Lamtumire Lume e lume!

Nga Redaksia 27 Nëntor, 2020  Arte Pamore

Engjujt e rrënojës

Një rrënojë mund të na sjellë ndërmend edhe një tjetër rrënojë, ashtu si tek e shkuara e një jete gjenden paralele të një tjetër jete. Sepse rrënoja përfaqëson gjallmimin, në dallim nga gërmadha, e cila është e mbyllur në vetvete, si çdo vdekje.
Rrënoja është ajo që i mbijeton zhdukjes, asaj që gërmadha nuk i bën dot ballë.
Trupat njerëzorë të Pompeit, ngrirë prej shekujsh nën llavë, nuk janë kadavra. Për një mrekulli të natyrës, njëherit edhe vrasësja e tyre, ata dëshmohen ashtu siҫ janë fiksuar në çastin e beftë të mortjes, në vendet dhe gjestet e fundit të veprimtarisë së gjallë. Moment i rrallë! E ky momentum i historisë së njerëzimit, ku ata mbetën edhe jetë edhe vdekje, në gjestet reale, duke kryer punë e zanate e arte, apo diku në puthje e duke bërë dashuri, a në të mëkuar gji, është monumenti i tyre i përjetshëm, për sa që tashmë të shndërruar personazhe. Një rrënojë e cila i mbijeton zhbërjes së artit që mban në gji, shndërrohet dhe vetë ajo në vepër arti.
Dhe ja ku mbërritëm një moment të rrallë arti të sotëm: Artistja, Lume Blloshmi (Shivë hyjni shndërruese, siç na e prezanton veten në një trajtë autopotreti në ekspozitë) na paraqet, përmes cikleve“natyrale”të artit dhe aksionit performer të saj, edhe vetë procesin e transformimit. Objekti: lëkura (edhe apel i empatisë) e portokalles (edhe fryt ironie për botën që rrotullohet e rikthehet). Po ç’kish ngjarë realisht për të shkaktuar lindjen e një ideje që më tej do të shndërrohej në aksion artistik?


Autorja dëshmon se një lëkundje e lehtë tërmeti dikur, rrëzoi masivin e gjërave gjithfarësoji rrasur mbi njëra-tjetrën në hapësirën mbi raftet gjer në tavan, në të vetmen dhomë, shtëpi-atelier të saj. Nga një kuti e dekadave përpara, koha e mësimeve në Lice, u shpërhap në dysheme një masë lëvoresh portokalli të thara, nga ato që dikur, pas një seance mbi sobë ose në furrë, përdoreshin për të bërë portokallatë. Në këtë çast e prej pamjes së tyre, ajo ndërmendet se atëherë i pat ruajtur për skicimin e ngjashmërisë së tyre me trajtën e trupi njeriu, pasi nga djegia e përcëllimi lëvoret e prera pësonin çarje tërthore e spërdredhje, që mandej hapeshin si gjymtyrë dhe përthyheshin si në një qëndrim njerëzor.
E kështu, këto lëvore fruti me formën e qenieve humane prej zjarrmit ku vendoseshin për t’u marrë esencën dhe aromën, pas shumë kohërash ҫlirohen nga izolimi dhe bëhen objekti i kundrimit të artistes, që i pat konsideruar të humbura me kohë. Bashkë me përqëndrimin mbi to, pason edhe një hedhje syri mbi vetë kohën e atëhershme. Gjë që, përmes vështrimit të zgjatur nën këtë ndërmendje, i krijon edhe mundësinë tjetër: të kqyrrë në kohë reale një tjetër ngjarje “natyrale”: atë të shndërrimit të formave të lëvoreve, të lëvizjes së vetvetishme të tyre në gjeste të tjera. Pra, nuk mbaron këtu e me impaktin e parë të ngjashmërisë me kukulla amorfe apo kadavra. Sepse, fill pasi i hapen dritës, ajrit dhe pranisë së kondensimit, ndodh që natyra të bëjë të vetën, duke i kthyer disa prej tyre në “jetë” e lëvizje të re, e disa duke i bërë përfundimisht hi.

Është pikërisht kjo që do ta shndërronte më tej edhe orjentimin tim në lidhje me konceptin e ekspozitës drejt konceptimit përqasës të rrënojës dhe një zinxhiri ngjarjesh të kalimit në një rrënojë të re, ashtu si edhe vetë materia në fjalë.
Stadi tjetër vendimtar për shtysën e ekspozitës ka të bëjë me një paralele rastësie ngjashmërie të habitshme me tablotë e mjeshtrave të Rilindjes. Kur po shihnim në galerinë “Zenit” fotografitë e para kryer nga Blloshmi, këmbët më shtynë te rafti i katalogëve të artit dhe pasi dora e hap albumin mbi imazhin Kryqëzimi i Shën Gjonit vendimi për t’i paraqitur së bashku, bri ose brenda njëra-tjetrës pamjet fotografike, do të konsolidohej fletë pas flete. E njëherit edhe paralelizmi me rrënojën dhe shtresëzimet e tyre, duke qenë se edhe vetë dalja në dritë e idesë për vendosjen pranë të dy palë imazhesh të ndryshme e nën shtresëzime kohërash të ndryshme, shpinte në zonat e rrënojës. Duke na paraqitur e gjitha, kësisoj, edhe një rrënojë të re. Dhe, bashkë me të, duke na kondensuar, praktikisht, një rezultat për të cilin teorizimi mbi rrënojën është tashmë: akti i riformësimit të shkatërrimit si atribut i saj; nëpërmjet një procesi të dyfishtë, natyral dhe historik. Me rrjedhojë, edhe të kuptuarit më mirë të historisë.


Në lidhje me këtë dhe kontekstin tonë historik, qaset pashmangshëm edhe konotacioni prej pamjes së lëkurave të regjura me kufomat e gropat masive, si dhe me regjime e shpërngulje masive gjithashtu. Aq më mirë për ruajtjen e kujtesës kolektive prej rrënimit!
Mbi rrënojën, qysh nga Simmel mbi një shekull më parë (Die Ruine) e mandej Benjamin (nga këndvështrim edhe i përkundërt), e më tej me Pasolinin e trajtimit mbi mbetjet e katastrofave apo shpërdorjeve të ngeshme urbane: është zbritur gjer në thellësi të kësaj dikotomie: rrënoja nga pikëpamja estetike është edhe një formë e paqtimit, apo armëpushimit le të themi, të konfliktit mes fuqive shkatërruese të natyrës dhe atyre ndërtuese të kulturës dhe artit.
Prej këtej, mbase edhe një premisë e perceptimit të dallimit mes artit të natyrës dhe natyrës së artit, si dhe pushtetit të natyrës dhe natyrës së pushtetit, me përbrenda tyre historinë në këtë mes…


…Duke u ndërmendur për kronikën, historinë, narratorin, merakun e zejes së papërmbushur të Benjaminit për një libër cit me hallka citimesh, si dhe mbi rrënojat e tij, për të cilat njëri pat thënë që s’mund t’i ndash dot më vete nga ato të vetë jetës së vet, ja tek ndodh kjo ndërprerje dhe:
– Hyn në skenë Antigona

Lume Blloshmi është një artiste e jashtëzakonshme, e cila qysh prej miturie nuk flet e nuk dëgjon më. Gjuha e saj tashmë është një rrënojë. Edhe leximesh me tepri pos transferimi gjuhëzimi në atë të imazhit. Ajo vetëm belbëzon me pasion e ndërprerje, me zë që del nga thellësitë e ngërçit, që shpesh nga notat e larta të sforcimit e marrin për një të huaj që bën të komunikojë në gjuhë që s’është e saj. E kuptoj aq sa ndonjëherë më thërrasin të bëj “dragomanin”. Mbase e kuptoj ngase vetë rri mbi një shtresëzim rrënojash e njëkohësisht jam një katastrofë në kohë reale, në kohën e shkrimit. Ajo, Lumja, belbëzon e ndalon e rinis, ashtu si tërmeti është një gagaçëri e natyrës.

Edhe më tepër se studiot e rrëmujshme të artistëve në përgjithësi, me artin që mbajnë në gji, e saja është një rrënojë e veçantë: tablo e grafika portretesh mbi njëra-tjetrën si pirgje masive trupash; diku sy balte e më tutje zgavrat homerike; piktura të këmbyera e dhuruara nga kolegë, kanavaca të dhunuara nga telajot e gozhdët e pikturës përmbi e përbri, fotografi bardhezi të afërmish të vrarë e mbetur të pavarr, foto retushimi material për fraktura kolazh, fatura pagesash drite, dokumente mbi përndjekjen e Blloshmëve, imazhe vjeneze universiteti dhe spaletat e të atit ushtarak i pushkatuar, vargje poeti të varur me të cilin e lidh një plëng e kulm shtëpie; gjymtyrë të thyera instalacionesh, të denja për gropat masive e vrimat konceptuale nën vështrimet e Elias Canettit; diku tjetër një farë sistemimi i freskët, riformim i shkatërrimit, tej kujtime të shkruara mbi copa bisedash të kohës kur bisedat e mynxyrës i dëgjonte, gjer te ndërprerja, prerja e gojës, që ajo ia vë si shkak ‘kollës së mirë’. Është atelier-rrënojë kjo e saja, cit me art e zeje e gjithaq e mbushur me aq shumë heshtje. Edhe mbetjesh heshtane hedhurina! (Sikur ta dinit se nga çfarësoj plehurinash buthton poezia! – tha Ahmatova). Tashmë artistja beqare, dikur nga femrat me trup e sytë më të bukur në qytet, nudot memoriale të grafikave të diplomës në Akademi, i është dorëzuar heshtjes edhe më. E ka maraz gjetjen e eshtrave e të pakallurve të gjindit të vet. Ashtu si një Antigonë, kështu si një Beniamin, ajo është një rrënojë. Vijon të gulçojë gagaçërinë infantile dhe belbëzimin e gjuhëzimit art, të rebelohet, krijojë, ideojë, të performojë. Përreth saj, një zhurmë heshtjeje tërmet! (“Ç’donte të thoshte familja ime? Gagaçe që në lindje ajo kish megjithatë diç për të thënë. Mbi mua e shumë bashkëkohës të mi rëndon gagaçëria e lindjes. Ne mësuam jo të flasim, po të belbëzojmë, dhe vetëm duke i vënë mirë veshin zhurrmës në rritje të shekullit, pasi u zbardhëm prej shkumës së kreshtës së tij, ne përftuam gjuhën” – Osip Mandelshtam.)
Është një mision i artistit edhe ky: të mos lejojë që rrënoja të përkthehet gërmadhë!
E lypset me ia dhënë hakun në kohë engjujve të rrënojës, tërë ata që munden ende, e që gjithsesi nuk do donin një botë veç rrënojë engjujsh. Dhe… pa kundrues!

k.z.nga koncepti i ekspozites ne galerine kombetare, 2016; risjelle ne “publikja shqiptare nr.4”, 2020)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Gjithashtu mund t'ju interesojnë

Deti monumental i Adrian Pacit përmbyt Mudec-in
TË RUASH FRYMËN E AKUARELIT
Kjo vjeshtë e Orion Shimës
Fluturimi i Chagall-it
Botohet në anglisht “Shqiptarët në art”, i studiuesit Ferid Hudhri
Kur arti na kujton gjuhën e harruar të njeriut

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}