimit të ligjeve, duke shtuar dhe një të vetën. E para, sipas Tasit, kur miratohet një ligj i ri, ai shprehet për abrogimin e ligjit të vjetër. E dyta, kur miratohet një ligj i ri, dhe dispozitat e tij nuk pajtohen me ligjin e vjetër, atëherë ligji i vjetër konsiderohet i abroguar. E treta, kur një ligj i ri i rregullon gjithë çështjet e ligjit të vjetër, ky i fundit abrogohet automatikisht, edhe nëse kjo nuk shprehet në ligj. Sipas Tasit, në mënyrat e abrogimit të ligjeve duhet të përfshihej dhe një e katërt, rasti “kur ligja vetë ka pasë caktue një afat final për fuqin e vetë, dhe ky afat mbaron.”[52] Shkurt, në fjalët e autorit: “Ligja abrogohet me ligjë”.[53]

As tradita nuk mungonte. Kuvendi Kombëtar ishte ballafaquar më herët me një situatë të ngjashme, por veproi me disiplinë të rreptë juridike. Më 22 tetor 1943, Kuvendi nxori një vendim për lënien në fuqi të gjithë ligjeve, dekretligjeve dhe vendimeve të miratuara në periudhën 7 prill 1939-14 shtator 1943, “veç atyne qi abrogohen ose nuk pajtohen me frymën e vendimeve të Kuvendit Kombëtar.”[54] Mirëpo, Kuvendi nuk e la çështjen me një deklarim të përgjithshëm, ai ngarkoi qeverinë të identifikonte aktet që binin ndesh me interesat e larta të shtetit dhe të bënte abrogimin e tyre. Kuvendi nuk abrogoi, ai përkufizoi frymën e akteve juridike për t’u abroguar, përcaktoi procedurën e abrogimit, caktoi institucionin përgjegjës dhe i delegoi atij përgjegjësinë e abrogimit.

KANÇ-i, nga ana tjetër, duke mos i abroguar ligjet në mënyrë nominale, ose me ligje të reja, ndërkohë që konfirmoi lënien në fuqi të ligjeve, dekretligjeve dhe rregulloreve para 7 prillit 1939, la në fuqi edhe Statusin Themeltar të Mbretnis Shqiptare, 1 dhjetor 1928, i cili sanksiononte se, “Shqipnija asht Mbretni (Royaume) demokratike parlamentare dhe e trashëguëshme.”[55] Ky statut juridik i shtetit Shqiptar ishte kthyer në fuqi më 22 tetor 1943, nga Kuvendi Kombëtar, dhe KANÇ-i nuk e abrogoi kurrë, me asnjë nga mënyrat e abrogimit të përmendura më sipër.

Gjatë regjimit komunist, si dita e shpalljes së republikës festohej 11 janari, kur Asambleja Kombëtare deklaroi shpalljen e pavarësisë, më 11 janar 1946, por, juridikisht, monarkia në Shqipëri pushoi së ekzistuari kur hyri në fuqi Statuti i Republikës Popullore të Shqipërisë, i dekretuar më 15 mars 1946,[56] dhe, për rrjedhojë, institucionet e ngritura nga komunistët, në periudhën 22 tetor 1943-15 mras 1946, ishin të paligjshme, ndërsa kontributi i personave të përfshirë në ngritjen e tyre përkufizohej si faj në Kodin Penal[57] të vitit 1928, ende i pashfuqizuar.

  • Forma juridike e shtetit dhe institucionet sipas kushtetutës, 1946-1990

Shteti, të cilin komunistët e morën nën kontroll më 28 nëntor 1944, ishte, juridikisht, monarki. Komunistët nuk e trajtuan si të tillë, as nuk e pohuan kurrë këtë fakt, por, më 1946, sapo krijuan një organ legjislativ të dalë nga zgjedhje elektorale të përgjithëshme, e shpallën Shqipërinë republikë. Në kushtetutë (1946),[58] republika u emërtua Republika Popullore e Shqipërisë, në të cilën, sipas nenit 1, i gjithë pushteti buronte “nga populli” dhe i takonte “popullit”. Termi “popullore” i përdorur në tekstin e kushtetutës, i huazuar nga kushtetuta e komunistëve jugosllavë, ishte thjesht etiketë. Nëse pushteti buronte nga populli dhe i përkiste atij, atëherë gjithë politikat qeverisëse duhet të përcaktoheshin me votim popullor,[59] gjë që nuk parashikohej në kushtetutë. Neni 2 i kushtetutës (1946) sanksiononte që populli e realizonte pushtetin e tij nëpërmjet “organeve përfaqësonjëse të pushtetit shtetëror.”[60] Më 1950, neni 1 i kushtetutës u ndryshua, në këtë formë: “Shqipëria është një republikë popullore.”

Republika Popullore ishte, referuar tekstit të kushtetutës, një republikë kushtetuese me përfaqësim: pushteti ushtrohej prej përfaqësuesve të zgjedhur nga populli dhe parimet themelore të tij ishin parashtruar në formën e një teksti të shkruar (kushtetutë). Kushtetuta sanksiononte që përfaqësuesit e pushtetit zgjidheshin nga populli dhe të gjitha institucionet shtetërore e ushtronin veprimtarinë e tyre përputhje me kushtetutën, ligjet dhe vendimet të nxjerra nga institucionet e shtetit. Kushtetuta përcaktonte numrin e institucioneve kushtetuese, hierarkinë dhe detyrat e tyre. Në kushtetutë ishin përkufizuar qartë tre shtyllat themelore të pushtetit: pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Detyrat dhe marrëdhëniet midis tyre ishin të rregulluara në kushtetutë. Kuvendi Popullor ishte institucioni më i lartë shtetëror; qeveria ishte organi ekzekutiv dhe urdhër-dhënës më i lartë, e cila emërohej e shkarkohej nga Kuvendi dhe ishte përgjegjëse përpra tij; gjykatat ishin të pavarura, të ndara nga administrata, vendimet e tyre mund të ndryshoheshin veçse prej një gjykate më të lartë.

Kushtetuta e 1946-ës (por dhe ajo e ndryshuar më vonë) parashikonte një qeverisje demokratike, e dalë nga zgjedhje të lira periodike, e cila respektonte të drejtën e votës, të ndërgjegjes dhe besimit, lirinë e shprehjes së qytetarëve, lirinë e shtypit, dhe lirinë e organizimit. Liria e organizimit ishte e rregulluar dhe me një ligj të veçantë, që sanksiononte krijimin e partive të ndryshme politike.[61] Ligji ndalonte vetëm krijimin e partive politike që mund të synonin ndryshimin e rendit kushtetues, partive me karakter antidemokratik, partive të krijuara mbi bazë fetare, ose atyre që synonin nxitjen e urrejtjes dhe grindjes me bazë kombësie, race dhe besimi fetar.

Në fushën ekonomike, kushtetuta (1946-76) parashikonte një qasje të shtetit në favor të pronës shtetërore dhe kooperativiste, i jepte shtetit monopolin e tregtisë së jashtme, por ajo sanksiononte se garantohej pronësia dhe iniciativa private. Me kushtetutën e re (1976) liria ekonomike u kufizua në maksimum: prona dhe sipërmarrja private u ndaluan.

Deri më 1976, korniza kushtetuese lejonte që Shqipëria të ishte një vend demokratik, ose diçka e përafërt, por jo diktaturë, nëse do të kishte ekzistuar vullneti i njerëzve që ishin në pushtet. Megjithatë, edhe kushtetuta e re nuk ndryshoi shumë gjëra. Ato që mund të konsideroheshin gjëra të reja, si shpallja e Shqipërisë vend ateist, ndalimi i pronës private, ndalimi i avokatisë, etj., nuk ishin të reja. Nenet kushtetetuese të reja ishin konfirmim i gjendjes në realitet: feja ishte ndaluar, prona private ishte zhdukur, avokatia ishte ndaluar, shumë më herët, ndërkohë që e drejta e besimit, pronës private dhe mbrojtjes në gjykatë vazhduan të ishin kategori kushtetuese deri më 1976.

Në kushtetutën e re, Shqipëria u quajt “shtet i diktaturës së proletariatit”, por përmbajtja e saj nuk e përligjte diktaturën. Diktatura, në formën që ekzistoi, nuk buronte nga kushtetuta. Byroja Politike e KQ të Partisë së Punës së Shqipërisë (në vazhdim PPSH), ose dhe vetë PPSH, nuk e kishin të shprehur në kushtetutë kontrollin e pushtetit. Kontrolli i tyre mbi institucionet, që do të trajtohet më hollësisht në vazhdim, ishte i paligjshëm.

Kushtetuta (e vjetra dhe e reja) sanksiononte se, Kuvendi Popullor ishte organi më i lartë i pushtetit shtetëror. Ky përcaktim kushtetues nuk linte mundësi interpretimi që Kuvendi të varej nga një institucion tjetër. Po kështu, kushtetuta e përcaktonte qeverinë si organin më të lartë ekzekutiv. Në kushtetutën e vitit 1976, pati një ndryshim sa i përket qeverisë, sepse nuk thuhej më, si deri atëherë, se qeveria ishte përgjegjegjëse para Kuvendit Popullor, por as nuk sanksionohej që qeveria ishte përgjegjëse ndaj Byrosë Politike apo ndonjë organi tjetër. Lënia evazive e përgjegjësisë së qeverisë nuk legjitimonte ndërhyrjet e Byrosë Politike. Sa i përket gjykatave, bazuar në tekstin e kushtetutës, ato ishin të pavarura në vendimarrje, përgjatë gjithë kohës që zgjati regjimi komunist.

  • Forma juridike e shtetit dhe institucionet në realitet, 1946-1990

Rendi juridik i parashikuar në kushtetutë, në periudhën 1946-1990, dhe rendi juridik në praktikë ishin dy realitete paralele. Institucionet, kushtetuese ose jo, ishin nën kontrollin absolut të një entiteti jo kushtetues. Organi më i lartë shtetëror, sipas kushtetutës, ishte Kuvendi Popullor, në realitet, organi më i lartë ishte Byroja e KQ të PPSH.

Kushtetuta (1946-1990) sanksiononte se Kuvendi Popullor mblidhej dy herë në vit, me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor,[62] në realitet vendimin për mbledhjen e Kuvendit e merrte Byroja Politike.[63] Në periudhën 1946-‘50, Kushtetuta parashikonte që Kuvendi i niste dy sesionet vjetore më 15 mars dhe 15 tetor. Më 1950, datat fikse u hoqën nga kushtetuta dhe radha e veprimeve për thirrjen e sesioneve të Kuvendit ishte kjo: 1) Presidiumi i Kuvendit Popullor i propozonte Byrosë Politike për thirrjen e sesionit të zakonshëm të Kuvendit, 2) Byroja caktonte datën e thirrjes së sesionit dhe axhendën e tij, 3) Presidiumi nxirrte dekretin e thirrjes së Kuvendit në sesion të zakonshëm.[64] Në Kushtetutë nuk parashikohej një procedurë e tillë. Kushtetuta parashikonte që Kuvendi mblidhej me dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor, dhe, normalisht, dekretet duhet të ishin shprehje e vullnetit së atij institucioni dhe jo partisë, apo ndonjë organi tjetër.

Të drejtën kushtetuese për të ndërmarrë nisma ligjore e kishte Presidiumi i Kuvendit Popullor, qeveria dhe deputetët. Në praktikë, projektligjet përgatiteshin nga qeveria, miratoheshin nga Byroja Politike, dhe, në fund, bëhej votimit i tyre në Kuvendin Popullor. Kuvendi dhe Presidiumi i Kuvendit vepronin si zyra noterizimi për ligjet që aprovonte Byroja Politike.

Ushtrimi i të drejtës së faljes ishte dispozitë kushtetuese e Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Në praktikë, procedura e vendimarrjes për amnistitë, zhvillohej kështu: ministria e Brendshme i drejtonte një propozim për amnisti Byrosë Politike,[65] Byroja nxirrte një vendim me anë të të cilit i rekomandonte Këshillit të Ministrave që t’i propozonte Kuvendit Popullor të shpallte amnistinë,[66] dhe, në fund, dekreti i Presidiumit të Kuvendit Popullor ishte një formalitet procedurial.

Në vitet e para të pushtetit komunist artikulimi i vullnetit të Byrosë Politike në vendimet e saj, për amnistitë[67] ose çështje të tjera, ishte i drejtpërdrejtë. Mbledhja e qeverisë, 23 nëntor 1950, ku u diskutua projekt-dekreti “për amnistinë e të burgosurve ordinerë dhe armiq të popullit”, u hap me këto fjalë të kryeministrit: “Byroja Politike e Komitetit Qendror ka vendosur që me rastin e festës së 29 nëntorit të bëjë falje të burgosurish armiq populli e ordinerë.”[68]

Më vonë, Byroja Politike dilte me vendime ku rekomandonte ose u propozonte organeve kushtetuese të bënin diçka dhe ato i përmbushnin rekomandimet ose propozimet e saj, me përpikmëri.

Byroja Politike ishte realisht organ ekzekutiv, ndërsa qeveria vepronte si instrument i saj. Punën e ministrive, komisioneve dhe të institucioneve që ndodheshin nën kontrollin direkt të qeverisë, e drejtonte Byroja Politike. Plani i shtetit dhe buxheti i shtetit, që kushtetuta i parashikonte të përgatiteshin nga qeveria dhe të miratoheshin nga Kuvendi Popullor, kontrolloheshin rreptësisht nga Byroja Politike dhe vendimi i saj ishte përcaktues në miratimin ose jo të tyre nga Kuvendi Popullor. Ministritë raportonin rregullisht në Byronë Politike. Ministria e Punëve të Brendshme e kishte të detyrueshëm, bazuar në platformat e saj të miratuara nga Byroja Politike, të raportonte në Byro,[69] pavarësisht se ishte pjesë e qeverisë, por edhe ministritë e tjera e bënin rregullisht të njëjtën gjë.[70]

Byroja ndryshonte strukturën e qeverisë, emëronte dhe shkarkonte këshillin e ministraveve[71] ose ministra të veçantë, emëronte dhe shkarkonte zëvendësministra,[72] gjykatës,[73] dhe zyrtarë të niveleve më të ulëta,[74] pa kufizim dhe pa tagër ligjor. Emërimi dhe shkarkimi i ministrave dhe zëvendësministrave ishte e drejtë e Presidiumit të Kuvendit Popullor, sipas Kushtetutës[75] dhe ligjit nr. 363, 26 nëntor 1946.[76]

KQ i PPSH ose Byroja Politike e tij organizonin mbledhje të përbashkëta me Këshillin e Ministrave, me Presidiumin e Kuvendit Popullor, ose me të dy institucionet bashkë. Kjo ishte diçka e pa parashikuar në kushtetutë. Në fund të mbledhjes, dilte një vendim i firmosur nga të dy apo tri palët pjesëmarrëse. Vendimi kishte lidhje me çështje që i takonin vetëm qeverisë ose Presidiumit.[77]

Bazuar në kushtetutë, gjykatat ishin të pavarura. Në një diskutim në mbledhjen e Byrosë Politike, 6 shtator 1966, Enver Hoxha foli hapur për kontrollin e partisë mbi gjykatat. Sipas tij, nuk mund të mendohej që gjykatat të ishin të pavarura, as varësia e tyre nga qeveria nuk ishte e mjaftueshme. Në “drejtimin e sektorit të drejtësisë”, sipas Hoxhës, rolin parësor e kishte partia, e cila e ushtronte ndikimin e saj përmes Presidiumit të Kuvendit Popullor. Njerëzit e partisë në Presidium, një prej të cilëve ishte kryetari i tij, bisedonin me kryetarin e Presidiumit vendimin e Byrosë Politike lidhur me një gjykatë të caktuar, dhe Presidiumi merrte vendimin përkatës lidhur me gjykatën në fjalë.[78] Hoxha mendonte se gjykatat nuk mund të ishin të pavarura, dhe për faktin që anëtarët e Gjykatës së Lartë zgjidheshin nga Kuvendi Popullor dhe gjykatësit e nivelit të ulët zgjidheshin nga “populli”, që do të thoshte se një nga mënyrat e kontrollit të gjykatave nga partia ishte kontrolli mbi procesin e zgjedhjes së gjyqtarëve. Me një argument tjetër, për të justifikuar kontrollin e partisë mbi gjykatat, Hoxha deklaroi: “Asnjë nga ne nuk është i pavarur përpara vijës së partisë dhe çështjes së popullit.”[79] Dhe, pikërisht pas kësaj, ai u shpreh, pa ironi: “Kushtetuta këtë çështje e ka zgjidhur drejt.”[80]

Në kushtetutë, që ishte në fuqi më 1966, thuhej shprehimisht: “Gjykatat janë të pavarura në ushtrimin e funksioneve të tyre. Gjykatat janë të ndara nga administrata në të gjitha gradat [nivelet]. Vendimet e tyre nuk mund të ndryshohen veçse prej gjykatës kompetente më të lartë.”[81]

 As gjykatat e shkallës së parë nuk ishin të pavarura nga partia. Sekretari i partisë apo kryetari i komitetit ekzekutiv në rreth mund ta thërriste gjykatësin sa herë e shihte të nevojshme për t’i shpjeguar mendimin e partisë, lidhur me një çështje që ishte në gjykim. Gjyqtari parashikohej njeri me partishmëri të lartë,[82] i cili duhet t’i merrte vendimet në përputhje me frymën e partisë, dhe, pasi merrte vendimin, duhet të raportonte në parti për vendimin që kishte marrë. Shumë çështje të gjykatave, në pohimin e Hoxhës, ishin zgjidhur nga partia dhe qeveria, pa shkuar, aty ku duhet të shkonin, në Presidiumin e Kuvendit Popullor. Kjo, në një farë mase, kishte ndodhur dhe falë gjykatave që ishin treguar “të arsyeshme”, për të mos verifikuar kushtetueshmërinë e veprimeve të kryera. Duke iu nënshtruar faktorëve jo kushtetues, në gjykimin e Hoxhës, gjykatat kishin “vepruar si organe revolucionare”.[83]

Megjithatë, mendimi real i Enver Hoxhës për gjykatat dhe drejtësinë, i zhveshur nga retorika politike e institucionale, dhe i shprehur në të njëjtën mbledhje, ishte ky: “Kushdo e di se partia çështjet i zgjidh pa avukat, bile probleme shumë më të rëndësishme e delikate, [i zgjidh] pa i çuar njerëzit fare në gjyq.”[84]

Për ta përmbledhur, kushtetuta dhe ligjet e regjimit komunist ishin veç fasadë. Hierarkia e reale e institucioneve në Shqipëri ishte kjo: në nivelin e parë, qëndronin institucionet jo kushtetuese, në nivelin e dytë, sipër të parit, qëndronin institucionet kushtetuese, dhe, në nivelin e epërm (i treti), qëndronte Byroja Politike. Byroja, nga ana e saj, kontrollohej me rreptësi nga Sekretari i Parë i PPSH, i cili, për pjesën më të gjatë të regjimit komunist (1944-85), ishte Enver Hoxha.

  • Gjendja kushtetuese e PPSH

Në periudhën 1946-1950, PPSH nuk përmendej në kushtetutë. Në vitin 1950, në kushtetutë u shtua një nen (neni 21), që e përkufizonte PPSH-në si një organizatë pranë së cilës bashkoheshin “shtetasit [politikisht] më aktivë dhe më të ndërgjegjshëm të klasës punëtore dhe masave të tjera punonjëse” dhe si “bërthama udhëheqësse e të gjitha organizatave të punonjësve, si shoqërore ashtu dhe shtetërore.”[85] Ky përkufizim nuk mund të konsiderohet i mjaftueshëm për ta trajtuar PPSH një institucion kushtetues dhe për të justifikuar kontrollin e saj mbi organet kushtetuese. Kushtetuta i përkufizonte qartë institucionet kushtetuese dhe detyrat e tyre. Për PPSH, ajo, nuk parashikonte detyra dhe marrëdhënie ndërveprimi me institucionet kushtetuese.

Qëllimi i nenit 21 të kushtetutës nuk ishte për t’i dhënë funksione kushtetuese PPSH-së, por të zgjeronte kuptimin e nenit 20, i cili fliste për garantimin e të drejtës së organizmit (politik), mbledhjes, grumbullimit dhe manifestimit publik. Neni 21, përmendte organizatat shoqërore dhe politike, ku qytetarët mund të organizoheshin. Sipas atij neni, Kushtetuta u garantonte qytetarëve të drejtën për t’u bashkuar në organizata të ndryshme dhe këtë e kishte bërë me qëllim “për të zhvilluar inisiativën e masave punonjëse në fushën e organizimit dhe aktivitetin e tyre politik.” Me nenin 21, kushtetuta u përdor për të orientuar njerëzit të anëtarësoheshin në PPSH dhe organizatat e kontrolluara prej saj, por nuk i jepte PPSH autoritet mbi institucionet kushtetuese. Në kushtetutën e Bashkimit Sovjetik (1936), qëllimi i nenit 129, kopje e të cilit është neni 21 i kushtetutës shqiptare,[86] thuhej se qytetarëve të Bashkimit Sovjetik u garantohej e drejta e bashkimit në organizata publike dhe përcaktonte dhe organizatat ku ata mund të bashkoheshin, përfshi Partinë Komuniste (bolshevike) të Bashkimit Sovjetik, në të cilën bashkoheshin “qytetarët më aktivë dhe politikisht më të ndërgjegjshëm.”[87]

Në periudhën 1946-76, kushtetuta nuk parashikonte asnjë lloj përgjegjësie dhe detyre për PKSH dhe asnjë marrëdhënie ndërveprimi të saj, me institucionet kushtetuese. Në kushtetutën e vitit 1976, PPSH u përkufizua si “forca e vetme politike udhëheqëse e shtetit dhe shoqërisë,” por vetëm kaq. Përkufizimi si forcë ushëheqëse e vetme mund të përdoret si argument për justifkuar ndërhyrjen e PPSH në të gjitha institucionet, por problemi ishte më i thellë se interpretimi i këtij përkufizimi. Të gjitha kushtetutat e regjimit komunist përkufizonin si parti politike një entitet të paligjshëm. Juridikisht, PPSH nuk ekzistonte.

  • Gjendja juridike e PPSH         

E drejta e shtetasve për t’u organizuar politikisht ishte e garantuar me kushtetutë[88] dhe ligj të veçantë.[89] Referuar ligjit, krijimi i një partie politike ishte një procedurë e thjeshtë: personat e interesuar për krijimin e partisë, pasi të kishin mbledhur 100 firma nga qytetarë me të drejtë vote, nëse partia do të ushtronte veprimtari në nivel kombëtar, dhe 50 firma, nëse partia do të ushtronte veprimtari lokale (në një ose dy prefektura), i drejtonin një kërkesë institucionit përgjegjës, të shoqëruar me programin dhe stautin e partisë. Institucioni përgjegjës ishte ministria e Punëve të Brendshme.

Një parti e regjistruar ishte person juridik. Ajo mund të zotëronte pasuri të patundshme për qëllimet e saj, zyra për organizimin e mbledhjeve dhe shtypin (gazetën), mund të administronte ardhurat nga kuotat e anëtarëve dhe nga burime të tjera të ligjshme, etj.[90]

Për partitë që nuk regjistroheshin ligji parashikonte ndëshkime. Kushdo që shkelte dispozitat e ligjit për lajmërimin dhe formimin e partive politike dhe të mbledhjeve publike, me karakter politik, dënohej me 500 franga gjobë. Partitë politike, bazuar në ligj, e kishin detyrim të përvitshëm deklarimin e burimit, sasinë dhe mënyrën e përdorimit të të ardhurave të tyre. Shkelja e kësaj dispozite parashikonte heqje lirie deri në një vit. Kushdo që punësohej pranë një partie politike të paregjistruar dënohej me heqje lirie deri në një vit, ndërsa për personat që anëtarësoheshin në një parti të tillë ligji parashikonte dënim me burg deri në tre muaj ose me gjobë deri në 500 franga.[91]

Ligji për krijimin e partive politike parashikonte dhe rregullimin e gjendjes juridike të partive që ekzistonin para daljes së tij. Organizatave politike dhe jo politike, të cilat ekzistonin para hyrjes në fuqi të ligjit, u jepej mundësia që të regjistroheshin, në përputhje me kushtet e ligjit, brenda gjashtë muajve, nga data e shpalljes së ligjit në Gazetën Zyrtare.[92]

Një nga subjektet politike, që futej në kategorinë e atyre që ekzistonin para daljes së ligjit, ishte PKSH. Drejtuesit e saj e diskutuan çështjen e legalizimit të partisë gjatë kohës që përgatitej ligji për regjistrimin e partive politike, por me legalizim të partisë ata kuptonin diçka të ndryshme nga procedurat që parashikonte ligji.

Me legalizim të partisë, drejtuesit e PKSH kuptonin bërjen publike të emrave të anëtarëve të KQ të PKSH dhe jo aplikimin për regjistrim të subjektit, pranë ministrisë së Punëve të Brendshme. Edhe pse ishin në pushtet, si anëtarë të qeverisë, deputetë e të tjera, drejtuesit e PKSH nuk e pranonin publikisht që ishin anëtarë të KQ të PKSH. Edhe në procesverbalet e mbledhjeve të KQ të PKSH, për periudhën 1944-48, anëtarët e KQ identifikoheshin me pseudonimet që kishin përdorur gjatë luftës. Edhe pse ishin në pushtet, vazhdonin të silleshin si anëtarë të një organizate okulte.

Për krerët e PKSH, legalizimi duhej të ishte një shfaqje publike me përmasa kombëtare, që ata e quanin kongres partie, ku do të ekspozoheshin, më në fund, drejtuesit e partisë. Deri më 1946, PKSH nuk kishte mbajtur ndonjë kongres dhe vendimi i KQ të PKSH për ta organizuar kongresin më 25 maj 1946,[93] u shty nga drejtuesit realë të PKSH, të cilët jetonin në Beograd,[94] sepse ishin shtetas jugosllavë dhe drejtonin regjimin komunist në Juosllavi. Më 30 gusht 1947, kur afatet ligjore për legalizimin e partisë kishin mbaruar prej tre muajsh, KQ i PKSH e kishte ende në diskutim çështjen e legalizimit të partisë. Absurdin që e shoqëronte çështjen ua kishte vënë në dukje edhe Stalini. Në gjykimin e Stalinit, nuk kishte kuptim që, një parti, e cila kishte marrë pushtetin, të ishte e palegalizuar.[95]

Në periudhën 1941-1948, PPSH nuk kishte një statut të saj. “Për shtatë vjet me radhë [PKSH] e kishte rregulluar jetën e saj të brendshme mbi bazën e vendimeve, qarkoreve dhe udhëzimeve.”[96] Ajo përgatiti një statut të saj dy vjet pas daljes së ligjit për krijimin e partive ose regjistrimin e atyre që ekzistonin në formë të paligjshme, dhe nuk e depozitoi pranë ministrisë së Punëve të Brendshme, në përputhje me ligjin për regjistrimin e saj, por e mjaftua me miratimin e tij nga kongresi i partisë dhe aty u mbyll për të, procesi i legalizimit.

Duke mos qenë e regjistruar ligjërisht, gjithë veprimtaria financiare e PPSH ishte një vepër e paligjshme që mund të dënohej në çdo moment, deri në rënien e regjimit komunist, në zbatim të ligjit nr. 370, 6 dhjetor 1946. Po ashtu, në bazë të atij ligji, çdo anëtar i partisë mund të dënohej, deri në 3 muaj burg ose gjobë deri në 500 franga (me lekë më vonë), për anëtarësim në një parti të paligjshme. Çdo person i punësuar me rrogë pranë partisë, dhe këtu përfshihej gjithë struktura drejtuese e saj në rrethe dhe në kryeqytet, mund të dënohej deri në 1 vit burg. Dënimi i këtyre personave, nëse do të respektohej ligji, mund të kishte ndodhur në çdo ditë të jetës së tyre, prej 6 qershor 1946 deri më 12 qershor 1991.

Bazuar në ligjin nr. 370, 6 dhjetor 1946, PPSH nuk ishte një parti politike, por një organizatë e paligjshme, e cila kontrollonte gjithë institucionet, kushtetuese ose jo, në Shqipëri. Një organizatë e paligjshme e mbrojtur me ligj: Kodi Penal sanksiononte se, çdo veprim në dëm të PPSH ishte vepër penale.[97]

  1. Hipokrizia pas gjithë korpusit ligjor të regjimit komunist

Pas disa vitesh në pushtet, PKSH nuk e pranonte ende publikisht që kishte marrë pushtetin në Shqipëri. Përveç ndikimit nga jashtë, me vendime dhe mënyra të tjera, PKSH kishte njerëzit e saj në drejtimin e institucioneve më të larta. Kontrollin e institucioneve ajo e kishte marrë e fshehur pas Frontit Demokratik, drejtimin e të cilit e kishte marrë që në krijimin e tij. Nëpërmjet Frontit, njerëzit e PKSH u bënë deputetë dhe depërtuan në institucionin legjilativ dhe gjithë institucionet që krijoheshin prej tij. Veç kësaj, institucionet e të gjitha niveleve u vendosën gradualisht nën kontrollin e organizatave të partisë, brenda vetë institucioneve.

Siç e kemi arsyetuar më sipër, bazuar në ligjet e krijuara prej organit legjislativ të kontrolluar prej saj, PKSH ekzistoi si një organizatë e jashtëligjshme. Fillimi i veprimtarisë së saj, si organizatë e paligjshme (1941), mund të justifikohej me faktin që asokohe Shqipëria ishte nën regjim pushtimi të huaj, por, me kapitullimin e Italisë (1943) dhe largimin e ushtrisë gjermane (1944), argumenti moral i PKSH për të vepruar në paligjshmëri nuk ekzistonte më. Megjithatë, PKSH vazhdoi të vepronte si organizatë okulte edhe kur e kontrollonte realisht pushtetin.

Në aspektin e brendshëm, PKSH kishte frikë se drejtuesit e saj do të bëheshin shënjestër e grupeve të armatosura antikomuniste, të cilët ishin aktivë deri në fillim të viteve 1950. Në aspektin e jashtëm, ajo kishte frikë nga izolimi, sepse, bazuar në arsyetimin e Enver Hoxhës, vendet perëndimore, “jomiqësore”, kryesisht SHBA, Britania e Madhe dhe Greqia, do t’i akuzonin për vendosjen e “diktaturës së partisë”.[98]

Më 1948, kur PKSH e pranoi publikisht se ishte drejtuesja reale në pushtet, përkrahja e vendeve perëndimore, armiqësore ndaj komunizmit, nuk i interesonte më. Tashmë fuqitë aleate të Luftës së Dytë Botërore ishin ndarë në dy kampe kundërshtare dhe bota ishte ndarë në dy blloqe të mëdha kundërshtare; Shqipëria ishte pozicionuar në bllokun e vendeve komuniste, i cili drejtohej nga Bashkimi Sovjetik. Në aspektin e brendshëm, PKSH nuk i druhej më qëndresës së brendshme të armatosur, e cila ishte dobësuar. Pra, PKSH doli hapur, kur armiqësia me fuqitë perëndimore nuk i prishte punë, sepse ishte nën mbrojtjen e Bashkimit Sovjetik, dhe kur e kishte mposhtur rezistencën e brendshme. E thënë ndryshe, legalizimi i PKSH, në formën që u bë, ishte një manifestim publik i triumfit të paligjshmërisë.

Diktatura e PPSH vazhdoi të forcohej, në kundërshtim me dokumentin themelor juridik të shtetit. Për herë të parë, shteti shqiptar u përkufizua, juridikisht, si “diktaturë” në kushtetutën e vitit 1976. Në tekstin e kushtetutës emërtimi i plotë ishte “diktaturë e proletariatit”, por në realitet ajo ishte ashtu siç e tha Enver Hoxha më 1946, “diktaturë e partisë”. Sanksionimi i diktaturës në kushtetutë do të thoshte që ai dokument të përmbante dhe strukturën e diktaturës, e cila do të organizohej në përputhje me të, pas hyrjes në fuqi të atij akti ligjor. Në fakt, emërtimin “diktaturë e proletariatit”, KQ i PKSH, Byroja Politike, ose drejtuesit e lartë të saj, e kishin përdorur si përkufizim për pushtetin e tyre shumë më herët se dalja e kushtetutës së fundit të regjimit komunist. Ky përkufizim gjendet në një radhë dokumentesh e procesverbalesh që datojnë para hyrjes në fuqi të kushtetutës së vitit 1976.[99]

Nëse diktatura e PKSH ishte realitet, koncepti diktaturë e proletariatit në Kushtetutë ishte etiketë, pa përmbajtje juridike. Kushtetuta nuk sanksionoi strukturën institucionale të diktaturës. Hierarkia institucionale në kushtetutën e re (1976) mbeti ajo që kishte qenë, me Kuvendin Popullor si “organi më i lartë i pushtetit shtetëror”.

Sipas kushtetutës, proletariati (klasa punëtore) e ushtronte pushtetin “nëpërmjet organeve përfaqësuese si dhe drejtpërsëdrejti.” Organet përfaqësuese, levat e supozuara të proletariatit, zgjidheshin “nga populli me votim të përgjithshëm, të barabartë, të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë.” Mirëpo, organet reale të diktaturës, Kongresi dhe KQ i PKSH, nuk ishin organe të zgjedhura nga populli me votim të përgjithshëm, të barabartë, të drejpërdrejtë dhe të fshehtë. Në mbledhjen e Byrosë Politike, 6 shtator 1966, Hoxha u shpreh se gjithë pushteti që gëzonin institucionet kushtetuese, buronte nga “koka e diktaturës,”[100] Kongresi dhe KQ i PKSH, por këto dy organe nuk përmendeshin në asnjë nga kushtetutat e regjimit komunist, as asaj që përkufizoi shtetin si diktaturë të proletariatit.

Veç kësaj, PPSH nuk ishte subjekt elektoral dhe, për rrjedhojë, zbatimi i programit të saj politik nga qeveria apo institucione të tjera, ishte diçka e paligjshme. Subjekti elektoral, i përhershëm dhe i vetëm, ishte Fronti Demokratik.

Spekulimi i PPSH me klasën punëtore shkonte më thellë në histori. PPSH u krijua në një kohë që në Shqipëri nuk kishte klasë punëtore dhe themeluesit e saj nuk kishin asnjë mundësi reale të përfaqësonin interesat e një klase që nuk ekzistonte. Dushan Mugosha, komunist jugosllav, njëri nga dy drejtuesit kryesorë të mbledhjes themeluese të PKSH, shkroi, në kujtimet e tij, më vonë, se komunistët shqiptarë mendonin që në Shqipëri nuk kishte ende parti komuniste sepse nuk kishte ende klasë punëtore;  klasa punëtore mungonte për shkak të zhvillimit të ulët të industrisë. Mes komunistëve shqiptarë, sipas Mugoshës, kishte nga ata që mendonin se pushtimi fashist i Shqipërisë kishte qenë një gjë e mirë, sepse do të zhvillonte industrinë dhe kjo do të mundësonte lindjen e klasës punëtore.[101] Edhe drejtuesit shqiptarë të PKSH, vite më pas, e pranonin mos ekzistencën e klasës punëtore në kohën e krijimit të PKSH. Sipas Gogo Nushit, roli i klasës punëtore në luftën partizane kishte qenë minimal, për shkak se në Shqipëri nuk kishte pasur “punëtori të gjerë”.[102] Për Pandi Kriston, PKSH, gjatë luftës, ishte mbëdhtetur te fshatarësia dhe ajo vazhdonte ishte baza kryesore mbështetëse e PKSH edhe më 1947.[103] Më 1948, emri i partisë, nga Parti Komuniste në Parti e Punës, u ndryshua, me sugjerimin e Moskës, për të forcuar lidhjen e saj me fshatarësinë.[104]

  1. Mënyra e kontrollit të institucioneve nga PPSH

Proletariati, thuhet në Manifestin Komunist,[105] krijohet si klasë dhe shndërrohet në parti politike. Mendimi i komunistëve shqiptarë ishte se, në kohën që u krijua PKSH, në Shqipëri mungonte klasa punëtore. Mungesa e saj do të thoshte, sipas Manifestit, që në Shqipëri mungonte dhe borgjezia, klasa që mundësonte krijimin e proletariatit. Në një vend pa këto klasa antagoniste, nuk mund të kishte konflikt klasor e, për rrjedhojë, as terren për kultivimin e ideve komuniste.

Shqiptarët që e konsideronin veten komunistë, deri në krijimin e PKSH (1941), ishin lexues të literaturës marksiste ose anëtarë të partive komuniste në vende të tjera. Ata u vunë në lëvizje për krijimin e një partie komuniste nga Komiterni, pas sulmit të Gjermanisë ndaj Bashkimit Sovjetik (22 qershor 1941). Në Kongresin I të PKSH-së (1948),[106] por dhe herë të tjera,[107] Enver Hoxha deklaroi se formimi i PKSH-së ishte rezultat i pjekjes së kushteve të jashtme. Për këto arsye, PKSH u krijua si një organizëm i huaj në shoqërinë shqiptare, një intrument në shërbim të lëvizjes komuniste ndërkombëtare, e udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik. Pavarësisht pretendimeve të saj, duke qenë e huaj në qëllime dhe ideologji, ajo nuk mund të përfaqësonte (dhe nuk i përfaqësoi kurrë) interesat e shoqërisë shqiptare.

Përveç bazës mbështetëse (klasës punëtore) të komunizmit, në Shqipëri mungonin dhe personat e aftë për organizimin politik të atyre që e konsideronin veten komunistë, ndaj u desh që drejtuesit e lëvizjes komuniste shqiptare, të cilët krijuan PKSH, të importoheshin nga Jugosllavia, ku partia komuniste ekzistonte prej vitit 1919. Pa bazë mbështetëse në terren, bazuar në një ideologji të huaj dhe e drejtuar nga dy anëtarë të një partie jo shqiptare, PKSH ishte, për shqiptarët, një organizatë po aq e huaj sa dhe Partia Fashiste Shqiptare që u krijua pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia (1939). Një parti e huaj kishte veç një rrugë për t’iu imponuar popullsisë: propagandë të kombinuar me dhunë.

Më 1941, komunistët shqiptarë gjendeshin të organizuar në grupe të vogla, të izoluara. Shumë prej tyre ishin kundër themelimit të partisë, për shkak të mungesës së klasës punëtore. Disa grupe mendonin se grupi i tyre ishte organizata e vetme komuniste në Shqipëri, ose grupi kryesor në vend, duke i dhënë grupit përkatës një protagonizëm që nuk e kishin dhe e kishin vështirë të shkriheshin në një parti.[108] Krijimi i PKSH dhe drejtimi i saj nga dy komunistë jugosllavë e thelloi më tej përçarjen mes tyre, sepse një pjesë nuk pëlqenin që partia të drejtohej nga të huajt. Që në fillimet e saj PKSH u përfshi nga lufta e brendshme, mes drejtuesve të partisë dhe anëtarëve të saj që mendonin ndryshe për çështje të caktuara. Kjo luftë kaloi nga luftë me mjete politike, në luftë me mjete të botës së krimit: pengmarrje dhe ekzekutime.[109]

Shumë shpejt, PKSH, nga një parti politike u shndërrua në një organizatë kriminale.[110] Një numër anëtarësh të PKSH ose kundërshtarë të saj u vranë me urdhër të drejtuesve të PKSH. Ekzistojnë dokumente që vërtetojnë se KQ i PKSH nxirrte vendime dënimesh me vdekje, të cilat u zbatuan, pavarësisht mungesës së autoritetit ligjor.[111]

Gjatë luftës, PKSH e shtriu influencën e vetë dhe arriti të merrte pushtetin me anë të ushtrisë partizane, e cila nuk ishte gjë tjetër veç krahu i armatosur i saj. Në fillimet e veprimtarisë së tyre, motoja e çetave partizane ishte “Partia mbi të gjitha.”[112]

Pas lufte, punët e pista të PPSH i kryente Sigurimi i Shtetit, një strukturë shtetëtore, brenda ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila veproi, gjatë gjithë ekzistencës së tij, në mënyrë të paligjshme. Veprimtaria e Sigurimit u rregullua për herë të parë me një platformë të miratuar nga Byroja Politike (1948), e cila nuk kishte autoritet ligjor për hartimin dhe miratimin e dokumenteve të tilla. Më vonë, Byroja miratoi disa platforma me pretendimin se ishin për Ministrinë e Brendshme, por, realisht, lënda e tyre kishte lidhje vetëm me Sigurimin.[113]

Më 1 qershor 1990, mendimi i Byrosë Politike ishte se Sigurimi i Shtetit vepronte pa bazë ligjore.[114]

Sigurimi ishte policia politike e diktaturës komuniste, e cila drejtohej ekskluzivisht nga partia, dhe detyra e saj ishte zbulimi dhe goditja e “armiqve të jashtëm e të brendshëm të republikës sonë popullore dhe të Partisë s’onë të Punës.”[115] Sipas një përkufizimi të Akademisë së Shkencave dhe Arteve, Sigurimi i Shtetit ishte “një armë e dashur për Partinë dhe për popullin,”[116] i cili nuk ishte përkufizim juridik. Ai ishte një përkufizim që ishte shfaqur në dokumente politike më të hershme.[117]

Në platformat e Byrosë Politike, edhe ministria e Punëve të Brendshme përkufizohej si “një repart politik dhe ushtarak,”[118] nën kontrollin e plotë të Byrosë Politike. Parimi themelor i punës së gjithë organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme ishte kontrolli i plotë i partisë mbi to.[119] Punonjësit e saj duhet ta shikonin “çdo çështje të punës së tyre… në prizmin politik.”[120] Ministri i Punëve të Brendshme ishte formalisht përgjegjës përpara KQ të PPPSH dhe Këshillit të Ministrave, por dokumentet që rregullonin punën e ministrisë së Punëve të Brendshme dilnin nga Byroja Politike. Urdhrat, udhëzimet dhe rregulloret që rregullonin në vijimësi punën e ministrisë së Punëve të Brendshme dilnin në bazë të platformave të Byrosë dhe me qëllim zbatimin e tyre.[121]

Kushtetuta ishte një realitet i injoruar. Ajo parashikonte që “qeveria drejton dhe bashkërendon punët e ministrive, të komisioneve dhe të shërbimeve të instituteve të tjera që ndodhen nën kontrollin direkt të saj.”[122] Duke marrë drejtimin e ministrisë së Punëve të  Brendshme, Byroja Politike ndërhynte, në shkelje të kushtetutës, në kompetencat e qeverisë, sepse ministria e Punëve të Brendshme ishte institucion në varësi të saj.

Platformat e Byrosë Politike për Sigurimin e Shtetit dhe ministrinë e Punëve të Brendshme ishin të paligjshme dhe, po kështu, ishte gjithë veprimtaria e atyre institucioneve. Veprimtaria e paligjshme e tyre, përfshinte ngritjen e rrjetit agjenturor, rekrutimin e informatorëve, përgjimin, spiunimin, dhe ndjekjen e personave të caktuar nga rrjeti agjenturor, kontrollin e korrespodencës, etj..

Për të dëshmuar përdorimin e Sigurimit të Shtetit nga Byroja Politike, si instrument dhune në shërbim të pushtetit të saj, mjafton vrasja e paligjshme e 22 personave. Më 19 shkurt 1951, në ambasadën sovjetike në Tiranë u hodh një sasi e vogël dinamiti, e cila nuk shkaktoi dëme serioze. Të nesërmen, ministri i Punëve të Brendshëm, Mehmet Shehu, raportoi në Byronë Politike për ngjarjen, dhe propozoi të merreshin masa ndëshkimi të rrepta, pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Shehu e mbrojti propozimin e tij, duke iu kujtuar anëtarëve të tjerë të Byrosë, me synimin që të mos nguronin, se shkelja e ligjeve, me dijeninë e plotë të tyre, ishte bërë dhe më herët. “Një masë të tillë e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba,” tha ai. “D.m.th. kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi.”[123] Ai propozoi gjithashtu që “të arrestojmë 100 ose 150 vetë dhe të pushkatojmë 10 ose 15 prej tyre, pa marrë parasysh ligjet në fuqi.”[124] Ashtu u bë. Menjëherë nisën arrestimet dhe më 26 shkurt u pushkatuan, pa gjyq, 22 persona. Listat e arrestimit i përgatiti Sigurimi i Shtetit dhe u miratuan nga Byroja Politike.

Sjelljen e Byrosë Politike dhe Sigurimit të Shtetit në ngjarje të tilla kishte parasysh Enver Hoxha, kur u shpreh, më 1966, dhe që e kemi cituar më herët në këtë punim, se çështjet më të rëndësishme partia i zgjidhte pa shkuar fare në gjykatë.

Përfundime

Tipari kryesor i regjimit komunist në Shqipëri ishte paligjshmëria. Gjithë institucionet e tij të krijuara deri më 1946, përfshi PKSH, ishin të paligjshme, referuar ligjeve në fuqi. Pas hyrjes në fuqi të kushtetutës së parë të komunistëve, paligjshmëria e ruajti sundimin e saj. Hierarkia institucionale e parashikuar në kushtetutë nuk u respektua, në realitet të gjitha institucionet kushtetuese kontrolloheshin nga PPSH. Kushtetuta përcakonte si organin më të lartë Kuvendin Popullor, autoriteti i të cilit buronte nga zgjedhjet, por ajo nuk parashikonte asnjë lloj marrëdhënie të tij me PPSH. E njëjta gjë ndodhi edhe me institucionet e tjera kushtetuese, qeverinë, gjykatat, etj. Në rastin e gjykatave, kushtetuta shprehej qartë se, gjykatat ishin të pavarura në funksionimin e tyre, të ndara nga administrata në të gjitha nivelet, dhe vendimet e tyre mund të ndryshoheshin vetëm nga një gjykatë e shkallës më të lartë. Në realitet, gjykatat kontrolloheshin, në shkelje të kushtetutës, nga Byroja Politike dhe komitetet e PPSH në rrethe. Nga ana tjetër, vetë PPSH ishte një organizatë politike e paligjshme.

Bazuar në korpusin ligjor, që ekzistoi gjatë regjimit komunist, i krijuar nga institucionet e tij, diktatura (e proletariatit) në Shqipëri nuk ishte realitet juridik. Ajo u instalua dhe funksionoi në mënyrë të paligjshme për afërsisht gjysmë shekulli, deri në rënien e saj.


[1] “State, sovereign political entity,” Encyclopedia Britannica [“Shteti, entitet politik sovran”, Enciklopedia Britanike], marrë nga adresa: https://www.britannica.com/topic/state-sovereign-political-entity

[2] KANÇ-i ekzistoi prej 27 maj 1944 deri më 10 janar 1946, kur nisi funksionimin Asambleja Kushtetuese.

[3] Një kuvend i organizuar nga PKSH. U emërtua Kongresi I Antifashist Nacionalçlirimtar, u mbajt në Përmet, 24-28 maj 1944, njihet më shumë me emrin Kongresi i Përmetit.

[4] Vendim i Kongresit I Antifashist Nacional-Çlirimtar i Shqipërisë, nr. 1, 27 maj 1944, Gazeta Zyrtare, nr. 1 (21 dhjetor 1944): 3. Ky ishte vendimi i vetëm që nxori ai Kongres. Vendimi ishte një dokument, por përmblidhte disa vendime bashkë. Shiko: Fjalori Enciklopedik Shqiptar H-M, vëll. II (Tiranë: AKSH, 2008), 1162.

[5] Historia e PPSH (Tiranë: Inst. Stud. M-L, 1981), 153; Historia e Shqipërisë, Vëllimi i dytë (Tiranë: Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, 1965), 779; Fjalori Enciklopedik Shqiptar H-M, (Tiranë: AKSH, 2009), 1259.

[6] KPNÇ u krijua më 1942. Nuk pasqyrohet në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar, në të dy botimet (1985, 2008-09), ndërsa janë pasqyruar KANÇ-i, Këshilli i Lartë i Regjencës, Këshilli i Epërm Fashist Korporativ, etj.

[7] Koncepti “direktivë” nuk është koncept juridik, që mund të interpretohej si zëvendësim për vendime, ligje, rregullore. Ai është një koncept politik.

[8] Vendim i Kongresit I Antifashist Nacional-Çlirimtar i Shqipërisë, nr. 1, 27 maj 1944, Gazeta Zyrtare, nr. 1 (21 dhjetor 1944): 4.

[9] AQSH, F. 490, V. 1946, D. 92, Fl. 2. Dekret i Presidiumit të Kuvendit Popullor, nr. 241, 6 dhjetor 1946, për dekretimin e Ligjit nr. 370, mbi formimin e partive politike dhe shoqatave kulturore, shkencore, profesionale etj., dhe mbi mbledhjet publike.

[10] Gazeta Zyrtare, nr. 23 (4 prill 1946): 3-4. Dekret nr. 25, 27 mars 1946; dekret nr. 26, 27 mars 1946; dekret nr. 30, 1 prill 1946.

[11] Gazeta Zyrtare, nr. 23 (4 prill 1946): 3-4. Vendim i Kuvendit Popullor, nr. 218, 26 mars 1946, mbi emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe të ndihmësve të tij.

[12] AQSH, F. 490, V. 1946, D. 50, Fl. 3. Vendim i Asamblesë Kushtetuese, nr. 192, 11 janar 1946, mbi aprovimin e gjithë ligjeve dhe vendimeve të dala nga Kryesia e KANÇ-it, qysh nga Kongresi i Përmetit deri në ditën e mbledhjes së Asamblesë Kushtetuese.

[13] Gazeta Zyrtare, nr. 19 (19 mars 1946): 8, Dekret i Presidiumit të Asamblesë Kushtetonjëse, nr. 24, 15 mars 1946, shpallja e Statutit të Republikës Popullore të Shqipërisë; Gazeta Zyrtare, nr. 20 (23 mars 1946): 1. Dekret i Presidiumit të Asamblesë Kushtetonjëse, nr. 21, 4 mars 1946, mbi pushimin nga puna të z. Viktor Poga.

[14] Fjalori Enciklopedik Shqiptar (Tiranë: Akademia e Shkencave, 1985), 512.

[15] Në rezolucionin e mbledhjes së KPNÇ, 15 prill 1944, thuhej se faza e re në të cilën ishte futur lufta (partizane) e bënte të domosdoshme pasjen e formave “më të larta organizative në lëvizjen t’onë, dhe më parë se çdo gjë tjetër, një asamble legjislative dhe një qeveri provizore.” Mirëpo, në fund, KPNÇ mori vendim vetëm për thirrjen e një kongresi “nacional”, prej të cilit do të dilte “Komiteti Antifashist Nacional-Çlirimtar.” Në procesverbalin e mbledhjes, te pikat e rendit të ditës, pika 4 korrespondonte me përmbajtjen e vendimit. Ajo ishte formuluar kështu: “4. Cogresi dhe Qeveria Provizore.” Pra, shqetësimi i mbledhjes dhe qëllimi i saj, ishin mbajtja e një kongresi për krijimin e një qeverie provizore, dhe jo një organi legjislativ, të cilit do t’i delegohej krijimi i qeverisë. Edhe në diskutimin e tij, Enver Hoxha foli vetëm për mbajtjen e një kongresi, krijimin e një qeverie, dhe organizimin e zgjedhjeve. Krijimi i qeverisë, sipas tij, do të kishte jehonë jashtë vendit, do të ndikonte në kthimin e qëndrimit të aleatëve në favorin e lëvizjes partizane dhe për rrjedhojë do të shtoheshin ndihmat e tyre. Shiko: AQSH, F. 40/APL, V. 1944, D. 30, Fl. 1, 13, 15, 18. Rezolucioni i mbledhjes së kryesisë së KPNÇ, 15 prill 1944.

[16] Në këtë artikull studimor partia shfaqet me dy akronime, PKSH dhe PPSH, në varësi të periudhës që flitet në tekst. PKSH ekzistoi në periudhën 1941- nëntor ‘48 dhe PPSH në periudhën nëntor 1948-1991.

[17] Historia e PPSH (Tiranë: Inst. Stud. M-L, 1981), 153; Fjalori Enciklopedik Shqiptar (Tiranë: Akademia e Shkencave, 1985), 415.

[18] AQSH, F. 40/APL, V. 1944, D. 30, Fl. 14. Rezolucioni i mbledhjes së kryesisë së KPNÇ, 15 prill 1944.

[19] Po aty, Fl. 1-2. Diskutimi i Ymer Dishnicës në mbledhjen e KPNÇ, 15 prill 1944.

[20] Po aty, Fl. 15. Rezolucioni i mbledhjes së kryesisë së KPNÇ, 15 prill 1944.

[21] Po aty, Fl. 2. Diskutimi i Ymer Dishnicës në mbledhjen e KPNÇ, 15 prill 1944.

[22] Shënim: Në hyrjen e rezolucionit të mbledhjes së KPNÇ, 15 prill 1944, përmendet ideja e krijimit të organit legjislativ, por nga procesverbalet e mbledhjes kuptohet se organizimi i kongresit kishte qëllim vetëm krijimin e një organi me atribute qeverie dhe vendimi pikërisht këtë shpreh (AQSH, F. 40/APL, V. 1944, D. 30).

[23] Përtej terminologjisë së politizuar nga komunistët, përkufizimet kushtetuese janë të ngjashëm. Shiko: Statuti Themeltar i Mbretnis Shqiptare, neni 167, 170; Statuti i Republikës Popullore të Shqipërisë, neni 92; Kushtetuta e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, neni 88.

[24] Vendim ekuivalent me VKM (Vendim i Këshillit të Ministrave) sot.

[25] Reginald Hibbert, Fitorja e hidhur, lufta nacionalçlirimtare e Shqipërisë (përkth. XH. Lloshi) (Tiranë: SHB e Lidhjes së Shkrimtarëve, 1993), 47.

[26] Nuk ekziston një vendim i Shtabit të Përgjithshëm për krijimin e ushtrisë partizane.

[27] AQSH, F. 41/APL, V. 1943, D. 1, Fl. 11. Procesverbal i mbledhjes së Shtabit të Përgjithshëm, 10 korrik 1943.

[28] Mbledhje e strukturave të PKSH e quajtur Konferenca II e Vendit, 4-9 shtator 1943.

[29] Kongresi Përmetit.

[30] AQSH, F. 41/APL, V. 1944, D. 53, Fl. 19-20. Urdhër i Shtabit të Përgjithshëm për Shtabin e Divizionit I për kalimin në Shqipërinë e Mesme, 1 qershor 1944.

[31] Emërtimi sipas Fletores Zyrtare: Ushtria Shqiptare e Shtetit Shqiptar. 

[32] Fletore Zyrtare, nr. 108, 13 dhjetor 1943, 3. Ligj, nr. 5, 21 tetor 1943, mbi rikrijimin e Ushtrisë Shqiptare.

[33] Procesverbal i mbledhjes së 4-të të Kuvendit Kombëtar, 21 tetor 1943, në: Bisedimet e Kuvendit Kombëtar (Tiranë: Parlamenti, 1944), 36.

[34] Në atë periudhë Shqipëria ishte në anarki, me çeta të shumta në luftë me njëra-tjetrën pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes. Pretendimi për zgjedhje direkte, me përfshirjen e gjithë popullit, do të kishte qenë jo realist, në një situatë ku mungonin elementët minimalë të sigurisë, sepse institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë ishin braktisur si pasojë e kapitullimit të Italisë.

[35] Procesverbal i mbledhjes së 10-të të Kuvendit Kombëtar, 27 tetor 1943, në: Bisedimet e Kuvendit Kombëtar (Tiranë: Parlamenti, 1944), 95.

[36] Marenglen Kasmi, Pushtimi gjerman i Shqipërisë 1943-1944 (Tiranë: Filara, 2013), 88.

[37] Shiko: Fjala e kryetarit të Kuvendit Kombëtar, Lef Nosi dhe gjithë fjalimet e tjera të anëtarëve të Kuvendit, në mbledhjen e parë, 16 tetor 1943, në: Bisedimet e Kuvendit Kombëtar (Tiranë: Parlamenti, 1944), 11-28; Fjala e Mehdi Frashërit në Kuvend, 26 tetor 1943, në: Bisedimet e Kuvendit Kombëtar…, 89-92; Fjala e Rexhep Mitrovicës, kryeministër, në Kuvend, 27 tetor 1943, në: Bisedimet e Kuvendit Kombëtar…, 95-98; Fjala e Mihal Zallarit, kryetar i Parlamentit, 11 nëntor 1943, në: Bisedimet e Kuvendit Kombëtar…, 127-128; Fjala e At Anton Harapit, në Parlament, 13 janar 1944, në: Bisedimet e Kuvendit Kombëtar…, 1944), 131-138, dhe në: Fjalime: Fishta, Harapi, Koliqi, përg: Tonin Shiroka (Tiranë: Uegen, 2009), 58.

[38] Marenglen Kasmi, Pushtimi gjerman i Shqipërisë 1943-1944 (Tiranë: Filara, 2013), 87.

[39] Shiko: Procesverbal i mbledhjes së 9-të të Kuvendit Kombëtar, 26 tetor 1943, në: Bisedimet e Kuvendit Kombëtar…, 91; Marenglen Kasmi, Pushtimi gjerman i Shqipërisë 1943-1944 (Tiranë: Filara, 2013), 58.

[40] Dushan Mugosha, shtetas jugosllav, komunist, i cili, së bashku me bashkëkombasin e tij, Miladin Popoviçi, drejtuan PKSH në periudhën 1941-44, thotë se prishja e Marrëveshjes së Mukjes u bë me propozimin e tij. Shiko: Dushan Mugosha, Kur isha në Shqipëri, kujtime (Tiranë: ASA, DPA, 2020), 139. Për vendimin e Konferencës II të Vendit shiko: AQSH, F. 14/APL, V. 1943, D. 19, Fl. 4. Rezolucion i Konferencës II nacionalçlirimtare, Vjeshtë I 1943 (4-9 shtator). Për lexim më të gjerë rreth Marrëveshjes së Mukjes shiko: Uran Butka, Mukja, shans i bashkimit, peng i tradhtisë, (Tiranë: DRIER, 2007).

[41] Kongresi i Përmetit e konfirmoi dhe miratoi luftën e partizanëve kundër institucioneve, kur u shpreh në vendimin e tij: “Të vazhdohet edhe më e rreptë lufta e filluar prej popullit shqiptar kundërtë gjithë trathëtorëve të grumbulluar rreth qeverisë kuislinge të Tiranës.” Shiko: Kongresi i I Antifashist Nacional-Çlirimtar i Shqipërisë, Vendim Nr. 1, 27 maj 1944, Gazeta Zyrtare, nr. 1 (21 dhjetor 1944): 4.

[42] Historia e Shqipërisë, Vëllimi i dytë (Tiranë: Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, 1965), 753-54; Historia e PPSH (Tiranë: Inst. Stud. M-L, 1981), 131.

[43] Komunistët e goditën me top godinën ku u mblodh Kuvendi Kombëtar. Më 20 tetor 1943, Lef Nosi, kryetar i Kuvendit, u shpreh kështu për autorët e aktit të dhunshëm: “Mjerisht e për fat të keq, tyke qenë ne ktu në kte pallat, të mbledhun për me kryem nji detyrë që asht vetëm e vetëm për të mirën e Atdheut, disa prej vlleznish t’onë që nuk i apin gjendjes së sotme atë rëndësi që po i apim ne, na rrafën me top, me qëllim që të pengojnë e të prishin një punë kaqë patriotike.” Shiko: Bisedimet e Kuvendit Kombëtar…, 19-20.

[44] Faj, vepër penale, shkelje ligji.

[45] Shiko: Kodin Penal, kapitulli “Delikte kundër fuqive shtetnore”, në përmbledhjen: “Ligje, dekretligje, rregullore të vjetit 1928 (Tiranë: Këshilli i Shtetit, 1940), 36-39.

[46] Shënim 1: Krijimi i institucioneve paralele të komunistëve nuk është trajtuar nga historianët. Botimet e Akademisë së Shkencave nuk reflektojnë kurrfarë gjykimi juridik lidhur me këtë çështje. Në Fjalorin Encikopedik Shqiptar, botim i Akadamisë, trajtohen si qeveri të shtetit shqiptar, dy qeveri njëkohësisht. Te zëri “Qeveritë e Shqipërisë”, për periudhën 20 maj 1944-25 tetor 1944, ekzistojnë dy qeveri, në njërin krah është qeveria e kryesuar nga Rexhep Mitrovica (05.11.1943-16.06.1944), pasuar nga Fiqri Dine (18.07-28.08.1944) pasuar nga Ibrahim Biçakçiu (06.09-25.10.1944), në anën tjetër, është Komiteti Antifashist Nacional-çlirimtar, me atributet e një qeverie, i kryesuar nga Enver Hoxha (28.05.1944-23.10.1944). Shiko: Fjalori Enciklopedik Shqiptar N-ZH, (Tiranë: AKSH, 2009), 2162-2163. Shënim 2: E njëjta gjë ndodh me organin legjislativ. Në një botim të Kuvendit të Shqipërisë, një enciklopedi për ligjëvënësit e shtetit shqiptar që nga themelimi i tij, janë përfshirë si institucione ligjvënëse dy institucione paralele, për periudhën 26 maj 1944-14 shtator 1944, Kuvendi Kombëtar (Parlamenti) dhe KANÇ-i. Shiko: Ligjvënësit shqiptarë dhe firmëtarët e pavarësisë (Tiranë: Kuvendi i Shqipërisë, 2018), 115-119.

[47] Shënim: Bashkëpunimi i një numri shqiptarësh me komandën e forcave gjermane në Shqipëri duhet parë në një kontekst më të gjerë, duke përfshirë dhe bashkëpunimin e komunistëve me komunistët jugosllavë si dhe bashkëpunimin e komunistëve, ballistëve dhe të tjerëve me misionet ushtarake britanike në Shqipëri. Për vendosjen e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk ndihmuan gjermanët, por britanikët dhe jugosllavët. Qëllimet e tyre nuk përkonin me interesat kombëtare të shqiptarëve. Jugosllavët ndikuan për prishjen e Marrëveshjes së Mukjes, pra, futën përçarjen kombëtare, ndërsa britanikët ndihmuan komunistët të forcoheshin ushtarakisht, ndërkohë që nuk i kontrolluan se kundër kujt i përdornin armët e tyre, të cilat më së shumti u përdorën kundër shqiptarëve. Britanikët, në luftë, mbronin me rreptësi interesat e vendit të tyre dhe jo të vendeve ku vepronin jashtë Britanisë. Më mirë qëllimin e tyre e shpreh një bisedë e Çurçillit me emisarin e tij personal pranë Titos, Fitzroy MacLean. Kur ky e informoi Çurçillin se Tito dhe drejtuesit e tjerë të lëvizjes komuniste jugosllave pas lufte do të vendosnin një regjim të orientuar drejt Bashkimit Sovjetik, Çurçilli iu drejtua me këtë pyetje: ““Mos ke ndërmend të jetosh në Jugosllavi pas lufte?” “Jo, zotëri,” iu përgjigj oficeri. “As unë,” i tha Çurçilli.” Pra, Çurçillit as që i interesonte fati i popullit jugosllav, shqiptar etj.. Nga ana tjetër, gjermanët dëshironin, për qëllimet e tyre, rend dhe siguri në Shqipëri. Britanikëve u interesonte dëmtimi i gjermanëve, me çdo kusht. Komunistëve jugosllavë, vasalë të Bashkimit Sovjetik, u interesonte lufta kundër gjermanëve, vendosja e regjimit komunist në Shqipëri dhe mbrojtja e interesave të Jugosllavisë. Për rrjedhojë, britanikët dhe jugosllavët ndihmuan komunistët shqiptarë, të cilëve u interesonte vetëm marrja e pushtetit, dhe kështu Shqipëria përfundoi në luftë civile dhe anarki. Pas lufte, në Shqipëri u vendos, me kontributin e britanikëve dhe jugosllavëve, regjimi komunist, i cili, tashmë është pranuar, rezultoi një sipërmarrje politike kriminale, me mijëra viktima dhe dëm ekonomik të pallogaritshëm. Gjykimi i “kolaboracionistëve” duhet bërë bazuar në qëllimin e bashkëpunimit të tyre me të huajt (gjermanë, italianë, jugosllavë, britanikë), në planet e të huajve për Shqipërinë dhe rezultatin e bashkëpunimit të tyre, dhe jo nga këndvështrimi i historiografisë komuniste shqiptare ose jugosllave. Referencë: Për qëllimin e britanikëve në Shqipëri shiko: Reginald Hibbert, Fitorja e hidhur, lufta nacionalçlirimtare e Shqipërisë (përkth. XH. Lloshi) (Tiranë: SHB e Lidhjes së Shkrimtarëve, 1993), 200-201. Për citimin e Çurçillit shiko: William R. Polk, Violent politics (New York: Harper Pernnials, 2008), 101.

[48] AQSH, F. 490, V. 1945, D. 269, Fl. 1. Ligj nr. 61, 17 maj 1945, mbi abrogimin e dispozitave ligjore të promulguara gjatë okupacionit të huaj, mbi pavlefshmpninë e vendimeve penale të dhëna gjatë asaj kohe prej autoriteteve ushtarake dhe mbi vleftën e dispozitave ligjore q’ishin në fuqi para datës 7 prill 1939.

[49] Po aty.

[50] Shënim: Cilësori “demokratike” në dokumentin origjinal nuk nënkupton një qeveri të zgjedhur nga populli ose prej përfaqësuesve të zgjedhur prej tij përmes zgjedhjesh të lira periodike. Akademia e Shkencave të Shqipërisë për konceptin “qeveri demokratike” jep këtë përkufizim: “Organi më i lartë ekzekutiv urdhërdhënës i shtetit demokratik popullor, që ushtroi funksionet nga 22 tetor 1944 deri më 22 mars 1946.” (Fjalori Enciklopedik Shqiptar… (1985), 894). Kjo qeveri ka ekzistuar në një periudhë kohore që në Shqipëri nuk u zhvilluan zgjedhje elektorale dhe s’ka asnjë mundësi që të ishte demokratike. Për të maskuar veprimtarinë e tyre të paligjshme, komunistët gjithmonë kanë shfrytëzuar mundësinë e keqpërdorimit të koncepteve të ndryshme gjuhësore, politike e filozofike. Për shembull, punën e papaguar të organizuar nga shteti e quanin “punë vullnetare”, shpronësimin e pronarëve të tokës e quanin “kolektivizim”, pronën e kontrolluar nga PKSH në mënyrë të paligjshme e quanin “pronë socialiste” ose “pronë e përbashkët”, etj.

[51] Koço Tasi (1889-1966): Lindi në Përmet. Politikan, jurist. Ministër Drejtësie, 16 tetor 1921-6 dhjetor 1921. Deputet, 1921-1923. Punoi avokat dhe gjyqtar. U mor me filozofi, përkhtime dhe gjuhësi. Përkrahu grushtin e shtetit (1924), me rrëzimin e tij u vendos në Greqi. U kthye më 1941. Shërbeu si inspektor i përgjithshëm i Kryeministrisë në Kosovë. Më 14 prill 1945, regjimi komunist e dënoi me burgim të përjetshëm. U lirua më 6 tetor 1964.

[52] Koço Tasi, Theoria e ligjës së ligjavet (Tiranë: Ismail Mal’ Osmani, botonjës, 1944), 8.

[53] Po aty, 9. Shënim: Një ligj i pa abroguar në mënyrat e referuara më sipër, nuk e humbet fuqinë, nëse dikush zgjedh ta respektojë ose jo. Shkelësit e ligjit, të të gjitha llojeve, bëjnë pikërisht këtë: veprojnë duke mos parasysh ekzistencën e ligjit.

[54] Fletore Zyrtare nr. 106, Viti XXII, Tiranë (23 nëntor 1943): 1. Vendim i Kuvendi Kombëtar, nr. 1, 22 tetor 1943, “Abrogim vendimesh e dekretesh.”

[55] Statuti Themeltar i Mbretnis Shqiptare, në: Ligje, dekret ligje e rregullore të vjetit 1928, vëll. 5 (Tiranë: Këshilli i Shtetit, 1939), 1-28.

[56] Dekreti për shpalljen e Statutit të Republikës Popullore të Shqipërisë (15 mars 1946) nuk shprehej për hyrjen në fuqi të tij, por, nëse hyrja e një akti nuk ishte e shprehur, atëherë ai hynte në fuqi me botimin në Gazetën Zyrtare.

[57] Kodi penal në fuqi ishte kodi i vitit 1927.

[58] Gjatë regjimit komunist u miratuan dy kushtetuta, më 1946 dhe më 1976. Më 1950, variantit të vitit 1946 iu bënë disa ndryshime. Kushtetuta që komunistët miratuan më 1946 u quajt Statuti i Republikës Popullore të Shqipërisë. Më 1950, Statutit iu ndryshua emri, prej atëherë u quajt Kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë, deri më 1976.

[59] Ky lloj organizimi i pushtetit quhet demokraci direkte. Shumica e demokracive në kohët e sotme janë demokraci indirekte, me përfaqësim. Elementë të demokracisë direkte praktikohen në Zvicër.

[60] Për të gjitha referencat kushtetuese në këtë artikull kam përdorur këto tekste kushtetuese: 1) Statuti i Republikës Popullore të Shqipërisë, Gazeta Zyrtare, nr. 19 (19 mars 1946); 2) Kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë, Gazeta Zyrtare, nr. 53 (14 gusht 1950); 2) Kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë në: Përmbledhës i përgjithshëm i legjislacionit në fuqi të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë (1945-1985), vëll. I, (Tiranë: Këshilli i Ministrave/ Drejtoria Juridike, 1986).

[61] AQSH, F. 490, V. 1946, D. 92, Fl. 2-6. Dekret i Presidiumit të Kuvendit Popullor, nr. 241, 6 dhjetor 1946, për shpalljen e ligjit nr. 370, 6 dhjetor 1946, mbi formimin e partive politike dhe shoqatave kulturale, shkencore, profesionale etj., dhe mbi mbledhjet publike.

[62] Statuti i Republikës Popullore të Shqipërisë (neni 43, 54/1), Gazeta Zyrtare, nr. 19 (19 mars 1946): 4, 5; Kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë (neni 47, 58/1), Gazeta Zyrtare, nr. 53 (14 gusht 1950): 11, 13; Kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë (neni 70, 77), në: “Përmbledhës i përgjithshëm i legjislacionit në fuqi të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë (1945-1985)”, vëll. I, (Tiranë: Këshilli i Ministrave/ Drejtoria Juridike, 1986), 25, 26.

[63] Në statutin e PPSH, Byroja Politike përkufizohej si organ që udhëhiqte KQ të PPSH në periudhën midis dy kongreseve të partisë. Organi më i lartë vendimarrës i partisë, sipas statutit, ishte Kongresi i partisë, i cili mblidhej një herë në katër vjet. Kongresi ia delegonte punën e tij, për drejtimin e partisë gjatë katërvjeçarit, KQ të PPSH, dhe, për katër vjet, KQ ishte organi më i lartë vendimarrës i partisë. Punën e deleguar nga kongresi, KQ i PPSH ia delegonte Byrosë Politike, e cila ishte realisht organi më i lartë drejtues e vendimarrës i PPSH, ndërsa Kongresi dhe KQ ishin nën diktatin e saj. Shiko: Statuti i Partisë së Punës të Shqipërisë (Tiranë: 1966), 81-82.

[64] AQSH, F. 14/APOU, V. 1956, D. 56, Fl. 7. Protokoll i mbledhjes së Byrosë Politike të KQ të PPSH, 23 tetor 1956.

[65] AQSH, F. 14/APOU, V. 1959, D. 25, Fl. 14-17. Propozim i Ministrisë së Brendshme për shpalljen e një aministie drejtuar Byrosë Politike të KQ të PPSH, 6 tetor 1959.

[66] Po aty, Fl. 39. Shiko: AQSH, F. 490, V. 1949, D. 5, Fl. 1-2. Procesverbal i mbledhjes së Këshillit të Ministrave, 10 janar 1949.

[67] AQSH, F. 14/APOU, V. 1949, D. 6, Fl. 2. Vendim i Byrosë Politike të KQ të PPSH mbi lirimin e të burgosurve politikë.

[68] AQSH, F. 490, V. 1950, D. 1237, Fl. 1-2. Procesverbal i mbledhjes së Këshillit të Ministrave, 23 nëntor 1950.

[69] Në Plaftormën e Punës Operative të Organeve të Punëve të Brendshme, 1958, thuhej: “Në krye të Ministrisë të Punëve të Brendshme qëndron Ministri i Punëve të Brendshme, i cili përgjigjet përpara Komitetit Qendror të Partisë dhe Këshillit të Ministrave për të gjithë veprimtarinë e organeve dhe repartave të Ministrisë së Punëve të Brendshme.” Shiko: Platforma e Punës Operative e Organeve të Punëve të Brendshme (Tiranë: Ministria e Punëve të Brendshme, 1958), 5.

[70] Ministritë e tjera nuk kishin parime të shkruara, siç ishin platformat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për varësinë nga Byroja Politike, shembujt e raportimit të tyre në Byro janë të shumtë. Këtu po japim disa burime arkivore sa për ilustrim: AQSH, F. 14/APOU, V. 1949, D. 6, Fl. 1; AQSH, F. 490, V. 1949, D. 1, Fl. 15-32; F. 14/APSTR, V. 1960, D. 109, Fl. 6-23; F. 14/APSTR, V. 1960, D. 111, Fl. 1-21; F. 14/APSTR, V. 1960, D. 433, Fl. 1-37; F. 14/APSTR, V. 1960, D. 434, Fl. 1-17.

[71] AQSH, F.14/APOU, V. 1953, D. 4, Fl. 12-14. Vendim i mbledhjes së përbashkët të plenumit të KQ të PPSH, Këshillit të Ministrave dhe Presidiumit të Kuvendit Popullor, 23 korrik 1953; AQSH, F.14/APOU, V. 1990, D. 11, Fl. 1.

[72] AQSH, F.14/APOU, V. 1973, D. 4, Fl. 66; AQSH, F.14/APOU, V. 1990, D. 12, Fl. 36.

[73] AQSH, F.14/APOU, V. 1990, D. 11, Fl. 1.

[74] AQSH, F.14/APOU, V. 1953, D. 38, Fl. 62, 77, 81; AQSH, F.14/APOU, V. 1967, D. 16, Fl. 147; AQSH, F.14/APOU, V. 1967, D. 21, Fl. 4; AQSH, F.14/APOU, V. 1973, D. 4, Fl. 67, 70; AQSH, F.14/APOU, V. 1990, D. 10, Fl. 38.

[75] Shiko: Kushtetuta (1946): neni 54, pika 12 dhe 13; Kushtetuta (pas 1950): neni 58, pika 13; Kushtetuta (1976): neni 78, paragrafi 3.

[76] Gazeta Zyrtare, nr. 110 (10 dhjetor 1946): 4-5.

[77] Në AQSH gjendet një përmbledhje e vendimeve të përbashkëta të Byrosë Politike të KQ të PPSH, Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Këshillit të Ministrave, e përgatitur për përdorim të brendshëm, para vitit 1990.

[78] AQSH, F. 490, V. 1966, D. 25, Fl. 77. Përmbledhje e fjalës së Enver Hoxhës në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të PPSH, 6 shtator 1966.

[79] Po aty, Fl. 78.

[80] Po aty.

[81] Kushtetuta e Republikës Popullore të Shqipërisë, Gazeta Zyrtare, nr. 53 (14 gusht 1950): 8.

[82] Partishmëri: besnikëri ndaj partisë.

[83] AQSH, F. 490, V. 1966, D. 25, Fl. 81. Përmbledhje e fjalës së Enver Hoxhës në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të PPSH, 6 shtator 1966.

[84] Po aty, Fl. 83.

[85] Gazeta Zyrtare, nr. 53 (14 gusht 1950): 6.

[86] AQSH, F. 490, V. 1966, D. 25, Fl. 43. Proceverbal i mbledhjes së Këshillit të Ministrave, 3 gusht 1966. Spiro Koleka: “Burimi kryesor nga e kemi marrë [kushtetutën] ka qenë Kushtetuta Sovjetike.”

[87] Constitution of Union of Soviet Socialist Republics, adopted at the extraodinary eight Congress of Soviets of the USSR, december 5, 1936 (Kushtetuta e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike, miratuar në Kongresin e tetë të jashtëzakonshëm të Kongresit Sovjet të BRSS). Marrë nga adresa (8 dhjetor 2020): https://constitutii.files.wordpress.com/2013/01/1936-en.pdf

[88] Gazeta Zyrtare, nr. 19 (19 mars 1946): 3.

[89] AQSH, F. 490, V. 1946, D. 92, Fl. 2-6. Dekret i Presidiumit të Kuvendit Popullor, nr. 241, 6 dhjetor 1946, për shpalljen e ligjit nr. 370, 6 dhjetor 1946, mbi formimin e partive politike dhe shoqatave kulturale, shkencore, profesionale etj., dhe mbi mbledhjet publike.

[90] Po aty, Fl. 3.

[91] Po aty.

[92] Po aty.

[93] Data e mbajtjes së kongresit të parë të PKSH u shty disa herë. Në prill 1946, kongresi parashikohej të mbahej më 25 maj 1946. Në shtator 1947 u vendos që kongresi të mbahej në janar ose shkurt të vitit 1948, por realisht u mbajt 8-22 nëntor 1948.

[94] Çështja e mbajtjes së kongresit të parë të PKSH u trajtua, gjatë gjithë kohës, në konsultim të ngushtë me PKJ, madje ishin jugosllavët ata që thoshnin fjalën e fundit. Shiko: AQSH, F14AP/OU, V. 1946, D. 3, Fl. 1; Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, “Marrëdhëniet shqiptaro-jugosllave 1945-1948”, Tipografia “Gjergj Fishta”, Tiranë, 1996, faqe 33; AQSH, F. 14AP/OU, V. 1946, D. 7.

[95] AQSH, F. 14AP/OU, V. 1947, D. 1, Fl. 110, 139. Procesverbal i Plenumit VII të KQ të PKSH, 30 gusht 1947.

[96] Historia e Partisë së Punës të Shqipërisë (Tiranë: Instituti i Studimeve M-L, 1981), 247.

[97] Në Kodin Penal sanksionohej si vepër penale çdo veprim në dëm të PPSH. Shiko: AQSH, F. 490, V. 1977, D. 12, Fl. 10.

[98] AQSH, F. 14AP/OU, V. 1946, D. 2, Fl. 37. Procesverbal i mbledhjes së KQ të PKSH, 25 prill 1946.

[99] AQSH, F. 14/APOU, V. 1954, D. 7. Fl. 4. Platforma e punës së Ministrisë së Brendshme miratuar nga Byroja Politike e KQ të PPSH, 8 shkurt 1954; Platforma e Punës Operative e Organeve të Punëve të Brendshme (Tiranë: Ministria e Punëve të Brendshme, 1958), 5; AQSH, F. 490, V. 1966, D. 25, Fl. 77; Statuti i PPSH (Tiranë: 1966), 14.

[100] AQSH, F. 490, V. 1966, D. 25, Fl. 77. Përmbledhje nga fjala e Enver Hoxhës në mbledhjen e Byrosë Politike të PPSH, 6 shtator 1968.

[101] Dushan Mugosha, Kur isha në Shqipëri (Tiranë: Inst. Historisë & DPA, 2020), 29-31.

[102] AQSH, F. 14AP/OU, V. 1947, D. 1, Fl. 143. Procesverbal i Plenumit VIII të KQ të PKSH, 1 shtator 1946.

[103] Po aty, Fl. 144.

[104] Po aty, Fl. 110.

[105] Marx and Engels, The Communist Manifesto (London: Pluto Press, 2008), 47.

[106] Raport i Kongresit I të PKSH (Tiranë: Stabilimenti “Mihal Duri”, 1950), 61.

[107] AQSH, F. 14AP/OU, V. 1946, D. 2, Fl. 32. Procesverbal i mbledhjes së KQ të PKSH, 25 prill 1946; Material studimi për historinë e PPSH (Tiranë: 1968), 89-90.

[108] Dushan Mugosha, Kur isha në Shqipëri (Tiranë: Inst. Historisë & DPA, 2020), 29-31.

[109] PKSH u krijua më 8 nëntor 1941. Më 12 prill 1942, në Konsultën e Parë të Aktivit të Partisë në Tiranë, u vendos për përjashtimin nga partia të ish-drejtuesve të Grupit Komunist të të Rinjve, Anastas Lula dhe Sadik Premte, së bashku me tetë pasues të tyre. Në Konferencën e Parë të PKSH (17-22 mars 1943), u morën vendime që të vriteshin kundërshtarët politikë  të PKSH. Në konferencën e Dytë të PKSH (4-9 shtator 1943), PKSH i shpalli luftë Ballit Kombëtar, organizatë politike kundërshtare. Për më shumë shiko:  Politika antikombëtare e Enver Hoxhës”, red. Ndreçi Plasari, Luan Malltezi (Tiranë: DPA, 1995); Vladimir Dedijer, “Marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare 1939-1948” (Tiranë: MEDAUR, 2005).

[110] Në plenumin e dytë të Beratit (23-27 nëntor 1944), Sejfulla Malëshova e quajti PKSH një bandë kriminale. Fjala e tij në atë mbledhje nuk është gjetur, por citohet nga pjesëmarrës të tjerë në atë mbledhje. Shiko: Politika antikombëtare e Enver Hoxhës”, red. Ndreçi Plasari, Luan Malltezi (Tiranë: DPA, 1995), 141.

[111] Ekziston të paktën një vendim i KQ të PKSH për ekzekutimin e një personi. Shiko:  AQSH, F. 14, V. 1943, D. 11, Fl. 23. Qarkore e KQ të PKSH, 11 shtator 1943. Shënim: Në plenumin e dytë të Beratit u fol për një numër vrasjes të urdhëruara nga drejtuesit e PKSH. Njëra prej tyre ishte vrasja e Sadik Premtes, e cila dështoi, dhe Hysni Kapo u ankua që udhëheqja ia kishte ngarkuar Mehmet Shehut atë detyrë dhe jo atij. Kapo kishte bindjen që ai do ta kishte kryer më mirë, domethënë që do ta kishte vrarë Sadik Premten. Shiko: Politika antikombëtare e Enver Hoxhës”, red. Ndreçi Plasari, Luan Malltezi (Tiranë: DPA, 1995), 89.

[112] Shiko korrespodencën e çetave partizane: AQSH, F. 18/APL, V. 1943, D. 36, 37, 40.

[113] AMB, F. Sekretariati, V. 1948, D. 29. Platforma politike dhe organizative e Sigurimit të Shtetit; AQSH, F. 14/APOU, V. 1954, D. 7. Platforma e punës së Ministrisë së Brendshme miratuar nga Byroja Politike e KQ të PPSH, 8 shkurt 1954; Platforma (Tiranë: Ministria e Punëve të Brendshme, 1958); Platforma e Punës Operative e Organeve të Punëve të Brendshme (Tiranë: KQ i PPSH, 1977); Platforma Operative e Organeve të Punëve të Brendshme (Tiranë: Byroja Politike e KQ të PPSH, 1985).

[114] AQSH, F. 14AP/OU, V. 1990, D. 20, Fl. 51. Procesverbal i mbledhjes së Byrosë Politike të KQ të PPSH, 1 qershor 1990.

[115] AMB, F. Sekretariati, V. 1948, D. 29, Fl. 2. Platforma politike dhe organizative e Sigurimit të Shtetit.

[116] Fjalori Enciklopedik Shqiptar (Tiranë: Akademia e Shkencave, 1985), 42.

[117] PPSH, dokumente kryesore, vëllim I (Instituti i Studimeve M-L: Tiranë, 1971), 567.

[118] Platforma Operative e Organeve të Punëve të Brendshme (Tiranë: Byroja Politike e KQ të PPSH, 1985), 3.

[119] Platforma e Punës Operative e Organeve të Punëve të Brendshme (Tiranë: KQ i PPSH, 1977), 4.

[120] Platforma Operative e Organeve të Punëve të Brendshme (Tiranë: Byroja Politike e KQ të PPSH, 1985), 20.

[121] Po aty.

[122] Për periudhën 1946-1950, shiko nenin 59 të Kushtetutës; për periudhën 1950-76 shiko nenin 63; për periudhën 1976-90, shiko nenin 81.

[123] Uran Butka, Bombë në ambasadën sovjetike (Tiranë: ASD-Studio, 2008), 32.

[124] Po aty.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Të përndjekurit nuk i luftuam me plumba, por me shpërfillje
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit
Hebrenjtë nuk u shpëtuan në Kosovë!
Në shtëpinë e ‘armikut’: Studentët shqiptarë në perëndim, 1970-1990
Dëshmon torturat nga burgu i Burrelit, ironia e ish të përndjekurit politik: Komunizmit i kam ngel borxh edhe 15 vite burg!
Manipulimet dhe propaganda në filmat e komunizmit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}