Shënime kritike mbi përkthimin e “Komedisë Hyjnore” të Dantes nga Mark Ndoja. I pari përkthim i plotë shqip i “Komedisë Hyjnore” nga Pashko Gjeçi

Mark Ndoja

Përkthyesit për veprën e pavdekshme të Dantes duhet t’ishin gjetë me kohë në vendin tonë, kur shumica e njerëzve (që kishin) e njihnin italishten. Prej asnjaj gjuhe tjetër nuk mund të përkthenjshim ma lehtë. Por ku të gjindej botuesi?

Ku të merreshin lexuesit? Sot, ja që për gëzimin tonë po shohim përkthye në shqip edhe “Komedinë Hyjnore” krahas me sa e sa vepra të tjera të letërsisë së madhe botnore që u botuen pas çlirimit e këtej. A ashtë nji punë e vështirë përkthimi shqip i “Komedisë Hyjnore?”.

Në qoftë se çdo vepër e madhe letrare pothuejse e papërkthyeshme, po të duem me vrejtë format artistike t’origjinalit, domethënë., stilin, figurat, vargun, ritmet, rimat dhe gjithë teknikën letrare të domosdoshme për të shfaqë para lexuesit shqiptar atë që poeti nuk e shfaq me gjuhën e tij origjinale. Përpara nji barrikade të tillë që përkthyesin e ndërgjegjshëm pothuejse e dëshpëron dhe e detyron me heqë dorë nga përkthimi asht gjetë patjetër përkthyesi ynë i parë i “Komedisë Hyjnore”, Pashko Gjeçi. Por ai nuk hoqi dorë nga përkthimi dhe mirë bani, guximi i tij meriton lëvdata. Dhe lëvdatat si mungojnë përkthimit, atij iu dha përkrahja e nevojshme morale e materiale m’e nisë e me i dalë në krye të punës së përkthimit të Komedisë.

Pra, mbetet tashti për t’u pamë si doli puna e përkthyesit dmth., përkthimi i tij të vlerësohet kritikisht. Deri më sot nuk asht thanë veçse pak gja për këtë përkthim.

Ato dy fjalë që thotë redaktori i përkthimit Llazar Siliqi, në hyrjen e “Ferrit” shqip, kritikisht janë dy fjalë ma fort inkurajuese sesa vlerësuese. Studimi që ka bamë Filip Ndocaj në Nr.7 viti 1961 të revistës “Nëntori” asht e vetmja përpjekje për nji vlerësim kritik të përkthimit të “Ferrit” të Dantes nga P. Gjeçi.

Por edhe kjo përpjekje ka ngelë e njianshme, tepër e njianshme, ka marrë anët e mira të përkthimit dhe kështu përkthimin e ka ngrejtë ma lart sesa meriton në të vërtetë. Mungesë objektiviteti. Unë në vërejtjet që do të shtroj ma poshtë ndoshta do të detyrohem të marr anën tjetër të Filip Ndocajt, jo pse nuk gjej gja për të lavdue në kët përkthim, por pse due që të mos zgjatem tepër, dhe pse çka asht mirë në nji punë njerëzore nuk ka fort nevojë për t’iu krehë bishti.

Ajo e ka vetë bishtin e krehun, njerëzit e shohin dhe e gjykojnë vetë dhe sidomos në punët e artit, në punët estetike, shpeshherë gjykimi i thjeshtë popullor, gjykimi i lexuesvet asht ma i fortë se i vetë kritikve.

Unë do të përpiqem të jem i drejtë në vërejtjet e mia, e jo vetëm i drejtë por i matun, që mos të krijohet përshtypja se e kam hedh poshtë përkthimin e P. Gjeçit. Këtë vërejtje e baj para se të filloj, sepse shpesh herë lexuesit kur shohin kritika të forta që kanë zakon me numrue gabimet që vë në dukje kritika, dhe kritika le të deklarojë sa të detë që nuk e hedh poshtë punën që po kritikohet, lëxuesit të prirun me thanë: e hodhi për tokë! A ma ç’ia ka punue! etj., kso dorë. Dhe kështu ka lindë ndamja e kritikës në dy fazësh: kritikë pozitive dhe kritikë negativë, tue nënkuptue se kritika pozitive kreh bishtin, lartëson, kurse kritika negative të bjen kokës të shkatërron të dërrmon. Këto janë qëndrime të papjekuna të nji pjese të lexuesve tanë ndaj kritikës. Pra, kritika kur asht e drejtë asht pozitive gjithmonë edhe kur shkatërron e hedh poshtë çka s’asht në rregull, çka s’asht e mirë, sepse misioni i saj ky asht.

Vërejtjet e mia rreth përkthimit në fjalë unë do t’i radhis kështu:

1- besnikërija e përkthimit në fjalë ndaj tekstit origjinal.

2- stili dhe gjuha poetike e përkthimit krahasue me fuqinë e bukurinë e origjinalit

3- format e teknikës letrare të përkthimit krahasue me origjinalin

4- disa vërejtje të veçanta rreth shqipes që përdor përkthyesi.

Në dy pikat e para shoshiten çështje esenciale të përkthimit. Nji përkthyes sa ma fort gabon në këto çështje dhe aq ma fort i largohet veprës që përkthen, aq ma shtrembër e jep atë derisa edhe e falsifikon, si të thuesh pa dashjen e tij, por fakti asht fakt, në qoftë se ai largohet aq fort sa në mes përkthimit e origjinalit shifet qartë një çamje aq e thellë sa përpara syshë kemi dy gjana të ndame: me nji anë nji pallat madhështor, gjithë bukuri e dritë (origjinalin) dhe n’anë tjetër nji tjetër kopje të keqe të këtij pallati, pa farë bukurie e drite, ndërtue me materiale fallso, që e para furtunë do ta hedhë përtokë….

Pashko Gjeçi

Përkthime: – Dante Aligeri – Ferri – Tiranë 1960

– Dante Aligeri – Purgatori – Tiranë 1962

– Dante Aligeri – Parajsa – Tiranë 1966

– Homeri – Odiseja – Tiranë 1976

– Poezi nga Leopardi, Karduçi etj

– Uiliam Shekspir – Hamleti

– Gëte – Fausti (pjesa e parë)

– Rasini – Andromaka.

– Rasin – Atalia.

Autor i shkrimeve kritike: – Vërejtje mbi poezitë popullore shqiptare – “Hylli i dritës”, Viti XV, nr. 3-7, mars-korrik 1939

– At Gjergj Fishta, poet satirik

– Poradeci i Lasgushit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Unë “bir i armikut”!
Ta themi këtu… midis nesh!
Teatri si maqineri e propagandës politike (II)
Historiku i revistave si historishkrim i kulturës kombëtare
Teatri si maqineri e propagandës politike (I)
Historia shqiptare, çfarë mbahet e fshehur në arkivat e Stambollit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}