Ballsor Hoxha

Ka një fjalë dhe shprehje që përsëritet shpesh në rrëfimet e Kadaresë – krisja – dhe të cilën vetë Kadare e sheh, trillon si letërsi, dhe shpjegon nëpër tërë kanonin e tij letrar e tutje.

Aq më shumë në hyrjen e veprës së tij “Eskili ky humbës i madh” Kadare e hapë ‘mëkimin’ e një dhembjeje të njerëzimit si ajo e Eskilit, që përsëritet në përhershmëri, pikërisht duke e ‘kadareizuar’ po të njëjtën, e cila përafërsisht thotë:

(Eskili) ishte krisja e njeriut në të cilin vetuan të gjitha forcat, pushtetare, ideologjike dhe fizike. (Temë në të cilën filozofi MichelFoucault huazon dhe krijon një filozofi të tërë).

Është gjë që përsëritet në tërë historinë e njerëzimit dhe megjithatë, ende, është gjë që tremb, tmerron dhe “krisë” Publiken, vetëdijen publike dhe profecitë vetë-përmbushëse të njerëzimit, kur në atë që Jaspers e quan Encompassing (Qarkimi i Horizonitit tonë), krisin individë autentikë si Ismail Kadare.

Krijohen mosmarrëveshje, himnizime, legjenda, krime ndaj figurës/ve të tyre, dhe sidomos politika rreth figurës së tij/tyre, si në atdhetë e tyre po ashtu edhe në globale. Krijohen shpjegime të panumërta të cilat në të vërtetë janë vetë fragmentet (Blanchot) e gjuhës së njeriut pas krisjes. Fragmente të nxënë, të nxjerrë, të shpërfaqur në tërë rënien dhe asgjësimin e gjuhës në Publike asgjësuese, si asgjësim të të ndryshmes, autentikes, të pandryshueshmes së fatit të njeriut. Sikur njeriu nuk mund të jetë individ, të shoh përballë, të përballë një kolektiv të tërë, (lexo: një njerëzim të tërë!).

Kadare në intervistat e tij, sidomos në librin e tij “Ftesë në studio” flet për “Plaku dhe deti” të Hemingway, flet për tërë atë që kap shkrimtari e që në breg i mbetet vetëm një skeleturë e të tërës. Në “Eskili ky humbës i madh” ai shprehë po të njëjtën, atë që Blanchot e quan pamundësinë e gjuhës, pamundësinë e bërjes të thënshme të pathënshmen, e që Heidegger e shprehë si: letërisa në  krijim (përgatitje)të tëthënshmes gjithnjë përmban në vete edhe të pathënshmen, atë që po i njëjti filozof e huazon nga grekët e vjetër si “alethea”, e vërteta si hapje e të njohurës dhe të panjohurës.

Ndoshta kjo është – krisja – kadareane, e vërteta, ‘alethea’ e hapur duke përmbajtur në sinqeritetin më të madh të njohurën edhe të panjohurën e saj, ndoshta ai e di dhe na mëson se nuk mund të bëjmë Publiken të mbarë-ditur, se megjithatë ka gjëra që nuk i dimë (lexo: përsëriten). Apo thënë shkurt e shqip në diskursin kadarean: nëntoka shpërfaqet në të ‘tokshmen’!

Por është tregimi, shumë i shkurtë i Kadaresë që e shprehë këtë më së miri, tregimi“Ëndërr Mashtruese”. Një ëndërr që shfaqet në trurin e njeriut dhe pastaj tërhiqet dhe e le shkrimtarin të vetëm me përjetimin por pa gjuhën që e shprehë atë. Hapë krisjen dhe e lë njeriun të vetëm me atë, përballë Publikes e cila ka kaluar në drejtvizore tërë jetën në një asgjë të përsëritshme duke e bërë të Pa- vërejtshme edhe ankthin e edhe vdekjen, që e përcollën Kadarenë në tërë punën e tij nën regjimin e Enver Hoxhës.

Si është ky tregim paradigmë e njeriut si Kadare, shkrimtarit si Kadare, dhe individit autentik si Kadare? Në 85 vjetorin e jetës së tij, ai është i mirënjohur me të gjitha shpërblimet më të mëdha botërore, është i mirënjohur për tërë ‘shpjegimin’ qëvuri në funksion, i quajtur Shekspir, Kafka e Orwell, etj. Është, për nga mirënjohja, në rajon dhe globalisht, figurë e krahasueshme me Skënderbeun dhe Shën Terezën, dhe është figurë e cila njëjtë si dy të tjerët të tërën, mbretërinë e veprës së tij e ka krijuar individualisht. Në fund të fundit është figurë e cila i “Krijoi një maskë” për – exit, për kthim (lexo:pendim) prej fajit të pakthyeshëm, për dalje nga dhuna e krimi i pazgjidhshëm, njërit prej regjimeve më katile dhe më të rrezikshme të njohura në njerëzim. Dhe aq më shumë, në tërë veprimtarinë e tij bëri më shumë për çështjen shqiptare se gjithë Publikja shqiptare.

Dhe, megjithëkëtë, dhe megjithëpamohueshmërinë e tërë kësaj, ai mbetet i frikshëm, i tmerrshëm dhe i ankthshëm. Shkrimtar “me emër mysliman i cili shkruan kundër Islamit”, “nacionalist i cili bartë rrezikun e acarimeve” dhe aq më shumë “si i përkëdhelur nga bishat komuniste të regjimit të Enver Hoxhës”. Janë pikërisht këto paranoja, dhe aq më shumë profeci vetë-përmbushëse që direkt shprehin ‘Krisjen’ që shkakton Kadare në të gjitha shtresat e shfaqjes së tij, nga atdheu, e deri në Kinë e tutje! Është një individ që përmbysë konstelacionet e Publikes globale. Që në sinqeritetin dhe “alethean” e veprës së tij njeriu kalon nëpër autentiken individuale si në një “ëndërr mashtruese”.

Çka nënkupton kjo? “Çmimi Nobel” për të cilin (ishim) jemi lidhur të gjithë, si Çmim që duhet, e nuk duhet t’i jepet Kadaresë, jo për tjetër por si njohje dhe mirënjohje e shqiptarëve globalisht, gjë e tejkaluar nga vetë ai, është në të vërtetë pikërisht Publikja dhe Encompassing e Horizontit global, në të cilin bëjnë pjesë të gjithë, njihen dhe arrijnë mirënjohjen. Në të vërtetë kjo Publike është aq thellë e mishëruar në vetëdijen dhe në aktin njerëzor, sa që është bërë edhe peshore e shqiptares rreth mendimit dhe të thënshmes e të pathënshmesKadareane, qoftë edhe në periferitë e mendimit shqiptar si dhe në ekstremizmat e mendimit shqiptar. Të cilët e gjykojnë, e himnizojnë dhe e anatemojnë në vetë atdheun e tij.

Kjo Publike e këtij Çmimi në të vërtetë është vetë asgjëja (Hajdegger) dhe asgjësimi i përkujtimit dhe përballurit të saj dhe me atë, dhe njerëzimit me Diskursin e saj, e Diskursi i këtij Encompassing të këtij Horizonti është vetë politika e ndërtuar në një qorrsokak (shprehje Otomane) të shtirjes së kërkimit të vetë individit, shkrimtarit dhe njeriut autentik. Por asnjëherë me guximin e shpërfaqjes së vetë politikave të mirëqena dhe të mbrujtura përbrenda tyre dhe përbrenda vetë saj. Politika që e asgjësojnë dhe e harrojnë pikërisht autentiken, siç është autentikja e shqiptares së përballjes së vdekjes në Prillin e Thyer të Kadaresë. Jo si racizëm  apo padrejtësi, apo qoftë edhe si ‘Case i Kadaresë’ i dyshimtë, por pikërisht sepse Publikja nuk duron dhe as nuk mund të bartë brenda saj të pavarurën, “Ëndrrën” dhe shpërfaqjen e kësaj Publike. Nuk arrin të besoj këtë “ëndërr mashtruese”.

Më tutje, në veprën e filozofit MauriceBlanchot, e së bashku me Levinas e me RolandBarthes është farkëtuar shprehja “Vdekja e autorit”, të cilën shumë lexues e marrin për të mirëqenë dhe të padyshim. Duke anashkaluar se në të vërtetë tërë vepra e tyre është e bazuar në shkrimtarë dhe jo në përmbajtjen e punës së tyre, Blanchot flet për negativitetin e dyfishtë (marrë nga Hegel sipas tij) të gjuhës. Mohimin e gjësë brenda gjuhës, pra kalimin e Enver Hoxhës në Parti Mëmë, dhe më pastaj në negativitetin e radhës së kalimit të fjalës Enver Hoxha në infinit të konotimeve, në letërsi, e me këtë kalimin e letërsisë në asgjësim të gjuhës, apo gjuha duke rënë në asgjë. Kështu shkrimtari duke humbur dheun ndër këmbë, duke u bërë pre e fatit të komunikimit (lexo: aftësisë së komunikimit) të veprës së tij, dhe aq më shumë të pavarësimit të po të njëjtës vepër në çdo  gjë të mundshme që Publikja e merr për shpjegim të vetin.

Por Kadare, në krisjen që i bën kodit të ideologjisë, pushtetit, të “Natës së ndërmjeme”, “Natës së midistë” (Romani Pasardhësi), krijon “alethean” e shenjës Enver Hoxha, apo thënë më saktë pushtetit, apo siç ai ka dëshirë të thotë “dehjes prej pushtetit”, e hapë atë në me tërë vdekjen përbrenda. Kadare lë të hapur atë që Blanchot e quan asgjësim i gjuhës brenda letërsisë. Në të vërtetë Kadare dhe jeta e tij, ishte përtej imagjinatës së Blanchot (e njëjta vlen edhe për shumë shkrimtarë që jetuan nën regjimin e Enver Hoxhës, konsidero fëmijërinë dhe rininë e Luljeta Lleshanakut për shembull si pasardhëse e denjë e Kadaresë). Jeta e Kadaresë ishte përbri dhe e kishte nën lëkurën e tij “Bishën e zezë” të Enver Hoxhës.

Kadare jetoi pikërisht atë që Blanchot e përkufizon si pamundësi e mundësisë, e që është vdekje e përhershme e njeriut në mundësinë e jetës, si kundërvënie ndaj vetë paraardhësit të tij Heidegger që e merrte këtë si “mundësi e pamundësisë” jetë që shkon kah vdekja. Kadare, ishte një shenjë globale, për të cilën vetëm kritikë të mirënjohur si JohnUpdike guxonin të flisnin me afirmim por dhe me kujdesin më të madh për jetën e tij. (Në të vërtetë derisa JohnUpdike shkruan për “Kronikë në gur” është e pamundshme të mos ndjehet dhembja e njeriut për njeriun e nxënë nën “Bishën e zezë” të Enver Hoxhës, në kufizimet e qëllimshme të Updike për të mbrojtur jetën e Kadaresë për tërë atë që kishte shtjelluar në Kronikë në gur).

Prandaj Krisja – Kadare është vepër e panjohur! Është “ëndërr mashtruese” për njerëzimin! E panjohur për afërsinë me vdekjen, për të jetuarit i vdekur, për të jetuarit me vdekjen nën lëkurë, gjë që as nuk arrin si imagjinatë e as si reale. Ajo që është e pathënshme mbetet shumë larg sot prej tërë asaj që është vepra e Kadaresë.

Kadare, në të vërtetë vë në dyshim (lexo: krisë) shumë nga teoritë dhe përkufizimet filozofike – letrare, sepse ishte përtej imagjinatës, në një realitet që kishte çarë të qenit në botë deri në humnerat e Hadesit. Gjë që Kadare e krijoi në gjuhë të tij, në dyzim dhe identifikim të përsëritjes së kodit të dhunës në të vërtetë, pikërisht përbrenda kodit të ideologjisë.

Andaj Kadare, në Publiken tonë, të atdheut tonë dhe globales, derisa asgjësojmë vdekjen, ankthin e temporales sonë, derisa jetojmë të pamundshmen e të mundshmes, nëtë vërtetë në çdo vepër dhe në çdo hap të tij tërheq në vete, me tërë mallkimin e “ëndrrës mashtruese” dhe me tërë mallkimin e të qenit fokus i forcave pushtetarë politike dhe ideologjike, ankthin e – të vërtetës – së hapur ndaj Hadesit, ferrit, dhe vdekjes në të vërtetë në afërsinë tonë, na e përkujton atë, dhe me këtë krisë dhe hapë të vërtetën në tërë mundësinë e potencialit njerëzor brenda Temporales.

85 vjetori i tij, dhe tërë vepra, e thëna e Kadaresë, krisja që shkaktoi dhe shkakton kontraversën më të madhe globale të Publikes globale (lexo: si arritje shqiptare), janë si një ëndërr mashtruese. Njeriu e përjeton, e ndjenë, e jetëson edhe, dhe megjithatë ka frikë nga po e njëjta, krisja kadareane. Krisja që të përkujton, të përballë me asgjënë që po e jetojmë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Unë “bir i armikut”!
Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}